Home / Opinion / PËR HYRJEN PA KUSHTE TË PARTIVE SHQIPTARE NË QEVERINË E MAQEDONISË VERIORE

PËR HYRJEN PA KUSHTE TË PARTIVE SHQIPTARE NË QEVERINË E MAQEDONISË VERIORE

 Shktruan: Prof.Dr. Abdulla Mehmeti

/Rilexim për reflektim, nga pesë vjet më parë- Ribotim//
„Zotohuni se nuk do të pajtoheni me asnjë kusht që partia politike të cilës i takoni, të hyjë në përbërjen e qeverisë pa marrëveshje praprake me shkrim, të nënshkruar nga të gjitha palët dhe me garanci ndërkombëtare, për ndryshimin e Kushtetutës së vendit, me theks të veçantë për ndryshimin e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni, si popull autokton dhe shumicë, me të drejtë të trashëguar shtetformimi, sidomos nga Kushtetuta e vitit 1974.“
-Abdulla Mehmeti, dhjetor 2016
MOS U ZOTONI ÇKA DO TË BËNI, POR ÇKA NUK DUHET TË BËNI!
Pse subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni shpenzojnë kaq shumë energji, bëjnë harxhime financiare dhe i lodhin votuesit duke premtuar projekte dhe ide që kanë ndërmend t’i realizojnë, ndoshta me qëllime shumë të mira, por asgjë nuk thonë për atë se, ÇKA NUK DUHET TË BËJNË?!
Se:
1. Nuk do të bashkëpunoni me sigurimin e shtetit, as me shërbime të huaja;
2. Nuk do të toleroni financimin e aktiviteteve të subjektit tuaj nga fondacionet e huaja me qëllime të dyshimta dhe subversive;
3. Nuk do të toleroni organizimin e krimeve, as do të pranoni të jeni pjesë e tij;
4. Nuk do ta toleroni dhe do ta luftoni nepotizmin dhe korrupsionin;
5. Nuk do të lejoni përçarje, urrejtje dhe hakmarrje ndaj anëtarëve dhe simpatizuesve të subjekteve të tjera;
6. Nuk do t’i lejoni dhe përkrahni krimet, qoftë edhe kur mund t’i kryejnë pjesëtarët e subjektit tuaj, ose organet e pushtetit;
7. Nuk do të toleroni me asnjë kusht të helmohen edhe më tej mbi 500 mijë banorë të rajonit të Pollogut nga fabrika ,,Jugohrom” dhe nga kryerës të tjerë të krimeve të kësaj natyre;
8. Nuk do ta toleroni kontrabandën me drogë, ilaçe dhe ushqime me afat të skaduar, të mallrave me elemente toksike dhe forma të ngjashme të tregtisë së paligjshme;
9. Nuk do lejoni nëpërkëmbjen e mëtejme të të drejtave të ligjshme kombëtare të shqiptarëve;
10. Nuk do të lejoni edhe më tej statusin poshtërues juridik-kushtetues dhe politik të pakicës kombëtare për popullin shqiptar;
11. Nuk do ta toleroni diskriminimin në baza kombëtare, fetare dhe gjuhësore, të asnjë bashkësie etnike pakicë në Maqedoni;
12. Nuk do të lejoni diskriminimin ligjor për përdorimin e flamurit shqiptar dhe simboleve të tjera të identitetit kombëtar;
13. Nuk do të lejoni imponimin e stemës së shtetit me simbole të identitetit kombëtar vetëm të një populli, ose të një partie, me të cilin shqiptarët autoktonë në këtë shtet nuk kanë asnjë element të përbashkët historik dhe kulturor;
14. Nuk do të toleroni edhe më tej që gjuha shqipe, të cilën e flasin afër gjysma e popullsisë së këtij vendi, të mos respektohet si gjuhë zyrtare;
15. Nuk do të toleroni edhe më tej shpërndarjen e buxhetit të shtetit në mënyrë të padrejtë dhe të pabarabartë, për kokë banori, në secilën njësi të vetëqeverisjes lokale, qytet ose rajon të vendit;
16. Nuk do të lejoni sjelljen e njëanshme të ligjeve diskriminuese, pa respektimin e parimeve demokratike për vendimmarrje, me konsensus;
17. Nuk do të toleroni prolongimin e mëtejmë të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike;
18. Nuk do të toleroni shtrirjen e ndikimeve të huaja, sidomos të shteteve historikisht të njohura si pushtues dhe sundues të këtyre hapësirave përgjatë historisë, përmes ekonomisë, arsimit, kulturës, mediumeve dhe formave të tjera të propagandës dhe veprimtarive subversive;
19. Nuk do të toleroni pasurimin e vetëm një grupi funksionarësh, oligarkë dhe grupe mafioze, sidomos të subjektit që ju i takoni, në dëm të pasurisë së përgjithshme të shtetit dhe në kurriz të mirëqenies së qytetarëve të vendit;
20. Nuk do të lejoni plaçkitjen e qytetarëve nga ndërmarrjet e elektroenergjetike, radiodifuzive, përmbaruesit privatë, operatorët e telefonisë celulare, taksambledhës të ndryshëm dhe kompani të njohura për plaçkitjen e padrejtë dhe të paligjshme të qytetarëve;
21. Nuk do të toleroni moszbatimin e ligjeve nga institucionet, sidomos nga gjykatat në të gjitha nivelet;
22. Nuk do ta toleroni ndërhyrjen e forcave speciale policore në vendbanimet dhe shtëpitë e qytetarëve të pafajshëm, kryesisht shqiptarë, siç e ka treguar përvoja e deritashme, duke inskenuar procese të montuara politike nga struktura të dyshimta në organet e pushtetit;
23. Nuk do të toleroni investime dhe zhvillim ekonomik jo proporcional dhe të pabarabartë të të gjitha rajoneve në territorin e shtetit;
24. Nuk do të toleroni vjedhjen dhe keqpërdorimin e buxhetit të shtetit dhe të pasurisë së përgjithshme të qytetarëve;
25. Nuk do të lejoni të keqpërdoren mjetet nga tenderët dhe projektet me interes të përgjithshëm, të miratuara nga Qeveria, institucionet, agjencitë dhe fondacionet ndërkombëtare;
26. Nuk do të merreni me reket të kompanive private dhe biznesmenëve;
27. Nuk do të pasuroheni në kurriz të votuesve dhe të qytetarëve;
28. Nuk do të toleroni manipulimin me zgjedhjet dhe falsifikimin e tyre, me asnjë kusht dhe për asnjë çmim e interes;
29. Nuk do të lejoni miratimin e investimeve dhe realizimin e projekteve të pakuptimta, si ,,Shkupi 2014”;
30. Nuk do të lejoni realizimin e projekteve dhe objekteve fetare të një besimi, në vendbanimet ku me shumicë jetojnë pjesëtarë të besimeve të tjera fetare;
31. Nuk do të lejoni ndarjen jo të barabartë të Buxhetit të shtetit;
32. Nuk do të toleroni diskriminimin kulturor të shqiptarëve;
33. Nuk do të lejoni të dergjen nëpër burgje njerëz të pafajshëm, të dënuar me procese të montuara politike, ndërsa kriminelë ordinerë të qeverisin me institucionet e shtetit dhe të mbeten të pakapshëm nga ligji;
34. Nuk do të lejoni edhe më tej të mbeten pa shtetësi mijëra qytetarë të lindur e rritur në Maqedoni, ose që e gëzojnë këtë të drejtë në bazë të ligjit mbi një bazë tjetër, që nuk u lejohet për shkak të bindjeve politike dhe dyshimeve të tjera të pabazë se e rrezikuakan sigurinë e shtetit;
35. Nuk do të lejoni që shteti dhe politika të ndërhyjnë në institucionet fetare dhe në jetën fetare të qytetarëve;
36. Nuk do të lejoni plaçkitjen, degradimin dhe shkatërrimin e institucioneve shëndetësore dhe sociale, duke rrezikuar kështu jetën e mijëra qytetarëve të vendit;
37. Nuk do të lejoni të mos zbatohet pastrimi me të kaluarën komuniste dhe denoncimin e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, përmes ligjit, për krimet e kryera gjatë regjimit komunist dhe periudhës së tranzicionit;
38. Nuk do t’i tradhtoni premtimet e dhëna ndaj qytetraëve, votuesve gjatë fushatës parazgjedhore;
39. Nuk do të toleroni diskriminim në punësim, seleksionimin negativ të kuadrit drejtues në institucione dhe forma të tjera të diskriminimit për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë partiake;
40. Nuk do të pajtoheni me asnjë kusht që subjekti politik të cilit i takoni, të hyjë në përbërjen e qeverisë pa marrëveshje praprake me shkrim, të nënshkruar nga të gjitha palët dhe me garanci ndërkombëtare, për ndryshimin e Kushtetutës së vendit, me theks të veçantë për ndryshimin e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni, si popull autokton dhe shumicë, me të drejtë të trashëguar shtetformimi, sidomos nga Kushtetuta e vitit 1974;
etj.
(2.12.2016)

About admin

x

Check Also

Merr “flakë” i gjithë Beogradi nga ajo që Albini tha në mediumin kroat për Vuçiqin dhe Putinin

20.12.2021 Në një intervistë për gazetën kroate, Vecernji List, kryeministri i Kosovës, ...