Gjykata e Apelit në Shkup sot ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për dënimet e shqiptuara ndaj pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës. Vendimi është sjellë nga Këshilli Gjyqësor me 2  vota për kthim të rastit në rigjykim dhe tri kundër.

“Është vendim i padrejtë, por që pritej. Nga gjithë ato dëshmi që i propozuam, thuajse asnjë nuk u pranua. Kërkuam aq shumë dëshmitarë, vetëm një u pranua. Po të kishin dëshmuar Ali Ahmeti, Artan Grubi, Sadulla Duraku dhe të tjerët, rasti me siguri do të kthehej në rigjykim dhe pjesëtarët e Grupit prej dot do të ishin në liri”, thotë për Gazetën Lajm njëri prej avokatëve mbrojtës.

Avokatët paralajmërojnë se rasti do të ankimohet edhe në Gjykatë Supreme.

“Sipas ligjit në Gjykatë Supreme mund të ankimohen vetëm dënimet e përjetshme, që do të thotë dënimet e 8 prej pjesëtarëve të grupit. Mirëpo nëse i rrëzojmë dënimet ndaj tyre, do të përfitojnë të gjithë anëtarët e Grupit, sepse i tërë rasti kthehet në rigjykim”, ka theksuar njëri prej avokatëve mbrojtës për Gazetën Lajm.

Ekipi mbrojtës paralajmëron se sërish do të ftojë të njëjtit dëshmitarë për të dëshmuar në këtë rast. Informatat e para jozyrtare që vijnë nga burime në BDI, thonë se as Ali Ahmeti e as funksionarë tjerë të kësaj partie nuk do të paraqiten si dëshmitarë në gjykatë. “Megjithatë ata do të vazhdojnë edhe më tutje me propagandë patriotike”, kanë thënë të njëjtat burime.