/ Foto Rafi Halili në interviste për Televizion/
Kumtesa e Elmaz Ademi për organizaten “ORGANIZATA KUSHTRIMI I LIRISË “
Poroj 15. 06. 2022
Ta përshkruash historikun e Organizatës ,Kushtrimi i Lirisë” në një kumtesë është e pamundur. Do të mundohemi që në pika të përgjithshme ta përshkruajmë sadopak gjithë veprimtarinë e saj. Demonstratat e vitit 1968 të cilat u emëruan si demonstratat për Flamur, te popullata shqiptare patën një ndikim të madh në ngritjen e vetëdijes nacionale, e cila kishte filluar të venitet nga propaganda jugosllave e “vllaznim bashkimit”. Ndikimi më i madh u vërejt te rinia e cila mori pjesë masovikisht në këto demonstrata. Aty në mënyrë aktive marin pjesë edhe Rafi Halili e Gafur Loku, si nxënës të shkollës së mesme, ku edhe dënohen me burg, njëri një muaj e tjetri dhjetë ditë. Pas përfundimit të shkollës së mesme Rafi Halili regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik. Gafur Loku regjistrohet po në të njejtin Universitet në Fakultetin Ekonomik. Pas një apo dy viteve në këtë Universitet, do të regjistrohen edhe Elmaz Ademi, Muhamet Saliu dhe Rushit Nesimi po në Fakulltetin Ekonomik, kurse Xhevahir Aliu nga fshati Reçicë, u regjistrua në fakultetin e Historisë. Shpirtërat e trazuar të rinisë shqiptare lypshin njëri-tjetrin. Kështu që në vitin 1971 rastësisht para Fakultetit Filozofik në Prishtinë takoj Rafi Halilin. Shumë shpejt u kuptuam me njëri-tjetrin, pasi dhimbja shpirtërore ishte e njëjtë. Pastaj kohë pas kohe takoheshim dhe bisedonim për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga ana e Jugosllavisë. Bisedonim edhe për një forcë të organizuar e cila do t’i kundërvihet kësaj të keqe.
Pas disa takimeve që patëm me Rafiun, e njoftova edhe me Muhamet Saliun dhe Xhevahir Aliun të cilët ishin të mendimit të njëjtë. Pas disa takimeve erdhëm në përfundim që të takohemi e ta formojmë një organizatë përmes së cilës do t’i kundërvihemi të keqes së quajtur Jugosllavi. Aty nga mesi i prillit të vitit 1972, në një banesë përdhesë në rrugën Ganimete Tërbeshi, banesë e Rafi Halilit, u tubuan: Rafi Halili, Gafur Loku, Elmaz Ademi, Muhamet Saliu dhe Xhevahir Aliu. Si fillim u vendos që të gjindet një emër me të cilin do të emërohet organizata.
Rafiu tha se në Tetovë egziston një organizatë me emrin ,,Kushtrimi i Lirisë”, që udhëhiqet nga njerëz të besueshëm por për shkak se ndiqeshin nga UDB-ja e kanë ngrirë aktivitetin. Pasi e dëgjoi Rafiun, Gafur Loku tha: atëherë nuk është keq që Organizata të quhet ,,Kushtrimi i Lirisë”.
Mbeti që Organizata të quhet ,,Kushtrimi i Lirisë”. Më pas para Flamurit Kombëtar, fotografisë së Skenderbeut dhe fotografisë së Enver Hoxhës, Gafur Loku lexoi një tekst të shkurtër që ishte akti i betimit ku thuhej: “Me vullnet, vendosmëri dhe besnikëri do t’i kryej detyrat e mara nga organizata dhe pa kompromis do të luftoj ndaj çdo armiku, do të jem vigjilent dhe do t’i ruaj fshehtësitë e Organizatës, për mos kryerjen e detyrave dhe mos ruajtjen e fshehtësive do të përgjigjem para organeve të Organizatës.”
Që të llogariteshe anëtar i organizatës duhej që çdonjëri nga ne ta përsëriste tekstin e betimit. Unë Elmaz Ademi betohem para Flamurit se me vullnet,vendosmëri dhe besnikëri do t’i kryej detyrat e mara nga organizata, dhe pa kompromis do të luftoj daj çdo armiku, do të jem vigjilent dhe do t’i ruaj fshehtësitë e Organizatës, për mos kryerjen e detyrave dhe mos ruajtjen e fshehtësive do të përgjigjem para organeve të organizatës. Pas kësaj, Rafi Halili e lexoi programin e Organizatës, për të cilin kishim bindjen se Rafiu programin e kishte përgatitur me ndihmën e shokëve nga Kosova.
Programi i Organizatës ,,Kushtrimi i Lirisë” përbëhej nga dy pika kryesore:
-
Pika e parë ishte e paprekshme dhe e pandryshueshme dhe përcaktonte strategjinë e Organizatës, pra bashkimin e popullit dhe tokave të robëruara nga të huajt, me shtetin amë Shqipërinë. Pra ishte ideali i çdo anëtari të Organizatës.
-
Pika e dytë përcaktonte veprimin taktik, pra veprim sipas kushteve dhe rrethanave që i impononte koha. Kurse sipas statutit anëtar i Organizatës ,,Kushtrimi i Lirisë” mund të jetë çdo shqiptar i ndershëm dhe besnik, pa dallim të bindjeve politike apo fetare.