Home / Histori / ZEMRA E NJË LUFTËTARI I TRI LUFTRAVE KOMBËTARE

ZEMRA E NJË LUFTËTARI I TRI LUFTRAVE KOMBËTARE

Mund të jetë një imazh i 1 person

/fOTO: Genc Sefa-LUSHNJA/

Shkruan: Dilaver Goxhaj
(Shpëtim Golemi)

Tiranë, 10 Tetor 2021

Vëllimi me poezi “Pushka e tyre, kushtrim lirie” i luftëtarit të tri ushtrive çlirimtare kombëtare shqiptare të fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI, e vullnetarit nga Republika e Shqipërisë  Genc Sefa – LUSHNJA, i kushtohet tërësisht temës së luftës për çlirimin e Kosovës, Kosovës Lindore dhe trojeve shqiptare në Maqedoninë Veriore gjatë viteve 1998-2001 kundër fashizmit serbo-sllav. Ka më se dy dekada që kjo temë vijon të jetë tema më e nxehtë me të vërtetë kombëtare e poezisë në  Kosovë si dhe në viset e tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze.

Ky është një fakt i rëndësishëm letrar, që tregon  se temat dhe motivet me të vërtetë kombëtare nuk janë tema abstrakte e jashtëkohore, por janë ato motive që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me luftën një shekullore të popullit shqiptar në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni, në 2/3 e territoreve shqiptare të pushtuara nga sllavët; një ndeshje e forcave përparimtare shqiptare me reaksionin sllav, të cilat, secila prej atyre tri luftrave kanë qenë thjeshtë luftë popullore.

Poezitë e këtij luftëtari vullnetar nga shteti amë, i pari vëllim poetik prej rradhëve të vullnetarëve nga Shqipëria Londineze, e kanë  temën drejtpërsëdrejti nga realiteti i atyre trojeve të pushtuara shqiptare, nga llogoret e atyre tri luftrave. Karakterin kombëtar të këtyre luftrave ia jep vetë prezenca e këtyre vullnetarëve, shumica e të cilëve ishin në emigracion, si vetë autori i poezive Genc Sefa apo bashkëluftëtarët e bashkështetasit Dashamir Alliu, Halit Coka,  apo Safet Boletini, Zejnullah Zejna  si dhe me mijëra të tjerë që sulmuan nga territori i shtetit amë për t’u bashkuar me forcat e UÇK-së brenda në Kosovë, duke i vënë forcat serbe midis dy zjarreve, operacion, i cili u emërtua “Operacioni Shigjeta”, erdhën në ato tri luftra porsa ata mësuan se në Kosovë kishte shpërthyer lufta çlirimtare në trojet e pushtuara shqiptare:

S’harrohet ajo kohë, në vrullin e rinisë,

U nisëm drejt Atdheut, për të luftuar!  

……….   ………………………

U nisëm drejtë Pashtrikut, shtigjeve të lirisë,

Iu bashkuam UÇK-s në trojet e Dardanisë;

Ti dalim zot Atdheut, t‘i themi ndal Serbisë,

Që vriste e torturonte, bijtë e Shqipërisë!

Të gjithë këta mërgimtarë u bashkuan në mal të Pashtrikut dhe në Koshare; atje ishin pikat e takimit të këtyre mijëra vullnetarëve mërgimtarë në përgjigje të thirrjes së Atdheu, të cilët kanë hyrë në fondamentin klasik të luftës kombëtare shqiptare të fundshekullit XX e fillimshekullit XXI dhe përbëjnë ndoshta traditën më të fuqishme shqiptare ndër shekuj që ka ushqyer e vazhdon të ushqejë dashuria dhe malli për bashkimin kombëtar shqiptar. Lufta çlirimtare në Kosovë, Kosovë Lindore dhe në Maqedoninë Veriore, heroizmat e atyre tri luftrave vazhdojnë të jenë një frymëzim dhe mësim i madh për brezat dhe shkrimtarët atdhetarë shqiptarë.

Propaganda e sotme kundër këtyre tri UÇK-ve dhe akuzat kundër tyre jo vetëm nga serbo-sllavët por edhe nga kolaboracionistët e fshehtë e të hapur shqiptarë të të gjitha ngjyrave, predikimet dhe thirrjet për haresë të atyre tri luftrave, propaganda e madhe “e pajtimit me Serbinë”, që po vijojnë të bëjnë politikanë nga Tirana, Prishtina e Tetova, nuk mund ta mbulojnë dot krimin e madh  fashit serbo-maqedon që u bë në këto troje shqiptare dhe as që mund ta bëjnë dot kombin tonë të harrojë gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës, Kosovës Lindore dhe trojeve shqiptare në Maqedoni. Psalmet e këtyre politikanëve shqipfolës, për pajtim të xhelatve me heronjtë, s’janë veçse përpjekje për të njollosur historinë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit dhe të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare në Maqedoni dhe të mbarë kombit shqiptar, të cilët duan të përgatisin terrenin për të përligjur dënimet e djemve të ngjarjes të 9 Majit 2015 në Kumanovë dhe dënimet e paramenduara duke propozuar, ngritur e miratuar Gjykatën Ndërkombëtare Njëetnike të Hagës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj dhe Genc Sefa shkruan:

Realitet i hidhur, por është i vërtet’,

Herë shpirti më hesht, herë ulëret;

Dua të bërtas, të lëshoj piskamën,

Po askush nuk don ta shikojë gjamën!

Këto poezi të luftëtarit Genc Sefa kanë sot, pas njëzet e ca vitesh, një tingëllim çuditërisht të fortë aktual. E them këtë për vet faktin se ky tingëllim është aktual dhe shumë i nevojshëm, pasi politikanët e shitur shqiptarë përpiqen që kombin shqiptar ta shtien përsëri nën sundimin serbo-sllav të zbukuruar me emërtime të ndryshme, si “Minishengen Ballkanik”, “ Open Ballkan”, “Zajednica” etj. Këto përpjekje tradhëtare shqiptare tregojnë se ëndrra sllave për zotërimin e Ballkanit Ilirik dhe daljen në Adriatik nuk është zhdukur dhe po përpiqen ta ringjallin  në një lloj forme “demokratike” me emrat e mësipërm:

Ndonëse në mes të globit, jemi çorientuar,

Kemi plot një shekull që endemi të hutuar!

Kjo klimë e rëndë antikombëtare tregon edhe një herë sesa fallco ishin dhe janë pozitat e politikanëve të dalë nga ato tre luftra çlirimtare të fundshekullit XX dhe fillimshekullin XXI, si dhe të atyre nga shteti amë që gjoja në emër të “pajtimit”, apo të  “vëllazërim bashkimit” janë pozicionuar larg idealeve të atyre tri luftrave në trojet e shkëputura shqiptare, që në këto çaste që po kalojmë tingëllojnë si tradhjëti e pastër:

Sakrificat kombëtare shpejt i harrojnë,

Shpirtrat e dëshmorëve në varre i lëndojnë;

Siç duket, nga e shkuara e kemi trashëgimi:

Të jetojmë të ndarë, përherë me kufi,

Që lehtë të na gllabërojë hasmi i zi,

Vajmedet për ne! Kjo është tragjedi!

Si dhe vargjet:

Hej atdhe! Sa lart ti ke qenë,

Por nga zullumqarët, përmbys ke rënë;

Populli i mjerë s’ka bukë për të ngrënë,

E politikanët ëndërrojnë për në hënë . . .

sikundër shprehet poeti luftëtar Gec Sefa.

Kjo kohë, për të cilën flet Genci, koha e ndeshjes politike për bashkimin e trojeve shqiptare me atë të rinënshtrimit ndaj serbo-sllavëve, tregon se luftëtarët e thjeshtë idealistë  janë vigjilentë, nuk kanë heshtur, nuk kanë rënë në gjumë. Shumë bukur dhe qartë shprehet kjo në vargje e tijt:

E dimë se të bashkuar ne bëhemi fuqi.

Mbesim me shpresë e lutemi në Perëndi;

Që t’i lëmë grindjet e të bëhemi nji,

Një Komb e një Shtet, ku i thonë Shqipëri.

Është e kuptueshme që një pjesë e vjershave të  Gencit t’u kushtohen dëshmorëve nga rradhët e vullnetarëve nga shteti amë, si Skerdilajd Llagamit, Tahir Sinanit, Lefter Koxhajt, Fatmir Doçi, Astrit Suli etj, si dhe shumë bashkluftëarëve të së njëjtës llogoreje me poetin: Nysret Kaloshi, Hysni Kajtazi, Ramadan Rexhepi, Muhamet Haxhaj, Agim Mazrekaj, Vehbi Ibrahimi, Kastriot Arifi, Ramush Dalipi, Altin Haskaj, Arben Ramadani, Ilaz Kodra, Jeton Dedushaj nga Vuthajt, Beat Coli, Bylbyl Breçani, Nikë Sokol Hajdaraj, Nezir Demiri nga Kumanova etj, të cilët u ndeshën dhëmb për dhëmbë me fashistët sllavë, duke u plotësuar tabloja epike e atij konfrontimi të madh shqiptaro-sllav të pas Luftës së Dytë Botërore.

Dhe ajo që është edhe më interesante të theksohet, se këto vjersha janë shkruar nga një luftëtar i guximshëm pjesmarrës në të tri këto luftrat e fundit në trojet shqiptare (Kosovë, Kosovë Lindore, Maqedoni), i cili sot vuan në burgjet e Maqedonisë Veriore, ndaj dhe shprehet:

Sonte po i kujtoj të gjitha me mall,

M’u kujtuan shokët që n’beteja ranë;

Në mendje më erdhi betimi i parë,

Për bashkimin tonë në një Shtet Shqiptar!

Ky poet luftëtar, edhe pse vijon të jetë i burgosur pse luftoi për kombin e tij, përësi është krenar për atë që ka bërë bashkë me bashkëluftëtarët e tjerë bashk-kombas dhe për lavdinë që pas kanë lënë.

Prej kohësh në trojet shqiptare liria dhe jeta janë baras, por matet veç me tjetër çmim kush është bir i së parës, i LIRISË MBARË KOMBËTARE, sikundër është Genc Sefa dhe shokët e tij, ata janë panteoni i shoqërisë.

 

 

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...