Home / Intervista / Rrëfimi ekskluziv i Bujar Hoxhës: Agjentët e vrarë të ish-Sigurimit dhe historia e gjeneralit të dekonspiruar pas ‘92 

Rrëfimi ekskluziv i Bujar Hoxhës: Agjentët e vrarë të ish-Sigurimit dhe historia e gjeneralit të dekonspiruar pas ‘92 

Billedforhåndsvisning

 28.o2.2022

Ish-drejtuesi i Sigurimit të Shtetit në Kukës, Vlorë dhe Tiranë gjatë viteve 1989-1992, rikthehet në gazetën DITA, më një rrëfim ekskluziv për ato vite dhe për shumë të panjohura të asaj periudhe.

E vërteta për “dosjen” për Kadarenë dhe cili ishte agjenti “Bleta”?

Pse zoti Hoxha i konsideron agjentët e fshehtë si “Pasuri kombëtare”. Disa eliminime enigmatike të agjentëve tanë nga zbulimet e huaja, jugosllave dhe evropiane, të dekonspiruar ata që morën pushtetin më 1992…

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti Bujar, disa rrëfime nga nga përjetimet tuaja si ish-drejtues i Sigurimit të Shtetit në disa rrethe në vitet 1989-1992, kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë ngjallur interes tek lexuesit tanë. Dua t’ju pyes: si qëndron aktualisht problemi i dosjeve të ish-Sigurimit dhe ai i informatorëve të shërbimit tuaj në atë kohë?  

– Faleminderit për interesimin dhe sidomos me publikimin që u keni bërë disa fragmenteve të librit tim. Problemi me dosjet ka dominuar debatet prandaj e kam trajtuar me vërtetësi dhe përgjegjësi të lartë në librin tim “Pluralizmi shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit”. Opinioni publik duhet të qartësohet se hapja e një dosjeje agjenturore për një person mbetej faza e fundit. Nëse dilte një e dhënë, le të themi për agjitacion e propagandë, kalohej në procedura fikse. Kundërzbuluesi e admionistronte në fashikullin e informatave duke ia nënshtruar procesit të verifikimit paraprak, që zgjaste tre muaj. Nëse nuk vërtetohej burimi informativ, e dhëna asgjësohej. Edhe kur vërtetohej nga burime alternative, nuk hapej dosje duke ia nënshtruar formave të buta të euzaurimit, duke aplikur procedurën e keshillimit apo demaskimit nga komitetet e partisë të rretheve. Në të shumtën e herës këta persona janë këshilluar tre, kater dhe pesë herë, duke i shmangur nga penalizimet. Të tjerë zbërtheheshin në gjendje të lirë apo rekrutoheshin, duke i shfrytëzuar për interesa operative. Përjashtime ndodhnin për persona me cedime të forta klasore apo të dyshuar për spiunazh, të cilëve iu hapej dosje dhe nisnin procedura për masën e arrestit. Për ta bërë të qartë për publikun, po citoj një raport vjetor të DPB Vlorë, ku për vitin 1988, u arrestuan vetëm dy persona për agjitacion e propagandë, njëri ndiqej si agjent i zbulimit italian dhe tjetri si element antiparti. Të tjerët, për mbi pesëdhjetë, u aplikuan format e parandalimit duke i këshilluar apo demaskuar. Përjashtim bëhej për dosjet për spiunazh, që mbeteshin aktive për shkak të specifikës në aspektin zbulues dhe dokumentues.

– Më lejoni t’ju ndërpres, zoti Hoxha. Në librin tuaj flisni edhe për një dosje që ju, pra Sigurimi i Shtetit, kishit hapur për shkrimtarin Ismail Kadare. Mund ta sqaroni pak më mirë këtë çështje?

– Po. Më lejoni të bëj një sqarim për debatet që shoqëruan shtypin para disa kohësh lidhur me Ismail Kadarenë nëse kishte dosje agjenturore apo të jetë diskutuar ndonjëherë për ta penalizuar, siç ka deklaruar zoti Qemal Lame. Zoti Lame gabon. Sepse atij nuk i jepej asnjë e drejtë që të njihej me dosje të tilla që rezervoheshin me siglën “sekret” dhe “tepër sekret”. Hetuesisë së Përgjithshme i dërgohej relacioni dhe provat për arrestimin e personit të propozuar nga SSH. Në raste të veçanta, në mënyrë konfidenciale mund të jepej me miratim të ministrit ose nga drejtuesi i sigurimit në rreth. Në kartelën e dosjes shënohej fakti i këtij ekspozimi dhe emri i personit që njhej me dosjen. Në dosjen “Kaos” që shtjelloj në këtë libër, them se sistemuam një fashikull (jo dosje) duke administruar jo vetëm raportet e agjentes “Pena e Artë”, por dhe të agjentëve të tjerë.  Kujtoj të dhënat cilësore të agjentit “Bleta” një personalitet i kësaj fushe, që vinte nga shtresat e pasura dhe që kishte përfunduar universitetin në Vjenë dhe Romë. Përfundimisht mund të them që I. Kadare nuk ka pasur dosje. Për këtë shkak sigurimi nuk i bëri publike edhe marëdheniet e tij me Ramiz Alinë.

– Le të kthehemi tek libri dhe tek pyetja që ju bëra në fillim. Çfarë mendoni se përbën interes për publikun nga veprimtaria e organeve të Sigurimit në atë kohë?

– Shifrat gjithmonë kanë mbizotëruar propagandën kundër SSH, veçanërisht dosjet për agjitacion dhe propagandë, ku veprimtaria gjurmuese dhe finalizimi për t’i çuar në bankën e të akuzuarve kalonte nëpër shkallë që ngjiteshin sipas ligjit, e jo sipas dëshirave. Nëse një person (në gjuhën profesionale emërtohej objekt) fokusohej si kundërshtar i regjimit për çdo tendencë kriminale si spiun, terrorist, sabotator apo agjitacion e propagandë, ndiqej me masa aktive. Verifikoheshin rrethanat paraprake, aplikoheshin mjete operative të regjistrimit të aktivitetit ilegal, grumbulloheshin provat e domosdoshme dhe në analizë të fundit gjykohej masa e sigurisë: këshillim, demaskim, arrestim apo forma operative. I diferencuari për t’u goditur me arrestim i kalonte sektorit të hetuesisë që detyrohej të verifikonte të dhënat operative, provat (kishin vlerën e deklarimeve operative) e administruara dhe rrethana të tjera plotësuese. Me pas e gjithë dosja dërgohej në Drejtorinë e Hetuesisë së Përgjithshme në Tiranë për vlerësim. Relacioni me provat shkonin tek  Prokurori i Përgjithshëm që sanksiononte apo refuzonte masën e arrestit. Përfundimi i hetimit kontrollohej nga Prokuroria që përgatiste akuzën dhe pas afatit ligjor, çështja i kalohej gjykatës për ta gjykuar. Vetëm në gjykatë provoheshin provat e administruara e cila jepte verdiktin e saj. Ligjërisht, SSH luante rolin kallëzues pranë organeve të drejtësisë, njëlloj siç denonconin edhe organet e tjera shtetërore.

Nga numri i përgjithshëm i dosjeve në raport me popullsinë, 5.2% që kishte Tirana, afërsisht 30% e tyre cilësoheshin në fushën e ndërgjegjes dhe arratisjes, nga këto 70% ( e 30% ) e tyre këshilloheshin dhe demaskoheshin nga kuadrot e lartë në Komitetet e Partive.

Në këto dosje futeshin persona që ndiqeshin për spiunazh apo tendenca të mprehta, kryesisht me cedime të forta klasore, por që përfaqësonin një minoritet. Gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të sistemit komunist numri i tyre shkonte në shifrën 17.200 persona që mbartnin lloje të ndryshme dënimesh. Nga ky numër i përgjithshëm 8.500 ishin të dënuar për krime të ndërgjegjes që emërtohej agjitacion e propagandë (dhe tendencë arratisje), ndërsa të tjerët mbanin mbi shpatulla fajësinë e spiunit, terroristit, sabotatorit etj. Pas viteve 1978, porosia e prerë ishte që arrestimi në fushën e ndërgjegjes të ishte “fisheku i fundit”. Kjo është e vërteta.

– Mund të na tregoni se si ishte situata reale në Sigurimin e Shtetit në kohën e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri?

– Kjo është një pyetje vërtet interesante. Në fundin e dimrit 1992, në seminarin e zhvilluar nga CIA në Sofie të Bullgarisë me shefat e shërbimeve sekrete të Europës Lindore ku ishim dhe ne, rezultonte se gati 55 – 60 % e popullsisë së atyre vendeve kishin dosje në ndjekje, ndërsa gati 40% ishin informatorë sekret. U pranua se në këto vende, duke përfshirë dhe ish Bashkimin Sovjetik, një në katër apo pesë qytetarë ishin informatorë sekret.

Po tek ne? Njerëzit nën zë dhe rrëzë veshit flisnin se në Shqipëri një në dy apo tre persona ishte informator i fshehtë. I shtonin edhe faktin e “tetëqintlekshëve”, të cilët për hir të së vërtetës nuk figuronin në asnjë bordero financiare: ata ishin vullnetarë të deklaruar që aktivizoheshin për sigurinë publike kur ishte e nevojshme, punë që kryhej pa pagesë dhe jashtë kohës së punës apo me orar të reduktuar. Në krahun e majtë u vihej shenja me inicialet “AGBV”. Kaq ishte e gjitha!

Kryeqyteti kishte në arkivat e saj dosje që zinin 5.2% të personave në ndjekje dhe 4.8% të qytetarëve që bashkëpunonin fshehurazi me SSH. Për të shëruar kureshtjen kujtoni Kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Figurave Nafiz Bezhani që para shqiptarëve në televizionin shtetëror deklaroi në vitin 1998 se 4% e popullsisë në Shqipëri kishin dosje, nga këto 1.5% ishin dosje përpunimi dhe 2.5% ishin bashkpunëtorë të fshehtë.

Të arratisurit nga Shqipëria ishin rreth 12.000, ku regjistroheshin kriminelët e luftës (lista e tyre ishte e veçantë), numrin më të madh e përbënin persona apo grup personash (familjar) të arratisur në vitet 1944-1946, periudhë e një situate ku shteti ishte në formim e sipër.

Në studimin e përgatitur nga SSH, përcaktohej si shkak kryesor për arratisje, gjendja e rëndë ekonomike, të ardhurat e pamjaftueshme për të përballuar nevojat e domosdoshme, që shoqërohej me nxitje dhe përhapje paniku, të qëllimshme, duke krijuar atmosferë pasigurie për këta njerëz. Dukej e trishtueshme, por dhe e dhimbshme që për motive, në shumë raste dhe ordinere, të trajtoheshin si emigrantë politikë, duke rënduar jo vetëm pozitën e lidhjeve të tyre në Shqipëri, por dhe humnerën patriotike që duhet pranuar, se për pjesën më të madhe mbahej me pasion e krenari. Nga ana tjetër, kishte dhe të tillë që organizoheshin aktivisht duke kontribuar pa asnjë përfitim, vetëm se ishin shqiptarë, duke dhënë informacione tepër të rëndësishme për vendin tonë, ku ndihej mirënjohja duke lehtësuar dhe detyrat e SSH. Nisën procedura për heqjen e motivit politik dhe iu hapën dyert për të ardhur pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, diçka (për sigurimin ishte përllogaritur si mundësi) e ” prishi ” operacionin, kur një prej të ardhurve nga zona e Dropullit mori familjen dhe u arratis në Greqi. Dyshimet shkonin tek zbulimi grek. Lajmi mori dhenë, veçanërisht nëpër korridorët partiakë të rrethit, diskutonin dështimet e SSH, për më tepër kërkonin ndëshkim për shkaktarët. E vërteta ishte që për problemin kishte dhënë miratimin personalisht R. Alia, por emri i tij s’do përmendej. Bubullimat vazhduan për shumë kohë, saqë detyroi një funksionar të lartë të SSH të shkonte në Gjirokastër për të dhënë llogari përpara Byrosë së Partisë të Rrethit. Është ironi, por SSH duhej të përballej edhe me të tilla gjëra, pjesë e një politike cingërrimtare, therëse autoritare dhe imponuese për gjithçka.

Pavarësisht nga pengesat, u përparua në praktikë duke lejuar ardhjen e këtyre njerëzve edhe në zona të tjera, por gjithnjë duke ruajtur masat e sigurisë për të evituar incidente të llojit që pasqyruam.

– Zoti Bujar, le të flasim më konkretisht: Cilët ishin më të preferuar nga ju, domethënë Sigurimi i Shtetit për t’u rekrutuar?

– Duke u menduar për përgjigjen e kësaj pyetjeje, më erdhi ndërmend kjo thënie: Mos e merrni për dobësi heshtjen time, se nëse unë flas, ju nuk do të mund ta përballoni.

Në rrjetin e kundërspiunazhit shqiptar dominonin agjentë dhe informatorë me pozicion aktiv: akademikë, përfaqësues të fushave të shkencave, shkrimtarë, artistë, mjeshtra muzike, njerëz të thjeshtë e deri batakçinj të paskrupullt e “zhvatës”, kishte dhe të tillë që s’vlenin asnjë dyshkë.

Informatorët e fshehtë për çdo shërbim të këtij lloji janë si gjak jetësor, që u sigurojnë organeve zbuluese një informacion specifik, i cili nuk mund të merret nga burime të tjera. Kjo mbetet strategji dhe taktikë e fshehtë e këtyre shërbimeve që pranohet si e keqe e paevitueshme.Nëse do rreshtonim emrat e koduar të agjentëve të fshehtë që kontribuan në këto procese inteligjente nuk do mjaftonte letra dhe boja, që ishin susta shpërthyese për SSH, të tillë që mund t’u ngresh monumente në shenjë mirënjohje për kontributet e dhëna. Disa syresh do ishin “Koritniku”, “Gjeollogu”, “Zeusi”, “Skifteri”, “Pena e Artë”, “Artisti”…  Janë shumë, e megjithatë do flasim për disa prej tyre. Më parë të themi, se këta njerëz të shkëlqyer të fushës së fshehtësisë u seleksionuan pa arsye, u quajtën provokatorë, kriminelë dhe tradhtarë, u thirrën dhunshëm, kryesisht në mjediset e njohura, lindën dyshime dhe ka të ngjarë, që të tillë me vlerë dhe të jenë asgjësuar.

Megjithatë, unë mendoj se rrjeti i fshehtë është pasuri kombëtare.

– Pse?

– Sepse duhet kuptuar: rrjeti i fshehtë informativ konsiderohet aset kombëtar, pasuri e vyer e një shteti serioz. Nuk mund të lejohet në asnjë rast dhe për asnjë arsye të abuzohet me këtë thesar të fshehtë që është determinant për sigurinë kombëtare. Këta njerëz të talentuar u përkushtuan për mbrojtjen e atdheut nga njerëz që punonin pabesisht kundër intersave të vendit tonë dhe për këtë ka parametra të vlerësimit. Në libër fola për ekzekutimin e agjentit Arbëri nga spiunazhi grek, që nuk është i vetmi. Mund të trajtoja edhe ekzekutimin makabër të një agjenti tjetër të SSH të njohur si Hasan Spata, i vrarë dhe zhdukur në rrethana misterioze nga spiunazhi jugosllav në zonën e Dibrës. Por edhe më tronditëse është ekzekutimi i një agjenti të zbulimit shqiptar në një vend europian, me gradën gjeneral të dekonspiruar nga njerëzit që na zëvendësuan pas vitit 1992. Një shtet serioz duhet të bëhet barrikadë për të evituar fatkeqësi të tilla që cedojnë sigurinë kombëtare. Këta njerëz të fshehtësisë kanë sakrifikuar për të justifikuar misionin e tyre dhe ne duhet t’i vlerësojmë.

Billedforhåndsvisning

(Vijon në numrin e ardhshëm)

/ Huazuar  nga Gazeta dita/

About admin

x

Check Also

Aktiv

Pëllumb Xhufi: Shqipëria po përjeton epokën e zhbërjes!

  Pëllumb Xhufi, vjen sot ekskluzivisht në Voxnews.al në një bisedë të ...