
Shqiptarët po mërgojnë, me ritëm të lartë, si më parë. Jo vetëm të varfrit, por edhe ata që kanë punë, profesion e të ardhura. Edhe ata që nuk mërgojnë sot, në afatmesëm e shohin veten jashtë.
Pushtetari po të shqetësohet, i bie të vetëdijësohet për fajin e tij dhe të largohet. Prandaj pushtetari nuk shqetësohet, dhe thotë se mërgimi është normal, e drejtë njerëzore.
Ky spastrim etnik i shqiptarëve prej Ballkanit as nuk ishte e as nuk është normal. Shqiptarët e duan vendin e tyre, Luginën, Malësinë, veriun e perëndimin e Maq. Veriore nga Kumanova deri në Strugë, dhe sigurisht Kosovën e Shqipërinë.
Shqiptarët mërgojnë sikur të ishin nga Siria e Iraku që u shkatërruan prej luftës. Nuk mërgojnë ashtu as grekët e krizës, as maqedonët e bullgarët, rumunët, serbët e malazeztë.
Pse ndodh kjo? Se te ne është vrarë shpresa, bashkë me vrasjen e kolektivit. Është vrarë shëndetësia publike, arsimi publik, prodhimi vendor, tregtia vendase, industria, forcat e armatosura. Tek ne ekonomia private është zaptuar nga kriminelë, të cilët kontrollojnë qeverinë, gjykatat dhe median, pa u fshehur askush e me arrogancë nga të gjithë.
Këta zaptues mund të bëjnë herë pas here edhe pafytyrësi a krime të mëdha, ndoshta flitet një ditë a dy për to, pastaj heshtje absolute, dhe vëmendja kthehet te dhuna kriminale e të varfërve. Askush prej zaptuesve s’ndëshkohet, çfarëdo që të kenë bërë. Shqiptarët rezultojnë kombi me klasën e biznesmenëve të mëdhenj, apo oligarkëve, “më të pastër” në botë, para gjykatave. Ata arrestohen vetëm nëse varfërohen e falimentojnë personalisht, por jo kur varfërojnë e falimentojnë familje të tëra. Po aq “të pastër” dhe pushtetarët, gjyqtarët e drejtuesit e mediave. Këtu fajtor janë vetëm njerëzit e thjeshtë, e veç ata dënohen.
Prandaj njerëzit ikin.
Por, kjo nuk ndryshon me ikje, ndryshon me qëndresë dhe organizim, në Lëvizjen Vetëvendosje!