Home / Intervista / “Pse dhe si u shkatërrua ushtria shqiptare?”

“Pse dhe si u shkatërrua ushtria shqiptare?”

“Pse dhe si u shkatërrua ushtria shqiptare?”

INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor, Gani Elezi: “Shqipëria përgatiste ushtarakisht dhe mobilizonte në rast lufte afro 1 milion luftëtarë, çka përbënte një rast unikal dhe garanci të madhe për fitore në çdo konflikt ushtarak”

 

“Pse dhe si u shkatërrua ushtria shqiptare?”

Nga një vend me aftësi të larta mbrojtëse, në një vend që në vitin 1997 i humbi thuajse tërësisht atë. Kështu e sheh transformimin e ushtrisë shqiptare nga njëri sistem në tjetrin, ish-oficeri madhor, Gani Elezi në kujtimet e tij të mbledhura për botim. Gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ai tregon me detaje se çfarë kapacitetesh ka patur dikur ushtria shqiptare dhe si u katandisën ato pas viteve ’90. Duke e cilësuar këtë si një strategji të mirëmenduar, pikërisht me synimin për ta shkatërruar ushtrinë shqiptare si të tillë…

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

Si do ta cilësonit ushtrinë tonë deri në fillim të viteve 1990?

Deri në fund të vitit 1991, ushtria jonë ishte një armatë e madhe me aftësi të konsiderueshme luftarake. Ku në përbërjen e saj ishin 22 divizione këmbësorie,1 divizion xhenioje, Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore, Komanda e Aviacionit, Komanda e Flotës Ushtarake Detare, si edhe institucione të ndryshme ushtarake. Në strukturën e këtyre divizioneve dhe komandave ishin të paktën 74 brigada këmbësorie,19 sulmuese, 8 të RSHA-së, 6 studentore, 11 brigada tankesh me afro 1200 mjete të blinduara, 13 të artilerisë tokësore me më shumë se 4000 gryka zjarri. Si edhe 6 regjimente të artilerisë kundër-tank, 4 regjimente të artilerisë bregdetare, 23 të artilerisë kundërajrore, 1 regjiment i raketave tokë- ajër me afro 240 raketa, 5 të aviacionit reaktiv, 1 helikopterësh,me afro 240 mjete luftarake,120 Mig 17, 19, 21 dhe 36 helikopterë Mi-4,etj. Pa harruar as 5 baza detare, 1 brigadë nëndetësesh, me afro 80 katera silurues, 4 gjuajtës detarë, 4 nëndetëse. Apo dhe 3 brigada xheniere, 1 brigadë ndërlidhje, 1 regjiment i mbrojtjes kundër kimike, 1 regjiment i zbulimit teknik të artilleries, 1 i radiozbulimit, 5 baza furnizimi dhe shumë elementë të tjerë të formacionit luftarak të ushtrisë.

Nga ana tjetër, Forcat e Armatosura kishin në efektivin e tyre 16500 oficerë, 9000 nënoficerë, 60000 mijë ushtarë efektivë dhe 8000 punonjës civilë, që përfshiheshin në organikat e luftës. Kuadri plotësohej edhe me 450000 mijë rezervistë, 230000 vullnetarë të vetëmbrojtjes popullore. Duke llogaritur edhe strukturat e tjera, organikat e kohës së luftës të organeve të pushtetit dhe ekonomisë, Shqipëria përgatiste ushtarakisht dhe mobilizonte në rast lufte afro 1 milion luftëtarë, çka përbënte një rast unikal dhe garanci të madhe për fitore në çdo konflikt ushtarak. Dhe në sajë të një pune të madhe të bërë në dekada dhe të përvojës së fituar, në periudhën e fillimit të proceseve demokratike në vendin tonë, ushtria jonë zotëronte  kapacitete materiale e teknike, organizative,taktike dhe operativo-strategjike, të cilat pa asnjë diskutim, ishin të krahasueshme me ushtritë e vendeve më të zhvilluara europiane

Cilët ishin këto kapacitete?

Së pari, ushtria jonë zotëronte resurse të shumta njerëzore. Shteti shqiptar në ndërtimin strukturor të ushtrisë dhe të kontigjenteve të tjera të mbrojtjes ishte mbështetur në dy parime shumë të rëndësishme, me ndikim të madh në përcaktimin e fatit të luftës: masivitetin në përfshirjen e kontigjenteve njerëzore në organikat e reparteve ushtarake dhe shumëllojshmërinë e domosdoshme të armëve e të shërbimeve të nevojëshme për çdo ushtri. Skema jonë e mobilizimit ushtarak i kapërcente kufijtë e skemave të pranuara, të cilat zakonisht përfshinin deri në 20% të popullsisë aktive në strukturat e ushtrisë. Ajo siguronte mobilizimin e të gjithë qytetarëve të aftë për të përdorur armët duke i organizuar ato, përveçse në rradhët e ushtrisë, të forcave tokësore,të forcave detare,të forcave ajrore, por edhe në struktura të tjera ushtarake siç ishin Forcat Vullnetare të Vetmbrojtjes Popullore (FVVP), Rinia Shkollore e Armatosur (RSHA), Mbrojtja Civile e Republikës (MCR).  Po ashtu, në përputhje me kushtet e vendit tonë, me kushtet e terrenit tonë malor  dhe me karakteristikat e një lufte të mundëshme kundër nesh, ushtria jonë kishte realizuar një strukturë mjaft efektive, përsa i përket llojeve të armëve dhe të shërbimeve të domosdoshme për një ushtri moderne. Në këtë kuadër rëndësi vendimtare i ishte dhënë organizimit dhe përgatitjes së forcave tokësore, të cilat më shumë se çdo faktor tjetër, do të vendosnin fatin e fitores në luftë. Kështu, ne kishim në përbërje të ushtrisë sonë njësi këmbësorie, njësi tankesh, njësi të forcave sulmuese, njësi të artilerisë tokësore dhe kundërajroe, për të organizuar një mbrojtje të qëndrueshme dhe tepër aktive si dhe për të ndërmarrë veprime luftarake mësymese të çdo shkalle qoftë.

Ju po thoni se ne ishim gati të përballeshim me çdo lloj rreziku?

Po. Në fillim të viteve ‘90-të, ushtria jonë dhe të gjitha strukturat e mbrojtjes zotëronin një nivel të kënaqshëm përsa u përket aftësive morale, teknike, taktike dhe fizike për të përballuar çdo situatë luftarake që mund të na paraqitej. Ky nivel i lartë aftësie ushtarake lidhej me efektet e punës dhjetra vjeçare të bërë nga komandat dhe shtabet e ushtrisë, për të përgatitur kontigjente sa më të afta për mbrojtjen e vendit. Por

ushtria jonë edhe zotëronte një armatim dhe teknikë luftarake të pranueshme për kohën dhe mjaft efektive për kushtet e mbrojtjes sonë. Armatimi i lehtë i këmbësorisë, teknika e AT, e AKA, tanket dhe deri tek mjetet e aviacionit e të marinës luftarake detare ishin mjaft cilësore dhe me kapacitete  të mjaftueshme për të organizuar një mbrojtje efektive kundër çdo argresori  që do të na sulmonte. Në mënyrë të veçante ushtria jonë zotëronte një sasi të madhe të armatimit dhe të municioneve të këmbësorisë, gjë që garantonte jo vetëm angazhimin e një sasie të madhe forcash të afta për luftë, por  edhe një luftë të gjatë në kohë. Në fund, ushtria jonë kishte një planifikim luftarak në shkallë strategjike, operative dhe taktike, i cili garantonte suksesin tonë në çdo situatë dhe në çdo emergjencë ushtarake. Çdo njësi, çdo repart, çdo nënrepart, madje edhe çdo kuadër, çdo ushtar, çdo vullnetar dinte detyren e tij luftarake.

Cila është e vërteta mbi shkatërrimin e ushtrisë?

Duke marrë në konsideratë faktin që kam theksuar më lart, që ushtria jonë zotëronte kapacitete të larta në të gjitha drejtimet, arsyet e shkatërrimit të saj, më së shumti, duhen kërkuar në përvojën dhe masat e marra pas vitit 1991, në të ashtuquajturën “politikë të mbrojtjes”, që u ndoq  nga klasa jonë politike, pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, në “reformën” që u programua dhe zbatua në fushën e mbrojtjes. Ishte e logjikshme që në kuadrin e ndryshimeve rrënjësore në fushën politike, sociale dhe ekonomike që po kryheshin në vendin tonë, të kryheshin të tilla edhe në fushën e mbrojtjes. Pra, ishte plotësisht e drejtë dhe e nevojshme të kryhej, ajo që në ato vite u quajt “Reforma në Ushtri”.

Por, fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ushtria jonë jo vetem nuk u forcua dhe nuk u modernizua siç deklarohej, përkundrazi, gjatë viteve të “postdiktaturës”,  erdhi vazhdimisht duke u dobësuar, në të gjithë komponentet e saj, deri sa ndodhi ajo që neve kurrë nuk na kishte shkuar në mendje, shkatërrimi i plotë i saj. Dhe ky proces shkatërrimi nuk është  rezultat vetëm i ngjarjeve të pranverës së vitit 1997. Këto ngjarje qenë në fakt fundi i tragjedisë. Sepse shkatërrimi ushtrisë sonë lidhet me një sërë veprimesh të ndërmarra,edhe me qëllim, përgjatë gjithë viteve ‘90-të. Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë të padeklaruar,ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992. Këtë të vërtetë të hidhur e venë në dukje edhe përfaqësues të ushtrive të huaja, të atashuar pranë qeverisë dhe Ministrise së Mbrojtjes shqiptare. Ndër ta, këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë saj, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se “Ushtria Shqiptare është e prirur dhe e hapur ndaj ndryshimeve. Por problem kryesor ishte se qeveria kishte vendosur për t`a shkatërruar gjithçka të mëparëshme, pavarësisht në se ishte e vlefshme apo jo”.

POHIMI

“Sulm politik mbi ushtrinë!”

Sulmi politik ka qenë momenti i parë nga i cili ka marrë rrugë shkatërrimi i ushtrisë sonë.Në fillim të viteve ‘90-të, forcat e reja politike që erdhën në pushtet, duke I vlerësuar gabim situatat politiko-ushtarake në rajon dhe në nivel global, ndryshuan plotësisht konceptin strategjik dhe politikën e mbrojtjes së shtetit shqiptar. Në vija të përgjithshme u promovua  koncepti se tashmë rreziku i luftës në rajon e veçanërisht kundër vendit tonë nuk ekzistonte më. Dhe nëse do të paraqitej ndonjë rrezik, ne do ta përballonim atë në kuadër të veprimit të strukturave ushtarake ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO-s. Ndryshimi i konceptit për mbrojtjen u pasua me  veprime që në fakt shumë shpejt çuan në dobësimin e kapaciteteve morale dhe ushtarake, deri në shkatërrimin e plotë të ushtrisë. Që në fillim, në kuadrin e luftës kundër përvojës së viteve të socializmit, ushtria  u konsiderua si një instrument dhune në dorë të PPSH dhe të udhëheqjes saj. Duke e konsideruar të tillë ushtrinë, ajo filloi të shihej dhe të goditej si një e keqe e madhe dhe më shumë, si një barrë e panevojëshme për popullin shqiptar. Nisur nga disa detyra që  mori përsipër, sidomos aksionet në ruajtje të rendit, të qetësisë publike dhe  objekteve të rëndësishme politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake, ushtria u akuzua si forcë e errët në dorë të udhëheqjes së PPSH. U stisën edhe veprime, si demostrimet e shkollave ushtarake në mbrojtje të veprës e të  monumenteve të Enver Hoxhës, vetëm e vetëm për ta paraqitur ushtrinë si një mjet presioni kundër zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në të njëjtën kohë u godit baza morale, fondamenti mbi të cilin ishte ndërtuar koncepti ynë mbi mbrojtjen, sipas të cilit “mbrojtja e vendit ishte përgjegjësi dhe detyrim moral për çdo qytetar”. Në çdo miting të partive opozitare, në radio, në televizion, në shtypin e shkruar dhe në forma nga më të ndryshmet, propagandohej se… çfarë që është bërë në fushën e mbrojtjes nga PPSH ka qenë e panevojëshme, ka qenë një shfaqje e megallomanisë së saj dhe se në konkluzion të fundit, ka qenë një barrë e rëndë, e kotë, për ekonominë, për popullin dhe shtetin shqiptar. Në kronikat televizive qytetarët filluan të “flisnin” me neveri për ushtrinë, për stërvitjen ushtarake, për zboret, për provat e gatishmërisë, për fortifikimin, etj. Kjo propagandë  kundër misionit, kontributeve dhe domosdoshmërisë së ushtrisë pati  efekte shumë të mëdha te një pjesë e popullsisë, sidomos te një pjesë e të rinjve shqiptarë. Për ushtrinë, për kuadrot e saj u krjijua një situatë e rëndë, që u përkëqesua me urdhrin e ministrisë së Mbrojtjes për të hequr nga uniforma simbolet dhe yllin e kuq pesë cepësh. Për të diskretituar më tej ushtrinë propagandistët anti-ushtri u morën edhe me sistemin tonë të fortifikimit, duke formuluar cilësorin “Shqipëria, vend  i bunkerizuar”. Me idenë për të demaskuar “çmendurinë” fortifikuese  u arrit deri atje sa të dekonspiroheshin edhe objekte të karakterit tepër secret. Deri edhe vendstrehimi i Komandës së Përgjithëshme për kohë lufte si dhe objekte të tjera shumë të rëndësishme të ushtrisë, objekte që në vende të zhvilluara, në Europë apo më gjerë, nuk të lenë t`u afrohesh dhe jo më t`i dekonspirosh, siç u bë tek ne. E gjithë kjo propagandë synonte të krijonte tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët bindjen se “çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e PPSH dhe e Enver Hoxhës, për të garantuar jetëgjatësinë e pushtetit të tyre dhe se vendit tonë nuk i kanosej asnjë rrezik ushtarak”. Po në këtë linje, me këtë skenar dhe me këto synime u godit edhe përmbajtja e karakteri i luftës sonë çlirimtare dhe i UNÇL, e cila ishte pararendesja e ushtrisë sonë dhe e misionit të saj, në mbrojtje të atdheut. Lufta nacionalçlirimtare u quajt “luftë civile”, ”luftë vëllavrasëse”, madje, në shumë raste, edhe një “luftë e panevojshme” meqenëse sipas kësaj propagande, “forcat gjermane ishin vetëm në një operacion kalimi dhe jo pushtimi ndaj Shqipërisë”, duke ngarkuar me përgjegjësi për këtë PKSH, Shtabin e Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-çlirimtare, si krahun e saj të armatosur. Veç sa theksova më lart, në lidhje me aspektin politik të problemit, me fillimin e proceseve demokratike u cënua edhe baza ligjore mbi të cilën ishte mbështetur detyrimi i qytetarëve në interes të mbrojtjes së vendit. Kështu, u tolerua dhe nuk u muar asnjë masë për një pjesë të madhe të ushtarëve të shërbimit të detyrueshem, të cilët u larguan nga ushtria, dezertuan nga rradhët e saj, dhe shkuan në vendbanimet e tyre apo edhe jashtë vendit, duke I nxjerrë plotësisht jashtë gatishmërie repartet e gatishmërisë së përhershme luftarake. Këto kontigjente jo vetem nuk u vunë para përgjegjësisë për dezertim nga ushtria, por edhe kur ktheheshin në reparte u njihej  si shërbim ushtarak edhe periudha e largimit. Dhe si për t`i dhënë  goditjen  e fundit seriozitetit dhe domosdoshmërisë së shërbimit ushtarak Ministria e Mbrojtjes, brenda një kohe shumë të shkurtër  ndryshoi afatin e shërbimit të detyrueshëm nga 24, në 18 dhe në 12 muaj. Madje krahas me këto ndryshime aplikoi edhe alternativën e  pagesës së shërbimit ushtarak, çka do të thoshte se cilido që paguante një sasi lekësh mund të mos shkonte në ushtri. Një praktikë e tillë jo vetem që e kompromentonte më tepër çështjen e shërbimit  të detyrueshëm ushtarak por hapi edhe një aferë të re, atë të pagesës nën dorë të kuadrove të sektorit të organizimit dhe të kuadrove të tjerë përgjegjës, në njësi e reparte ushtarake. U bënë të zakonshme rastet kur ushtari  regjistrohej në repart, por atje paraqitej vetëm në fund të afatit të shërbimit, për të marrë librezën e shërbimit ushtarak, madje edhe me karakteristikën  për kryerjen me “rezultate shumë të mira” të detyrës ushtarake. E gjithë kjo përvojë e gabuar rezultojë në zvenitjen, deri në neglizhimin e plotë, të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare për mbrojten e vendit, rrjedhimisht edhe ndaj detyrimeve për shërbimin ushtarak dhe për përgatitjen ushtarake, të përcaktuar edhe në ligjin themelor, në Kushtetuten e Shqipërisë. Në këtë rrugë, hap pas hapi, ushtria u gjend para vështirësive të mëdha, në shumë drejtime, sidomos në fushën e kompletimit dhe të përgatitjes së saj luftarake”.

KRAHASIMI

“Nëse, edhe në situatë të zakonshme, jo më në situata të acaruara politike apo ushtarake, repartet dhe njësitë e ushtrisë sonë kompletoheshin në masën prej 70%-80 %, pas vitit 1991 asnjëherë ky kompletim nuk arriti as në masën 20%, përqindje kjo e cila nuk garantonte futjen e tyre në veprime luftarake, në se situata do ta kërkonte një gjë të tillë”.

About admin

x

Check Also

“Pse dhe si u shkatërrua ushtria shqiptare?”

INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor, Gani Elezi: “Shqipëria përgatiste ushtarakisht dhe mobilizonte në rast ...