Home / Të ndryshme / Mik, shok, vëlla – Xhemil Zeqirit

Mik, shok, vëlla – Xhemil Zeqirit

/Në kujtim të Poetit tonë kombëtar – Hysni Milloshi/

1

O shok që fytyrën kurrë s’ta kam parë
o shqiptar me emrin Xhemil Zeqiri
po të pyes që larg me dashuri e me mall:
ke zemër në gjoks apo minierë floriri?

2

Ti jeton në qytetin e largët – Kopenhagë
me mallin e Atdheut që të ndez si dielli
unë po shkruaj një këngë për ty këtë natë
me vargje të pastra si shirita ylberi.

3

Të kujtoj çdo ditë, çdo mbrëmje e mëngjes
si mik, si shok e si vëlla të kujtoj
diellin e kombit na e kanë ndarë në mes
po zemrën e shqiptarëve kurrë nuk besoj.

4

Emri yt është shkruar në zemrën time
siç janë shikuar përjetë dhe yjet në qiell
le të ketë në jetë brenga e hidhërime
midis vëllezërish do të ketë pranverë.

5

Po i shkruaj këto fjalë me baltë Shqipërie
me gurë të bardhë mali po i shkruaj këto fjalë
le të na lidhë kjo këngë si urë vëllazërie
sa të rrojmë mbi tokë shqiptarë të gjallë.

Hysni Milloshi
Tetor 1992

——————————————————–

Miku im Xhemil Zeqiri

1.
Larg Atdheut ku ka lerë,
Larg vatrës prindërore,
Larg shqiponjës me dy krerë,
Larg malesh madhështore,
Larg or, larg, në udhë mërgimi,
Ku si qiri u shkri Naimi.
Ku rroi e nuk vdiq shqiptari,
Endet sot Xhemil Zeqiri,
Miku im me shpirt floriri.

2.
Kur ndez nata yjet qiellit
Dhe oqeanet pushojnë pak
Ja ky bir nga Toka e Diellit
Endet nëpër Kopenhagë.
Jo si turist e kalimtar,
Po si punëtor në punë e halle
Rend Anteu mërgimtar
Si rend era nëpër male,
Si rend era nëopë pyjet
Gjersa prapë shuhen yjet.

3.
Dielli zgjohet. Ai zgjuar
Porsi rrezja që puth malet
Puth flamurin përmalluar,
Ku shqiponja i hap krahët.
Dhe në zemër ndien Adtheun
Me të vdekur dhe të gjallë
Që ka përkundur Prometeun
Në çdo djep e në çdo fjalë,
Në çdo shpatë e flakë zjarri,
Miku im, Xhemil Shqiptari.

4.
Eh, miku im Xhemil Zeqiri,
Eh, miku im Xhemil Shqiptari,
Ku është vatra ku është hiri,
Shpata që na la i pari?
Ku është ylli ynë i fatit,
Ku është forca e Bashkimit?
Mos u tha dhe vala e Matit,
Mos u tha dhe vala e Drinit?
Në Tiranë e në Prishtinë
Ujku shqyen Shqipërinë.

5.
Shqipëria jonë – e mjera,
Shqipëria jonë – e gjora,
S’di ku endet mbi humnera,
Ku është Kaçaniku e Vlora?
Ku janë djemtë e Shqipërisë,
Ku janë fushat, ku janë malet,
Ku janë Burrat e Lirisë,
Përse nuk po zgjohen varret?
Çfarë murtaje na ka tretur,
Mos të gjallët kanë vdekur?

6.
Eh, miku im Xhemil Zeqiri
Gjak kullon kjo zemra e shkretë,
Se kur qan e qesh bilbili
Të duket se nuk rron në jetë.
Kush e shembi Shqipërinë,
Kush e vrau nëpër natë,
Kush ia akuzoi lavdinë,
Kush e la si lis të thatë?
Ca tregtarë flamujsh ma vulë,
Që shesin kombin për një pulë.

7.
Tokë e Diell, toka ime
Diellin kush na e rrëzoi?
Kush mbi malet kryetrime
Hoddi natë e na verboi?
Kush na ndau, na përçau
Me parrullën e romakëve?
Mbahu, toka ime, mbahu
Përmbi supet e Pezakëve…
Duhet ngritur Dielli prapë
Të na prijë me sy të artë.

8.
Ngrihi dëshmorë nga varri,
Dëshmorë të Kombit patjetër,
Prej jush të ngjallet i gjalli,
Të vdesë kush ka për të vdekur
Veç kombi sot duhet të rrojë
Siç rrojnë gjithë kombet mbi dhé,
Qyqja të mso na vajtojë
Mbi kullat pa njerëz, Atdhe
Evropa kurvë, Evropa plakë
Premton Diell e na jep natë.

9.
Eh, miku im Xhemil Zeqiri
Jetë le t’i japim jetës
Ne do të ngrihemi nga hiri
Si Feniksi i legjendës.
Mbështetur veç mbi zemrat tona
Dhe krahët tanë të bashkuar
Do fluturojmë si shqiponja
Me Flamur të kuq mbuluar
Dhe do t’i thotë Lirisë PO
Kombi ynë i madh Hero.

Hysni Milloshi

Itali, 25 tetor 1996

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...