Home / Opinion / VANDALËT E SIMBOLEVE TË LANÇ DHE VARREZAVE TË DËSHMORËVE, GJENDEN NË PARLAMENT DHE NË QEVERI!
Aktiv

VANDALËT E SIMBOLEVE TË LANÇ DHE VARREZAVE TË DËSHMORËVE, GJENDEN NË PARLAMENT DHE NË QEVERI!

Këto ditë një dorë fashiste dhunoi varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Korçës. Një lajm ky që u përcoll si një “flesh” i zakonshëm nga mediat vizive. Të vetmin reagim serioz pati gazeta DITA, ku gazetari Xhevdet Shehu, përcillte për lexuesit shqetësimin e tij dhe revoltën e përfaqësuesve të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut.

Ky dhunim i varrezave të Dëshmorëve, nuk është as i ri, e as i papritur. Dhunimi i tyre ka nisur së bashku me revanshin e neofashistëve të fundviteve nëntëdhjetë, të prira nga Arturo – Ui shqiptar me emrin Berisha, mbështetur nga reaksioni më i zi antishqiptar e antikombëtar, për të vijuar edhe nga “Arturë” të tjerë, kamufluar me ngjyrat e së majtës socialiste, që realisht dhe me vepra, po konkurron denjësisht të djathtën fashiste.

Në dymijë e ca vite të historisë së tyre, shqiptarët kurrë ndonjëherë nuk kanë dhunuar varre. As varrin e hasmit. Edhe në kohërat moderne, varret e të rënëve, hasëm apo pushtues të huaj qofshin, nuk janë prekur. Kjo, falë traditës së trashëguar ndër breza dhe sanksionuar me kode e ligje të kanuneve të mesjetës e të ligjeve të kohës së re. Vandalët e parë të varreve dhe simboleve të Luftës e të Dëshmorëve u duken në fund të viteve nëntëdhjetë. Ata i patëm “dhuratë” nga “demokracia” borgjeze, e cila, na u instalua dhunshëm, me të gjitha ndyrësirat e ngjyrat që sistemi kapitalist ka të koncentruar në bazën e tij kriminale.

Po, ku gjenden këta “vandalë” që na dalin herë pas here mbi ujërat tona të turbulluara, duke na përdhosur traditën dhe identitetin tonë si shqiptar?!

Sigurisht, çdo popull e çdo shoqëri ka mbeturina njerëzore, të cilat dalin kundër sjelljeve normale të komunitetit ku jetojnë. Por për këta tipa të rrallë, shoqëria ka ngritur edhe institucione të veçanta për t’i mbajtur në fré, dhe për t’i bërë të parrezikshëm. Për fat të keq, “vandalët” tanë, nuk janë shqiptarë të degraduar nga ndonjë sëmundje profesionale, por individë të degraduar nga vetë sistemi shoqëror, që në rastin tonë është jo thjeshtë një sistem klasik borgjez, por një sistem surrogat kapitalist, me prioritet nazifashizmin.

Këta vandalë të vlerave të shoqërisë, gjenden kudo, si pjesëtarë të piramidës shoqërore e shtetërore të korrupsionit politik, ekonomik e social. Ama, shefat e tyre kanë qenë dhe janë në Parlamentet dhe në Qeveritë që janë alternuar në këto tri dekada të demokra-zisë borgjeze.

Ata të “Arturo-Ui-t” shqiptar, qysh në ditët e para të import-eksportit të “demokracisë”, dolën hapur me urën e zjarrit në dorë, duke djegur, shkatërruar e dhunuar simbolet e LANÇ, varret e Dëshmorëve dhe gjithë vlerat morale, materiale e historike të popullit tonë në shekuj. Për fat të keq, edhe të ashtuquajturit “të majtë”, të cilët pretendonin të mbronin vlerat e Luftës dhe të Socializmit, nuk vonuan të marrin rolin e vandalëve të mirëfilltë të vlerave kombëtare. Sigurisht, këta të fundit, domethënë të ashtuquajturit socialistë, nuk e ulën veten në shkallën e vandalëve të Saliut, që bashkë me shefin e tyre mbanin në dorë pishtarët e djegies e shkretimit, por me mosveprimet, dhe në shumë raste edhe me vendimet e “përurimet” e tyre, realizuan e po realizojnë, njëlloj si ata të parët, vandalizmin e vlerave tona kombëtare e historike.

Socialistët e thjeshtë e naivë, së bashku me kryesitë e Organizatave të Veteranëve dhe atë të Dëshmorëve të Atdheut, nuk e kanë besuar, dhe fatkeqësisht edhe sot nuk duan ta besojnë se në krye të partisë së tyre me germat nistore PS, janë instaluar persona nga e njëjta racë me ata të PD-së, dhe natyrshëm veprojnë si vëllezërit e tyre borgjezë dhe antikombëtarë. Të dy ekipet politike, PD e PS, kanë në përbërjen e tyre dhe në kryesi, individë me pasaporta shqiptare, por geni i tyre, ose është i gënjeshtërt që në zanafillë, ose ka devijuar gjatë këtyre viteve të propagandës së shfrenuar të antikomunizmit e të antishqiptarizmit. Të dy këto parti politike, që kanë uzurpuar pushtetin politik prej më shumë se tri dekada, kanë pasur pothuaj të njëjtën sjellje e të njëjtin qëndrim për LANÇ dhe Dëshmorët e saj. PD në sulm të vazhdueshëm naziskin për fshirjen e saj nga historia e shqiptarëve; ndërsa PS-ja (më saktë udhëheqësia e saj), ose kanë heshtur ndaj vandalizmave fashisto-pedeiste, ose janë mjaftuar me ndonjë deklaratë politikë, reklamë, apo thirrje pa palcë kurrizore, në kohë fushatash dhe jubile festimesh.

Në dhjetë vjetshin e fundit, kur në krye të PS-së dhe të qeverisë erdhi “rivali” i Sali Berishës për kreun e PD-së në vitin 1991, Edi Rama, edhe thirrjet formale për vlerësimin e mbrojtjen e LANÇ, u zhdukën nga fjalori dhe kalendari qeveritar. Për më tepër, kreu socialist, njëherësh edhe kryeministër, pasi vendosi në monument lavdie kreun e Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërin, dhe hoqi nga Stadiumi Kombëtar, emrin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa, nuk mungoi të paralajmëronte veteranët, që të ulnin kokën, se . . . “nuk kishin parë gjë akoma”.

Dhe vërtet, organizatat e Veteranëve të LANÇ dhe të Dëshmorëve të Atdheut, përfshi kontigjentin e madh që i pason, nuk kanë parë gjë akoma. Të tjera mysybete e kiamete do të shohin gjer në fund të mandatit të tretë, që “socialist-pedeisti” Rama, do t’u tregojë. Kështu, para do kohe, kur veteranët prisnin të riparoheshin bustet e Qemal Stafës, Mine Pezës dhe Dëshmorëve të tjerë, të dëmtuar apo të shkatërruar gjatë këtyre viteve të demo-krazisë, pasardhësi shpirtëror, e ndoshta edhe zyrtar i Kryeministrit dhe “Socialistit” Rama, Lali Jeri i Bashkisë së Tiranës, na përuron shtatoren e “Nënës Mbretëreshë”, që iku duke e lënë Mine Pezën vetëm dhe pa djemtë e marrë rob nga fashistët italianë.

Nuk po zgjatemi këtu, për numrin e nëpunësve, të cilët, ndonëse nuk kanë asnjë parametër politik, arsimor, kulturor e shoqëror, janë vendosur në vende kyçe, ku ruhen vlerat tona historike. Mjafton të kujtojmë historinë e Drejtorit Bido, i cili, megjithëse bëri deklaratën e “famshme”, se akti i Heroit të Popullit Qemal Stafa, “nuk ka të bëjë me një akt heroik dhe patriotik”, vijon të ngrohë vezët në karrigen e “Kryerojtësit të Arkivave të shtetit”, duke përgatitur ndonjë deklaratë tjetër perverse dhe antishqiptare për Heroin e radhës.

Dhe episodet e kësaj “loje” të ndyrë me lavdinë dhe krenarinë tonë kombëtare, janë të shumta e të përditshme, gjë që nxit dhe u jep “frymëzim” vandalëve të vegjël të varrezave dhe simboleve, duke na përdhosur poshtërsisht dinjitetin dhe identitetin tonë si popull e si komb.

Këta vandalë bustesh, varresh e simbolesh, siç e thamë më lart, janë individë mercenarë e të devijuar në genin e tyre shqiptar. Por ata janë mekanizma qorre, që veprojnë sipas sjelljes, veprës dhe nxitjes së shefave të tyre, të cilët, siç kam shënuar në titull të shkrimit gjenden në Parlament në Politikë dhe në Qeveri. Pa shkulur këta vandalë madhorë atje në krye, është e kotë të merremi me vandalët e vegjël të terrenit.

Kjo histori e hidhur dhe makabre, e dhunimit të varreve dhe simboleve tona kombëtare, do të vijojë pa ndërprerje, nëse ne qytetarët do të mjaftohemi vetëm me “zbulimin policorë” të vandalëve fundorë të këtij dhunimi. Dhunimi i varreve të Dëshmorëve dhe të simboleve Kombëtare, prevalon mbi çdo dhunim tjetër, që mund t’i bëhen një kombi. Për këto dhunime, nuk mjaftohet me protesta në letra, apo dhe në rrugë. Përkundrazi, prekja e shenjtërisë së varreve dhe simboleve, duhet të çojë furtunë gjithëkombëtare e të pandërprerë, gjersa t’i detyrojë organet Legjislative, Ekzekutive dhe të Drejtësisë, që jo vetëm të kapen e dënohen dhunuesit, “nga baza në “qendër”, por edhe të riparohen në kohën më të shkurtër dëmet e bëra nga vandalët e vegjël a të mëdhenj qofshin.

Këtë furtunë gjithëkombëtare duhet ta iniciojnë e organizojnë Organizata e Kombëtare e Veteranëve dhe ajo e Dëshmorëve të Atdheut, si dy organizatat më solide të shoqërisë shqiptare. Por këtë mision konkret e të domosdoshëm, mund ta realizojnë, kur këto dy Organizata të heqin dorë nga iluzioni për partitë politike që kanë drejtuar e drejtojnë fatet e vendit, përfshi edhe Partinë Socialiste, e cila hiqet si “Rilindje” e kombit, por realisht po realizon vdekjen e tij.

Botuar në gazetën “Telegraf” datë 29 mars 2022

About admin

x

Check Also

SALIU JO QË NUK DO TË DËNOHET… POR SË AFËRMI DO TA KEMI KRYEMINISTËR

(Intervistë e supozuar me “Babalen” nga Vlora) I lodhur në takimet me ...