Home / Lajme / Taksisti zyrtar plaçkit udhëtarin

Taksisti zyrtar plaçkit udhëtarin

Shkruan: Beqir Elshani

Është e tmerrshme kur udhëtarët nuk e paguajnë udhëtimin ose gjatë udhëtimit e sulmojnë dhe e plaçkitin taksistin. Rastet janë të shumta. Më keq se kjo ngjarje është nëse taksisti e keqpërdor detyrën me anën e plaçkitjes së udhëtarit. Këtë e ilustron taksisti suedez, i cili prej Geteburgut në Suedi gjatë natës ka bartur një qytetar në drejtim të Flodas, disa milje në lindje të qytetit. Sapo arriti në vend, udhëtari e pagoi shoferin. Mirëpo ndërkohë që udhëtari po dilte prej taksisë, shoferi prej xhepit ia plaçkiti mobiltelefonin, pastaj me shpejtësi zhduket prej vendit. Taksisti veproi sikur të ishte shenjë kompensimi për mospagimin e udhëtimit, ndonëse udhëtari e kishte paguar. Fill pas ngjarjes tronditëse qytetari prej shtëpisë i lajmëroi organet policore. Për habi polici deklaroi se nuk ishte fjala për ndonjë taksist të zi që pa leje qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit, por taksist zyrtar. Dihet që veprimi i taksistit ndikon në dëm të etikës së mbarë taksistëve në vend. “Nuk është e zakonshme që një shofer taksie të vjedhë klientët e tij gjatë bartjes”, kishte thënë polici.

Në vazhdim, një shofer anglez gjatë udhëtimit në rrugë me automobil e gërvishti automobilin e shoferit tjetër, prandaj shoferi i dëmtuar në vend se të lajmëronte policinë e trafikut, vendosi të marrë ligjin në duart e veta. Shoferi kapadai doli në rrugë dhe fajtorin e rrahu egërsisht duke e shtrirë përtokë. Pas pak policia e trafikut erdhi në vendin e ngjarjes. Mirëpo policia në vend se ta dënonte dëmtuesin për gërvishtjen e automobilit, në emër të mbrojtjes së ligjit sulmuesin e vrazhdët e dënoi 16 muaj burg dhe 140 funte dëmshpërblim për plagën e shkaktuar ndaj viktimës. Po sikur shoferi të kishte përdorur arsyen në vend të forcës, me duar në xhepa do të merrte dëmshpërblimin dhe pa pasoja të shkonte rrugës së tij. Nuk thotë kot populli, mendja e madhe ta thyen qafën.

Polici që me makinën e tij në rrugë ka shkaktuar fatkeqësi komunikacioni duke mbytur dy këmbësorë, dhe të gjithë ne po e shohim, ngjashëm vepron edhe qeveria, e cila me duart e zgjatura e mbyt popullin me anën e shtypjes dhe varfërimit. Kur qytetari krahas policit e sheh sulmin, dhunën dhe plaçkitjen, si dhe shpejtësinë e makinave nga shoferët e pakujdesshëm, atëherë fatkeqësia është afër, prej nga shkrimtari Paulo Coelho thotë: “kur kafshët nuk bëjnë asnjë zhurmë, rreziku është afër”. Prandaj kur populli nuk lëshon zë nga shtypja dhe shfrytëzimi i egër, varfëria është afër.

Ndonjëherë bota është e vogël
Disa shoferë që nga shpejtësia me automjet e shkelin udhëtarin, pastaj në vend se të ndalen dhe t’i ndihmojnë viktimës, veprojnë edhe më keq, zhduken për t’i fshehur gjurmët e fatkeqësisë si dhe për ti ikur përgjegjësisë. Megjithatë do të zbulohen dhe të arrestohen nga organet policore. Shembullin e zhdukjes prej fatkeqësisë së shkaktuar e tregon një shofer kinez, i cili gjatë udhëtimit me veture në rrugë i shkeli një grua me gjithë fëmijën, e cila ishte duke udhëtuar me motoçikletë. Pas disa orësh policia rrugore i ra në gjurmë, dhe shkaktarin e fatkeqësisë tragjike e sollën në vendngjarje, ku ishin të vdekur gruaja me fëmijën. Sapo shoferi i pa që ishin gruaja e tij me të birin, qau dhe nga tronditja shpirtërore menjëherë u rrëzua mbi ta. Ndërkohë gruaja me fëmijën po ktheheshin prej gjinisë në shtëpi, (kuptohet, çuni ka qenë te daja), mirëpo burri që po kthehej prej punës, nga pakujdesia ua ndaloi rikthimin dhe përqafimin  familjar në shtëpi. Prandaj shkaktarët nuk duhet të ikën prej fatkeqësisë, por duhet të ndalen dhe t’i ndihmojnë viktimat, ndërkohë të lajmërojnë ndihmën e shpejtë dhe organet policore. Nëse shoferi kalon mirë rrugës, çështjen e ka në duar, mirëpo nëse shkakton fatkeqësi, atëherë çështja kalon në dorë të organeve policore dhe mjekësore. Shoferi duhet të mendojë se edhe ai mund të ishte udhëtar në rrugë, dhe mund ta pësonte fatkeqësinë e njëjtë, prandaj duhet pasur kujdes në trafik. Vlen të përmendet, edhe pse qytetari është një nga miliardat e banorëve kinezë, megjithatë në fatkeqësi pësoi familja e tij. Prandaj ndonjëherë bota është e vogël.

Mizat zbulojnë krimin
Të gjithë njerëzit mbrohen prej mizave qoftë në tokë, qoftë në ajër, mirëpo ndonjëherë mizat bëhen lajmëtare të vrasjes që me vite mundohen të fshihen. Nuk thotë kot populli se ku ka zë, s’është pa gjë, prandaj ku ka miza, nuk është pa gjë. Siç dihet frigoriferi me ngricën nën zero është një aparat shtëpiak për ruajtjen e ushqimit me ngrirje të thellë. Megjithatë mizat e bezdisshme arrijnë të zbulojnë ushqimin e prishur, me anën e së cilës shtëpiakun e paralajmëron për ushqimin e prishur. Që mizat luajnë rolin e zbuluesit policor, tregon se kanë vërshuar në frigoriferin e mbushur jo me artikuj ushqimor, që janë me afat të shkurtër, por me trupat e dy grave me afat të gjatë. Policia angleze nuk e kishte aspak vështirë për të zbuluar se në frigoriferin shtëpiak nuk gjenden artikujt ushqimor, por trupat e dy grave të vrara, me të cilat vrasësi një kohë të gjatë kishte abuzuar. Ky krim i paskrupullt vrasësit 38-vjeçar i kushtoi me burg të përjetshëm. Duhet pasur parasysh, nëse ndonjë anije e humb drejtimin në det, janë zogjtë që tregojnë se toka është afër. Prandaj ndonjëherë duhet treguar respekt ndaj mizave që në jetën e përditshme na bezdisin.

Suedi, 2019

About xhzeqiri

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...