Home / Lajme / ‘Fitore e madhe historike për Severnën në Bruksel’!

‘Fitore e madhe historike për Severnën në Bruksel’!

Shkruan: Medai Shaholli

Ky është lajmi ditës që vjen nga delegacioni i ‘Severnës’ në Bruksel, ku ata po japin sihariqin e madh qytetarëve se BE-ja më në fund hapi negociatat me ne, se mundi dhe djersa e ekipit të premierit Dhimo dhe shefit të diplomacisë Bugar Osmani nuk shkoi huq, por u kurorëzua me njohjen zyrtare të sllavishtes së Dhimos si gjuhë zyrtare e BE-së.
Një entuziazëm i papërshkruar e ka kapluar delegacionin ‘maqedonas’, po e quaj kështu pasi edhe Brukseli kështu e prezentoi dje delegacionin nga ‘Severna’ si të dashur ‘maqedonas’, pa çka se delegacionin e përbënin edhe disa zyrtarë ‘shqiptarë të ndershëm’ që mohuan identitetin kombëtar dhe gjuhën shqipe për hir të hapjes së negociatave, sot ata po hidhen përpjetë nga gëzimi se Brukseli më në fund e pranoi ‘maqedonishten’ si gjuhë zyrtare dhe jo gjuhën shqipe.
Por ja, në fund i doli era e qelbur lakrorit që kishin ftolluar dhe kullandrisur për drekën e punës në Bruksel integristët Bugar Osmani dhe Artan Grubi, ku doli se gjuha shqipe nuk është zyrtare në ‘Republikën Severna’ dhe se Brukseli zyrtar nuk njeh gjuhë tjetër veç ‘maqedonishtes’ së Bugar Osmanit dhe Artan Grubit, për të cilën ata ‘lanë leshtë e kokës’ në përleshjet e tyre me palën bullgare megjithëse i mbollën ato në klinikat e specializuara të estetikës.
Çfarë ngeli pa thënë nga festa e djeshme e dalldisë së madhe që ka zalisur partitë shqiptare që nuk e përmbajnë më dot veten nga gëzimi dhe nuk thonë se pas disa muajve duhet ndryshuar kushtetuta që bullgarët të bëjnë pjesë ashtu si shqiptarët në grupin e pakicave që e përbëjnë shtetin!
Kjo bandë maskarenjësh që mbështet qëndrimet e pushtetit e gjejmë jo vetëm te integristët por te të gjitha partitë shqiptare, ata tashmë janë pajtuar që statusi politik dhe gjuha shqipe do të ngelin inferiore dhe se nofka e ndyrë e përdhunimit të gjuhës shqipe si 20%, nuk përbën problem pasi sipas tyre edhe pse nuk e barazon shqipen me sllavishten ajo është ‘zyrtare në mbarë vendin’.
Për t’i hedhur hi syve shqiptarëve kjo bandë maskarenjësh shpiku ligjin për gjuhët që është paketa e gjuhëve për pakicat dhe jo të gjuhëve kryesore në vend siç duan ta konsiderojnë ata.
Mospatja e një ligji për arsimin e lartë në gjuhën shqipe tregon shumë për prapavijën politike të mbajtjes dhe ruajtjes së ‘maqedonishtes’ së tyre si gjuhë të shtetit dhe të pushtetit.
Vendi që zë populli shqiptar në preambulën e kushtetutës është inferior dhe denigrues si pakicë e parëfillshme që i zbret shqiptarët në një shkallë më poshtë të rreshtimit në krahasim me sllavët si qytetarë të rendit të dytë.
Ky është qëndrimi racist dhe shoven i sllavo-maqedonëve ndaj shqiptarëve në kushtetutë, ku ata përmes kukllave të tyre shqiptare kanë arritur ta ruajnë supremacinë e shtetit dhe të pushtetit vetëm për sllavo-maqedonët si ‘komb superior i përzgjedhur’ për të sunduar të tjerët.
Ajo që duhet të ndryshojë në radhë të parë është mentaliteti megaloman i sllavo-maqedon me supremacinë e tyre ndaj shqiptarëve dhe pastaj mentaliteti i robit i partiçkave shqiptare mbi statusin politik të popullit shqiptar në ‘drzhavën e dashur Severna’.
Përderisa ata shqiptarët dele do kënaqen vetëm se ‘do të kullosin nëpër lëndinat e gjelbërta me bar të shijshëm’ dhe vetëm atë çfarë do u ofrojnë ofrojnë partitë politike, statusi inferior dhe poshtërimi si 20% për gjuhën shqipe nuk do të ndryshojnë mbase për dekada me sa duket.

About xhzeqiri

x

Check Also

Lëvizja VETËVENDOSJE Informon!

Lëvizja VETËVENDOSJE!  Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin qëndrimin se dialogu Kosovë...