2 GUSHT 2022,
Faqja e grupimit të ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësi për Atdheun” ka publikuar sot disa emaile që i kanë ardhur kryeministrit Edi Rama në postën elektronike.
Pas një sondazhi të realizuar një ditë më parë në faqen e internetit https://homelandjustice.ru/ ku kërkonin të dinin interesin e shqiptarëve për të parë email-et e kryeministrit, hakerat kanë ngarkuar dhjetra materiale që i kanë ardhur Ramës në inbox.
Faqja “Homeland Justice” ka publikuar madje edhe disa nga denoncimet nga ana e punonjësve të administratës të cilët ankohen për eprorët e tyre.
Një nga denoncimet që janë shfaqur është ajo e një punonjëse të FSDKSH-së, e cila thekson se ky institucion po drejtohet nga njerëz të Partisë Demokratike dhe familjarë të zyrtarëve të lartë të saj siç janë ata të Flamur Nokës.
Sipas denoncueses, i gjithë institucioni është i kapur nga familjarët e zyrtarëve të PD, të cilët përveçse nuk bëjnë asnjë punë, ushtrojnë presion mbi administratën.
