Home / Opinion / Rreth emërtimit të fëmijëve me emra të huaj

Rreth emërtimit të fëmijëve me emra të huaj

Shkrun: Beqir Elshani

Sipas lajmit “Emrat më të përdorur për fëmijët në Kosovë gjatë vitit 2020” asnjë nga emrat më të përhapur iliro-shqiptare nuk gjendet në Statistikat e Kosovës. Është për të ardhur keq që emërtimi i fëmijëve në Kosovë prinë me emra fetarë dhe kozmopolitë, siç janë: Ajla, Alea, Asja, Dua, Inara për vajzat dhe Ajan, Tian, Amar, Noar dhe Omer për djem. Ashtu siç ka qenë e lavdishme dhe revolucionare Rilindja Kombëtare Shqiptare në shek. XIX, ngjashëm po mbeten të lavdishëm familjet shqiptare të Kosovës, të cilët në vitet më të vështira në ish-Jugosllavi, fëmijët i kanë emërtuar kryesisht me emra iliro-shqiptarë. Duhet pasur parasysh se në vitet 70-ta në Kosovë ka qenë bukur vështirë që fëmijët të emërtohen me emra iliro-shqiptarë, sepse ishim nën ndikimin e propagandës fetare dhe nën trysninë e pushtetit të egër jugosllav. Shembull konkret është periudha në vitet 1970-2000, kur fëmijët me vrull të madh emërtoheshin me emra shqiptarë. Pesë fëmijët e mi kanë lindur brenda vitit 1970-80, të gjithë kanë emra shqiptarë, gjithashtu edhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave të mi kanë emra shqiptarë. Të njëjtën gjë kanë vepruar edhe familjet tjera në mbarë Kosovën. Pikërisht djali im, Adriatiku, pa ndërmjetësimin tim, të birin e porsalindur e emërtoi me emrin shqiptar – Maltin. Ky është një shembull i mirë kombëtar! Prandaj familjet e sotme për emërtimin e fëmijëve me emra të huaj duhet të skuqen.

Në kohën kur ne i emërtonim fëmijët tanë, nuk kishte fjalorë emrash shqiptarë, mirëpo emërtimin e bënim falë arsimimit dhe emancipimit kulturor shqiptar. Përhapjen e emrave shqiptarë e ndihmoi edhe Radiotelevizioni i Tiranës me koncertin dhe me programin artistik, sidomos programi argëtues i fëmijëve. Kurse sot edhe pse gjenden me dhjetëra fjalorë emrash shqiptarë, gjithashtu gjenden në internetin shqiptar, mirëpo motivi dhe dashuria për emërimin e fëmijëve me emra të djepit shqiptar ka rënë nën ndikimin fetar dhe kozmopolit. Ato vite punoja në bibliotekën e fabrikës së gomës “Ballkani” në Therandë, shpeshherë vinin dashamirët, prej meje kërkonin t’u gjeja ndonjë emër shqiptar për emërtimin e fëmijëve. Në vazhdim, shqiptarët me mbiemra burimorë: Berisha, Bytyqi, Elshani, Gashi, Gruda, Hoti, Kabashi, Kastrati, Kelmendi, Krasniqi, Kryeziu, Kuqi, Morina, Shkreli, Thaçi, Lumi, Uka, Shpati, Kodra etj, në botën e jashtme mund të dihen që janë banorët të humusit shqiptar, pasi që emri është mjet identifikimi i përkatësisë kombëtare. Përndryshe shqiptarët me emra të huaj vështirë dallohen. Kur në derën e banesës figuron mbiemri Bytyqi, Shkreli, apo Kastrati dihet që banuesi është shqiptar, në dallim me mbiemrin e huaj Jakupi, Martini, apo Sahitaj. Prandaj ashtu siç janë emra të bukur për popujt arabë: Jakup, Malush, Sadik, Hajrije etj. janë të bukur emrat shqiptarë: Afrim, Valdete, Dardan, Gazmend etj.

Si shumica e prindërve, jam kureshtar ndaj djepave të punuar nga dora e artizanatit shqiptar. Sa herë që dilja ditën e tregut, djepat e fëmijëve binin në sy. Mirëpo më dëshpëroi kur me një ballinë të djepit figuronte anglisht “I love you!”. Më mirë se pasthirrma fetare dhe kozmopolite është simboli kombëtar i shqiponjës, siç thuhet dy herë shqip. Zor të besohet që mërgimtari i përmalluar të blejë djepin e Kosovës me shprehjen e huaj! Në forumin virtual gjendet fjalori me emra shqip, të bazuar në emrat e përdorur nga iliro-shqiptarët brez pas brezi, i përgatitur nga gjuhëtarët e njohur shqiptarë dhe shton: “Jemi shqiptarë dhe do të mbetemi të tillë përjetë! Përse mos të jenë dhe emrat tanë”. Kujtojmë porosinë e madhe të Naimit “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë, sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë!

Emërtimi shqiptar
Pse deputetja shqiptare, Erisa Xhixho, me bashkëshortin Enea Nuredini, fëmijën e tyre të dytë nuk e emërtojnë për shembull “Majlinda” që është emër shqiptar, me anën e së cilës tregon identitetin kombëtar, por e emërtojnë fetarisht “Nikolë”. Gjithashtu edhe të birin Henri, duhej emërtuar me emër shqiptar. Dihet që gjuha shqipe është mjaft e pasur me emra të shumtë e të bukur shqiptarë. Erisa, si faktore qeveritare, duhet të japë shembull me emërtimin shqip të fëmijës. Ç’kontrast, derisa i ati ka emrin iliro-shqiptar, “Enea”, ndërsa e ëma “Erisa”, fëmijët e tyre kanë emra fetarë. Mirëpo për emrat e tyre shqiptarë merita u takon prindërve të tyre, ndërsa për emërtimin e fëmijëve me emra të huaj, turpi u takon prindërve të fëmijëve. Shqiptari tri gjëra elementare duhet të ketë: emrin, mbiemrin dhe muzikën shqiptare, që janë me burime autoktone qysh prej kohës së vjetër ilire.

Lidhur me bashkatdhetarin në Gjermani për emërtimin e djalit me emrin e kryetrimit shqiptar Gjergj duhet përkujtuar që është emër fetar me kuptim neolatin “Georg”, ashtu siç është emri Skënderbe me kuptim turk “Iskander”. Vetëm mbiemri i kryetrimit shqiptar “Kastriot” është emër burimor shqiptar, sot quhet Kastrati. Prandaj shqiptarët si në vendlindje ashtu edhe në mërgatë, detyrohen që fëmijët t’i emërtojnë me emra të antroponimisë iliro-shqiptare që janë të shumtë po aq edhe të bukur. Gjuha dhe kombi vjen mbi fenë, prandaj prindërit pa dallime fetare detyrohen që fëmijët t’i pagëzojnë në gjuhën shqipe, pasi që shqiptarët pa dallime fetare edukohen dhe shkollohen me abetaren shqipe, prandaj këshillohet që edhe emrat t’i kenë në gjuhën amtare. Sa i përket emrave të personaliteteve kombëtare, ata do të nderohen në kulturën dhe historinë tonë kombëtare. Një komentues shkroi, nëse ai si shqiptar i konfeksionit mysliman fëmijët i pagëzon në gjuhën shqipe, duhet të veprojnë edhe shqiptarët e konfeksionit krishter. Pikërisht unë me bashkëshorten nuk dëshirojmë që emrat tanë të onomastikës së huaj të trashëgohen te nipat dhe mbesat tanë, përveç emrave shqiptarë pa dallime fetare, pasi që gjuha është pasuria jonë më e madhe.

Sipas lajmit në shtyp, në cilin shkruan për britanikun, John Donne, e martuar me një kosovare, e cila quhet Lirije, flitet për fëmijët që dëshiron të kenë emra shqip, është një shembull i mirë. Mirëpo duhet pasur parasysh se shqiptarët sot marrin emra të ndryshëm sipas përcaktimit fetar, siç janë të krishterë e myslimanë, por edhe emra kozmopolitë. Gjuha shqipe është e vjetër, dhe si e tillë ka fondin e madh me emra shqiptarë, prandaj shqiptarët nuk duhet të emërtohen me emrat e gjuhëve të huaj, siç janë arabe, turke, sllave, si dhe me emra karrieristë, që pasojnë në fushën e artit dhe muzikës. Gjuha është mjet që popullin pa dallime fetare e identifikon dhe e bashkon në trungun shqiptar. Nuk ka ndodhur ndonjë rast që turqit, grekët dhe serbët fëmijët e tyre t’i emërtojnë me emra shqiptarë, sepse e kanë gjuhën e tyre burimore, ngjashëm siç e kanë shqiptarët gjuhën e vjetër dhe autoktone shqipe. Shqiptarët me besime të ndryshme fetare e kanë edhe një përparësi në dallim me boshnjakët, të cilët flasin gjuhën sllave, mirëpo edhe pse popull i vjetër boshnjak emërtimin e bëjnë sipas fesë myslimane. Që boshnjakët janë me prejardhje ilire nuk ka asnjë dyshim, prandaj gjuha e tyre duhej të ishte shqipja burimore ilire. Ngjashëm janë edhe malazezët në Mal të Zi dhe dalmatët në Kroaci, të cilët janë me prejardhje ilire, por flasin gjuhën sllave. Ndryshe me shqiptarët që emrat vetjakë i kanë sipas gjuhës dhe traditës shqiptare, banorët e Sanxhakut kanë emra fetarë. Prandaj derisa emrat burimorë shqiptarë kuptohen, emrat e boshnjakëve e të Sanxhakut, i kanë me burim turk e arab, të cilat duhet përkthyer kuptimin e tyre. Psh. emri Bukurie në fjalorin e emrave nuk përkthehet, për shkak se është emër i djepit shqiptar, ndërkaq për të ditur kuptimin e emri Vesel në arabisht duhet të përkthehet në gjuhën shqipe. Libri “Fjalor emrash” të Vladimir Zotos shpjegon emrat e ndryshëm të huaj, por shpjegon edhe emrat ilirë, të cilëve u jep shpjegimin dhe prejardhjen e emrit.

Suedi, 16 janar 2022

About xhzeqiri

x

Check Also

Xhemil Zeqiri, veprimtar heroik i çështjes kombëtare shqiptare

/ Nga Arkivi i diplomcis.dk/ Epoka e Re, 24.01.2004 Prishtinë, janar – ...