Home / Të ndryshme / Anekdota: Qaforja

Anekdota: Qaforja

Beqir Elshani

1. GJYKATA E SHENJTË SPECIALE
– Kuvendi i Republikës së Kosovës ka deklaruar se kush nuk e voton Gjykatën Speciale, do të burgoset si armik i shtetit, – tha një deputet i LDK-së.
– Prandaj pritet që Albin Kurti me Galuk Konjufcën të burgosen si armiq të Kosovës, – shtoi deputet i PDK-së.
2. BABAI AUTOKRITIK
– Po tutna djali jonë po bon vetëvrasje prej inatit që ka fitue Lëvizja Vetëvendosje, – i tha plaka plakut në shtëpi.
– Veç edhe djali jonë me gjithë Dullën kanë faj, dojshin m’i hangër Albinin me Vjosën, – ndërhyri plaku me autokritikë.
3. MË SHKON LIVADHI
– Unë e urrej Albin Kurtin, po na shkakton probleme, – u ankua një fshatar.
– Me siguri me Albinin jeni grindur?! – ia ktheu me habi fqinji.
– Jo, nuk jam grindur, por po të vijë Albini, më shkon livadhi që e kam blerë nga 10 euro arin, – tregoi i pari.
4. RYSHFETI PAFJALË
– Si mund të kërkohet ryshfeti pafjalë nën dorë? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Edhe fëmijët e dinë që ryshfeti kërkohet me anën e lëvizjes së gishtave, jo më zyrtarët, – u përgjigj tjetri.
5. PORDHË POLITIKE
– Ku është dallimi në mes pordhës politike dhe pordhës diplomatike? – e pyeti njëri kolegun e tij që mësonin në shkollën politike.
– Dallimi është se pordha politike në pushtet lëshohet me erë të keqe, kurse pordha diplomatike lëshohet me zhurmë, – tregoi kolegu i tij.
6. PËRQINDJA E BANORËVE
– Sa për qind shqiptarë ka në Maqedoni? – e pyeti një gazetar i huaj ministrin e punës dhe mirëqenies sociale të Maqedonisë.
– Maqedonia ka 50 për qind shqiptarë, kurse 50 gramë shovinistë maqedonasë, – tregoi ministri i mirëqenies së vendit.
7. EMRI DIKTATOR
– Arsimtar, shkruhet me germë të vogël apo të madhe emri “diktator”? – e pyeti nxënësi arsimtarin.
– “Diktator” është emër i përgjithshëm, domethënë ka shumë diktatorë në botë, prandaj shkruhet me germë të vogël, – shpjegoi arsimtari i gjuhës.
8. PYETJE ENIGMATIKE
– A e di kush është politikani që nuk ka dorë, që nuk ka fjetur me kurva, që nuk ka vrarë asnjë kafshë, që nuk ka botuar asnjë libër, që nuk ka pasuri të patundshme? – e pyeti gazetarja kolegen e saj.
– Nëse nuk gaboj, duhet të jetë babai im, – u përgjigj e dyta.
9. KORPORATA GOOGLE
– Korporatë e nderuar, kohët e fundit interneti po m’i ngatërron emrat e bashkëvendësve të mi në Suedi, krejt po më dalin profesora, – kështu i shkroi një qytetar korporatës “google”.
– Na vjen keq për këtë dukuri, megjithatë faji është në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, që diplomat i lëshojnë si të ishin reklama, – ia ktheu përgjigjen stafi i korporatës.
10. PËLLUMBI
– Ky pëllumb është shumë i shpejtë, diplomën e universitetit ta sjellë në shtëpi, – tha një shpendar pëllumbash.
– Nuk ka nevojë, të gjitha po i kryen interneti, – ndërhyri i dyti.
11. BLEJ DY, MERR TRE
– Qytetarët që marrin dy e tri diploma, i ngjan reklamës së shitoreve, që ofrojnë shitje “Blej dy, merr tre!”, – tregoi një zyrtar në universitet.
– Domethënë nëse merr dy diploma në universitet, merr falas diplomën e tretë, – plotësoi tjetri.
12. METAFORA E IDIOMËS
– Ti je përkthyes në mes zyrtarit të migracionit të vendit dhe refugjatit, në të cilin refugjati prej zemërimit zyrtarit i thotë “Kiss me in the ass!” (Më puthë në prapanicë!), parashtrohet pyetja si do t’ia komentosh zyrtarit të vendit?
– Shkurt e qartë “Mos provo”? – ia ktheu komentuesi.
13. IDIOMA E PISTË
– A e dini ku përdoret më së shumti idioma e pistë “qenef?” – e pyeti shefi gazetarët,
– Si nuk e dimë zotëri shef, përdoret në kuvendin e burrave të kryeqendrës shqiptare, dhe atë duke pirë kafe, – u përgjigj një gazetar.
14. KOPSHTI DHE ASFALTI
– Ku është dallim në mes lulëzimit të kopshtit dhe lulëzimit të asfaltit në rrugë? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Dallimi është se kopshti me lule është i punuar mirë, kurse asfalti me lule është i dobët, – u përgjigj i dyti.
15. BARKUN TE GOJA
– Çka domethënë frazeologjia “Burrë e grua me barkun te goja? – e pyeti njëri mikun e tij.
– I pari është i trashë me ushqim, e dyta është me shtatzëni që pret lindjen e fëmijës, – u përgjigj i dyti.
16. QAFORJA
– Një qytetar në shëtitore skaj kafenesë gjeti një qafore dhe menjëherë klithi: – Gjeta një qafore!
Pas klithmës, jo vetëm gratë, por edhe burrat në kafene instinktivisht i prekën qafat me dorë, për të vërtetuar nëse i kanë në vend.
– Më falni, qenkan të sharanit, – ua ktheu gjetësi.
17. DEPUTETJA ME UJEM
– Si mundi Ganimetja të zgjidhet deputete në kuvend, kur asaj i mungon edukata familjare? – pyeti me habi një plak.
– Ehe, karriera politike e Ganimetes është bërë me ujemin e PDK-së, – ia ktheu tjetri.
18. NDIHMA E SHPEJTË
– Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon ndihmë mjekësore, a do ta lajmëroje ndihmën e shpejtë? – e pyeti njëri deputetin e LV.
– Jo, e lajmëroj Partinë Demokratike të Kosovës, që të merret me ta, pasi që njëri-tjetrit ia dinë hallin, – tha deputeti.
19. SHVEJKU DHE HOTI
– Ku është dallimi në mes Ushtarit të mirë Shvejk dhe Kryeministrit të mirë Hoti? – e pyeti një historian kolegun e tij.
– Dallimi është se ushtar Shvejku ka qenë bari kur e nënshkroi vrasjen e princit austriak, kurse kryeministër Hoti, ka qenë akademik, kur Serbisë ai dha Ujmanin, – tregoi kolegu i tij.
20. LETËRNJOFTIMI
– Dikur në vendin tonë lopa ka humbur gjatë natës, të nesërmen në agim është kthyer në ahur, – tregoi një plak.
– Sot bagëtia nuk guxon të dalë pa letërnjoftim në rrugë as ditën, jo më natën, – shtoi një tjetër.
21. MATEMATIKA E RRUGËS
– Sa bëjnë një bukuroshe e Tiranës dhe një bukuroshe e Prishtinës? – pyeti njëri plakën.
– Bëjnë dy cullakane, – u përgjigj plaka e dëshpëruar për femrat që aspak nuk ngurrojnë të zhvishen para botës.
22. PANTALLONA ME XHEPA
– Dëshiroj të më qepni pantallona me xhepa prapa si të gazetar gërrnaçës, – iu drejtua myshteriu rrobaqepësit.
– Unë nuk di as babai im çfarë pantallona bart, jo më gazetar gërrnaça? – ia ktheu rrobaqepësi.
23. ARGUSI ME 100 SY
– Argusi, princ argian, sipas legjendës kishte njëqind sy, gjysmën prej tyre i mbante hapur, – tregoi një qytetar.
– Unë mendoj se kryeministër Hoti, jo gjysmën, por vetëm një sy të mbante hapur, do të ishte mjaft, – ia ktheu i dyti.
24. MOSKUPTIMI
– Të gjitha i kuptoj, por nuk e kuptoj si mund t’i mbajë qielli karbon dioksidin dhe gënjeshtrat, – më tha një mik.
– Epo, të parat i shkaktojnë makinat, të dytat njerëzit, – ia priti tjetri.
25. SHTREMBËRIMI
– Para shtatë vitesh e kam lënë duhanin, – kështu i shkroi një burrë redaksisë.
Për habi, redaksia fjalinë ia kishte ndryshuar: – “Para shtatë vitesh një burrë e ka lënë gruan”, – me anën e së cilës kuptova që redaksia e vërtetoi fanatizmin ndaj duhanit, për shkak se duhaniku fanatik më lehtë ndahet prej gruas se prej duhanit.
26. RROBAT E REVOLTËS
– Kemi tri lloje rrobash: të shpresës, të durimit dhe të revoltës, – tregoi shitësi i konfeksionit të rrobave në shitore.
– Më jepni rrobat e revoltës, pasi që të parat më kanë mërdhirë, kurse të dytat më janë grisur, – tha myshteriu.
27. NGATËRRIMI
– Kjo gruaja në fotografi është nëna ime, kurse kjo është ime motër, – i tregoi njëri fotografinë mikut të tij imam.
– Nuk është nëna dhe jot motër, por vjehrra dhe mikesha, – ia ktheu rrufeshëm imami që nuk besonte.
– Mirë e ka imami, sot dhëndurët po fotografohen me vjehrra e me mikesha, prandaj nuk beson… – shtoi një tjetër.
28. TABLETA FAMILJARE
– Këto tableta janë për të dashur gruan, kurse këto janë për të harruar nënën, – tregoi barnatoristi.
– Po i marrë të dyja, – tha një qytetar.
29. MARTESA
– Martesa është e bukur, por i mungon kurorëzimi, ashtu siç është e bukur ndërtesa, por i mungojnë shkallët për ngjitje, – tregoi lokja 80-vjeçare.
– Nuk thonë kot, ku dhemb dhëmbi, vete gjuha, – shtoi një tjetër.
30. ZGJUARSIA
– E çuditshme, shkenca tregon që korbi është i zgjuar si një fëmijë shtatëvjeçar dhe shimpanze si një trevjeçar, prandaj thonë që shimpanzeja është më e mençur se një shtatëvjeçar, – tregoi hulumtuesi.
– Megjithatë unë nuk do jepja qenin tim për dhjetëra shimpanze, – ndërhyri dashamiri i qenit.
31. THERJA E DELES
Dy vëllezërit e therën delen në stane për të ngrënë mish, ndërkohë që vëllai i madh shkon në krua për të sjellë ujë, i dyti e shfrytëzoi rastin, e poqi zemrën e deles dhe e ngrëni. Sapo vëllai i madh kthehet e pyeti se ku është zemra, vëllai i dytë ia ktheu:
– Po të kishte zemër delja, nuk do të trembej prej ujkut.
32. KOMPLEKSI
– A dini të shqiptoni emrat në gjuhën shqipe: atdheu, rrota, thana, hëna, ylli dhe xixa në gjuhën serbe? – i pyeti arsimtari nxënësit në klasë.
– Si nuk e di, arsimtar, atlleu, rota, tana, hena, illi dhe ziza, – u përgjigj një nxënës.
33. PESHKAQENI
– Në fjalinë “Peshkaqeni ha peshkaqenin”, cili prej tyre është kafshë grabitqare? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– I pari është peshkaqeni i detit, i dyti krimineli serb, – u përgjigj i dyti.
34. INATI POLITIK
– Çka mendon për Sllovakinë që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës? – e pyeti një politikan kolegun e tij.
– Shyqyr që Sllovakia nuk kufizohet me Serbinë, përndryshe, për inat të Kosovës, do të ishte bashkuar me Serbinë, – ia ktheu i dyti.
35. QENI NË TRI SHPREHJE
– Qeni i Putinit ka ndërruar jetë, qeni Obamas ka vdekur, kurse qeni i Bidenit ka ngordhur, cili prej tyre jeton? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Qeni i Putinit… – u përgjigj kolegu.
36. GOMARI KAMPION
– Për shkak se në garën e vrapimit gomari doli i pari, prej inatit kali bëri vetëvrasje, – tregoi pronari.
– Eh, kush janë kuajt, sa herë ma kanë kaluar në vrapime, kurrë nuk tentova të bëj vetëvrasje, prandaj me anën e ushtrimeve arrita të dalë kampion, – ia ktheu me keqardhje gomari.
37. BIBLIOTEKA
– A ka mjaftë libra biblioteka juaj? – e pyeti gazetari bibliotekarin.
– Për fat të keq, libra ka sa një kodër, mirëpo leximi numërohet në gishtat e dorës, – tregoi bibliotekari.
38. MBYLLE GOJËN!
– Shoku arsimtar a duhet të thuhet: Mshile apo mshele, gojën demagog? – e pyeti nxënësi mësuesin.
– Sipas gjuhës letrare duhet të thuhet “Mbylle gojën, demagog!”,– tregoi arsimtari.
39. VULOSJA E FJALËS
– Ku është dallimi në mes shprehjes me gojë dhe shprehjes me shkrim? – e pyeti i pari të dytin.
– Shprehja me gojë nuk merr vulë, sikur shprehja me shkrim, – u përgjigj i dyti.
40. SHKURORËZIMI
“Ju ftojmë të merrni pjesë në gazmendin e shkurorëzimit me burrin! Në dasmë do të ketë muzikë dhe hare, ardhja juaj do të na gëzojë!” – kështu shkruante në ftesën e gruas së shkurorëzuar.
– Duket se më shumë do të kemi dasma të shkurorëzimit se dasma të martesës, – shtoi një plak i vjetër.
Therandë, 31.07.2021

About xhzeqiri

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...