Home / Opinion / PRESIDENTI ILIR META DEKORON PRENK CALIN
Aktiv

PRESIDENTI ILIR META DEKORON PRENK CALIN

Shkruan: Dilaver Goxhaj

Nga gazeta “Dita”, datë 25 shtator 2021, mësojmë se “Gjatë një veprimtarie zhvilluar këtë të premte në Shkodër, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nderoi me titullin “Nderi i Kombit” Prek Calin. Dekoratën e lartë, Meta ia dorëzoi stërnipit të Prek Calit, Gjek Gjonajt. Meta tha se ai mbetet një nga figurat më të spikatura të kohës që, jo vetëm luftoi për të ruajtur të paprekur kufijtë e atdheut, por edhe udhëhoqi me drejtësi dhe urtësi popullin e tij”.

Ky njoftim na nxiti të shfletojmë librin me titull “Lufta për likuidimin e bandave kriminale dhe organizatave tradhtare në Shqipëri: 1944-1948”, me autor Demir Dyrmishi, botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë, 1990.

Përmes këtij libri, midis të tjerave, theksohet: “Bandat bashibozuke të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u vunë krejtësisht në shërbim të pushtuesve. Mbeturinat e BK dhe Legalitetit, krerët e këtyre organizatave dhe të qeverive kuislinge pas çlirimit të Tiranës, së bashku me pushtuesit gjermanë u grumbulluan në Shkodër për të organizuar rezistencën e fundit. (f.19 e librit)

“Në këto kushte anëtarët e Regjencës, kryeministra e ministra kuislingë, eksponentë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, krerë e bajraktarë të Veriut, oficerë madhorë të ushtrisë së vjetër, të xhandarmërisë, krerë të kishës katolike, si Mehdi Frashëri, Patër Anton Arapi, Lef Nosi, Ibrahim Biçaku, Mit’hat Frashëri,, Mustafa Kruja, Ali Këlcyra,, Gjon Markagjoni, Halil Alia,, Alush Lleshanjaku, Hasan Isufi, Llesh Marashi, Jup Kazazi e shumë të tjerë organizuan me urgjencë në kuvendin françeskan të Shkodrës, ku hartuan planin perspektiv dhe ndanë detyrat. (f.20 e librit)

“Në dhjetor 1944, krimineli i luftës Llesh Marashi, ish komandanti i xhandarmërisë në Shkodër, organizoi në dhjetor 1944, një mbledhje në Kastrat me bajraktarët dhe parinë e Hotit, Kastratit, Bezhetës, Shkrelit, Dedajve dhe të Zagorës. Me anën e kësaj mbledhjeje, Llesh Marashi synonte të përtërinte edhe një herë besëlidhjen e parisë reaksionare të 24 shtatorit 1943 në Malësinë e Madhe. Aty u vendos për të organizuar luftën kundër pushtetit popullor dhe Ushtrisë nacionalçlirimtare. E gjithë paria reaksionare, që merrte pjesë në këtë mbledhje të dhjetorit 1944, u tregua e gatshme për organizimin e çetave kriminale.. Në këtë mbledhje u vendos të shtoheshin radhët e bandave kriminale, të forcoheshin lidhjet me bandat kriminale të qarkut të Shkodrës e të qarqeve të tjera. (f.26 e librit)

“Këto përpjekje të reaksionit u zhvilluan sipas porosive të reaksionit ndërkombëtar që duken qartë në udhëzimet që majori anglez Nil, pranë misionit anglez në Tiranë, që I jepte klerit katolik të Shkodrës pas dështimit të goditjes kundërrevolucionare të 23 janarit 1945: “… të organizoheni ju, këtu në Shkodër, së bashku me të arratisurit dhe të gjithë ata që janë kundër kësaj qeverie, dhe të pushtoni Shkodrën… Një shkak të tillë, – udhëzonte ai, – do të na jepte ne të drejtën në opinionin ndërkombëtar për të ndërhyrë menjëherë në Shqipëri. Këtë juve duhet ta kuptoni mirë”, (AMPB, 1945, Fondi 604)…. Përpjekjet e reaksionit të brendshëm e të jashtëm për të përmbysur pushtetin popullorë, Partia dhe Enver Hoxha i kishin ndjekur dhe i ndiqnin me vigjilencë revolucionare, prandaj luftën për asgjësimin e mbeturinave të organizatave tradhtare të Ballit, të Legalitetit, të kuislingëve dhe gjithë mbeturinave të tjera të fashizmit e shtronin si detyrë imperative”. (f.32 të librit).

“Pas asgjësimit të bandës kriminale të Halil Alisë, në Shqipërinë e Veriut qarkullonin në ilegalitet mbeturina të tjera të bandave kriminale si ato të Llesh Marashit, të Prenk Calit, të Hasan Isufit, të Muharrem Bajraktarit, të Pashuk Bibës, të Fiqiri Dines e të Hysni Demës, të cilat po bënin përpjekje të organizoheshin, të godisnin pushtetin popullor, ashtu siç ndodhi në të vërtetë në Shkodër, më 23 janar 1945….Në lidhje me këtë Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha urdhëronte Korparmatën III që të godiste në mënyrë të rrufeshme dhe të asgjësonte bajraktarin e Vermoshit, Prenk Cali, dhe çdo rezistencë të armatosur në Vermosh, të shkelte të gjitha katundet e prefekturave të Shkodrës e të Kukësit, duke likuiduar çdo forcë reaksionare, duke çarmatosur çdo person ku gjente mbështetje reaksioni, të organizonte e forconte pushtetin popullor dhe të kryente mobilizimin e detyrueshëm… Në zbatim të urdhërit të operacionit, Shtabi i Korparmatës III, pasi studioi e analizoi gjendjen e prefekturës së Shkodrës, më 21 janar 1945 u dërgoi urdhër për operacion shtabeve të Divizionit II e VIII me qendër në Shkodër e Peshkopi”. (f.36-37 të librit).

“Për këtë qëllim, Divizioni II, duke vepruar në veri të lumit Drin, urdhërohej që të kishte si objektiv kryesor Vermoshin dhe fshatrat përreth, të godiste e të asgjësonte në mënyrë të rrufeshme Prenk Calin dhe çdo rezistencë të armatosur në Vermosh”. (f.38 të librit)

“Bajraktari i Vermoshit, Prenk Cali, në bashkëpunim me parinë e asaj zone, pas disfatës në Koplik u tërhoq drejt Kelmendit, pasi Malësia e Madhe u shkel nga forcat partizane. Forcat reaksionare, duke mos qenë në gjendje të organizonin një qëndresë të fortë, në një mënyrë të organizuar në Brojë, vendosën të shpërndahen e të fshihen nëpër pyje e shpella në pritje të “ndryshimit të situatës”. Gjatë tërheqjes për në Kelmend, Prenk Cali zhvilloi një propagandë demagogjike në popullin e Malësisë së Madhe se gjoja partizanët “vrisnin e prisnin” të gjithë ata që gjenden përpara, prandaj ata duheshin të largoheshin nga fshati. (AMPB,1945,d.10,f.13, Procesverbali i P.T.). Kjo propagandë bëri efekt në një pjesë të vogël të fshatarësisë së Malësisë, të cilët të mashtruar nga Prenk Cali, morën pyjet e malet.

“Për të asgjësuar përfundimisht reaksionin në Kelmend, Komanda e Divizionit II, më 31 janar 1945, urdhëronte shtabet e Brigadave I, XXIII dhe XXIV që bandat e kësaj zone të sulmoheshin nga pesë drejtime. (AQU, 1945,Div.II, kutia1,d.117,f.16).

“Shtabet e brigadave me të marrë këtë urdhër caktuan repartet operuese që u vunë në lëvizje, dhe, duke kaluar nëpër rrugë të vështira, në kushtet e një dimri të ashpër dhe të një terreni shumë të thyer, rrethuan shpellën e Beçit, ku ishte futur Prenk Cali me 50-60 veta. Midis tyre kishte edhe persona të gënjyer nga propaganda demagogjike e Prenk Calit, prandaj vetëm një ditë pas rrethimit, 30 prej tyre (AMPB, 1945,d.10, f.4, Procesverbal i Prenk Calit) u shkëputën nga bajraktari i Vermoshit dhe vullnetarisht iu dorëzuan partizanëve.

“Preng Cali “i sigurt” në shpellën e “Beçit” me 15 reaksionarë të tjerë vazhdoi rezistencën. Forcat partizane, pasi mbajtën për 7 ditë rresht (AQU,1945, “Ushtari i ri”, nr.2-3,f.35) të rrethuar dhe goditën pa ndërprerje shpellën e Baçit, e detyruan Prenk Calin të dorëzohet. Ai dhe gjithë grupi i tij iu dha Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III që, pasi gjykoi veprën e tyre kriminale në dëm të popullit e të atdheut, më 3 mars 1945 iu dha dënimi kapital Prenk Calit dhe një bashkëpunëtori të ngushtë të tij, ndërsa disa të tjerë i dënoi me burgim të përjetshëm”, (AMPB,1945,d.10, f.4, Procesverbali i Prenk Calit). Nga ana e partizanëve në luftë me mbeturinat e bandave kriminale në Kelmend mbetën të vrarë 8 si dhe 8 të plagosur”. (f.39-40 të librit).

Tiranë, 25 shtator 2021

SHËNIM: Kam bindjen se ndaj këtij dekorimi ka për të reaguar Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, (autorja e librit nga i cili është nxjerrë ky material), duke u bazuar në faktin se Kryetar i kësaj Akademie është biri i një Hero Populli i asaj Lufte dhe asaj Ushtrie Nacionalçlirimtare kundër së cilës luftuan Prenk Cali dhe banditët e tjerë.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...