Home / Të ndryshme / Barsoleta: FABRIKA E RRENËS

Barsoleta: FABRIKA E RRENËS

Autor: Beqir Elshani

1. AUTORI I POEMËS
– Cili prej tyre ka vlerë, nxënësi që e di se autor i poemës “O moj Shqypni”, është Pashko Vasa, apo nxënësi që poemën e di përmendësh, por nuk e di kush është autor? – e pyeti një akademik kolegun e tij.
– I dyti ka vlerë më të madhe se i pari, atë edhe autori do ta falënderonte për mësimin e poemës së tij, – u përgjigj akademiku i dytë.
2. ERA SHTET
– Gjendemi në stinën e pranverës, çfarë ere po i vjen Kosovës? – e pyeti gazetari analistin ekonomik.
– Dihet, era shtet i vjen Kosovës, – u përgjigj analisti ekonomik.
3. MINISTRI
– A ka ndonjë gabim në fjalinë “Muratori e mori ministrin të punojë”? – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Patjetër, sepse muratori nuk e merr ministrin, por mistrinë për të suvatuar, pasi që ministri është zotëri dhe nuk punon, – u përgjigj nxënësi.
4. HAMSHORI
– A ka dallim hamshori i fushës me hamshorin e pyllit? – e pyeti njëri mikun fshatar.
– Hamshori i pyllit është më i fortë, i fushës më i shpejtë, – u përgjigj fshatari.
5. FABRIKA E RRENËS
– Në Serbi është hapur një fabrikë e madhe diplomatike, – tregoi një deputet në sallën e kuvendit.
– Çka prodhon ajo fabrikë? – e pyeti kolegu i tij deputet.
– Dihet, gënjeshtra në dëm të Kosovës dhe Albin Kurtit, – tregoi i pari.
6. DËSHIRA E NJERËZVE
– Shumë njerëz po vdesin për bukë, për gjumë, për vjedhje, për dashuri, për muzikë e për sport, – tregoi një qytetar.
– Shyqyr që nuk po vdesin për lexim, pasi që rryma është shtrenjtuar, – ndërhyri një tjetër.
7. BURRA DHE HIIQBURRA
– Gjysh, dëshiroj të di se a ka më shumë burra, apo hiqburra në vendin tonë? – e pyeti nipi gjyshin.
– Po të përgjigjem në pikëpamje biologjike, dihet që më shumë ka burra, kurse në pikëpamje etike ka më pakë, – tregoi gjyshi.
8. VUAJTJA
– Ku është dallimi në mes rrënjëve dhe kurorës së pemës? – e pyeti gazetari agronomin.
– Populli kujdeset për rrënjët e pemës, që të rritet dhe të mos thahet, kurse burokracia i vjelë frytet, – tregoi agronomi.
9. MISHI I GJARPRIT
– E çuditshme, kinezët e hanë mishin e gjarprit, – e hapi bisedën fqinji.
– Vërtet, ne nuk e hamë mishin e gjarprit, por e hamë mishin e rosës që ushqehet mishin e gjarprit, – ia ktheu fqinji.
10. ÇANTA
– A më e mirë është çanta e lirë, por që zë shumë para, apo çanta e shtrenjtë, por që zë pakë para?– e pyeti e ëma të bijën.
– Më e mirë është çanta e lirë që zë shumë para, – u përgjigj e bija.
11. MJERIMI FAMILJAR
– Moj motër, vëllai më thotë që derën e parajsës e kam të sigurt, kurse reja më thotë të kundërtën, që derën e ferrit e kam të sigurt, – e hapi bisedën plaka me fqinjën.
– Unë po lutem që reja ime të shkojë në parajsë, vetëm të më hiqet qafet, mirëpo as kjo nuk ndihmon, prandaj po vuaj, – ia ktheu fqinja e dytë.
12. PROFESIONI DHE ZEJA
– Cili profesion dhe cila zeje është më e mirë? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Profesioni dhe zeja më e mirë është që njeriu të bëhet mësues i jetës dhe kopshtar i mirë, të tjerat vijnë vetë, – u përgjigj drejt miku.
13. FANTAZIA
– A ka dallim besimi me mosbesimin? – e pyeti djaloshi plakun.
– Ata që besojnë, krishti fluturon, ata që nuk besojnë, krishti as me këmbë nuk ecë, jo më të fluturojë, – tregoi plaku.
14. TËRBIMI
– A më mirë është të tërbohet Drini apo Sali Berisha? – e pyeti një deputet kolegun e tij.
– Më mirë është të tërbohet Drini, pasi që Drini sado i rrëmbyeshëm të jetë, ndalet, ndërsa Sali Berisha nuk ndalet me të zezat, – ia ktheu deputeti i dytë.
15. MALET SHQIPTARE
– A e di ti çfarë feje janë malet tona, katolike, apo myslimane? – e pyeti malësori bashkëfshatarin e tij.
– Janë male shqiptare, ashtu siç jemi ne shqiptarë, – u përgjigj i dyti.
16. MUSHKA
– I dashuri im është aq i zoti, sa që di të lexojë parashikimin në filxhan, – e hapi bisedën një grua.
– Uuu, i dashuri im është aq i zoti, sa që di të parashikojë kur do të pjellë mushka, – ia ktheu shoqja me ironi.
17. ZJARRI
– A më keq është me të djeg zjarri, apo Serbia? – e pyeti njëri plakun e vjetër.
– Po, vetë Serbia është zjarri, – u përgjigj plaku.
18. ARMATIMI
– A më mirë e mbrojnë vendin njëqind njerëz të armatosur, apo dhjetë burra të armatosur? – e pyeti një djalosh plakun.
– Më mirë e mbrojnë dhjetë burra të armatosur, – u përgjigj prerë plaku.
19. PËR MESJETËN
– Në cilin vit ka vdekur mesjeta evropiane? – e pyeti arsimtari i historisë nxënësin.
– Mesjeta evropiane nuk ka vdekur, ajo ende jeton, – u përgjigj nxënësi.
20. TRI DITË E TRI NET
– Sa bëjnë tri ditë pa ngrënë dhe tri net pa gjumë të ministrit? – e pyeti arsimtari i matematikës nxënësin.
– Bëjnë 72 orë, arsimtar, – u përgjigj shpejt nxënësi.
– Bëjnë zero. Ku ke parë ti që ministri tri ditë e tri net të mbetet pa ngrënë e pa gjumë, – ndërhyri nxënësi tjetër.
21. TRIMAT NUK SHAJNË
– Prej nga është Sami Lushtaku, që e ka fyer kryeministrin e Kosovës? – pyeti një mërgimtar kur e lexoi lajmin në internet..
– Është prej Drenicës kreshnike, – tha vëllai i tij që jetonte në Kosovë.
– E pabesueshme, nuk është i Drenicës, trimat e Drenicës nuk shajnë, – ia ktheu me zemërim mërgimtari.
22. DËSHIRA E MOTRAVE
– Ku është dallimi i motrës së madhe që dëshiron të jetë më e bardhë se bora dhe e motrës së vogël që dëshiron të jetë e bardhë si bora? – e pyeti njëri plakun e vjetër.
– Të dy motrat janë njësoj të bardha, mirëpo e madhja është xheloze, – tregoi plaku i vjetër.
23. MUSHKA DHE PACIFISTI
– Ehe, ka ardhur një kohë sa që edhe mushka mund të pjellë! – e hapi bisedën një qytetar.
– Prandaj nëse liria vjen prej pacifistëve, edhe mazi vjen prej mushkës, kurse shelgjet mbushen me molla shumë, – ndërhyri një tjetër.
– Mjerë kush beson, lumë kush nuk e duron! – shtoi i treti.
24. MJEKROSHËT
– Pas deklarimit të imamit turk, se mjekra i ka hije burrit, që e dallon prej gjinisë femërore, berberët kanë pësuar humbje për shkak të largimit të myshterinjve, – tregoi një burrë.
– Mjerët ne kush po mbajnë mjekër, po të jetonte Platoni sot, do ta qethte mjekrën, – shtoi një mësues i vjetër.
25. TAKSI ME MUZIKË
Taksisti e vozit qytetarin në Tiranë, dhe në fund të shërbimit ia dorëzon kuponin me dëgjim të muzikës gjatë udhëtimit, atëherë qytetari ankohet.
– Më vjen keq, taksist, unë nuk jam dashamir i muzikës, pastaj jam i shurdhër, prandaj më kthe paratë, përndryshe lajmëroj policinë, – ia ktheu udhëtari.
26. KUPTIMI I I KUNDËRT
– Si bëhet e kundërta e urtisë “Jeto me tre njerëz: me atdhetarin, me dijetarin dhe me të urtin”? – e pyeti arsimtari nxënësit.
– E kundërta e urtisë është ”Mos jeto me tre njerëz: me tradhtarin, me injorantin dhe me mendjemadhin”? – u përgjigj nxënësi.
27. RAKIA DHE ZOTI
– Ku është dallimi në mes rakisë dhe zotit? – e pyeti njëri mikun e tij gjatë gostisë me meze.
– Dallimi është se rakia t’i merr mendtë, por pas një kohe t’i kthen, kurse zoti t’i merr mendtë dhe nuk t’i kthen, – tha me shpoti miku i tij.
28. SHEFI I POLICISË
– Për habi, dhëndri i Serbisë, Rrahman Morina, emrin e kishte arab, kurse mbiemrin shqiptar, – tregoi një gazetar.
– Nuk i kanë dhënë kohë serbët që edhe mbiemrin shqiptar ta ndërronte dhe të merrte mbiemirn e gruas, – tregoi një tjetër.
29. DHËNDËRI KRYENEÇ
– Çka mendon për dhëndrin në Uzbekistan, ditën e dasmës për shkak të humbjes në lojë prej zemërimit e grushtoi nusen? – e pyeti plaka fqinjën.
– Ehe, po të ishte nusja e mençur do të humbte lojën, në mënyrë që të mos e zemëronte burrin kryeneç, – ia ktheu me shpoti fqinja.
30. QIRAXHIU
– E pabesueshme, drejtori i Trustit me rrogën vjetore 50.000 euro jeton në banesë me qira, – e hapi bisedën një qytetar.
– Asgjë nuk është kjo, me dhjetëra pasanikë në Suedi mbledhin kanaçe nëpër kosha, – ndërhyri mërgimtari nga Suedia.
31. SHTRIGA
– A më mirë të kesh fqinj një budallaqe, apo një shtrigë që ha njerëz? – e pyeti një rinoshe shoqen e saj.
– Gjepura, nuk jam kalama të kem frikë prej besimeve të kota, – ia ktheu shoqja.
32. DALLIMI I SHARJES
– Ku është dallimi në mes sharjes “jashtëqitje” dhe “mut”? – e pyeti njëri kolegun e tij deputet.
– Dallim i është se e para është sharje diplomatike, ndërsa e dyta sharje rrugësh, por me kuptim të njëjtë, – u përgjigj i dyti.
33. DY ATDHETARË
– Sa bëjnë dy atdhetarë dhe një tradhtar? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Nuk bëjnë tre, por mbesin dy atdhetarë, – u përgjigj kolegu i tij.
34. TE PSIKOLOGU
– Psikolog, jam i lig, atë që ma do zemra, nuk mund ta thotë goja, – u ankua qytetari.
– Ehe, po të dëgjosh ti zemrën, fluturon në qiell, mirëpo nuk të lë arsyeja, sepse e thyen qafën, – e këshilloi psikologu.
35. LIBERALIZIMI
– Si përkthehet deklarata gjermane “Kosova të mos dorëzohet, liberalizmi i vizave do të ndodhë” në gjuhën frënge? – e pyeti gazetari analistin politik.
– “Si le Kosova ne se rend pas, la libéralisation des visas aura lieu” (Kosova të dorëzohet, liberalizmi i vizave nuk do të ndodhë), – u përgjigj analisti.
36. KARAMELET
– Çfarë shije kanë karamelet? – e pyeti motra e vogël vëllain e madh.
– Nëse dëshiron të dish çfarë shije kanë karamelet, pyete dajën Agim pa asnjë dhëmbë në gojë, nëse dëshiron të dish çfarë shije ka kripa, pyete gjyshen 90-vjeçare me 32 dhëmbë në gojë, – ia ktheu vëllai.
37. THASHETHEMET
– Ku është dallimi në mes thashethemeve të plakave, dhe thashethemeve të vajzave? – e pyeti njëri plakun.
– Thashethemet e plakave shkaktohen prej keqardhjes, kurse të vajzave prej smirës, – tregoi plaku.
38. FRIKA
– A më shumë frikohesh prej turpit apo prej ujkut? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Trimi më shumë frikohet prej turpit se prej ujkut. Ministri i Financave është i korruptuar, prandaj më shumë frikohet prej ujkut, – u përgjigj i dyti.
39. INATI I AMBASADORIT
– Sa keq, ish-ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ankohet se i biri i saj ambasador në Uashington, për inat të Qeverisë së Albin Kurtit nuk do të kthehet në Kosovë, – tregoi një qytetar.
– Po sikur të ishte i biri i saj ambasador në Shkup, me siguri do të kthehej në vendlindje, – ia ktheu i dyti.
40. DEMI I EGËR
– Ku është dallimi në mes demit të egër dhe kalit të butë? – e pyeti djaloshi plakun.
– Demi i egër nuk e duron zgjedhën, ndërsa kali i butë e duron shalën, – u përgjigj plaku.

Suedi, 2 korrik 2022

About xhzeqiri

x

Check Also

RIHAPJA E PROCESIT TË PASTRIMIT REAL ME TË KALUARËN KOMUNISTE, PËR DËNIMIN E KRIMEVE DHE KRIMINELËVE TË ISH-REGJIMIT KOMUNIST JUGOSLLA NË MAQEDONINË VERIORE

A k t u a l e ANALIZA E DITËS Shqiptarët do...