Home / Opinion / TRIMAT DHE FRIKACAKËT E “OPEN BALLKANIT”!

TRIMAT DHE FRIKACAKËT E “OPEN BALLKANIT”!

Masakra e 4 shkurtit 1944, Preng Çuni dhe Gjon Bruçi: U ekzekutuan

Nga: Gjon Bruçi

“O balo, të hëngërt tënja

E ke të keqen nga brënda!”

Gazeta DITA, në kopertinë të saj të datës 30 korrik 2021, shtron pyetjen: “BALLKAN I HAPUR, APO BALLKAN SERB?!”.

Në përgjigje të kësaj pyetje, gazeta afishoi mendimet e një analisti dhe një diplomati të karierës, të cilët sipas asaj që shkruajnë, përfaqësojnë përkatësisht “TRIMAT” dhe “FRIKACAKËT” e “OPEN” BALLKANIT. Po ndalemi sot tek shkrimi i “Trimit”, që përfaqëson elitën e vendit tonë, ndërsa frikacakët janë poshtë tek qytetarët e shumtë.

Analisti, gazetari, opinionisti, që përfaqëson “trimat”, midis të tjerave na kumton:

1 – “Open Ballkani e forcon pozitën e Kosovës, duke u bërë zyrtarisht pjesë e tryezave rajonale, me flamurin zyrtar në tavolinë, dhe si palë e barabartë me serbët, shqiptarët dhe maqedonët”. – thotë i sigurtë analisti.

Pyesim: si mund të jetë i barabartë kur Serbia nuk e njeh Kosovën as si Republikë, as si Shtet, e për rrjedhojë as flamurin mbi tavolinën e bisedimeve?!

2 – “Dilemat për këtë çështje, duket se Tirana i ka tejkaluar, ndërsa Prishtina vijon të ngurojë”. – janë fjalët e analistit.

Ne i drejtohemi autorit: Pa pyete Prishtinën, përse ngurron? Pse kjo diskordancë midis Tiranës e Prishtinës, ose më saktë midis qeveritarëve të Tiranës dhe atyre të Prishtinës? Kush u përdhunua në vitin 1999, Prishtina me qytetarët e saj e të Kosovës, apo Tirana me pushtetarët dhe politikanët e saj perversë e puthadoras?

3 – “Serbia, vërtet në këto dekadat e fundit gjeneroi konfliktin më të përgjakshëm që ka parë Europa pas Luftës së II Botërore. Por këtë duhet ta gjykojnë historianët, për pjesën që i takon, dhe politikanët e drejtësia për pjesën e mbetur”. – konkludon analist-opinionisti ynë.

Pyesim: populli i Kosovës, që e vuajti mbi kurriz përgjakjen serbe, nuk paska të drejtë ta gjykojë? Apo t’i “arshivojë” siç kemi bërë ne shqiptarët me 97-tën, Gërdecin, 21 janarin dhe krimet e tjera të tri dekadave të fundit?!

4 – “Kosova, tashmë, i dyti shtet shqiptar në Ballkan, që sot garantohet nga fuqitë e mëdha globale, SHBA dhe Europa”. – thotë i sigurtë gazetar-opinionisti.

Pyesim: Kur është njohur si shtet shqiptar Kosova, që ne ende nuk e kemi marrë vesh, zoti gazetar, analist, opinionist?

5 – “Historia e këtij “kontinenti” (është fjala për Europën), shënon pafundësisht raste kur vende armike jane vrarë e prerë me njëri-tjetrin, por kanë ditur të ulen në tavolinë e të merren vesh”, – tregon analist-opinionisti ynë koherent.

Saktësim: Kurrë nuk ka patur përleshje midis serbëve dhe shqiptarëve, por serbët kanë sulmuar shqiptarët duke i vrarë, përdhunuar e dëbuar. Megjithatë, përsëri shqiptarët do të ishin ulur në tavolinën e pajtimit, nëse serbët (Vuçiçi me shokë) do të kishin kërkuar falje, dhe do të kishin ardhur në takim, pa pushkë në krahë, ose edhe me pushkë, por me grykën e saj ulur poshtë. Siç veprohet në të gjitha rastet e kuvendeve për pajtim, traditë kjo jo vetëm e shqiptarëve, por e gjithë popujve, përveç politikanëve dhe pushtetarëve serb. E kundërta ka ndodhur në të kaluarën, e po ndodh edhe sot.

6 – “Përballja me atë që është jashtë derës tonë, është një akt i madh emancipimi”, – na mëson autori i shkrimit në fjalë.

Saktësim: mbi 150 vjet rresht, shqiptarët e Kosovës, janë munduar të përballen miqësisht me komshijt jashtë derës. Por “komshijt” që zbritën nga Uralet, përkundër kësaj tentative të shqiptarëve të Kosovës, u kanë shqyer dhjetra herë derën e kosovarëve dhe i kanë përdhunuar brenda konakut. E dini ju zoti gazetar, analist e opinionist këtë histori të vjetër e të re, apo flisni në tym?

7 – “Kemi qëndruar historikisht brenda kullave, pa nxjerrë hundën nga frëngjia, për të parë se ç’bën komshia”, – konstaton idhshëm autori.

Po, e vërtetë. Në shumicën e kohës shqiptarët në trojet e tyre në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, e në Çamërie, kanë vigjëluar nga vrima e frëngjisë. E vetmja mundësi për të mbijetuar në trojet e tyre. Kjo ka ndodhur se kemi qenë një popull i vogël dhe kemi patur e kemi një vend, të cilin e lakmojnë të gjithë. Autori i shkrimit u rrit në kohën e socializmit, dhe frëngjinë e vrojtimit e të sigurisë, ua kishte lënë të tjerëve, dhe jo vetes, ndonëse edhe ai ishte ushtar i republikës. Të tjerët ruanin nga frëngjia, e ai rruante nga tagjia.

8 – “Do të vijë një ditë kur perimet e Myzeqesë, mollët e Korçës apo qershitë e Peshkopisë, do të konkurojnë me prodhimet bujqësore të Portugalisë, Italisë, Francës. Kjo do të ndodhë kur të jemi anëtar të BE”, – na optimon autori për të na entusiazmuar.

Dhe vërtet, në këtë rast entusiazmohemi, madje na merr gazi dhe marazi, kur kujtojmë prodhimet e Korçës, Myzeqesë, apo Kukësit, që banorët e këtyre zonave shpesh herë dhe falë konkurenës që vjen nga Maqedonia, apo ndonjë vend tjetër, i kanë hedhur prodhimet në lumej e në kanale.

9 – “Izolimi ballkanik siç e kemi sot, i takon epokës komuniste dhe është thjeshtë një relike, që stonon klithshëm me botën e sotme. Ndaj, kush trembet nga “Open Ballkani”, apo bën sikur trembet, është thjeshtë i pasinqertë”, – e mbyll ligjërimin gazetaresk, gazetar, analist, opinionisti ynë kompetent.

Në këtë të fundit, për fat, autori bën dy “lapsuse”, apo dy gabime, që i vinë nga mosnjohja e kohës ku jeton e gazetaron.

Së pari, ai duhet ta dijë se “epoka e komunizmit” ende nuk është dukur në Globin tonë tokësor. Socializmi që kishim, ishte një periudhë tranzitore, përiudhë që është tepër e gjatë, e kalimit nga kapitalizmi në komunizëm, një periudhe me beteja të shumta midis tyre, gjer në vendosjen e sistemit komunist në shkallë botërore. Në 73 vitet e para të kësaj lufte (1917 – 1990), betejën më të fundit midis kapitalizmit dhe Socializmit, e fitoi kapitalizmi. Por lufta ende nuk ka mbaruar. Rendi socialist e komunist është një rend i pashmangshëm për shoqërinë njerëzore. Por që nuk arrihet me disa vite, apo edhe me disa shekuj. Të njëjtën histori ka patur edhe Kapitalizmi, nga lindja e tij gjer në kalimin tashmë në fazën më të lartë, më emrin “imperializëm”.

Por këtu po e ndalim analizën, sepse gazetari, analisti dhe opinionisti ynë, ashtu si shumë kolegë të tij në profesion, apo dhe në fusha të tjera të intelegjencës, hesapet i bëjnë për vitet e tyre të jetës, e jo për pasardhësit. Këta lloj tipash, mbase e duan “komunizmin” të vijë paradreke. Por ja që mund të vijë edhe mbasdreke. Por ata nuk kanë kohë ta presin. Ndaj i shërbejnë më devotshmëri sistemit aktual, që të vjelin frutat e çastit. Për të ardhmen, le të bëhet ç’të bëhet, nuk është puna e tyre.

. . .

E gjithë kjo që diskutuam, lidhet me shprehjen e njohur të popullit: “O balo, të hëngërt tënja / E kë të keqen nga brënda!

Një e vërtetë absolute. Në të gjitha kohërat, shqiptarët e kanë patur të keqen nga brenda. Kjo e keqe, ashtu si “tënja”, ka brejtur pa zhurmë, ose me një zhurmë melodioze trarët e shtëpisë, që në mjaft raste populli e pati ndërtuar si ndër shoqet më të bukura të shtëpive të “katundit”.

—————————————————————–
Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz në këmbë dhe kostum

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...