Home / Të ndryshme / PËRKTHIMI I VEPRËS LETRARE NGA SUEDISHTJA

PËRKTHIMI I VEPRËS LETRARE NGA SUEDISHTJA

Shkruan: Beqir Elshani

(Kerstin Ekman: “Mbi dëborë”, Shkup, 2010. Përkthyes: Shefki Ollomani)

Përkthyesi i veprës së huaj në gjuhën shqipe, duhet të jetë i përgatitur jo vetëm me njohjen e gjuhës së huaj, por edhe me përkthimin e drejtë në gjuhën shqipe. Gjithashtu duhet të jetë jo vetëm njohës i gjuhës letrare shqipe, por edhe i të folmes popullore, që sipas vendit ta shënojë fjalën e duhur. Nëse përkthyesi nuk e përkthen librin sipas origjinalit, atëherë del sikur të ishte autor i librit të përshtatur, gjë që do të binte në kundërshtim me autorin e veprës letrare. Në romanin “De tre små mästarna” të shkrimtares suedeze, Kerstin Ekman, përkthyesi shpeshherë i përmend lutjet fetare “O Zot!”, edhe pse autorja rrallë e përmend dhe atë në forma të ndryshme të stilistikës letrare. Dihet që suedezët nuk janë edhe aq fetarë, prandaj po të dinte shkrimtarja suedeze që në përkthimin shqip është tepruar me pasthirrma të panevojshme fetare, do të zemërohej. Siç duket, është zor të arrihet fama e përkthimit artistik të shkallës së Fan Nolit, Vedat Kokonës, Klio Evangjelit, Bujar Dokos, Donika Omarit, Misto Treskës, Fatmir Dibrës etj., edhe pse jemi të rrethuar me fjalorë të shumtë të gjuhëve të huaja, por edhe me kushte të mira për njohjen e gjuhëve të tyre, sidomos të gjuhës amtare shqipe, siç janë mjetet e komunikimit dhe të qarkullimit. Nuk mjafton vetëm përkthimi me kuptim të tekstit, por duhet t’i përmbahet mendimimit orgjinal në veprën letrare. Prandaj përkthimi cilësor mund të arrihet me punë sistematike, jo me vrull, sa për të mbushur faqet e librit për botim.

Po filloj me shembullin e fjalisë suedeze në romanin “Mbi dëborë” të shkrimtares suedeze, Kerstin Ekman: “En får akta sig för de här vassa strandkanterna“ (duhet bërë kujdes në këto brigje), kurse duhet shkruar “në këto brigje të mprehta”. Siç shihet shembullit shqip i mungon mbiemri cilësor të mprehta (vassa). Pastaj fjalia “Han nappade åt sig pappret på skrivbordet, gjorde en kombination bockning och halvhönor och gick” (Kapi letrën nga skrivania, bëri një përkulje duke kombinuar me një përshëndetje ushtarake dhe doli), kurse duhet shkruar drejt: “Rrëmbeu letrën nga tryeza e shkrimit, bëri një përkulje të kombinuar me një gjysmë nderimi dhe doli”. Duket qartë që në romanin suedisht nuk përmendet përshëndetja ushtarake. Pastaj fjala suedeze skrivbordet sipas Fjalorit suedisht-shqip përkthehet tryeza e shkrimit, jo skrivania. Duket qartë që është fjalë e sajuar e përkthyesit, me anën e së cilës pa arsye i mundon lexuesit, prandaj duhet shkruar fjalën e kuptueshme shqipe që është pjesë e kulturës kombëtare. Jo vetëm kaq, sepse me anën e përdorimit të fjalës së gabuar lexuesit suedezë në vend të togfjalëshit tradicional shqip tryeza e shkrimit (skrivbord) do të përdorin gabimisht fjalën e huaj “skrivani”. Përkthyesit duhet t’i përmbahen fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe, ajo fjalë që nuk përfshihet, të mos shënohet fare në librin e përkthyer. Në vazhdim, përkthimi tjetër i fjalisë “Pas atij gishti të ngritur fshiheshin tridhjetë vjet praktikë mësimdhënieje“. Lexuesi edhe pa e shikuar origjinalin suedisht, e kupton që fjalia është shtrembëruar, sepse nuk dihet për cilin gisht bëhet fjalë; edhe më keq, nuk ka praktikë 30-vjeçare, por ka përvojë të gjatë 30-vjeçare; meqë praktika mund të jetë me disa muaj, jo me dekada. Prandaj unë mora fjalinë origjinale suedisht “Tretio års katedervana låg bakom det höjda pekfingret” dhe shqip më doli “Tridhjetë vjet përvojë të katedrës qëndronin pas gishtit të ngritur tregues”. Çdo gisht i dorës në gjuhën shqipe ka emër, prandaj edhe tummen shqip përkthehet pulqer. Në fjalinë “Jo, sade Torsson, det förstås” (Po, sigurisht, tha Torsstoni. Vetëkuptohet) është bërë përsëritje e fjalëve, prandaj duhet shkruar “Po, tha Torsoni. Kuptohet.”

Në fjalinë origjinale “Han drog undan filten en halvmeter och blottade ett stelt ansikte” (Zbuloi batanijen nja një metër e gjysmë dhe aty u shfaq një fytyrë e ngurtësuar), kurse duhet të përkthehet: “(Ai) tërhoqi gjysmë metër batanijen dhe zbuloi fytyrën e ngurtë”. Duket qartë që në veprën letrare flitet për tërheqjen e gjysmë metër batanijes (en halvmeter), jo për një metër e gjysmë (ett och ett halvtmeter). Duhet pasur parasysh se në fjalëformimin gramatikor en halvmeter “en” nuk është numër themelor që shënon sasinë, është nyje joshquese e fjalëve suedisht, që në trajtën e shquar shkruhet me n, psh. trajta joshquese shkruhet en halvmeter, kurse trajta shquese halvmetern, ngjashëm siç përdoret edhe në gjuhën angleze “one and a half kilograms”. Kjo shpjegohet edhe me anën e numrit thyes ½ që suedisht shqiptohet me nyjë “ett halvt”, kurse numri 1½ shqiptohet me numër dhe me nyjë: “ett och ett halvt”. Përndryshe po të ishte togfjalëshi suedisht “en och en halvmeter”, në të cilën kemi numrin themelor dhe nyjën joshquese, atëherë shqip përkthehet me numëror “një metër e gjysmë”. Shqiptimi i shprehjes suedeze “ett och ett halvt” shqiptohet sikur thyesa matematikore që thuhet me numra “një dhe një e dyta” (1 dhe 1/2). Prandaj fjalia me hamendje “nja një metër e gjysmë” nuk i përgjigjet fjalëformimit suedisht “en halvmeter”. Për shembull dallimi në mes fjalës “en halvtimme” dhe “en och en halvtimme” është se e para përkthehet “gjysmë ore”, kurse e dyta “një orë e gjysmë”. Gjithashtu shembulli “një ditë e gjysmë” suedisht përkthehet me nyjë “en och en halv dag”. Në anën tjetër, përkthyesi bie në kundërshtim me veprën letrare, sepse për nga ngjarja fjalia tregon se me tërheqjen e batanijes gjysmë metër zbulohet fytyra e njeriut, kurse me një metër e gjysmë zbulohet tërë trupi i njeriut.

Sa i përket përkthimit të togfjalëshit “ett stelt ansikte” duhet të jetë “fytyrë e tendosur”, jo fytyrë e ngurtësuar, meqë flitet për tendosjen (mpirjen) e zakonshme të trupit gjatë ndejës ose shtrirjes. Psh. në popull flitet për fytyrë, muskujt dhe nervat e tendosura, jo për fytyrë, muskujt dhe nervat e ngurta. Nëse njeriu fytyrën e ka të ngurtë, e ka vështirë të lëvizë, ndërsa me fytyrë të tendosur pas lëvizjes gjendja e tij përmirësohet. Konkretisht, fjala suedeze “stelt” frëngjisht del “tendue” që sipas Fjalorit frëngjisht-shqip të Vedat Kokonës del “tendosur”. Kurse togfjalëshi suedisht “drog undan filten” shqip duhet përkthyer “tërhoqi batanijen”, meqë nuk flitet për zbulimin, por për tërheqjen e batanijes. Përkthyesi duhet pasur kujdes në dallimin e fjalive: “Man upptäcker att kombinationsmöjligheterna är oräkneliga” dhe “Han drog undan filten en halvmeter och blottade ett stelt ansikte”, derisa në të parën flitet për zbulimin e kombinimit, në të dytën flitet për tërheqjen e batanijes. Pastaj qortimi i personazhit suedisht “Få tyst på den förbannade hunden!” (Gjejeni mënyrën që të pushojë ai qen i mallkuar!), mund të përkthehet me masë pa fraza tjera “Pushojeni atë qen të mallkuar!”. Duket qartë që në romanin suedisht nuk flitet për gjetjen e ndonjë mënyre për qetësimin e qenit, por vetëm një qortim për pushimin apo ndaljen e lehjes së mërzitshme të qenit. Me të drejtë parashtrohet pyetja, pse të mundohet lexuesi shqiptar me fraza të panevojshme të përkthyesit?

Fjala suedeze “bod-en” shqip përkthehet barakë ose kabinë, ndërsa “kapanon” nuk është fjalë shqipe. Pastaj fjalia “Vi tar det inte så formellt här”, (Jo, tamam. Këtu nuk jemi edhe aq strikt); edhe ashtu fjala e huaj “strikt” është përdorur pa vend, që pa ndonjë vështirësi përkthehet: saktë ose përpiktë. Është për të ardhur keq që përkthyesit nuk i është kujtuar fjala “saktë” dhe përpiktë” që janë fjalë të përditshme te shqiptarët. Edhe ashtu fjalia suedeze duhet përkthyer rrjedhshëm: Ne nuk e marrim dhe aq formale këtë. Pastaj citati tradicional latin “Omnes viae Romam ducunt : Alla vägar” është një lajm që përhapet e merret nëpër gojë, prandaj populli bisedën e nis me shprehjen “Thuhet se”, “Në botë flitet se”, prandaj sipas stilistikës shqiptare duhet shkruar: thuhet se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Sa i përket fjalës “läkare” në Suedi specialistët që merren në fushën e mjekësisë quhen mjekë, ngjashëm siç quhen edhe në gjuhën shqipe, prandaj fjalën “läkarna” duhet përkthyer mjekët, jo doktorët. Në vazhdim, periudha suedisht “Han måste ha haft hennes ansikte på nätthinnan i drömmen. För nu såg han det lika tydligt som den gula gardinens stärkta veck och hörde rösten hånfull och nyfiken” (Duhet të kishte pasur fytyrën e të mbresuar në mend teksa flinte, pasi tani perceptonte me të njëjtën qartësi me të cilën shikonte palat e bëra me niseshte të perdes së verdhë dhe dëgjonte zërin befasues dhe gjithë kureshtje”, kurse duhet të jetë “Duhet të ketë pasur fytyrën e saj në retinën e ëndrrës. Tani për tani ai e shihte atë në mënyrë të qartë si perdet e verdha të përforcuara, pastaj dëgjoi zërin tallës dhe kureshtar.”

Fjala suedeze tejpade shqip thuhet lidhur ose mbështjellë me ngjitës, prandaj togfjalëshi “lidhur me pastro” për lexuesin shqiptar është i panjohur, sidomos fjala “pastro”, prej nga mendimi mbetet i paqartë. Në kapitullin e dytë fjalia e tekstit “Stundtals tycktes det vara den väg som till himla bär” (Nganjëherë dukej sikur rruga të çonte lart në qiell) togfjalëshi “till himla bär” është një shprehje metaforike, të cilën edhe gjuha shqipe e përdor, “e ngre zërin në qiell”, prandaj sipas frazeologjisë thuhet “Nganjëherë dukej sikur rruga të çonte në qiell”, që gjithashtu shembulli suedisht nuk e ka “ndajfoljen “hög=lart”. Nëse përkthyesi mundohet ta përforcojë shprehjen metaforike, atëherë bën shtrembërim, por edhe mbetet autor i veprës, jo përkthyes. Në vazhdim togfjalëshi “Åk tillbaka” në numrin njëjës përkthehet me masë “Kthehu mbrapa” jo “Kthehuni në shtëpinë tuaj” me pronor dhe atë në shumës. Duhet pasur parasysh se fjala “kthehu” është fjalë e kundërt e fjalës “shko”. Dallimi në mes fjalës “zhargon” dhe “bagazh” është se e para ka kuptim leksikor, ndërsa e dyta ka kuptimin e aftësisë, prandaj fjalia “Vilken jargong ni har” (Çfarë bagazhi frazash të ndërtuara që keni) duhet të përkthehet me masë “Çfarë zhargoni keni”. Fjalia “Hon strök med pekfingret längs sin raka näsryg” (Kaloi gishtin përgjatë vijës së drejtë të hundës) duhet të jetë “Ajo me gishtin tregues vijëzoi përgjatë kurrizit të hundës”. Në fjalinë “Jag kom hit för att hälsa på honom” përshëndetja suedisht është kthyer në takimin shqip “Kam ardhur këtu për ta takuar”, megjithatë duhet shkruar sipas origjinalit, meqë edhe në gjuhën shqipe njeriu përshëndetet në takim dhe në ndarje, prandaj duhet shkruar “Erdha të përshëndetem me të”, pasi që fjala träffar dmth. takim. Fjalia pyetëse suedisht në kohën e tashme dhe në numrin shumës “Hör ni inte vad jag säger? (E dëgjove se çfarë thashë?) është kthyer në kohën e kryer në numrin njëjës; përveç kësaj, shembullit shqip i mungon pjesorja “nuk”, prandaj sipas origjinalit duhet të jetë: “A nuk po dëgjoni çfarë thashë?”. Për habi togfjalëshi suedisht “Åk tillbaka” në gjuhën shqipe është zgjeruar “Kthehuni në shtëpinë tuaj” në vend se të shkruhet i njëjti togfjalësh “Kthehu mbrapa” pa pronor. I njëjti togfjalësh suedisht “Åk tillbaka” përsëritet, mirëpo tani përkthyesi e ndryshon “Ik më mirë”. Kurse shprehja “Nej, bevara mig” (Jo, mos e fol atë fjalë), duhet të jetë “Jo, më ruaj (mbro)”. Është një lutje që zakonisht pleqtë thonë “Zot, më ruaj!” (God, bevara mig). Gabim përkthehet edhe shprehja ”Det är mig” (Jam mua), kurse me logjikë duhet të jetë “Jam unë”. Shpeshherë përkthyesi e ngatërron fjalën “litar” me “tërkuzë”, edhe pse në roman flitet për litarin (suedisht “rep”). Sipas fjalorit të gjuhës litar është tufë fijesh të përdredhura prej liri, kurse tërkuzë është litar i bërë me lesh dhie.

Në vazhdim në fjalinë suedisht “Vad är det ni vill? viskade han” (Çfarë dreqin do? i bërtiti), shihet që autorja shprehet me arsye: “Çfarë dëshironi, murmuriti ai”. E njëjta gjë përsëritet edhe në fjalinë “Vad tar han sig för då?” (Po ku dreqin është futur tani?), kurse duhet të jetë “Atëherë ç’po bën ai? Sa i përket klithmave psikologjike, siç janë: “ta hajë dreqi”, “shkoftë në ferr”, “qepe gojën” e të ngjashme, autorja rrallë i thekson në roman, për habi përkthyesi i ka shumëfishuar. Prandaj nëse autorja e përmend vetëm helvetin edhe shqip thuhet ferri asgjë më shumë, siç thuhet kripa me masë. Në fjalinë “Två renar är skjutna” (Më kanë vrarë dy kaproj”, sipas origjinalit duhet shkruar “Janë vrarë dy drenusha”. Megjithatë duhet pasur kujdes, sepse në romanin e Ekmanit flitet për drerët, jo për kaprojtë. Siç dihet, tradicionalisht Suedia me klimë të ftohtë është e njohur për rritjen e drerëve. Pastaj fjalia “Varför skinner solen mitt i natën! Jag kan inte sova?” (Po si ka mundësi që dielli shkëlqen në mes të natës? Unë nuk arrij, kurrsesi, që të fle!), kurse duhet përkthyer me stil letrar: “Përse dielli shkëlqen në mes të natës? Unë nuk mund të fle!” Po të numërohen fjalët, fjalia suedisht ka dhjetë fjalë, shembulli im ka 12 fjalë, kurse fjalia e përkthyesit ka 18 fjalë, ose një të tretën më e shumë.

Pastaj shembulli i fjalisë “Julidagen var klar och blåhimlad” (Dita e korrikut ishte e qartë dhe qielli kishte marrë një blu të theksuar) shqip duhet të përkthehet me masë dhe kuptueshëm “Dita e korrikut ishte e kthjellët dhe qielli i kaltër”, nuk duhet të shprehet me fraza të panevojshme. Po të pyeste përkthyesi prindërit në vendlindje, me logjikë do të tregonin që dita e korrikut është e kthjellët dhe qielli është i kaltër, duket qartë që fjalët tjera janë të panevojshme. Duhet pasur parasysh se shembulli i fjalisë suedeze “Himlen klarnade upp” shqip nuk përkthehet ndryshe, pos “qielli u kthjellua”, (jo “qielli u qartësua). Ja edhe një dallim tjetër se kur mund të përdoren fjalët “(i,e) kthjellët” dhe (i.e) “qartë”. Fjalia në shqiptim është e kthjellët, kurse fjalia në gramatikë është e qartë: e para ka të bëj me ndërtimin (konstruktin) fonetik, ku flitet për shqiptim të pastër e me tinguj të dallueshëm mirë, kurse e dyta ka të bëjë me ndërtimin morfologjik, në të cilën flitet për paraqitjen e drejtë të fjalëve. Shembull konkret është regjistri i faqes gogle në internet, po të shënohet togfjalëshi “qielli i kthjellët”, lexuesi do të marrë shumë rezultate, përkundrazi po të shënohet togfjalëshi ”qielli i qartë”, lexuesi do të mbetet pa përgjigje.

Është interesante, fjalinë suedeze prej pesë fjalësh përkthyesi e ka kthyer me njëmbëdhjetë fjalë shqipe, duke përdorur dyfish më shumë fjalë se fjalia bazë suedisht, që aspak nuk është korrekt në përkthimin e tekstit. Mbiemri suedisht klar-t-a (sipas Fjalorit suedisht-shqip përkthehet i qartë, i kulluar dhe i kthjellët) janë fjalë sinonime që në gjuhën shqipe përdoren sipas kuptimit të emrit: qielli apo moti i kthjellët, ujët apo djathë i kulluar. Psh. Togfjalëshi shqip ”zëshëm dhe qartë” suedisht thuhet ”högt och tydligt”, kurse kroatisht ”jasno i glasno”. Mbiemri (i, e) qartë zakonisht përdoret për ide dhe biseda: fjalë e qartë, synim i qartë, shpjegim i qartë. Dihet që romani vjen prej gjirit të popullit, prandaj suedezët nuk thonë “Vädret är tydligt” (Qielli është i qartë), por “Vädret är klart” (Qielli është i kthjellët). P.sh. fjalia suedisht me dy mbiemra cilësorë “tydligt dhe klar”: “På tydligt glas ser man klar himel” shqip del “Në xhamin e qartë njeriu sheh qiellin e kaltër”. Gjithashtu edhe në Fjalorin anglisht-shqip të Ramazan Hysës togfjalëshi anglisht “a clear day” përkthehet “ditë e kthjellët”. Në asnjë vepër të përkthyer letrare nuk kam hasur për ujin dhe qiellin e qartë, por vetëm për ujin dhe qiellin e kthjellët. Këtë e argumenton edhe përkthimi i librit “Novela” të Stefan Cvajgut, në të cilin shkruan “Kreshencës iu duk si një vetëtimë në qiellin e kthjellët”. Me fjalë të tjera, uji fiziologjik është i qartë, ndërsa uji i burimit është i kthjellët.

Pothuaj në tërë romanin e shkrimtares Ekman gabimisht përmendet togfjalëshi “këpucët e mëdha”, që nuk ka aspak të bëj me ngjarjen e romanit. Këpucët e mëdha apo të vogla quhen këpucët sipas numrit, kurse pjäxor janë një lloj këpucësh me qafa ose këpucë alpine që përdoren në mbarë Skandinavinë, prej nga ka dalë edhe emri skidpjäxor, (shqip këpucët për ski). Prandaj më qartë dhe më kuptueshëm do të ishte po të shkruante këpucë alpine se këpucë të mëdha apo të rënda qofshin. Në vazhdim fjalia “duke hapur dhomën e mbyllur me çelës”. (när han låste upp rumsdörren) duhet të jetë “kur ai e hapi derën e dhomës” në origjinal fare nuk përmenden fjalët “çelësi” dhe mbyllur”, prandaj përkthyesi nuk kishte nevojë t’i theksonte, meqë autorja është shprehur me stil letrar. Në vazhdim fjalia pyetëse “Po, si jemi gatuar?” nuk i përgjigjet origjinalit “Ja, hur är vi?”. Prandaj si lexues, kërkoj që përkthyesi të më tregojë se çfarë dëshiron të thotë me shembullin e fjalisë pyetëse, që aspak nuk përputhet me ngjarjen. Mua nuk do të më vinte aspak mirë po qe se përkthyesi veprën time do ta ndryshonte sipas bindjes vetjake. Fjala suedeze “bokstavsraden” shqip nuk përkthehet “në linjën e germave”, por “në radhën germave”. Fjala linjë e ka kuptimin e vijës, prandaj është shprehje që përdoret në lëmin e transportit dhe në sistemin e pajisjeve teknologjike, siç janë: linja telefonike, e tensionit, ajrore, hekurudhore, e petëzimit, e prodhimit etj. Ndajfolja suedeze “Försiktigt, försiktigt!” shqip përkthehet “Kujdes, kujdes!), (jo ngadalë – långsamt). Ndërsa fjala “slöjdrummet” shqip thuhet dhoma e punëdores, jo “laboratori i artizanatit”. Gjithashtu ndajfolja “prapëseprapë” është fjalë e përbërë, prandaj nuk shkruhet ndaras (shih FGjSSh).

Në shembullin i fjalisë “Fest var det i byn” (Fshati ishte në festë) përkthyesi ka bërë inversion, sepse emri “Fest” është në rasën emërore, kurse “i byn” është në rasën kallëzore, prandaj duhet shkruar fjalë për fjale “Ishte festë në fshat”. Të njëjtin ndryshim ka bërë edhe në fjalinë “Ensam gick jag”, duke kthyer fjalinë “U ktheva vetëm”, kurse sipas origjinalit duhet të jetë “Shkova vetëm”, përndryshe po të përkthehet shembulli i përkthyesit suedisht, atëherë del “Ensam återvände jag”. Pastaj vitin suedisht “För ett halvår sen” e ka zbërthyer në muaj (Gjashtë muaj më parë), mirëpo sipas rregullave gramatikore duhet të jetë “Para gjashtë muajsh), kurse sipas origjinalit suedisht “Para gjysmë viti”. I njëjti ndryshim është bërë në qortimin e policit “Sitt kvar i bilen” (Mos lëviz nga makina), kurse sipas origjinalit duhet të jetë “Qëndro në makinë”.

Fjalia suedeze me tri fjalë “Han var duktig” përkthehet me masë të njëjtë “Ai ishte i zoti (i afftë)”, jo në shkallën sipërore të mbiemrit cilësor: “Ai ishte shumë i zoti”. Për habi, përkthyesi fjalinë pyetëse në numrin njëjës suedisht “Hur vet du det?” (Nga e di ti?) e ka kthyer në shumës ”Nga e dini ju?” dhe “Skrämde jag dig” njëjës në shumës“. Ndërsa sipas fjalisë pyetëse suedisht “Hittade ni henne?” (A e gjetët më vonë?), duhet të jetë “A e gjetet atë?”. Në fjalinë tjetër pyetëse “A je në gjendje të bësh katër kilometra në këmbë”, sipas shembullit suedisht “Kan du gå fyra kilometer?” duhet shkruar po ashtu me masën e njëjtë të fjalëve “A mund të ecësh katër kilometra?” Siç po shihet, autorja nuk e përmend fare shprehjen “je në gjendje të bësh”. Në fjalinë “Skulle ni vilja spela?”. (Ke dëshirë të bësh një ndeshje?) flitet për lojën, jo për ndeshjen, prandaj duhet të jetë “A dëshironi të luani”. Në shembullin e fjalisë “David fick med skälvande händer fram kameran ur handskfacket” (Me dorën që i dridhej, Davidi arriti të marrë aparatin fotografik nga kaseta e objekteve) duhet të jetë “Me duart e dridhura Davidi mori kamerën prej kasetës”. Duhet pasur kujdes emri “hand” është njëjës, kurse “händer” shumës), prandaj duhet shkruar “duart” në shumës; ndërsa kamera është emër neolatin që përdoret edhe në gjuhën shqipe, prandaj nuk ka nevojë të shkruhet “aparatin fotografik”. Fjalia tjetër “Han hade blivit lärd att renar har ett vackert språng” (I kishin thënë që kaprollet kanë një të ecur të hijshme dhe tani ishte zhgënjyer) duhet të jetë “Ai kishte mësuar se drerët kanë një kërcim të bukur”. Duket qartë që në fjali flitet për kërcimin e bukur që bëjnë drerët, jo për ecjen e hijshme të kaprojve. Drerët janë kafshë karakteristike që bëjnë kërcime ritmike.

Në shembullin e fjalisë “Torsson slog askan av cigarretten och såg tankfull ned i mattan” është përkthyer (Torssoni shkundi hirin nga cigarja dhe vërejti mendueshëm tapetin). Fjala mattan shqip përkthehet qilim, ndërsa tapet (vjen prej gjermanishtes) që domethënë letër tapicerie, prandaj fjalia duhet të jetë “Torsoni shkundi hirin e cigares dhe vërejti mendueshëm qilimin”. Në vazhdim fjala “var ljushårig” shqip përkthehet “kishte flokë të ndritshme”, jo “kishte flokë të çelët”, kurse fjala brunhårig përkthehet flokë të murrme. Përkthimi i fjalisë “Jag var sämst i allting i skolan” (Unë kam shkuar keq në të gjitha materiet në shkollë) është i paqartë, prandaj duhet shkruar me logjikë sipas suedishtes: “Në shkollë kam qenë i dobët në të gjitha”, kështu shprehet edhe në vendlindjen tonë. Fjalia suedisht “…spolade vatten i handfatet” (…po mbushte me ujë lavamanin), duhet të jetë “…po derdhte ujë në lavaman”. Sa i përket shembullit të fjalisë “Vë bast që ju, përkundrazi…” është sajim i përkthyesit dhe nuk figuron në romanin suedisht. Shpeshherë përkthyesi përemrin njëjës në suedishte hon e kthen në ju. Fjalia suedisht “Gott betyg åt er, gamla gosar, tänkte han” (Dhjetë me yll, lum miku), shqip thuhet “Notë të mirë për ju, djem të dashur, mendonte ai”, prej nga shpjegimi i fundit tänkte han në gjuhën shqipe mungon, dhe kjo ka rëndësi për paraqitjen e ngjarjes psikike të personazhit, dhe jo përgëzimi lum miku. Kur është fjala suedeze për vissladefishkëlleu, të cilën përkthyesi e ka përdorur sinonimin vërshëlleu, me të drejtë letrare duhej të përdoret fjala e përhapur fishkëlleu, ashtu siç shprehet edhe populli, me që fjala vërshëlleu përdoret rrallë si në të folmen e popullit ashtu edhe në letërsi. Në fjalinë “Den rörde sig inte” (Nuk dukej se kishte ndërmend të lëvizte), autorja shkruan qartë suedisht “Nuk lëvizte”, prandaj po të përkthehet fjalia e përkthyesit në gjuhën suedeze, del “Det visade inte att han tänkte röra sig”.

Fjalia pyetëse e përkthyer “Kur do të vendosësh që të blesh atë pronën e famshme në luginën e Tornes?” sipas origjinalit “När köper du den gården i Tornedalen?” duhet të jetë “Kur do ta blesh atë fermën në Tornedalen”. Tornedalen është emër i përveçëm vendi, prandaj nuk përkthehet. Sipas fjalorit suedisht-shqip gården përkthehet truall dhe fermë. Fjalia suedisht “Vad har du? En knot… Inte kunde ana att de där smala brunna fingrarna var så starka” (Çfarë dreqin ke?” Një kont… Kurrë nuk e kishte imagjinuar se ato gishtërinj të errët e të hollë do të ishin aq të fortë), duhet të jetë “Çfarë ke? Një torbë… Ajo nuk mund ta merrte me mend që ata gishta të hollë e të murrmë ishin të fortë”. Pastaj “Em

ri ishte një bashkim tingujsh të pashqiptueshëm, i gjatë të paktën tetë rrokje”, kurse sipas suedishtes “Namnet var en munfull outtalbara ljud och åtta stavelser långt” duhet të jetë “Me plotë gojën emri ishte me zë të pashqiptuara dhe të gjatë në tetë rrokje”. Fjalia pyetëse “Men vad är det?” (Por ç’është kjo?) nuk ka më shumë se katër fjalë, ndërsa shembulli i përkthimit “Po si e ke hallin, xhanëm?” nuk i përgjigjet origjinalit. Në fjalinë “Po, nuk është besoj aq larg” sipas suedishtes “Ja, inte är det långt” shihet që pa nevojë ka zënë vend fjala besoj, prandaj duhet të jetë “Po, nuk është aq larg”.

Në fund, shembulli i fjalisë “Torssoni e palosi edhe një herë hartën”, kurse sipas suedishtes “Torsson vek ihop kartan kring en mygga som osedd och elefantstor enligt skalan klämdes fast mot Sydtoppen.”, duhet të jetë “Torsoni e palosi hartën rreth mushkonjës si të elefantit madhështor sipas shkallës ishin ngulitur në drejtim të majës jugore”. Shembullin i fjalisë me shprehjen metaforike “Fjalë burri tha Davidi. Do të vdes top në vend, nëse nuk i kthej patkonjtë nga dielli, nga të qeshurat, me ato që do të na tregosh) nuk përputhet me fjalinë suedisht: “Scoutheder, sade David. Må jag falla död ner på denna fläck om jag inte skrattar ihjäl mig när jag höra det”, prandaj duhet të jetë: “Vëzhgues i nderuar, tha Davidi. Mund të bie i vdekur në këtë damkë, nëse nuk plasi së qeshuri kur ta dëgjoj”. Siç duket në vend të shprehjes “nëse nuk plasi së qeshuri kur ta dëgjoj” përkthyesi ka përdorur shprehjen frazeologjike “i kthej patkonjtë nga dielli” që ka kuptimin përbuzës të vdekjes dhe të ngordhjes, të cilën autorja nuk e përmend. Në fjalinë tjetër: “Det var säkert en tvåtimmarshistoria om en björn” (Duhet të ishte me siguri ndonjë histori me arinj e gjatë nja dy orë) përkthimi është i paqartë. Vetëm kompozita suedeze “tvåtimmarshistoria” tregon që është fjala për histori dy orësh, prandaj me masën e njëjtë të fjalëve duhet të jetë: “Ishte një histori e sigurt dy-orësh për ariun”. Suedi, 2018

About xhzeqiri

x

Check Also

Biserko: Edi Rama ishte politikani i parë që pranoi ndarjen e Kosovës

Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, nuk gjendet në tryezën e bisedimeve mes të ...