Home / Opinion / VËLLEZËR TË KOSOVËS, MËNJANONI LUFTËN POLITIKE MES VETIT, BASHKOHUNI E LUFTONI PËR KOSOVËN DHE SHQIPËRINË!

VËLLEZËR TË KOSOVËS, MËNJANONI LUFTËN POLITIKE MES VETIT, BASHKOHUNI E LUFTONI PËR KOSOVËN DHE SHQIPËRINË!

 Shkruan: Gjon Bruçi

Vëllezër të Kosovës, unë që po ju drejtohem me këtë thirrje, jam vëllai juaj, me banim në Shqipërinë londineze. Afërsisht tre shekuj më parë, të parët e mi, për arsye madhore u zhvendosën nga rrethinat e Pejës në krahinën e Mirditës, e cila ndodhet në thellësi të zonës verilindore të Shqipërisë së sotme. E bash për këtë të fundit, mendoj se më dyfishohet e drejta t’ju drejtohem, jo për t’ju dhënë mend e dije, por për tju dhënë kurajo ju dhe vetes sime, në luftën tonë të përbashkët të Bashkimit Kombëtar.
Pas gati dy shekuj luftë e përpjekje, gjak e sakrifica të pashëmbullta, më në fund, në vitin 1999 shqiptarët e krahinës së Kosovës, falë edhe situatave të favorshme ndërkombëtare që u krijuan, arritën të fitonin lirinë dhe të shporrnin nga trojet e tyre etnike, pushtuesin e egër serb, i cili kishte vënë në pikëpyetje mbijetesën dhe egzistencën e këtij populli të martirizuar, në mes të Evropës moderne e “demokratike”.
Në këtë periudhë prej më se dy dekadash, ne shiptarëve nuk na kanë munguar miqtë dhe mbështetësit për çështjen tonë madhore. Por këto rrethana, këtë miqësi, këtë mbështetje nuk kemi ditur ta përdorim në drejtimin e duhur dhe për qëllimin më madhor tonin, që është Bashkimi Kombëtar. Pas fitimit të lirisë në vitin 1999, me luftëtarët e UÇK-së në ballë dhe me miqtë euroatlantikas në krah, në muret e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, shënuam me germa të mëdha frazën lapidare: “BAC, U KRYE”!, që ishte amaneti i Komandantit të UÇK-së, legjendarit Adem Jashari, amanet i cili do të plotësohet me Bashkimin Kombëtar, ëndrra dhe përpjekja shekullore e popullit tonë, që nga Rilindja e gjer në ditët e sotme.
Por, ja ku kaluan dy dekada e më tepër nga dita e çlirimit, dhe Dardania jonë, akoma përkundet në mjegullnajën e bisedimeve të pafund, që varen nga manovrat e ish pushtuesit, por edhe nga lojrat e Lajçakëve të Evropës plakë, me mantel modern. Në këtë përkundje të mjegullt, për fat të keq kemi ndihmuar e po ndihmojmë edhe vetë ne shqiptarët. Miku i madh amerikan, në mitingun e fitores së vitit 1999, midis të tjerave tha: “Ne bëmë luftën, ju duhet të bëni paqen”! Pikërisht “paqen” ne nuk po dimë ta bëjmë. Dhe kjo po ndodh, sepse paqa është më e vështirë se lufta. Në luftë, siç ka vertetuar historia, dominojnë heroizmi, guximi, vetmohimi, atdhetarizmi, të cilat mënjanojnë edhe shumicën e sëmundjeve fizike. Ndërsa në paqe lulëzojnë më shume veset dhe sëmundjet morale e fizike. Pikërisht këto të fundit na kanë mbërthyer ne shqiptarëve, në këto dy dekada, që për nga shansi, mund të quhen të bardha.
Këto sëmundje, sidomos morale, na kanë prekur të gjithëve, por në “reanimacion” kanë dërguar klasën tonë politike, këtej e matanë kufirit artificial shqiptar- shqiptar. Paqa sociale, por edhe politike, mund të ishte arritur në Kosovë, qysh në dekadën e parë pas çlirimit nga sundimi serb, nëse klasa politike do të kishte zotëruar minimumin e shqiptarizmit e të atdhetarizmit. Dalja nga lufta çlirimtare e vitit fitimtar 1999, duhej të pasohej nga një organizim total i forcave intelektuale dhe gjithë qytetarëve për ngritjen e shtetit, këtij aseti të domosdoshëm për realizimin e objektivave kombëtarë. Por, për fat të keq, në vend që të kishim një qeveri të unitetit kombëtar, qysh në ditët e para të pasluftës, dolën në skenë disa parti politike, shumica e të cilave, patën një kontribut minimal, për të mos thënë hiç fare, në luftën çlirimtare. Këto parti politike dhe drejtuesit e tyre, në vend që ta përqëndronin punën dhe luftën në shërimin e plagëve të sundimit serb dhe të luftës çlirimtare, me luftën e tyre për pushtet bënë të kundërtën, shtuan plagë të reja të “paqes”, shumë më të rënda se ato të pushtimit e të luftës. Është pikërisht kjo situatë, e ndihur nga vetë shqiptarët në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që i ka dhenë dorë ish pushtuesit të luajë “si macja me miun” me pavarësinë dhe integritetin e Kosovës, dhe për pasojë edhe të çështjes tonë më madhore, atë të bashkimit kombëtar. Në këtë lojë, me dashje apo pa dashje, janë përfshirë edhe miqtë ndërkombëtarë, tek të cilët ne kemi varun gjithë shpresat e zgjidhjes së halleve tona, pa marrë parasysh se ndërkombëtarët kanë edhe interesat e tyre në rajon, të cilat nuk do t’i cënojnë për të zgjidhur hallet tona.
Le të ndalemi në ditët e sotme, më saktë në ngjarjet më të fundit, kur në veriun e Republikës së Kosovës, situata agravoi me tensione, sapo qeveria e kryesuar nga Albin Kurti vendosi të zbatojë njërën nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel me ish pushtuesin serb.
Pa diskutim, Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti, është në të drejtën e saj legjitime për zbatimin e reciprocitetit në marrëdhenie ndërshtetërore me Serbinë, gjer dje pushtuese. Mirëpo marrëveshja për reciprocitetin, ashtu si dhe marrëveshje të tjera që janë nënshkruar gjer tani në praninë e negociatorëve të Brukselit, janë marrëveshje “jetime”, sepse nuk janë kurorëzuar ende me marrëveshjen e madhe, atë të njohjes së Republikës së Kosovës nga qeveria e Serbisë, e madje në finale edhe nga shtetet e BE dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Ndodhur në këtë situatë, qeveria e Kurtit, ndonëse ka njëqindpërqind të drejtë në veprimet e tij për zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit me Serbinë, u detyrua ta shtyjë vendimin në fjalë, duke pranuar edhe sugjerimin e miqve ndërkombëtarë, euroatkllantikas.
Por pas këtij veprimi, pyetja shtrohet: Sa do të vazhdojë kjo lojë e marrëveshjeve që nënshkruhen, por shtyhen? Sa do të vazhdojë kjo lojë bisedimesh midis Kosovës dhe Serbisë, nën dirigjimin e Lajçakëve të Brukselit?
Tradita dhe historia e popullit shqiptar, ka treguar dhe tregon se kur je i detyruar të marrësh “pleqësi” për zgjidhjen e ngatërresave me të tjerët, “pleqtë e katundit”, në rastin tonë “pleqtë e Evropës”, zgjidhjen ose e kanë vonuar, ose më e shumta e kanë “zgjidhur” duke lënë “gjalma” në të. (gjalma – quhen lidhëset prej leshi që mbërthejnë opingat prej lëkure). Këtë “lojë” të pleqve të Evropës, më saktë të Brukselit, ne tashmë e kemi parasysh prej më se një dekade. Kjo, padyshim favorizon Serbinë, e cila, jo në Evropë të hyjë, por edhe në hënë po të shkojë, nuk do ta heqë oreksin dhe synimin për trojet e shqiptarëve të Kosovës.
Vini re: Me shtyrjen një muaj të ekzekutimit nga ana e Qeverisë së Kosovës të marrëveshjes për targat dhe lëvizjen nga dy anët e kufirit me Serbinë, kjo e fundit, fiton kohë për të kurdisur skena e prapaskena, që afatin e shtyrjes në fjalë, ta shumfishojnë, ndoshta pa limit. Gjatë këtyre tridhjetë ditëve, Lista Serbe, për shembull, mund të tërhiqet nga parlamenti i Kosovës. Këtij veprimi mund t’i ndihë edhe ndojë parti politike shqiptare, që mezi pret të marrë pushtetin. Në këtë variant, koha një mujore e shtyrjes, bëhet tre, katër, apo gjashtë mujore; kohë kjo e mjaftueshme për të përgatitur skema të tjera kësisoj në dëm të ecurisë dhe mëkëmbjes së Republikës së Kosovës.
Unë si qytetar i thjeshtë i njërës prej republikave shqiptare në Ballkan, jam i bindur se në kushtet e sotme, kur po shkojmë drejt integrimit evropian, është e domosdoshme të kapërcejmë mbi hasmëritë e së kaluarës, duke i kyçur këto të fundit në “arkën” e relikeve të shekujve të kaluar. Por jo ta djegim këtë “arkë”. Përkundrazi ta ruajmë, qoftë edhe si relike, e cila na kujton se duhet të jemi syçelë përkundrejt ringjalljes së lakmisë shekullore serbe, për trojet e shqiptarëve. Kjo lakmi, edhe pas humbjes së të drejtës për ti rrëmbyer, vijon edhe sot në mendjet e lidrëve serbë, pavarësisht se ata ulen në ndenjëset e zyrave të Brukselit, duke nënshkruar marrëveshje gjysmake, që nuk duan t’i zbatojnë.
Nisur nga kjo situatë aktuale, që mund të definojë me një rrezik të afërt për fatet e shqiptarëve, liderët politikë të Republikës së Kosovës, duhet të gjejnë një zgjidhje, që i djeg letrat e Vuçiçit me shokë për destabilizimin e vendit të tyre, qoftë dhe me provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Liderët politikë të Kosovës, duhet të mblidhen në një kuvend të përbashkët, ngjashëm me Kuvendin e famshëm të Prizrenit, dhe duke kapërcyer mbi interesat individuale e ato partiake, me ose pa zgjedhje parlamentare, të realizojnë një Qeveri legjitime të Unitetit Kombëtar, aq shumë të nevojshme për eleminimin e situatave paradoksale të krijuara gjatë njëzet e tre vite që nga çlirimi i Kosovës.
Ky veprim atdhetar, i mbështetur edhe nga liderët politikë dhe shtetërorë të Shqipërisë londineze, do ta vërë çështjen tonë kombëtare në binarë të saktë dhe të sigurtë, çka do të përballonte si hiletë dhe prapaskenat serbe, ashtu dhe lojrat e mundshme të Evropës dhe ndërkombëtarëve, të cilat nuk u kanë munguar, kur janë marrë me çështjen shqiptare.
Shqiptarët dinë të çmojnë miqësinë, por asnjëherë nuk duhen varur gjithë shpresat tek miqtë ndërkombëtarë, sado të gjindshëm e të fuqishëm të jenë ata. Jemi ne, banorët e këtyre trojeve të lashta me emrin Shqipëri, që duhet të bëhemi interpret të fatit tonë. Pa këtë kusht bazë, as ndërkombëtarët e askush tjetër në rruzullin tokësor, nuk do mund të na e sigurojë Lirinë, Pavarësinë, Sovranitetin dhe Dinjitetin e vërtetë.
Ndaj thirrja me pak fjalë mbetet: Të lëmë mënjanë luftën politike me sho-shoqin, të punojmë e të luftojmë për Kosovën, për Shqipërinë!

-Botuar në gazetën SOT, datë 4 Gusht 2022-

About xhzeqiri

x

Check Also

SI TË ELIMINOHEN MOSMARRËVESHJET DHE PENGESAT MES POPUJVE DHE SHTETEVE BALLKANIKE PËR HAPJEN E PERSPEKTIVËS EVROPIANE DHE EUROATLANTIKE TË TYRE

Shkruan: Dr. Abdulla Mehmeti 12 gusht 2022 A k t u a...