Home / Të ndryshme / Ngatërrim i përemrit pronor

Ngatërrim i përemrit pronor

Shkruan: Beqir Elshani

Shpeshherë shtypi i ngatërron përemrat pronor time / sime si dhe tonë / sonë. Përemri pronor “im” në rasën dhanore njëjës bën vajzës sime / djalit tim”, që i përgjigjet pyetjes “kujt” pastaj në rasën kallëzore vajzën time / djalin tim; që i përgjigjet pyetje “kë”; kurse në dhanore shumës vajzës sonë / djalit tonë, pastaj vajzën tonë / djalin tonë. Prandaj dhanorja njëjës çështjes kërkon pronorin sime, kurse kallëzorja çështjen kërkon pronorin time; kurse në shumës çështjen tonë dhe çështjet tona. Në “Gramatikën e gjuhës për të gjithë” të Bahri Becit, në faqen 117 (Mënyra dëftore), është bërë një gabim teknik, në vend të tabelës “E pakryer” është vendosur tabela e kohës së tashme, meqë zgjedhimi i foljes në kohën tashme bën “laj”, kurs në kohën e pakryer “laja”.

Sipas emrit të gjinisë mashkullore “shteti” kërkohet që përemri pronor të jetë në gjininë mashkullore “shteti ynë”, jo “shteti jonë”; kurse emri i gjinisë femërore “puna” kërkon që përemri pronor të jetë në gjininë femërore “puna jonë”. Nuk thuhet “kërkohet vota yte”, por kërkohet vota jote”, meqë përemri pronor është i vetës së dytë njëjës në gjininë femërore, në të cilën pronori shkon pas gjinisë së mërit, psh.: libri yt, çanta jote, prandaj emri “votë-a” në gjininë femërore, numri njëjës kërkon përemrin në gjininë femërore në numrin njëjës “jote”. Gjithashtu në shembullin e fjalisë “Gruaja e jetës time dhe gruaja e jetës tonë” duhet të shkruhet me përemra sime dhe sonë.

Ngjashëm veprohet edhe me përsëritjen e trajtës së shkurtër të përemrit vetor ta: “Do të ta them”, “Do të ta bëj”.“Do të ta tregojë rrugën” dhe “Do të ta fishkin bukurinë”, në vend se të shkruhet ”Do ta…” etj., pasi që nyjat të+ta dhe të+i kanë dhënë parafjalën ta dhe t’i me apostrof. Prandaj nuk shkruhet qortimi: “Mund të ta ndërpres fjalën!”, por shkruhet vetëm me trajtën e shkurtër të përemrit ta. As trajta e shkurtër e përemrit vetor ia nuk ndahet me apostrof i’a, psh. I’a dhashë fjalën, por “Ia dhashë fjalën”. Pastaj shembujt e fjalive: “Do t’i jap”, “Rregullat që duhet të t’i dini” dhe ”Do të t’i (ose të i) shihte arat e punuar” në vend se përemri t’i të shkruhet me apostrof: “t’i dini” dhe ”t’i japë”. Edhe shembulli i fjalisë “A do të ia dalësh?” “Duhet të ia shpjegosh” duhe të shkruhet me apostrof “A do t’ia dalësh” dhe “Duhet t’ia shpjegosh”. Në shembullin e fjalisë “Ai është dashur të i nënshtrohet masave si çdo qytetar vendi” përemri të dyfishtë “të i”, prej së cilës bie zanorja ë, duhet të shkruhet me apostrof “t’i nënshtrohet”. Pastaj nuk në shembullin e fjalisë “Mundohesha që të ua argumentoja” duhet të shkruhet në trajtën e shkurtër të përemrtit t’ua. Gabimet ndodhin edhe në gjininë e përemrave, siç janë “Këto mure, gardhe dhe male kanë veshë”, por duhet të shkruhet: këta mure, gardhe dhe male kanë veshë, sepse janë emra të gjinisë mashkullore me nyjën shquese i.

Shpeshherë në faqet e shtypit, por edhe në veprat e përkthyera letrare përemri “vetë” ngatërrohet me kategorinë gramatikore të foljes “vetë-a”. Në vend se përemri vetvetor në rasën kallëzore e dhanore të shkruhet: “Flet shumë për veten”, Laj veten”, “Mori veten më qafë”, E keqja e vetes (vetvetes)” etj., autorët shkruajnë: “Flet shumë për vetën“, “Laj vetën“, “Mori vetën më qafë”, “E keqja e vetës“, prej nga fjala “vetën(s)” nuk është përemër vetvetor, por është kategori gramatikore e foljes. Prandaj në shembujt e fjalive ”Të mos e njoh as ajo vetën” është sikur të flitet për kategorinë gramatikore sipas vetave, kurse sipas përmbajtjes në shkrim flitet për njohjen e vetes si përemër vetvetor, prandaj duhet shkruar ”Të mos e njoh as ajo veten”. Gabim i ngjashëm është bërë edhe lajmin: ”Në shenjë proteste ushtari i vuri flakën vetës”, dhe “I kërkoi falje vetës (vetvetës)” në vend se të shkruhet “vetes (vetvetes)”. E njëjta gjë ndodh edhe në librat mësimore për shkolla të mesme shkruan përemri vetvetor ”në vetvehte”, kurse sipas rregullave drejtshkrimore duhet shkruar ”në vetvete”. Kështu ndodhe edhe në shtypin ditor, në vend se të shkruhet “Të luftosh me veten” shkruan me “Të luftosh me vehten”. Gjithashtu nuk shkruhet “Derisa Pirrua të bëhet zot i vetvehtes”, por i “…zot i vetvetes”. Për habi fjalës së qartë ”vetvete” i ngarkohet një shkronjë më shumë, që edhe ashtu pengon drejtshqiptimin e fjalës. Përemri pronor vetvetor “vetën” përdoret vetëm si emër sipas kuptimit të përemrit që lidhet me kryefjalën “Ngulmon në të vetën”, “E bëri të vetën”, “Nuk bindet, të vetën se të vetën”.

Gabimet drejtshkrimore të fjalës shqipe
Në vazhdim, nëse lexuesit dëshirojnë të dinë se kush e shkruan gabimisht ndajfoljen vjetë, le të hapin faqen e korporatës “google” dhe të shënojnë fjalën vjetë, me anën e së cilës pa mundim do të shohin se kush po e përdor ndajfoljen gabimisht. Jo vetëm kaq, sepse fjala “vjetë” është gabim i dyfishtë, edhe si emër shumës edhe si ndajfolje që shkruhet pa zanoren ë vjet. Pastaj mund të shikoni se kush po e shkruan titullin e filmit të kinostudios shqiptare “Xheneral Gramafoni” dhe Xheneral Ramush Haradinaj, kurse duhet shkruar: “Gjeneral Gramafoni” dhe Gjeneral Ramush Haradinaj, meqë fjala gjeneral burimin e ka prej fjalës frënge “génëral”, që shpesh përdoret si pjesë e parë e fjalëve të përbëra. Ngjashëm mund të veprojnë edhe me përemrat e pakufishëm me bashkëtingëlloren (q): qdo, qdokush, qka, me anën e googles lexuesit mund të zbulojnë se kush po i shkruan fjalët gabimisht në vend të bashkëtingëllores (ç) çdo çdokush, çka. Një gjë dihet, se të gjithë qytetarët, që së paku kanë mbaruar shkollën fillore, mund të shkruajnë fjalët shqipe si duhet, pa përmendur shkollarët e mesëm dhe akademikët, duke përfshirë edhe prodhuesit e disqeve me këngë argëtuese shqipe. Dikush mund të shfajësohet kinse për mungesën e shkronjës ç dhe “ë” në tastierë, megjithatë pengesa në shqiptimin e drejtë të bashkëtingëlloreve vërehet edhe te qytetarët. Arsimtarët, me përvojë pedagogjike të gjuhës shqipe në Therandë, tregojnë se te banorët e Tiranës dallohet drejtshqiptimi i fjalëve me katër bashkëtingëllore: ç me q dhe gj me xh, të cilat në Prishtinë fare pak dallohen. Prandaj Tirana meriton të quhet kryeqendër e Gjuhës Letrare Shqipe e mbarë Shqipërisë Etnike. Për të ditur nëse ndajfolja veçantë shkruhet me bashkëtingëlloren q apo me ç, duhet ditur se ndajfolja vjen prej përemrit vetë, prandaj vjen prej shkronjës t, kurse prej fjalës bujk-bujq vjen qiellzorja q.

Nuk shkruhet “A do të ç’bllokohet kuvendi”, por “A do të zhbllokohet kuvendi”, meqë sipas fjalorit drejtshkrimor zh është fjalëformim që bashkohet me tema foljore dhe formon folje që kanë kuptim të kundërt: zhbëj, zhdredh, zhvesh, zhvendos, zhbllokoj, zhdoganoj etj., psh. zhbllokoi malli, zhbllokuan rrethimin (kalimin), zhbllokoi rrugën, zhbllokoi zorrët etj. Ndërsa në fjalinë “Hajde ta fillojmë nga shembulli jonë personal” pronori jonë është përdorur në emrin e gjinisë femërore, në vend të pronorit ynë në emrin e gjinisë mashkullore: “shembulli ynë vetjak”, siç thonë filloristët mësuesi ynë dhe mësuesja jonë.

Nëse dikush nuk ka kohë që në tastierë të shtyp dy pulla për të përfituar zanoren shqipe ë, atëherë fjala e fundit fajtore del e gjinisë femërore: “Dy veta jane gjetur per te treten here fajtore”. Kur është fjala për drogën me prejardhje bimore, shpeshherë shtypi shkruan ”drogë puro”, e para fjalë frënge, e dyta italiane, prandaj duhet shkruar drogë e pastër ose e kulluar, ashtu siç thuhet ar i pastër. Një furnizim tjetër është përdorimi i panevojshëm i kompozitës së huaj overdoza në vend të kompozitës shqipe mbidozë, që do të thotë dozë tepër e madhe. Të kemi parasysh se po të përdoret fjala mbidozë mund ta kuptojnë edhe të shurdhët shqiptarë duke lexuar buzët e mjekut, ashtu siç i lexojnë të shurdhët anglezë fjalën e tyre overdose. Me të drejtë mund të thuhet, se ata që shkruajnë pastër shqip, e nderojnë gjuhën shqipe, kombin dhe atdheun, ata që bëjnë të kundërtën, e dëmtojnë gjuhën shqipe, njëkohësisht tregojnë nivelin e ulët kulturor. Llafazan prej fjalës llafe (fjalë) është kompozitë, ndërsa llapazan është kompozitë e fjalës llapë/a qo do të thotë gjepura.

Sipas gjuhës letrare shqipe nuk shkruhet fjala “të qenurit student”, por “të qenët student”; pastaj as morri fund, as muar, muarrën fund, ndërmuar dhe dualën në oborr, por duhet shkruar në të kryerën e thjeshtë: – mori fund, u mor vendimi, ndërmori masa, dolën në oborr. Të tillët që shkruajnë gabimisht fjalën “muarrën”, në vend se të shkruajnë drejt “morën” duhet ta dinë se gabojnë dy herë, si në anën drejtshkrimore, ashtu edhe në anën teknike, me anën e së cilës lexuesit i marrin kohë. E para, sepse me dhjetëra shkronja “ua” dhe “rr” mund të marrin shumë ngjyrë dhe një hapësirë bukur të madhe në faqet e librit, gjithashtu lexuesit i mundojnë me gabimin e të shpeshta. Duhet pasur kujdes në drejtshkrimin e fjalëve, sepse folja e diatezë pësore “qenë” kurrë nuk shkruhet “qënë”. Në vazhdim, flolja në të kryerën e thjeshtë (aorist) nuk shkruhet me tetë germa “Vajza shkruajti një letër”, por me pesë germa – shkroi. Gabimisht përdoret folja në kohëne e kryer “kam shkruajtur”, kurse duhet “kam shkruar”. Shpeshherë trajta e pjesores kam “pasur” në të kryerën shkruhet gabimisht në trajtën e vjetër dialektore “patur”, në vend se të shkruhet “pasur”, fjalë që vjen prej emrit pasuri dhe mbiemrit (i,e) pasur, dhe është fjalë e kundërt e mbiemrit (i,e) varfër, si dhe pasanik-u me fjalën kundërt varfanjak-u dhe fojla pasuroj me fjalën e kundërt varfëroj. Gjithashtu zgjedhimi i foljes në të kryerën e tejshkuar duhet te shkruhet “pata pasur”, jo “pata patur”.

Janë shkruar gabimisht shembujt e fjalisë “ka sjellur këngën”, kanë vjelur pemët, ka mbjellur tokën, ka mjelur lopën, “ka pjellur mëzin”, ”kanë vjedhur thesarin” etj., kurse duhet shkruar “ka sjellë këngën, ”kanë vjelë pemët”, ka mbjellë tokën, ka mjelë lopën”, ka pjellë mëzin”, ”kanë vjedhë thesarin” etj. Gjithashtu pjesoret e foljeve me mbiemra të nyjshëm shkruhen: (i, e) mbjellë, (i, e) nxjerrë (i, e) vjelë, i e dalë, (i, e) nxjerrë etj., prandaj nuk shkruhet “grup i nxjerrur, makinë e sjellur, tokë e mbjellur, ”kanë dalur”, por grup i nxjerrë, makinë e sjellë, tokë e mbjellë, kanë dalë” etj.

Në FGjSSh në faqen elektronike fjalori.shkenca.org/ në fjalën “PETËL” shembujt e fjalive: “Peta të kuqe (të bardha, të verdha). Petat e trëndafilit. Trëndafil me shumë peta. I ranë petat”, duhet të jetë gabim shtypi, kurse në librin fizik FGjSh shkruan: “Secila nga fletëzat e holla me ngjyra, që përbëjnë kurorën e një luleje. Petla të kuqe (të bardha, të verdha). Petlat e trëndafilit. Trëndafil me shumë petla. I ranë petlat”.

Ngatërrim i ngjashëm bëhet edhe me foljen në kohën e tashme dhe në kohën e kryer të thjeshtë “Ndër të tjera shtoj”, që sipas ngjarjes në lajm flitet për kohën e kryer të thjeshtë në vetën e tretë njëjës, prandaj duhet të jetë “Ndër të tjera shtoi”. Duhet pasur parasysh dallimin në mes mbaresës -j në vetën e parë të kohës së tashme, dhe mbarsës -i në vetën e tretë të kohës së kryer të thjeshtë: shembulli i parë i përket vetës së parë “unë”, ndërsa e dyta vetës së tretë “ai”. Por ndodh edhe gabimi i kundërt, fjalia “Tentoi të dhunoi një femër” duhet të shkruhet “Tentoi të dhunojë…”, pasi që lidhorja në kohën e tashme në vetën e tretë njëjës merr foljen “të dhunojë”.

Kompozita në gjuhën suedeze me mbiemër e emër “vildsvin” në gjuhën shqipe me anën e togfjalëshit (me emër e mbiemër) thuhet “derri i egër”. Kurse fjala e përbërë prej tri fjalësh në gjuhën suedeze “vildsvinhuvud” në gjuhën shqipe shkruhet ndaras me katër fjalë “kokë derri i egër”. Prandaj togfjalëshat: kokë derri, kokë viçi, kokë dele në gjuhën shqipe shkruhen ndaras, kurse në gjuhën suedeze shkruhen me kompozita “svinhuvud”, kalvhuvud, lamhuvud. Kompozita në gjuhën shqipe “kokëderr” dhe në gjuhë suedeze “svinhuvud” është fjalë e përbërë nënçmuese meqë do të thotë kokëfortë dhe kokëshkëmb që do të thotë njeri këmbëngulës, që mendon dhe vepron sipas kokës së vet, pa pyetur asnjërin. Në anën tjetër, fjala përçmuese “kokëderr” gjithmonë e ka për objekt derrin e egër, jo derrin e butë, meqë i pari është i vrazhdët dhe i rrezikshëm dhe si i tillë ka zënë vend në traditën popullore në të gjitha vendet. Me një lajm të shtypit shkruante për pezullimin e fermës së pulave për shkak se inspektorët sanitarë kishin gjetur “kufoma të kalbura”, duket se është përkthyer prej lajmit anglez “rotting corpses”, në vend se të shkruhet “rotting carcass” që domethënë “kërma të kalbura”, jo kufoma të kalbura që sipas drejtshkrimit të gjuhës i përket njeriut të vdekur.

Janë të shpeshta gabimet teknike në shtypjen e artikujve dhe librave. Sipas rrokjeve bashkëtingëllorja me zanoren prapa mbesin në rreshtin e parë të tekstit, ndërsa pjesa tjetër kalon në rreshtin e dytë. Jo vetëm kaq, sepse gabim i madh është kur bashkëtingëlloret dyshe – dh, gj, ll, nj, rr, sh, xh dhe zh në fund të rreshtit ndahen, duke ia humbur kuptimin e fjalës, me anën e së cilës lexuesit i shkaktojnë huti. Duhet pasur parasysh se shkronjat e dyfishta në gjuhën shqipe nuk janë sikur shkronjat në gjuhën angleze.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...