Mund të jetë një imazh i 1 person

Shkruan: Arflet Selmani

Politika e jashtme kërkon strategji, njerëz me mendje të kthjellët të cilët gjithë veprimtarinë e tyre në sferën e jashtme e kthejnë në dobi të interesave të brendshme të shtetit të tyre!

Sepse mos të harrojmë se janë proceset e brendshme ato me anë të të cilave hartohen politikat e jashtme, prandaj duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë këtyre proceseve sepse janë thelbi apo tiparet qendrore në këtë fushë.!

Duhet të kemi parasysh se në mënyrë të pashmangshme, edhe studiuesit e politikës së jashmte të një vendi duhet të jenë të interesuar edhe për çështje të brendshme të vendit. Krahas kësaj, ata që do të merren me analiza apo studime të kësaj fushe të politikës duhet të jenë njohës të sociologjisë, psikologjisë, shkencave politike, ekonomisë dhe historisë. Dhe krahas gjithë këtyre vetive të lartpërmendura, jo më pak i rëndësishëm është fakti që ata duhet të kenë njohuri edhe për problemet e qenësishme në kërkimin krahasues. Metodologjitë janë po aq të rëndësishme sa problemet e qenësishme që shtetet e ndryshme mund të ndeshin apo ballafaqohen në raportin e tyre me sistemin ndërkombëtar.

Pa mos u zgjatur shumë, të themi qartë se fenomenet e politikës së jashtme janë të vështira dhe tepër komplekse. Pra, nuk kuptohen aq lehtë këto procese. Autorët e ndryshëm tregojnë ndjeshmëri të lartë ndaj problemeve të kësaj fushe dhe këtë e kanë shprehur gjithmonë përmes analizave që ata bëjnë vazhdimisht.

Pra kjo është një gamë e gjerë fenomenesh për ndërlidhjen me studimin e politikës së jashtme. Ne duhet ta kuptojmë nevojën për teori dhe për analizën empirike duke analizuar detajisht se si një vend/shtet sillet në komunitetin apo sferën ndërkombëtare.

Krahas gjithë këtyre përpjekjeve në analizimin e këtyre fenomeneve të Politikës së Jashtme, gjatë kërkimit apo analizave që bëjmë duhet të përzgjedhen prej tyre ata më të rëndësishmet dhe të menjanohen të tjerat që mendojmë se janë më pak të rëndësishme për analizën apo kërkimin tonë. Por, duhet bërë kujdes i veçantë se çfarë ne konsiderojmë realisht si të rëndësishme dhe çfarë jo, sepse, një qasje jo aq serioze apo e pa përkushtuar gjatë përzgjedhjes së këtyre fenomeneve, mund të na çoj të menjanojmë ato më të rëndësishme dhe t’i marrim në shqyrtim si të rëndësishme ato që në realitet janë më pak të rëndësishme!

Prandaj miq të dashur, politika e Jashtme kërkon profesionist të vërtetë që kanë aftësi edhe për t’u marr me këtë profesion, por edhe për ta analizuar ashtu si duhet. Dhe jo për ata që nuk kanë as njohuri bazë për këtë degë të politikës si njëra nga më të rëndësishmet e saj.