Home / Opinion / SHAMITË PENGOJNË PROCESIN SHKOLLOR

SHAMITË PENGOJNË PROCESIN SHKOLLOR

Shkruan: Beqir Elshani

“Sherri i shamive”, kështu quhet titulli i shkrimit në gazetën Koha Ditore të datës 5 maj 2007. Ngjarja zhvillohet në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Besianë, ku nxënësve u këshillohet të mos vënë shami, por jo edhe minifunde. Lidhur me këtë, në faqen shqiptare liriakombtare u botua një revoltë fanatike e Forumit Mysliman të Kosovës, e cila ndjehet e shqetësuar me rastin e tentimit të mohimit të të drejtave njerëzore të garantuara me Deklaratën e përgjithshme mbi të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, për dy nxënëse të shkëlqyeshme dhe me sjellje shembullore të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Besianë, nga ana e drejtorit, Naim Salihu, janë kërcënuar se po qe se nuk i heqin shamitë nga koka do të përjashtohen nga e drejta e vijimit të mësimit të rregullt në prag të përfundimit të vitit shkollor, kështu përfundon citati, që me të drejtë mund quhet ultimatum nga qarqet fetare. Ndonëse është fjala për heqjen e shamisë sipas rregullores së gjimnazit, Forumi Mysliman është ankuar sikur të ishte fjala për heqjen e kokave. Dihet që kundërshtimi ndaj procesit mësimor vjen nga një grup fanatik (jofetar), sepse fetar është mbarë populli shqiptar i Kosovës, kurse fanatikët janë të paktë. „Është një hipokrizi të tregohesh shumë fetar”, shkruan dijetari ynë, Sami Frashëri. Ky është realiteti që shihet: pakica fanatike kundër shumicës përparimtare. Të tillët që fetarisht kundërshtojnë rregulloren e frytshme të gjimnazit „Aleksandër Xhuvani“ nuk mund të quhen ndryshe pos ndërhyrje në punët e brendshme në institucionet arsimore. Kjo do të ishte sikur dikush të hynte në shtëpi të huaj dhe të thoshte se anëtarët e familjes duhet të vishen me rroba të kuqe, se dhomat duhet lyer me ngjyrë blu, se mishi i gjedhit duhet të blihet në shitoret „hallall“ dhe kështu me radhë. Prandaj mospajtimi i kryeimamit rreth qortimit të vajzave për veshje shkollore është i padrejtë, të cilët jo vetëm që nuk kanë të drejtë të përzihen në rregulloren dhe në procesin e edukimit të nxënësve, por edhe mund të dënohen nga organet gjyqësore.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Mimoza Hasani, shton se “në rast se nxënësit apo nxënëset i thyejnë rregullat e përcaktuara, atëherë drejtoria e shkollës duhet të ndërmarrë masat adekuate”. Kjo do të thotë se të gjithë nxënësit kanë pranuar të bëhen bijë të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” me rregulloren juridike dhe pedagogjike. Ashtu siç bëhet vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, bëhet edukimi i nxënësve për të parandaluar rrezikun nga rrymat e reaksionit kundërkombëtar. Prandaj askush nuk ka të drejtë të përzihet në detyrat shtëpiake të gjimnazit, përndryshe do të dënohen si nga ana e popullit, ashtu edhe nga ana e gjykatës. Ju lutem, qytetarë! Duhet të mësoheni që të respektohet ligji, rregullorja, përndryshe shteti, nuk funksionon për së mbari! Është për të ardhur keq që Forumi Mysliman i Kosovës, ku për qëllime të propagandës fetare thekson suksesin shembullor të nxënësve. Ky vlerësim i Forumit Mysliman të kujton Komitetin Komunal, i cili dikur nxiste pikërisht nxënësit e aftë nga familjet me synime të sistemit jugosllav. Nuk ka asnjë dyshim që suksesi i vajzave me shamia është për çdo lëvdatë, megjithatë kumbon sikur nxënëset tjera janë të dobëta. Çdo respekt për suksesin e tyre, mirëpo nxënësit dhe nxënëset duhet të vishen me uniformën shkollore, jo si vishen fetarët: qoftë katolikë, ortodoksë apo myslimanë. Me të drejtë mund të thuhet se fanatikët po bëhen agresivë, janë në gjendje që me dy-tri nxënëse ta pengojnë procesin edukativo-mësimor. Të vishet dikush me tendencë fetare, do të thotë të veçohet nga shoqet dhe shokët e klasës që vishen me rroba të zakonshme. Në vitet “60-ta shumë vajza kanë luftuar kundër zakoneve prapanike, të cilat me kalimin e kohës i hoqën shamitë dhe dimitë të imponuara nga pushtuesi osman. Prandaj të bëhesh „dashamir“ për bartjen e shamisë dhe perçes së pushtuesit 500-vjeçar do të thotë sikur populli shqiptar të mohojë kostumin kombëtar dhe të pranojë kostumin e imponuar serb pas 100 vjetësh nën pushtimin serb.

Deklaratën e maturantit të gjimnazit lidhur me rregullat fetare nuk e tha ndonjë qytetar që e ka përjetuar komunizmin, por një maturant i rritur dhe edukuar në kohën e demokracisë. Prandaj vlen t’i sqarohet jo vetëm maturantit, por gjithë qytetarëve, se krahasimi i bashkësisë myslimane nuk është i drejtë. Të tillët që thonë se është kthyer sistemi komunist, që dikur ndalonte zbatimin e fesë, i bëjnë nder ish-socializmit jugosllav, që do të thotë se me të vërtetë ka qenë sistem arsimdashës dhe ka kontribuar në emancipimin e popullit. Nëse ndonjë fetar ankohet se në kohën e komunizmit ka qenë e ndaluar bartja e ferexhesë në shkollë, unë do t’ia puthsha nenin e rregullores së arsimit shqiptar. Kjo do të thotë se dikur të gjithë nxënësit pa dallime fetare dhe gjinie bartnin uniformën shkollore, disiplinë pedagogjike që sot mbahet në mend. “Megjithatë Toka sillet”, thonë astronomët, prandaj rregullorja e shkollës duhet të respektohet pa marrë parasysh sistemin shtetëror. Rrobat e bardha, sipas babait të mjekësisë, Hipokratit, tregojnë gjendjen fisnike të mjekut para pacientëve të shtresave të ndryshme, po ashtu edhe nxënësit me mësuesit duhet të tregohen fisnikë ndaj shokëve dhe shoqeve të klasës dhe të mbarë shkollës pa dallime sociale e fetare. Tekembramja, të gjitha sistemet ndryshojnë, mirëpo rregullorja e arsimit shkollor mbetet e paprekur. Mos do të thotë kjo nëse ndonjë mjek ka diplomuar në kohën e komunizmit, pacientët të mos pranojnë të kontrollohen.

Bartja e uniformës shkollore është sa modeste aq edhe fisnike, që do të thotë shuarja e dallimeve shoqërore dhe fetare në mes nxënësve, ky është një hap madhështor që i afron nxënësit. Detyrimi i bartjes së shamive, do të thotë të thyhet bashkëjetesa e nxënësve në vendlindjen e tyre. Mjekët nuk e veshin uniformën e bardhë vetëm si rrobë e punës, por ata e veshin për t’u treguar fisnikë ndaj gjithë pacientëve pa dallime shoqërore, racore, kombëtare, etnike dhe fetare. Prandaj theksimi i dy nxënësve me sukses të lartë tregon tendencën propagandistike të Forumit Mysliman, si qëllim për të ndarë rininë shqiptare. Nuk ka asnjë dyshim që shumë familje shqiptare nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të dallohen nga motrat dhe vëllezërit e tyre me konfeksione të ndryshme fetare. Asnjë prind shqiptar i konfeksionit mysliman nuk pranon që vajzat dhe djemtë e tyre të veçohen nga vajzat shqiptare të konfeksionit katolik dhe ortodoks. Të gjithë fëmijët kanë një gëzim me flamur kombëtar, një gjuhë kombëtare, një traditë kombëtare dhe një zot që i përkasin një brumi shqiptar. Prandaj Forumi Mysliman, mos ua prishni lumturinë e fëmijëve tanë, ata janë ardhmëria dhe bukuria e atdheut tonë! Me të drejtë mund të thuhet se Shqipëria Etnike është flamurtare e mbrojtjes së atdheut, gjuhës dhe traditës kombëtare, të cilën e argumenton edhe historia e civilizimit botëror. Përkundrazi, në dallim me Shqipërinë Serbia ka përparuar me ideologjinë fashiste, duke brumosur popullin serb me fenë ortodokse. Prandaj atë që ka bërë Serbia e ardhur sado vonë nga Karpatet e thella, nuk e bën dot Shqipëria e lashtë dhe autoktone ilire me cilëndo fe. Kjo dihet, sepse krenaria kombëtare e popullit shqiptar është shqiptaria me prejardhje iliro-pellazge.

Sa i përket shënimit se Forumi Mysliman i Kosovës është organizatë joqeveritare e shoqërisë civile të myslimanëve shqiptarë dhe të tjerëve në Kosovë, me keqardhje më duhet të theksoj se ky forum po përzihet në detyrat e brendshme të institucionit arsimor. Prandaj këshilla e popullit shumicë që fëmijët e tyre ia kanë besuar atdheut, nuk dëshirojnë që Forumi Mysliman të përzihet në çështjen arsimore të shkollës. Se Forumi Mysliman është emocionuar, shihet kur drejtorit të shkollës, Naim Salihu, i thotë se në vend se që t’i heq shamitë dy nxënësve shembullore, le të provojë t’i heq shamitë nga koka e nënës apo gjyshes së tij. Ky kërcënim tregon se Forumi Mysliman është i nxitur nga qarqet kundërshqiptare, që mundohen të shkatërrojnë kombin dhe demokracinë shqiptare. E meta e drejtorit dhe sekretarit të gjimnazit „Aleksandër Xhuvani“ është që ata tregohen zemërbutë përballë kërkesave reaksionare, në vend se t’i përmbahen rregullores. Rregullorja nuk është cicmic me i lue gurët, më thoshte një mik. Prandaj po të shkonte në gjimnaz jo vetëm nëna, por edhe gjyshja e drejtorit, do të hiqte shaminë, sepse shkollat, spitalet dhe fabrikat kanë rregulloren e punës dhe asnjë forcë qoftë individuale apo grupi, nuk ka të drejtë të përzihet në punët e brendshme të institucionit. Prandaj Forumi Mysliman, në vend se të falënderojë gjimnazin për suksesin shembullor të nxënësve, ai i kërcënohet. Duket qartë se është propagandë fetare, me anën e së cilës pengon punën arsimoro-pedagogjike. Mendoj se cilido prift dhe hoxhë i arsyeshëm do të bënte atë të madhërishmen, do të hapte shkollën dhe do të ndihmonte emancipimin e popullit, në vend të hapjes së kishës apo xhamisë, sepse shkolla ta bën kishën dhe xhaminë, jo të kundërtën.

Forumi Mysliman i Kosovës shkruan se edhe në të ardhmen do të zotohet në përparimin e lirive dhe të drejtave njerëzore duke konsideruar si e drejtë themelore edhe stilin e veshjes, ushqimin, pijen, muzikën, folklorin, artin etj. Këto fjalë do të ishin të forta po të ishte fjala për mbrojtjen e flamurit kombëtar, gjuhës shqipe dhe emancipimin e popullit shqiptar pa dallime fetare. Disa nxënëse, bija të fanatikëve në gazetën “Koha Ditore” flasin broçkulla, kinse gjatë shkollimit u rrezikohet jeta, prandaj bartin shami. Mos do të thotë kjo sikur vajzat me shamia janë më të mbrojtura dhe më të ndershme se mijëra vajza të sjellshme dhe të vyeshme pa shamia dhe pa minifunde. Duket qartë që Forumi Mysliman e ka humbur rrugën nga fanatizmi i vonuar mesjetar.

Në vazhdim, e drejta e praktikimit të fesë në vendet demokratike duhet të bëhet në objektet fetare dhe jo institucionet arsimore. Nuk është mirë që fëmijët e dy motrave në familje të ndryshme të dallohen me anën e rrobave: njëra me shami, tjetra pa shami. Fanatikët e teprojnë me frikësimin e vajzave të sjellshme ndaj disa vajzave që shkojnë me minifunde, të cilat zbulojnë pjesët e trupit. Nëse ato vajza janë kundër minifundeve (për këtë të gjithë jemi), prandaj le të vishen me fustan të zakonshëm jo me minifund të çoroditur, por as me shami. Prandaj kërkohet që më së mirë të respektohet rregullorja e shkollës dhe nxënësit të veshin uniformën shkollore, ashtu siç bëjnë spitalet, fabrikat dhe kazermat ushtarake në shërbim të ndërtimit dhe mbrojtjes së atdheut. 2007.05.09

(Marrë nga albaniapress)

About xhzeqiri

x

Check Also

Biserko: Edi Rama ishte politikani i parë që pranoi ndarjen e Kosovës

Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, nuk gjendet në tryezën e bisedimeve mes të ...