Home / Lajme / NOSTALGJIA E VONUAR MESJETARE

NOSTALGJIA E VONUAR MESJETARE

Shkruan: Beqir Elshani

Me të drejtë mund të thuhet se konfeksionet fetare (ortodoks dhe mysliman) e keqpërdorin fenë në dëm të emancipimit të popullit shqiptar. Duket qartë se investimi politik dhe ekonomik ka marrë ngjyrë fetare, që i ngjan mesjetës së vonuar, prandaj grindjet fetare në të gjitha konfeksionet janë më të zëshme se asnjëherë. Lulëzimin epokal që kanë bërë rilindësit shqiptar në shekullin XIX për atdhe, me keqardhje duhet të them se ne ende nuk kemi bërë ndonjë kthesë përparimtare. Rilindësit bënë më shumë se ne për kombin dhe atdheun pa ndikime dhe pa dallime fetare. Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në Maqedoni veprojnë sikur të kishin qenë një kohë të gjatë të torturuar dhe të ndjekur nga politika e vetëqeverisjes Jugosllave. Nuk ka nevojë të thuhet se fetarët ortodoks e myslimanë askush nuk i ka prekur, përkundrazi janë dënuar dhe torturuar vetëm shqiptarët që kanë luftuar për çështjen e drejtë Kosovën Republikë; që kanë kërkuar arsimin në gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe të drejtat e tyre të barabarta me popujt tjerë në ish-Jugosllavinë Federative. Pse sllavomaqedonasit dhe shqiptarët tregohen më fetarë se gjermanët e emancipuar dhe të zhvilluar në çdo pikëpamje?! Priftërinjtë gjermanë ankohen për rininë gjermane që po e braktisë kishën, prandaj rinia shqiptare dhe ajo maqedonase nuk mund të jenë më të mençur se gjermanët me kapital të madh shkencor e teknik, por edhe kulturor në fushën e artit dhe letërsisë. Kohët e fundit edhe shtypi austriak njofton se gjysma e popullit austriak nuk beson në zot, thënë konkretisht është afetar. E njëjta gjë ndodh edhe në Çekinë postkomuniste, e cila prinë për nga mosbesimi fetar. Gjendja e ngjashme është edhe në Suedi, ku më shumë se gjysma e popullit nuk beson në Zot, parësore është shkenca materialiste, që Suedinë e shpie drejt përparimit ekonomike dhe kulturor. Këtu vlen të përmendet edhe vërejtja revolucionare dhe kombëtare e udhëheqësit të “Lëvizjes Vetëvendosja”, Albin Kurti, i cili me rastin e ndërtimit të katedrales në Prishtinë deklaroi se nuk është koha të investohet në Zot, por duhet të investohet në vullnetin e popullit për vetëvendosje për shpëtimin e përjetshëm të Kosovës nga kolonizimi serb. Vetëm shpëtimi i atdheut, liria dhe pavarësia e Kosovës së përgjakur nga pushtuesi i panënshtruar serb, mund të zgjidhë të gjitha problemet me rëndësi jetike ekonomike, shoqërore, gjuhësore, fetare, kulturore dhe shumë çështje tjera.

Kohët e fundit, në disa qytete shqiptare, dhe atë kryesisht në institucione arsimore, u diskutua rreth rrobave dhe mjekrës fetare. Thënë shkencërisht, nuk ka rroba fetare, ashtu siç nuk ka gjuhë fetare, pasi që gjuha është më e vjetër se feja. Gjuha shqipe është ajo, që Biblën dhe Kuranin i bëri të lexohen shqip, prandaj edhe rrobat tona duhet të jenë shqiptare. Gjithashtu gjuha shqipe është ajo, që kompjuterin e bëri të përdoret në gjuhën shqipe. Konkretisht, gjuha dhe tradita arabe është më e vjetër se feja krishtere dhe islame.

Jehonë bëri një mësuese me ferexhe, e cila me këmbëngulje kërkonte të mbante mësim në një shkollë fillore në Komunën e Prishtinës. Mësuesja me ferexhe shkon aq larg, saqë me këmbëngulje deklaron se kontestin gjyqësor do ta fitojë dhe gjykata do ta kthejë sërish në shkollë. Është hipokrizi të tregohesh shumë fetar, thotë dijetarit ynë, Sami Frashëri. Të lejohet që mësuesja me ferexhe të mbaj mësim në shkollë apo studenti me mjekër dhe studentja me shami të vijojnë studimet është kundërkombëtare. Në mbarë vendin pati shkrime përparimtare nga femrat e emancipuara shqiptare, që mbronin normat pedagogjike. Pikërisht mua më ka dhënë suedisht një murgeshë suedeze, mirëpo ajo ka qenë e veshur me rroba qytetare. Prandaj hapin pedagogjik të shkollës për largimin e mësueses me ferexhe dhe revistat fetare të besimit mysliman duhet përkrahur, sepse është pjesë e kulturës dhe emancipimit kombëtar shqiptar. Veprimet fanatike mund të krijojnë përçarje kombëtare në mesin e popullit shqiptar me tre konfeksione fetare.

Me të drejtë mund të thuhet se shamia (ferexheja) nuk është pjesë e kostumit tonë kombëtar, por e huaj. Nëse një shqiptare del me ferexhe në Berlin, gjermanët do ta marrin për arabe. Prandaj ky veprim është në dëm të identitetit të atdheut dhe kombit shqiptar. Nuk ka asnjë dyshim që kostumet tona janë të bukura dhe me burime autoktone shqiptare, saqë grekët dhe maqedonasit i kanë marrë prej nesh. Asnjë valltare apo soliste nuk paraqitet në koncert me shami orientale, gjithashtu asnjë valltar apo solist nuk paraqitet me kapelë orientale, por vetëm me plis të bardhë dhe kostum të folklorit shqiptar. Dihet që folklori është i mbarë popullit shqiptar pa dallime fetare. Ka raste kur disa fanatikë (për fat të keq, të arsimuar) deklarohen se janë myslimanë shqiptarë, kështu që me anën e identitetit të skajshëm shkelin parimin kombëtar. Me të drejtë shkencore thuhet shqiptar mysliman, shqiptar ortodoks, shqiptar katolik, jo e kundërta. Nuk thuhet jam mysliman kurd, katolik italian apo ortodoks bullgar, por jam kurd mysliman, bullgar ortodoks apo italian katolik. Të tillët që identifikohen fetarisht janë kozmopolitë, dhe nuk vlejnë as për fenë, as për kombin.

Standardi i ultë dhe investimi në rrugë të gabuar
Menjëherë pas ndërtimit të kryqit shekullor të lartë 86 metra në Vodno, po ndërtohet edhe një tjetër kryq 30 metra i lartë. Me të drejtë qytetarët thonë se nga rrënjët e kryqit të madh mbiu i vogli. Derisa kryqi i parë i madh kushtoi 2 milionë euro, i dyti apo i vogli do të kushtojë 50 mijë euro. Kjo tregon se në Maqedoni është vonuar mesjeta e tmerrshme kishtare, ndaj nxitojnë me ndërtimin e objekteve fetare. Se feja po instrumentalizohet në shërbim të shovinizmit sllavomaqedonas, këtë e vërtetoi edhe koordinatori special i Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore, Erhard Busek. Padyshim që Buseku u nis prej Kryqit më të madh në Ballkan, i cili gjendet në maje të malit Vodno në Shkup, për të cilin theksoi: “Kryqi, të cilin para katër viteve e vendosi Kisha Ortodokse e Maqedonisë, ku ndizen të gjitha dritat mund të shihet prej një largësie prej 80 kilometrave dhe është vendosur si sinjal politik dërguar bashkësisë shqiptare, ku shumica janë myslimanë”. Për ndërtimin e egër të Kryqit madhështor në maje të malit Vodno ka shkruar edhe poeti maqedonas, Ivica Antevski, “11 arsye pse nuk duhet të vendohej kryqi në Vodno”. Prandaj dihet se kush po ecën me kohën – me trenin e Evropës Bashkëkohore drejt zhvillimit tekniko-shkencor. Po të pyetet populli i Maqedonisë, as një e katërta e tyre nuk do të pajtohej që një kiç i madh të ndërtohet në maje të malit. Këtu nuk u mor parasysh as kritika e mbrojtësve të mjedisit për dëmtimin e kurorës së malit të gjelbër gjatë verës dhe të bardhë gjatë dimrit, meqë lisat dhe zogjtë nuk kanë nevojë për zhurmë dhe drita të forta. Dihet që kërkesat kryesore të popullit maqedonas dhe shqiptar janë që mjetet financiare të përdoren për ndërtimin e shkollave, ambulanteve dhe rrugëve të vendit. Vendet ballkanike nuk kanë fonde të trasha si në Evropën Perëndimore, prandaj duhet rrudhur dorën. Derisa në Shkup ndërtohen objekte fetare që përçajnë popujt, në mes Suedisë dhe Danimarkës është ndërtuar Ura e Baltikut, që lidh dy vendet për zhvillim kulturor dhe ekonomik dhe konsiderohet një ndër urat më të mëdha në Evropë. Kjo urë, që në të kaluarën ka qenë fantazi për njerëzimin në botë, me një ceremoni madhështore është hapur më 1 korrik të vitit 2000. Ishte një përjetim i madh, sepse e tërë Skandinavia po lidhej me kontinentin e Evropës. Këtë vit ka filluar edhe ndërtimi i hekurudhës dyanësore nëntokësore në qendër të Malmes që do të lidhet me kryeqytetin danez – Kopenhagën. Përkundrazi Shkupi jo që nuk ndërton rrugë të reja, por pengon qarkullimin e trenit të Kosovës në drejtim të Shkupit.

Maqedonisë i duhet një rilindje kombëtare për të luftuar terrin e “mesjetës” së vonuar ortodokse të mendësisë bizantine. Qeveria maqedonase nuk duhet lejuar që qarqet e ndryshme fetare të përzihen në punët e shtetit, duhet të jenë bashkëkohor dhe të sfidojnë të vjetrën që krijon grindje. Investimi në arkitekturën fetare krijon përçarje në popull, sepse mjetet investuese nuk janë vetëm të maqedonasve ortodoksë, por edhe të shqiptarëve myslimanë. Ndryshe me vendet e Ballkanit ku ndërtohen simbolet mesjetare, në Evropën Perëndimore ndërtohen shtatore universale që pëlqehen për të gjithë qytetarët bashkëkohorë pa dallime fetare e moshave dhe gjinive të ndryshme. Në një park të qytetit në Malme duket një shtatore e madhe e kalit me flatra me kalorësin pranë. Krahasojeni bukurinë madhështore të shtatores së kalorësit me karakter të forcës dhe humanizmit njerëzor, kurse një tjetër shtatore e madhe me katër djem të fuqishëm me dy vasha të bukura që simbolizojnë shtimin e popullit dhe ndërtimin e vendit të tyre në Suedi. Me kureshtje të madhe i shikojnë shumë vizitorë shtatoret e skalitura nga dora e skulptorit bashkëkohor, por edhe me kënaqësi fotografohen. Më shumë shtatore me motive mitologjike dhe të jetë bashkëkohore ka në Evropën perëndimore, se në vendet e Ballkanit. Derisa pranë shtatoreve të gjithanshme në qytetet e ndryshme të Evropës Perëndimore me kënaqësi fotografohen qytetarët pa dallime fetare, në Shkup do të ndodh e kundërta, vizitorët do të dallohen sipas përkatësisë fetare. Dihet, sepse pranë kryqit në malin Vodno kurrë nuk do të fotografohen dy miq të vërtetë me besime të ndryshme fetare. Prandaj një objekt që ngrihet me motive nacionaliste për inat të kombit dhe fesë tjetër është e paracaktuar të zhduket. Së shpejti koha do ta tregoj se investimet në drejtim të gabuar do të falimentojnë, sepse nuk janë universale dhe bashkëkohore. Jo vetëm kaq, sepse derisa ushtria terroriste maqedonase me dhjetëra xhami i ka shkatërruar, në anën tjetër nxitet ndërtimi objekteve ortodokse.

Më e frytshme dhe më madhështore do të ishte që në qytet të ngrihet ndonjë shtatore me motive legjendare, siç është Pegasi me fletë, me të cilin kalëronin muzat, që simbolizon frymëzimin poetik. Jo vetëm kaq, sepse shtatorja e Pagasit të zgjon parafytyrimet që lidhen me të gjitha bëmat e Herakliut, Poseidonit, Orfeut etj. Kjo shtatore universale do t’i tërhiqte vizitorët e vendeve të ndryshme pa dallime kombëtare dhe fetare. Tekembramja, mund të jetë shtatore e kalit të rëndomtë, siç gjenden në shumë qytete të Evropës perëndimore, që tërheq vëmendjen e vizitorëve, sidomos të fëmijëve, të cilët vështirë i largon nga kureshtja e tyre. Kuptohet që skulptorët në siujdhesën ballkanike kanë motive të reja përparimtare që i bashkon të rinjtë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur pa dallime fetare, mirëpo i detyrojnë kushtet ekonomike të merren me ndërtimin e objekteve fetare. Për dallim me fanatikët ortodoksë, vetëm një zë i mekur i KOS-it është ndier që ka kundërshtuar ndërtimin e një kryqit tjetër me karakter propagandistik, përndryshe një kiç pa ndonjë vlerë estetike. Prandaj ashtu siç vepronte inkuizicioni kishtar në mesjetë i gjithëfuqishëm dhe i pasur, bëjnë qarqet e prapambetura fetare në vendet e ndryshme të gadishullit ballkanik.

Shtypit dhe internetit shqiptar shkruante se Dibra kreshnike dhe e bukur vuan nga varfëria: nuk ka fabrika apo ndërmarrje të vogla ekonomike, që do të zbutnin papunësinë. Në vazhdim shtypi shqiptar shkruante se këto ditë u fshi nga faqja e dheut Kombinati i Qilimave në Dibër, dikur punonin 900 punëtorë. Dihet që qilimat e bukur me tradita dibrane kanë qenë të njohur anekënd Shqipërisë Etnike. Prandaj sa herë përmendet Dibra, më kujtohen kërkesat e forumeve shqiptare për ndihmë nga mërgata shqiptare. Besoj se edhe dibranët e dinë se nuk janë të vetmit që i ka pllakosur varfëria, por në të gjitha trojet etnike, siç thuhet me pak dallime shoqërore. Megjithatë më habiti lajmi në shtyp, ku shkruante se 61 dibranë morën rrugën për në Mekë. Mendoj se ky mesazh i shkuarjes së dibranëve në Mekë e rrëzon kërkesën humanitare për ndihmë financiare. Ditë më parë shtypi “Fakti” shkruante se skamnorët kërkojnë ndonjë kothere bukë nëpër hedhurina të kontejnerëve, kurse Spitali i Përgjithshëm i Tetovës, që është një ndër institucionet më të domosdoshme për shërimin e popullit, punon në kushtet shumë të këqija me aparaturë të vjetër, parashtrohet pyetja: ku është humanizmi i fetarëve?! Në gjendjen e varfërisë dhe skamjes së popullit shqiptar, duhet të mendohet për sigurimin e bukës së gojës. Jo vetëm që Dibra është e varfër, por edhe mbarë Kosova është e varfër, e rraskapitur dhe pa dritë elektrike. Dihet që parajsa më e mirë është po të sigurohet drita elektrike, që të sëmurët i shëron nëpër spitale dhe nxënësit e mësojnë më bukur abetaren shqipe, pa të cilën nuk ka ardhmëri të lumtur. A ka më mirë se të kemi dritën elektrike, siç thotë, poeti ynë i madh, Naimi Frashëri, ”që t’u ndrinj mirë e tė shihni, njëri-tjatrin të njihni”.

(Marrë nga albaniapress, 2006)

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...