Home / Të ndryshme / Kokën e Tufës nuk ia vlen ta godasësh as me llastiqe mëllenjash

Kokën e Tufës nuk ia vlen ta godasësh as me llastiqe mëllenjash

Nga Ylli MEÇE

26/04/2019 

Teksa ndiqja me vëmendje shtypin e përditshëm, për habinë time, përsëri në disa faqesh të tilla vërejta, se Tufa na qenkësh tmerruar keq dhe se disa “bij nënash” ia kishin bërë benë dhe se ai nga ajo ditë e tutje nuk i dihej do të ish më… apo jo i gjallë?! Më erdhi me të vërtetë për të qeshur dhe kjo, jo se në Tiranë na kishin zbritur ilegalët, se ata ç’është e vërteta, po të ta bënin benë dhe në “birë të miut” të futeshe, të gjenin dhe ta jepnin reston sikurse e meritoje. Por kohët kanë ndryshuar dhe nuk jemi më në luftë edhe pse kemi gati tridhjetë vite që bëjmë luftë shpirtërore, të ndarë në dy kampe, për disa gjera që vetë historia na paskësh gabuar rëndë, bile aq rëndë, sa që kish ardhur koha të rishikohej nga e para. Por si na qenka puna?! Tufa mbasi hodhi në tregun politik shqiptar “listat kriminelëve komunistë” dhe për të vazhduar më tej lojën për të qenë në epiqendër të opinionit publik hodhi listën e dytë të “ekzekutorëve” të tij, të cilët, sipas tij, këta të dytët kërkonin nga inati tashmë “kokën e Tufës”.

Po të jetë kështu vërtetë? Unë nuk e besoj. Jo se nuk besoj kërcënimet që mund t’i bëhen “Tufës”. Kjo dhe mund të ndodhë, sepse në inat e sipër ndodh që në ndonjë rast edhe mund të mos e kontrollojmë dot veten …por jo nuk na qenkësh kështu!

Ahhhh …or Agron Tufa ç’më kujtove filmin “Shtigje lufte”, ku spiuni “Tafë” ish futur si provokator në çetën e Pezës dhe prej andej hartonte listat që ja dërgonte SIM-it të fashistëve italianë e që më vonë dihet dhe është e vërtetë, që ai hëngri gjysmën e lekut nga Kajo Karafili dhe vajti për dhjamë qeni ashtu edhe si e meritonte në fakt.

Pra duke bërë paralelizmin në kohë, ti nuk i përket asaj kategorie, jo se do rreshtoheshe në brigadat partizane! Kurrsesi jo, nuk do ta bëje. Nuk do ta bëje nga frika ndaj dhe nuk do e merrje pushkën as me ballistët sa për të hedhur kot për së koti në qafë ose për të vjedhur thasë me miell, por as dhe me “lëvizjen. Ama nga fundi i luftës nuk do lije kusur pa u shkruar letra (sikurse shkruan dhe tani) se ti vërtetë s’kishe marrë pjesë në luftë me armë në dorë, ama shpirtërisht e moralisht e kishe ndihmuar “Çlirimtaren”. Shkurt, pasigurinë dhe frikën tënde që nuk u rreshtove gjatë lufte me asnjë formacion, do ta shisje për atdhetarizëm. Ky qëndrim i “asnjëansisë”do të justifikonte tërësisht karakterin tënd dualist, me të cilin do haje bukë dhe në regjimin e Enverit, por dhe në atë të vargut tjetër që erdhën më pas e sidomos përkëtej viteve ’90-të. Puna është, se njeriu sado të kamuflohet, shpejt apo vonë vjen në origjinalitetin e vet dhe ti je origjinal, njeriu tipik të cilit më shumë se kushdo i përshtatet thënia “Iku Mbreti?- Poshtë Mbreti!…. “Erdhi Mbreti?.. – Rroftë Mbreti!

Por unë or Tufë, me këtë karakter që ke ti, jam i sigurt se edhe më i ndrojturi i trimave në kohën e sotme, do ta kish për turp të ndynte koburen me kokën tënde. Sigurisht që këtë nuk do ta bënin as trimat e vërtetë. (Bile dhe ata që hapin banka mund të të pranonin si anëtar bande por jo të të vrisnin). Prandaj, ji i qetë e mos ki frikë nga askush sepse ty të mbron sistemi, i cili ta ka shumë nevojën ty dhe gjithë atyre që janë si ti. Po çfarë do bënin ata të listës kërcënuese me Spartakun në krye, do të të linin të livadhisje?!

Jo aspak! Por kam mendimin se do të të kapnin për veshi e do të të thonin:

Pa thuaji dhe një herë ato fjalë që ke thënë për Luftën dhe për partizanët, pa na trego dhe një herë ato lista që ke hartuar që si për inatin tonë që përcaktuam 118 kriminelë e bashkëpunëtorë të nazifashizmit, ti i dyfishove ato kundër nesh duke i bërë 265?!.. Kaq mund të bënin, sepse një pjesë e atyre të sotmëve që kanë ngelë ende të ndershëm, e dijnë fare mirë se Institutin Studimeve të Krimeve të Komunizmit nuk ishe ti që e ngrite. Joooo… aspak! Ti ishe dhe ngelesh shërbëtor i atyre që e hapën atë “purgator”, i atyre që përmbysën me themel të gjithë historinë dhe epopenë e Lavdishme të Luftës Nac-Çlirimtare, e cila ka qenë dhe ngelet faqja më e ndritur e historisë së popullit shqiptar gjatë shekullit të kaluar e që do të ngelet yll i pa shuar dhe ne shekujt që do të vijnë. Ti nuk erdhe vet aty në krye, por të sollën sepse e dinin mirë se çfarë brumi je dhe e dijnë akoma më bukur, se më mirë se sa ti, askush tjetër nuk mund ta bënte atë punë. Natyrisht edhe për të të dhenë zemër, ishin të tjerë para teje ata që atakuan deri në thellësi të zemrës ndjenjat e atdhedashurisë së shqiptarit, ata që rehabilituan Zogun dhe bajraktarët e tij, ata që i hoqën vulën e tradhtisë Mit’hat Agës, ata që lejuan të pushkatonin dhe ti vrisnin për së dyti 28 mijë dëshmorët, ata që mohuan komisarët e dritës si Ndrec Ndue Gjokën apo Bardhok Bibën, ata që nëpërkëmbën heroinat e Malësisë, ata që me sytë e ndezur të urrejtjes hodhën në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve, ata që ende edhe sot, janë të gatshëm për interesa pushteti të na hedhin përsëri në luftë vëllavrasëse. Kështu është kjo punë or “Tafë” prandaj mos ki frikë se askush nuk të nget jo që kokën tënde, nuk ja vlen ta vrasësh as me një palë llastiqe si dikur që ne në fshat ,vrisnim mëllenjat.

Kot tmerrohesh. Asgjë nuk ka për të të ndodhur, sepse ke mburojë të fortë Ramën, i cili luan me “dy porta” dhe Salën, i cili di të luajë vetëm “Kala dibrançe”, por jo të ruajtur vërtetë kështjellat tona, por kështjellën e pasurisë marramendëse, që ai dhe banda e tij, na hipin sipër dhe ne i mbajmë në shpinë.

 

About admin

x

Check Also

Prof. Farudin Hoxha: Si i ndërtoi Shqipëria 650 diga në të gjithë vendin dikur

INTERVISTA/ Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi ...