Home / Histori / PSE NGUTEN ME KAQ TURR PARTITË POLITIKE DHE KLANET MAFIOZE PËR ZGJEDHJET LOKALE TË RADHËS NË KOMUNËN E TETOVËS?!

PSE NGUTEN ME KAQ TURR PARTITË POLITIKE DHE KLANET MAFIOZE PËR ZGJEDHJET LOKALE TË RADHËS NË KOMUNËN E TETOVËS?!

 

Shkruan: Prof.Dr. Abdulla Mehmeti

Rilexim për reflektim

(Shkrimi është publikuar në prag të zgjedhjeve lokale (komunale) të vitit 2017, me pak ndryshime dhe plotësime është përshtatur në prag të zgjedhjeve lokale në Komunën e Tetovës, që do të mbahen më 20 gusht të këtij viti.)
Vërtet, pse nguten kaq shumë partitë politike, politikanët shqiptarë dhe klanet e tyre në Maqedoninë Veriore, për zgjedhjet lokale kësaj radhe vetëm në Komunën e Tetovës, të cilat do të mbahen më 20 gusht 2022?
Përderisa pushteti i derisotëm në këtë shtet nuk e ka dhënë as provimin e parë të demokracisë, në organizimin e zgjedhjeve shumëpartiake, të drejta, të lira dhe demokratike, në nivel të pushtetit qendror dhe lokal, si kusht i parë për një shtet demokratik dhe ligjor.
Kur dihet se në këtë shtet asnjëherë nuk janë organizuar zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike (këtë e kanë konfirmuar edhe shumë diplomatë të huaj dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare), pushtetit të këtij vendi i duhet edhe shumë kohë që të sigurojë kornizë të nevojshme ligjore dhe kushte normale për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike në nivel lokal, si edhe në nivel qendror (zgjedhje parlamentare dhe presidenciale).
Cila është arsyeja logjike dhe praktike për ngutjen e partive politike, politikanëve shqiptarë në këtë shtet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, kësaj radhe vetëm në Komunën e Tetovës, përveç mbetjes edhe më tej në pushtet të klaneve politike të korruptuara dhe kriminale, ose ardhjes në pushtet të forcave politike pasuese të po kësaj filozofie retrograde dhe kaotike, me qëllim të realizimit të interesave personale dhe grupore, të klaneve mafioze dhe kriminale, kur dihet qartë se edhe përmes këtyre zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet me asgjë pozita e shqiptarëve në këtë komunë dhe në këtë shtet.
Kur edhe pas regjistrimi të fundit të popullsisë, në vitin 2021, institucionet kompetente të shtetit, mediet dhe qarqe të ndryshme politike vazhdojnë të manipulojnë me numrin dhe përqindjen e shqiptarëve dhe të qytetarëve me përkatësi të tjera etnike, si dhe:
– me kornizën ligjore ekzistuese, pa parakushte elementare për mbajtje të zgjedhjeve të lira;
– me lista të zgjedhësve, të falsifikuara dhe përplot me votues fiktivë;
– me lista të zgjedhësve, ku qytetarëve të huaj (nga shtetet fqinje) u jepet e drejta e votimit, ndërsa qytetarëve vendës, pa shtetësi dhe me punë të përkohshme në botën e jashtme, u mohohet kjo e drejtë;
– me manipulime të dëshmuara në listat e zgjedhësve, në të cilat nuk janë përfshirë një numër i madh i qytetarëve shqiptarë, ndërsa shumë qytetarë me përkatësi të tjera etnike janë përfshirë nga disa herë në listat e zgjedhësve, në njësi të ndryshme zgjedhore;
– me njësi zgjedhore numerikisht të pabarabarta, jo një njësi e vetme zgjedhore, siç i përgjigjet realitetit shumetnik në këtë shtet;
– me ndarje të padrejtë administrative territoriale, joefikase dhe jofunksionale të njësive të vetëqeverisjes lokale, komunave, qytetit të Shkupit dhe Rajoneve administrative, ekonomike dhe zhvillimore;
– me pamundësi për përdorimin e listave të hapura të kandidatëve, me çka votuesve u mohohet e drejta për eliminimin kandidatëve të paaftë, jo profesionistë, të dëshmuar për korrupsion dhe kriminalitet në të kaluarën, edhe pse votuesit i njohin këta kandidatë të imponuar si delet e zeza;
– me komuna me popullsi joshqiptare, me 3-5 mijë banorë, ndërsa shumica e komunave shqiptare kanë mbi 25-30 mijë banorë;
– me komuna të rrasura në borxhe prej disa milionë euro, si Komuna e Tetovës me miliona euro borxhe (e qeverisur nga shqiptarët nga viti 1991 e deri më sot), të cilat realisht pushtetin lokal (komunal) e bëjnë të falimentuar, ndërsa partitë politike që i kontrollojnë këto komuna edhe më tej promovojnë kandidatë të dështuar dhe të paaftë, me para të vjedhura nga qytetarët, për dhënien e mandateve të reja kandidatëve të cilët realisht duhet të japin llogari përpara zgjedhësve për hajnitë, krimet dhe dështimet e derisotme.
Që të mos krijohet përshtypja tek qytetarët dhe opinioni se jemi të prirë vetëm për vërejtje, mospajtime dhe kritika, pa propozuar asnjë alternativë të re për tejkalimin e kësaj situate, ju paraqesim në vazhdim këtë:
PROPOZIM PËR ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E KOMUNAVE SHQIPTARE NË MAQEDONINË VERIORE
Duke pasur parasysh se partitë politike shqiptare dhe politikanët aktualë, të ndihmuar edhe nga organet e pushtetit, për interesa të tyre afatgjata dhe strategjike, nuk shihet që kanë gatishmëri për ndryshimin e kësaj gjendje, duke shpresuar se do t’i fitojnë edhe zgjedhjet lokale të radhës, përmes blerjes së votave, kushtëzimit të punonjësve të administratës, kërcënimit të qytetarëve përmes metodave të ndryshme, propagandës të orkestruar përmes medieve të pushtetit, të cilat i financojnë dhe i mbajnë nën kontrollin e tyre këto parti politike dhe segmente të caktuara të pushtetit, do të ishte mirë dhe e dobishme që qytetarët të organizohen vetë, duke krijuar Këshilla qytetare (gjithëpërfshirës), në nivel të të gjitha komunave shqiptare, me ndihmën dhe përkrahjen edhe të forcave progresive të disa partive politike ekzistuese (nëse pajtohen me këtë ide), të sektorit joqeveritar, intelektualëve dhe profesionistëve të dëshmuar, me qëllim të përgatitjes dhe organizimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale të suksesshme, me përpjekje për ndryshimin e kornizave ligjore ekzistuese dhe të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në të ardhmen (sepse ky proces nuk mund të zhvillohet në afat të shkurtë kohor), si dhe për hartimin e planeve dhe strategjisë për organizimin e pushtetit lokal dhe zhvillimin e komunave shqiptare në të ardhmen.
Shqiptarët në Maqedoninë Veriore, si në vel të pushtetit qendror edhe të pushtetit lokal kanë nevojë për ZGJIDHJE, jo vetëm për zgjedhje.
Qytetarët duhet të vendosin për fatin dhe të ardhmen e tyre, jo klanet politike të korruptuara dhe kriminale, ndoshta deri në reformimin e pushtetit dhe partive politike ekzistuese, në të ardhmen.
(29. VII. 2017 – 2022)

About xhzeqiri

x

Check Also

Shqiptarët e Afganistanit, pasardhësit e ilirëve që jetojnë mes këngëve dhe valleve tradicionale

/Huazuar nga Portali Mekulipress.com/ Kemi të bëjmë me një rast unik të...