Home / Opinion / Vetëm ekzistenca e një Platforme Politike Kombëtare e zgjidh përfundimisht Çështjen Shqiptare.

Vetëm ekzistenca e një Platforme Politike Kombëtare e zgjidh përfundimisht Çështjen Shqiptare.

 

 

Nga: Dilaver Goxhaj

Tiranë, 02 janar 2022

 

Filozofi Afrim Morina  del për herë të tretë para lexuesi me librin filozofik të titulluar “Misioni i urtakëve kombëtarë”, të cilin e ka ndarë  në dyzetëkatër esse të ndërlidhura mes veti. Një lloj trajtese tepër e veçantë. Është tituli i vet i çdo esseje që të tregon se për farë çështje filozofike bëhet fjalë. Dhe i gjithë libri  trajton çështjen filozofike shqiptare të kohës së sotme, e cila është një çështje ende e pazgjidhur. Prandaj dhe libri çelet me essenë mbi lirinë. “Njerëzimi – thotë autori –  kaloi nëpër shumë vështirësi, por ende në botë nuk kemi liri, as liri individuale dhe as liri kolektive. Edhe shtetet më demokratike nuk e kanë në lartësinë e duhur lirinë, sepse, kjo fjalë i pengon shumë, madje edhe u nxjerr telashe.”

Duke e lexuar këtë përcaktim të Afrimit, natyrshëm të shkon mendimi te përcaktimi i dikurshëm nga Faik Konica, i cili ngjashëm pat thënë: ”Ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1) të besojë ç’i do zemra; 2) të thotë ç’i do zemra; 3) të shkruaj ç’i do zemra, veç ato që janë kundër lirisë së tjetrit…. Jeta e mëndjes është të hapim të tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundrejt tjetrit, të kuvëndojmë si njerëz të qytetëruar që mblidhen të luftojnë me fjalë me idetë e tyre.[1])                                                 

Këta element të përparuar, që diskutonin për lirinë, u quajtën nga populli: URTAKË.

 

Dhe pasi të shkëmbejnë idetë këta urtakë shqiptarë të qytetëruar, natyrisht që do të ndeznin një flakadan, për të dhënë kushtrimin për liri në të gjitha trojet tona, gjë që e ka vërtetuar historia, e që populli ynë e ka përjetësuar në vargjet popullore:

“Kosova e ka bërë adet,

 Për çdo vit vret nga një mbtret”.

 

Këta flakadanë kanë ndezur dhe kanë bërë epokën shqiptare të zhbërjes së robërisë.

Por historia jonë na tregon se fillimisht sa afroheshin njerëzit për t’i parë dhe përgëzuar këta ndezës të flakadanëve, (pra urtakët), menjëherë hidheshin në aksion zjarrfiksit e lirisë së kombit, këta ideologë të shtypësve dhe pushtuesve, që mundoheshin të tmerronin popullin për të mos u afruar te flakadanët, duke u thënë, “se ky është flakadani që e ka ndezur djalli”; dhe djalli, për këtë kategori pacifiste shqiptare, ishin dhe janë urtakët, ideologët e çështjes kombëtare, duke u ngjitur flakadanëve shumë epitete. Dhe epiteti më i fundit kundër flakadanëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte: “këta janë enveristë”. Këtë epitet pacifistët e përzgjodhën ngaqë kanë qenë dhe janë ithtarë të Titos dhe titizmit, të cilin Enveri e kishte etiketuar armikun më të madh të kombit shqiptar. Mirëpo, sa më shumë që pacifistët zjarrfikës e përsërisnin atë epitet, aq më shumë shtoheshin radhët e UÇK-së! Kjo i tmerroi edhe më shumë pacifistët shqiptarë dhe dëgjuesit besnikë të tyre, prandaj morrën arratinë duke e braktisur Kosovën.

Dhe “Lufta për shuarje dhe për t’i mbajtur të ndezur flakadanët, që veç kishin filluar të rritej, nuk ndalej. Të dyja palët përballeshin me njëra-tjetrën në forma të ndryshme. Për fat të keq, pjesa dërmuese ende besonte se flakadanët ishin ogurzi dhe mundoheshin, gjithsesi t’i shuanin shpirtin revolucionar, duke u munduar t’ua merrnin nga duart flamurin, madje edhe u zinin prita bartësve të tyre… Kjo luftë ndaj flakadanëve, i ngjasonte luftës së të kundërtave, mohimit të mohimit.”, thekson autori. Kjo ishte lufta e të kundërtave, e cila gradualisht po merrte përmasa më të mëdha.

Lufta e këtyre të kundërtave – vijon autori –  vazhdon edhe sot e kësaj dite. Dhe kjo është domosdoshmëri, sepse lufta për liri krijoi dy tabore që nuk do të pajtohen kurrën e kurrës mes veti, derisa e para do të ngadhënjejë ndaj të dytës, ose e kundërta. Kjo luftë do të ketë viktima të përhershme, është luftë, e cila e ka fillesën “atëherë kur lindi prona private”, përfundon autori. “Dhe, ai që e mori barrën dhe e ndezi flakadanin e parë – thekson autori – ishte Spartaku.”

Në këtë këndvështrim, për të siguruar sa më shumë prona të pasura, trojet tona ishin përherë të lakmuar për ardhacakët, vijon autori. Kjo lakmi për trojet tona u lindi ardhacakëce për shkak të pozitës gjeostrategjike, gjeopolitike dhe pasurive ekonomike. Dhe lakmitarët e parë janë helenët, një fis arabik; të dytët ishin romakët; të tretët janë karpatianët, të cilët, në luftë për të mbijetuar zbritën prej shkrepave të Karpateve dhe filluan të vendosen në trojet tona, ku, për shkak të popullsisë së vogël, gjenin hapësirë dhe filluan të ngrehin ngrehinat e veta për të jetuar.” Të katërtit – ishin otomanët, të cilët, po për të njëjtën gjë, filluan të zgjerohen drejt tokave tona.”

Zjarrfiksit pacifistë shqiptarë, të cilët autori i etiketon  me termin “zjarrfiksit e lirisë”, bazoheshin, sipas autorit, “në teorinë maltusiane, e cila është teoria e më të fortit për të kapur hapësirë të mjaftueshme për të jetuar, ngase, të tjerët (më të dobëtit) janë tepricë dhe teprica duhet zhdukur fizikisht”. Në këtë mënyrë është bërë dhe po bëhet edhe sot garë në mes dy taborëve, të flakadanëve dhe të zjarrfiksave të lirisë.

Kuptohet që nga radhët e flakadanëve të lirisë ka pas shumë viktima. Dhe këtë e shohim gjerësisht në Kosova, e cila është plot lapidarë të flakanndezësve, të cilët janë munduar që të ndriçohet e  gjithë Kosova, njësoj si në të gjithë globin, prandaj dhe dita e lirisë quhet ndryshe edhe dita e flakadanëve, të cilët janë sinonim i lirisë.

Flakadanët, duke qenë sinonimi dhe emblema e lirisë, ata, na thotë autori: “tundin në ajër flakadanët, për t’ia bërë të ditur njerëzimit se jemi pranë jush dhe ju duhet të rreshtoheni me ne… Flakadanët janë ata që bëjnë luftra për liri, e cila bëhet atëherë kur një komb ështe i robëruar, dhe e ka të vështirë të gjejë miq.”

Baza e luftës midis flakadanëve dhe zjarrfiksave të lirisë është antagonizmi i interesave themelore të tyre, kurse përputhja e interesave është baza e aleancave të ndryshme midis shtresave dhe klasave, e veprimeve të tyre të përbashkëta. Aleatët, si midis klasave dhe shtresave shoqërore, kanë rëndësi të madhe, sepse çdo klasë dhe shtresë mundohet të ketë sa më shumë aleatë brenda dhe jashtë vendit; por që këto aleanca nuk janë kurrë të përjetshme.

Për fat të keq, në radhët tona kemi zjarrfiksa lirie me shumicë, që nuk e kuptojnë këtë mesazh të flakadanëve, por që maskohen duke vjedhur ngjyra të flakes (ideve) së flakadanëve, të përfitojnë nga drita e tyre, duke menduar të mos identifikohen. Këta janë butakë që përzihen me ushunjza dhe mundohen t’i orientojnë mbështetësit e tyre për ta pirë gjakun e flakadanndezësve.

Këta zjarrfikës të lirisë mes nesh, thotë autori, per fat të keq “janë miq të Evropës, e cila, përmes tyre, realizon shumë synime të tyre dhe po lejon që nën këtë qiellin tonë të mos dominojnë flakadanët, që flakadanët ta kenë të vështirë t’i përmbushin idealet e veta… Pos kësaj, kemi edhe zjarrfikës lirie që mundohen ta ndriçojnë rrugën e pushtimeve përmes fesë.”

Butakët, ushunjëzat dhe zjarrfiksit e lirisë e kanë penguar dhe po e pengojnë shumë dritën e misionarëve të lirisë, dritën e flakadanëve. Butakët ose ushunjëzat, (të cilat autori i ka esse të vëçanta), janë shpirtëra të shitur, për një jetë më të mirë, duke menduar se nuk do të indentifikohen për jetë të jetëve, dhe arrijnë të krijojnë edhe privilegje familjare, me shpërblimin që u japin zjarrfiksit me pushtet të lirisë, të cilët në Kosovë kanë pas dhe kanë pjesë përherë në pushtet.

Kategoria tjetër, na tregon autori, që  mundohet të zbehi ngjyrën e vërtetë të lirisë së Kosovës, është ajo e intelektualëve të përgatitur në shkollat e pushtuesve prandaj dhe sytë e tyre janë mësuar vetëm me dritën e rreme të zjarrfiksave të lirisë, dhe, nuk kanë dëshirë të kalojnë nën dritën e flakadanëve.

Kundër  dritës së flakadnëve, tërheq vemendjen autori, kemi edhe një kategori të rrahagjokësve, që përmes forcës, duan ta tregojnë veten se kush janë dhe çfarë mund të bëjnë. Ata janë të yshtur përmes ofiqeve titullare dhe pasurisë së dëshiruar por që kanë premtime edhe i përshtaten asaj. Këta kurrën e kurrës nuk kanë të ngopur dhe janë në gjendje të bëjnë gjithçka.

Mënçurakët flakadanndezës, – mundohet të na sqaroi autori,- kanë bërë të pamundurën, për të na e treguar rrugën e daljes nga kthetrat e zjarrfiksave të lirisë, nga kthetrat e këtyre dy rrymave filozofike. Shumë urtakë kanë gjetur burgun ose vdekjen përmes kësaj lufte, ose kanë mbetur në varfëri absolute. Gjatë luftës së flakadanëve për lirinë e Kosovës kanë dalë kuislingë e tradhtarë, që për një kacidhe nuk e kanë kursier gjakun e flakadanndezësve, për të dominuar filozofia e tyre. Ata, nuk mendojnë më tepër se sa të jenë të privilegjuar, qoftë në planin përfitues politik apo ekonomik. Kjo kategori – thotë autori – është më e kërkuara nga të dy pushtuesit (ekonomikë dhe politikë), sepse ata janë të këtyre dy kategorive pushtuese dhe njohin mentalitete dhe njerëz që hapërojnë përpara në këtë lloj kolaboracionizmi.

Zjarrfikësit e lirisë, të cilët janë të kërkuarit e pushtuesve ekonomikë e politikë, mundohen që teorinë e tyre maltusiane ta paraqesin si flakë flakadani. Mirëpo edhe në Kosovë njerëzit kanë evoluar në ndërgjegjësim e në dituri, si rjedhojë e punës së urtakëve revolucionarë dhe veprës së flakadanëve të lirisë – UÇK-së. Aktualisht në Kosovë janë veteranët – zëdhënës të ndërgjegjës kombëtare shqiptare, – që e mbajnë të ndezur flakadanin e lirisë. Por dhe tabori tjetër, ai i zjarrfiksave të idealeve të lirisë, të cilët u bëjnë iso “veprave” të tyre, janë munduar të fusin në radhët e veteranëve bijtë e tyre. Pinjollët e tyre shkojnë aq larg, sa krahasojnë periudha që nuk kanë të ngjarë fare me ato të flakadanëve – shton autori.

Ta emanciposh një komb apo një shoqëri – vijon autori – jo vetëm se duhet kohë dhe mund, por duhet të kesh durim tejmase, sepse nga kjo varet edhe liria, konsolidimi i pushtetit dhe ecja përpara. Çdokush që mundohet ta prishë balansin e emancipimit, ai ka synim që kombi apo shoqërija të kthehet në mesjetë.

Kur ne do të arrijma ta kuptojmë se mundemi që ta konsolidojmë mendimin, se duhet të bashkohemi një komb-një shtet, natyrisht që atëherë edhe BE-ja do ta konsideron veten të zënë ngushtë dhe do të detyrohet ta pranojë realitetin e krijuar; proces që do të na falënderohet në të ardhmen nga urtakët e tyre.

Ky është misioni i urtakëve tanë dhe duhet ta kryejmë këtë! Dhe kjo nuk ka mundur të arrihet deri sot, – proteston autori,- ngaqë politika  e gjithë trojeve shqiptare e këtyre tri dekadave i ka shkatërruar Akademitë Shkencore si në Shqipëri edhe në Kosovë; është kjo politikë e uzurpuar nga zjarrfiksit e lirisë dhe nga kolltukofagët e dalë nga rradhër e flakadanëve kryengritës, që jo vetëm kanë eleminuar akademitë e shkencave, por që ka sjellë edhe mos hartimin e një Platforme Politike Kombëtare Shqiptare. Platforma Kombëtare Shqiptare nuk duhet të jetë punë individësh, por punë e urtakëve kombëtarë, platformë që duhet miratuar në një Kuvend mbarë kombëtar i përzgjedhur me referendum mbarë kombëtar dhe jo të përzgjedhur nga partitë politike apo politikanë të caktuar.

Nëse do të kemi një elaborim të thukët, një platformë veprimi kombëtar, – përfundon autori, – edhe faktori i jashtëm do të ndahet dhe ndarja e tyre vie nga pozitat gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Pra, nuk do të kemi mbështetje për çështje humane, apo për ta zgjidhur çështjen kombëtare. Kjo i bie: më jap të japë. Vetëm angazhimi i gjithanshëm, i eleminon barrierat që do të na paraqiten për zbatimin e platformës tonë kombëtare.”

 

 

About admin

x

Check Also

Merr “flakë” i gjithë Beogradi nga ajo që Albini tha në mediumin kroat për Vuçiqin dhe Putinin

20.12.2021 Në një intervistë për gazetën kroate, Vecernji List, kryeministri i Kosovës, ...