LËSHOJENI DEGËN, KAPENI RRËNJËN, O SHQIPTARË TË NGRATË!

22
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

A k t u a l e
Rilexim për reflektim
LËSHOJENI DEGËN, KAPENI RRËNJËN, O SHQIPTARË TË NGRATË!
Çështja shqiptare në Maqedoninë Veriore nuk është vetëm çështje e të drejtave kulturore të shkelura dhe mohuara nga pushteti i këtij vendi, edhe gjatë tri dekadave të fundit të transformimit demokratik, sikurse më herët dhe gjatë ish-regjimit komunist jugosllav, mes viteve 1945 – 1991.
Çështja shqiptare në Maqedoninë Veriore nuk është vetëm çështje e të drejtave gjuhësore, të shkelura dhe mohuara nga pushteti i këtij vendi, që ende gjuhën shqipe e trajton me Kushtetutë dhe Ligje, si gjuhë pa emër, të cilën e flasin 20% e banorëve, të ndryshme nga gjuha zyrtare e shtetit.
Më tepër se kaq, çështja shqiptare në Maqedoninë Veriore është çështje politike, kombëtare dhe shtetërore, madje edhe çështje rajonale dhe Evropiane.
* * *
(22 korrik 2022 – 2023)

Ky përcaktim i turpshëm është kodifikuar në Kushtetutën e këtij vendi edhe me votën e deputetëve shqiptarë, pavarësisht se në emrin e cilës parti politike të shqiptarëve kanë hyrë në Parlamentin dhe Qeverinë e këtij shteti, nga sjellja e Kushtetutës së parë në vitin 1991, edhe me ndryshimet e mëvonshme të saj, në vitin 2001 dhe 2019, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, në vitin 2001 dhe të Marrëveshjes së Prespës, më 2018. Në këtë frymë do të pasojnë edhe ndryshimet kushtetuese të radhës, në frymën e Marrëveshjes së re me Bullgarinë fqinje, të cilat siç duket do t’i gjejnë të fjetur e të jermuar shqiptarët sikurse deri më tani. Shenjat janë tepër të dukshme. Propaganda i gatuan me kohë këto “përtypje atdhetare” të rrejshme.
Çështja e statusit të gjuhës shqipe, në këtë frymë diskriminuese të Kushtetutës është rregulluar edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të ndryshuar e plotësuar disa herë, por edhe përkundër disa avancimeve asnjëherë nuk është hequr ky emërtim poshtërues në asnjë nen të këtyre ligjeve, përderisa nuk është ndryshuar ky përcaktim në Kushtetutën e Maqedonisë Veriore deri më sot.
A ka më qartë se kjo?
Dhe, çështja nuk është se, deri kur do të mbetet ky përcaktim i turpshëm kushtetues dhe ligjor për statusin e gjuhës shqipe “në përdorim zyrtar” në këtë shtet, por më i dhimbshëm bëhet fakti që, sa herë hapet çështja e Kushtetutës dhe ndryshimit të saj, pas marrëveshjeve me shtetet fqinje, për kontestet e trashëguara të shtetit nga e kaluara me shtetet fqinje, si me Greqinë apo me Bullgarinë, si në kor ngrihen zërat e fjetur të politikanëve, gazetarëve, analistëve dhe medieve shqiptare të këtushme, si kujdestarë të përhershëm të “atdhetarisë” shqiptare dhe mbrojtës të saj, të cilët me këtë e hutojnë edhe më tepër opinionin vendës dhe të huaj, kur nuk e bëjnë dallimin mes të drejtave kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve vendës me të drejtat e mohuara politike, me statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve autoktonë në këtë shtet, që është prioriteti i prioriteteve, është çelësi i problemit, është detyra kryesore me të cilën duhet të merret faktori politik dhe intelektual i shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.
Përderisa nuk trajtohet ky problem në mënyrë të drejtë, përderisa zëvendësohen me pa të drejtë dhe qëllimisht këto teza edhe nga vetë shqiptarët, nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e drejtë as në të ardhmen, së paku nuk mund të zgjidhet me këta drejtues të politikës aktuale, të cilët i përfaqësojnë aktualisht shqiptarët në Parlamentin dhe në Qeverinë e këtij shteti.
Statusin e një gjuhe e përcakton statusi juridik-kushtetues që gëzon ajo popullsi në shtetin ku jeton, dhe nuk është e kundërta, që statusi i një gjuhe ta përcaktojë apo avancojë statusin juridik-kushtetues dhe politik të tij. Përderisa shqiptarët në Maqedoninë Veriore do të trajtohen si pakicë kombëtare në Kushtetutë, popull përqindje, qoftë 20% ose 30%, edhe për gjuhën shqipe do të vlejnë këto standarde, të përcaktuara sipas konventave dhe akteve të tjera ndërkombëtare për pakicat kombëtare. Në këtë frymë do të miratohen edhe ligjet për gjuhën dhe ligjet tjera për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.
(22 korrik 2022)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk