Stavro Nikolla Risto
ATDHEU.
–
Ç’vini rrotull o si gomerë
kurrizulur e sy përmjerë
Bam kërbaçi e ju pa gojë
njeritjetrit i nxirni bojë
Qerratenjt e barkmëdhenjtê
me ju tallen e dëfrejnë
E po u shtrydhin o të mjerē
porsi rrushin kur bëjn verë!
–
Ku vate ah trimi me fletë
q’i kish koburja lezetë?!
Ku vajti Donik e Dodonë
q’u thurrnin stinët o hej kunorë?
Ç’u bëtë kështu ore si rrjepacakë
që s’ju merr shpirti njëher flakë
Dhe kur ju lënë me barkun thatë
as kur u shtrojnë në dajakë?!
–
Nja dy kurva dhe ca kurvarë
që duhen varur në litarë
Si i duroni o përmbi qafë
ata bam e ju gjuhëtharë?!
Ata bum e ju krahëvarë?!
Po, ç’u bët këshu more si gjynahqarë
ku i latë ata trimat e parë
Të urtê – me mënd edhe me pallë?!
Po gjejini more e vërini në ballë
e t’i zhdukni këta zuzarë!
–
Si e duroni ju varfërinë
kur Mëmëdheu e ka plot gjinë?
Si e duroni ah kurbetzinë
që u rrëmbeu more fëminë
Që u a ndryshku more kacinë…
e u a la të shkret shtëpinë?!
–
Po si e duroni more tradhëtinë
që don t’u shëmb vëllazërinë?
Si e qasni hajdutërinë
q’u vu mbi krye bo bo hajninë?!
Përse nuk zgjohi more përse nuk ngrihi
a keni gjak jju a s’ ju dhemb shpirti
Që Mëmëdheut edhe njëherë
kryet e varur – lartë t’ja ngrini?!