Home / Opinion / HISTORIA E ASNJË POPULLI DHE SHTETI TË ILIRIKUT (BALLKANIT) NUK MUND TË SHKRUHET PA SHQIPTARËT

HISTORIA E ASNJË POPULLI DHE SHTETI TË ILIRIKUT (BALLKANIT) NUK MUND TË SHKRUHET PA SHQIPTARËT

Çfarë historie të përbashkët mund të shkruajnë sot bullgarët dhe sllavët e Maqedonisë pa shqiptarët, përderisa faktet historike dëshmojnë se, pa shqiptarët nuk mund të shkruhet historia e asnjë shteti dhe populli të rajonit, sidomos historia e popullit serb, grek, bullgar, malazez, boshnjak, kroat, as edhe e popullit turk dhe popullit rumun dhe të tjerë? Historia e popujve dhe shteteve ballkanike (Ilirikut) nuk fillon me pushtimet barbare gjatë dy shekujve të fundit, as me periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane dhe as të Mbretërive serbe, bullgare e greke të shek. XIX, as me regjimet komuniste satelite të Rusisë në rajon, pas Luftës së Dytë Botërore, një histori e përgjakur pushtimesh të trojeve shqiptare, me masakra, gjenocid e dëbime me dhunë të popullsisë autoktone shqiptare, nga viti 1878, 1913, 1945 dhe më vonë.
Çfarë historie të përbashkët mes popullit bullgar, grek dhe sllav të Maqedonisë mund të shkruajnë pushtetet aktuale të këtyre shteteve dhe institucionet akademike të tyre, përderisa gjatë një shekulli, nga viti 1904-1992, regjimet e këtyre shteteve kanë nënshkruar dhe zbatuar mbi 20 marrëveshje politike dhe ushtarake me karakter pushtues mbi trojet etnike shqiptare, për pushtimin dhe copëtimin edhe të krahinës së Maqedonisë, të banuar me shumicë shqiptare deri në fillim të shek. XIX?
(16 maj 2021)
Për më tepër, lexoni:
Analizë
KONTESTI MES BULLGARISË DHE MAQEDONISË VERIORE I IMPONUAR NGA POLITIKA DITORE
Nuk ka dyshim se populli bullgar është tepër miqësor ndaj fqinjëve të tij, se ka traditë qytetërimi dhe orientim evropian, por pushteti aktual, si në secilin shtet të rajonit, kujdeset më tepër për interesa të veta, jo edhe të qytetarëve e të shtetit. Këtë e dëshmon edhe hapja e kontesteve të vjetruara për çështje të historisë, gjuhës dhe identitetit të popullit maqedonas, në kohë jo të duhur dhe në mënyrë të papërshtatshme, që mund të shërbejë vetëm për thellimin e ndasive dhe nxitjen e urrejtjes mes dy popujve fqinj, jo për rritjen e mirëbesimit dhe forcimin e bashkëpunimit, që u mungon gjatë këhë këtyre dy popujve dhe popujve të tjerë të Gadishullit Ilirik.
1.
Hapja e kontestit politik mes Sofjes dhe Shkupit zyrtar, në momentin më të papërshtatshëm në kontekstin evropian, por të përshtatshëm sipas pushteteve aktuale të këtyre dy shteteve, në hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian, nuk duhet të lidhet vetëm me çështje të mosmarrëveshjeve mes këtyre dy popujve dhe shteteve fqinje për çështje të historisë, gjuhës, kulturës, përmbajtjeve mësimore në librat shkollorë, me rivlerësimin e ngjarjeve dhe personaliteteve nga e kaluara historike e largët dhe afërt, të përbashkët mes tyre, as me tentimin kinse të dashamirësisë së palës bullgare për “kthjellimin” apo heqjen dorë të elitave politike dhe intelektuale në Maqedoni për të kaluarën e tyre dhe “rrënjët bullgare”, siç thotë pala bullgare “heqjen dorë nga e kaluara komuniste serbe dhe jugosllave”, por hapja e këtij konteksti të imponuar siç duket është një projekt i përbashkët strategjik mes këtyre dy shteteve dhe shteteve të tjera sllave ortodokse të rajonit, për ruajtjen e ndikimit rus në rajon, për sabotimin e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike të vendeve të rajonit, sidomos kundër projektit Ballkani Perëndimor, ku nuk bën pjesë Bullgaria, Greqia dhe Rumania, ndërsa Serbia, si shtet tradicionalisht satelite e interesave ruse në rajon dhe Evropë, e ndjen veten tepër të rrezikuar në këtë projekt gjeostrategjik përballë shteteve të tjera fqinje në Ballkanin Perëndimor, me të cilat e lidhin përvoja dhe një e kaluar ndryshe, kur Serbia ka dominuar mbi ato shtete dhe popuj, si nën ish-Mbretërinë Jugosllave (SKS) edhe nën ish-Federatën Jugosllave (komuniste), e përkrahur nga Rusia dhe disa shtete evropiane, duke e shtrirë dhe forcuar mbi ato ndikimin rus.
2.
Si mund të shpjegohet ndryshe kjo lojë politike dhe diplomatike, përderisa mes pushtetit serb dhe atij bullgar në të kaluarën jo shumë të largët, edhe përkundër armiqësive historike mes tyre, janë nënshkruar gjithë ato marrëveshje të fshehta politike dhe ushtarake, nga viti 1904 e deri më sot? (Shih në vazhdim listën e marrëveshjeve)
Si mund të shpjegohet ndryshe kjo lojë, kur asnjëra palë nënshkruese e Marrëveshjes së Bukureshtit, më 1913 nuk është distancuar deri më sot, as nuk u ka kërkuar falje palëve të dëmtuara, në këtë rast për ndarjen e copëtimin e rajonit gjeografik të Maqedonisë mes tyre, përderisa nga të gjitha ato marrëveshje në vazhdimësi është cenuar kryesisht interesi kombëtar i shqiptarëve dhe janë copëtuar trojet etnike shqiptare, të ndara mes shteteve fqinje ballkanike nga viti 1913, jo më pak në këtë proces janë dëmtuar edhe interesat e banorëve vendës të Maqedonisë, sllavë dhe të tjerë?
Për tri dekada me radhë, nga viti 1991, me pavarësimin e Republikës së Maqedonisë e deri më sot, asnjëherë të vetme Sofja zyrtare nuk ka reaguar për mbrojtjen e interesave të popullsisë bullgare në Maqedoninë e pavarur dhe demokratike, përkundrazi e ka pranuar e para shtetin e Maqedonisë së pavarur, e ka ndihmuar politikisht dhe ushtarakisht pushtetin e këtij shteti gjatë krizave politike të brendshme e të jashtme, edhe gjatë konfliktit të armatosur me shqiptarët në vitin 2001. Sofja zyrtare nuk ka reaguar asnjëherë për mospërfshirjen e popullsisë bullgare në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë (1991, 2001, 2019), siç janë përfshirë serbët, vllahët, turqit, romët apo boshnjakët dhe të tjerët. Nuk ka reaguar as për mospërfshirjen e përkatësisë etnike të qytetarëve me përkatësi bullgare në procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni (1991, 1994, 2002, 2011), nuk ka kërkuar respektimin e të drejtave të pakicës bullgare në Maqedoni sipas konventave ndërkombëtare (përkundër saj, pushteti dhe diplomacia e shtetit të Maqedonisë i ka kërkuar vazhdimisht të drejtat e pakicës maqedonase në Bullgari, edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Pse i janë dashur pushtetit të Bullgarisë plot tri dekada që ta shpreh sot hapur qëndrimin e tij, se Maqedonia është krijuar shtet nga viti 1944, siç thonë ata, nga ish-regjimi komunist jugosllav për interesa të tij, nga Kominterna, Tito dhe fuqi të tjera ndërkombëtare për interesat e veta?
Pse i janë dashur tri dekada pushtetit në Bullgari që ta thotë hapur, siç e thotë sot, se nuk pretendon në Maqedoni se ekziston ndonjë pakicë bullgare, por sipas tyre të gjithë banorët sllavë në këtë shtet duhet të konsiderohen bullgarë, të cilët kinse i ka manipuluar pushteti i derisotëm nën ndikimin e propagandës serbe e jugosllave, për t’i larguar e tjetërsuar nga qenia dhe identiteti i tyre i mëhershëm bullgar?
Pala bullgare nuk ka reaguar as në momentin kur për datë të mbajtjes së Referendumit për pavarësimin e Maqedonisë nga ish-Jugosllavia, më 8 shtator 1991, Shkupi zyrtar, elitat politike dhe intelektuale të vendit atëkohë e zgjodhën një datë tepër të diskutueshme për raportet mes këtyre dy shteteve, 8 Shtatorin e njohur si ditë e krijimit të shtetit të dytë bullgar, më 1944, të cilësuar nga historiografia maqedonase si “shtet kuisling fashist”, si dhe çështje të tjera politike dhe identiteti, të kontestuara mes këtyre dy shteteve dhe dy popujve fqinj ndër dekada?!
3.
Ndër të tjera, pushteti aktual në Bullgari, me përkrahje edhe të disa qendrave politike dhe intelektuale, në radhët e Akademisë, institucioneve shkencore dhe medieve, që t’ia imponojnë Maqedonisë Veriore dhe banorëve të saj edhe shënimin e festës kombëtare bullgare, që 3 Marsin ta shënojnë si festë nacionale, duke u shtirur kinse së bashku me elitat politike vendëse në Maqedoni nuk kanë punuar fshehur për realizimin e këtyre interesave që nga viti 1990.
Pse duhet të ngrihen sot mjegulla mashtrimi e t’u hidhet hi syve qytetarëve përpara së vërtetës, kur është fakt imponimi i kësaj date, e 3 Marsit, që të shënohet si festë e Komunës së Tetovës, që nga viti 1992, për tri dekada me radhë, edhe atë, në një komunë e cila është qendër politike, kulturore dhe kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni? Pse kjo datë nuk iu imponua një komune tjetër në Maqedoninë lindore apo qendrore, për shembull Komunës së Gjevgjelisë, të Strumicës apo të Dellçevës, por Komunës së Tetovë?!
Çfarë nënkupton mohimi i identitetit të veçantë, i historisë dhe gjuhës maqedonase nga pushteti bullgar sot, kur ka vite që në kryeqendrën e shtetit të Bullgarisë është ngritur dhe funksionon një qendër e madhe për afirmimin e këtyre vlerave në këtë shtet fqinj, përmes Qendrës Kulturore Informative të Maqedonisë Veriore në Sofje, sipas një marrëveshje të vitit 2003, ngjashëm funksionon edhe Qendra Kulturore Informative e Bullgarisë në Shkup? Ky bashkëpunim duhet të vazhdojë dhe të thellohet edhe më tej, jo të krijohen pengesa të reja mbi ato të vjetrat, të trashëguara nga e kaluara. Ka shumë për të korrigjuar dhe ndryshuar në historinë e popujve ballkanikë, sidomos në historinë e popullit maqedonas, të stërngarkuar me ideologji komuniste dhe prirje proserbe, por këtë çështje duhet ta zgjidhin hap pas hapi forcat e reja politike dhe intelektualë të shteteve përkatëse, të udhëhequr nga autoritete shkencore të pavarura nga pushtetet, jo nga politika aktuale e mbytur në korrupsion.
4.
Faktori politik shqiptar në Maqedoninë Veriore duhet t’i ketë parasysh këto fakte, të mos bëhet pre e manipulimeve të sotme dhe lojërave të fshehta mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare, por ta shikojë interesin e popullit që e përfaqëson, duke kontribuar që sa më shpejt të tejkalohen këto dallime dhe mosmarrëveshje mes dy shteteve dhe popujve fqinj, ndërsa problemet e historisë dhe çështjet e kulturës dhe gjuhës të lihen në kompetenca të institucioneve përkatëse shkencore, politika të hiq dorë nga këto manipulime, sidomos të mos ngatërrohen çështjet e historisë, kulturës, gjuhës dhe identiteteve me proceset politike, të kultivohet fqinjësia e mirë dhe hapja e perspektivës evropiane për këto dy vende dhe të gjitha vendet e rajonit, pa imponime dhe kushtëzime të ndërsjella.
Popujt dhe shtetet ballkanike kanë nevojë më tepër se kurë, për bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë, paqe, progres dhe perspektivë evropiane. Politikat dhe marrëveshjet e fshehta mes pushteteve aktuale duhet të ndërpriten, përderisa i dëmtojnë edhe interesat e vendeve të tyre, të vendeve fqinje dhe e cenojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare!
Përsëritja e lojës politike, kësaj radhe nga Bullgaria fqinje, si pengesa afër tridhjetëvjeçare më parë nga Greqia fqinje, me kontestin e emrit të shtetit të Maqedonisë, nuk mund t’i shërbejë sot interesit të askujt, as të shtetit dhe popullit bullgar. Përkundrazi, nxitja e urrejtjes dhe e ndjenjës së mosdurimit mes banorëve në të dy vendet, hapja e plagëve nga e kaluara nuk mund t’u shërbejnë proceseve demokratike, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, zhvillimit dhe progresit në këto dy vende dhe në vendet tjera të rajonit. Pse duhet të nxiten dhe tolerohen ofendime të rënda mbi baza nacionale mes banorëve në të dy vendet, përderisa nga kjo mund të përfitojnë vetëm klanet mafioze në pushtet, një grusht pontianësh e pushtetarësh të korruptuar dhe askush tjetër.
5.
Nëse pala bullgare, në këtë rast pushteti aktual, ka bindje për një realitet ndryshe, të imponuar me dhunë nga ish-regjimet e mëhershme në Maqedoni, nuk duhet të pritet si me kontestin për emrin e shtetit të Maqedonisë nga pala greke, por le të kërkojë nga Shkupi zyrtar dhe nga faktori ndërkombëtar sa të jetë e mundur më parë të organizohet një referendum në Maqedoni për sqarimin e plotë të këtyre kontestimeve nga pala bullgare, në lidhje me identitetin e banorëve vendës dhe gjuhën maqedonase, edhe pse kjo do të ishte jodemokratike dhe joqytetëruese, sidoqoftë nga imponimi i kësaj situate sigurisht se do të ishte një zgjidhje më e drejtë se sa kontestimi me vite të tëra dhe bllokimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE.
Përfundimisht, edhe pala bullgare duhet të jetë e vetëdijshme se nuk kalojnë mashtrimet e shek. XIX dhe XX edhe në rrethanat e sotme, kur secili popull, pa edhe një individ i vetëm, kanë të drejtë ta deklarojë hapur bindjen e tyre, edhe deklarimin e lirë dhe pa imponime të përkatësisë etnike.
Secili njeri me mendje të shëndoshë është i vetëdijshëm se, përveçse me forcë dhe në mënyrë të dhunshme, askujt nuk mund t’i ndryshohet bindja se cilit popull i përket dhe cilën e ka gjuhë të veten amtare, cilat ngjarje dhe figura historike duhet t’i respektojë si vlera të veta dhe cilat t’i vlerësojë si vlera të huaja, histori okupimi e sundimi të huaj.
Edhe Sofja zyrtare duhet ta dijë se Maqedonia Veriore nuk është shtet nacional vetëm i popullit maqedonas, se popullsia sllave e këtij shteti nuk përbën shumicë, prandaj, as me argumentin e forcës nuk mund t’i imponohet nga jashtë, sidomos nga shtetet fqinje, se cila duhet të jetë e ardhmja e tij, për shkak të kontesteve historike mes dy popujve, atij bullgar dhe sllav të Maqedonisë Veriore.
Lini njerëzit të qetë, le të jetojnë të lirë, se edhe ashtu kanë shumë halle e vuajtje, të shkaktuara nga pushtetet e kaluara dhe regjimet jodemokratike, sidomos nga periudha e diktaturës komuniste, e cila nuk ka qenë më pak e dhunshme e johumane ndaj popullit bullgar, si edhe ndaj popullit të Maqedonisë dhe popujve të tjerë në shtetet e ish-bllokut komunist.
Mbeturinat e regjimit komunist duhet të mos mbeten edhe më tej pjesë e pushteteve në asnjërin nga shtetet e rajonit, që këtyre popujve të mos u përsëritet historia, të hapen shtigje të reja për një të ardhme ndryshe të tyre, në paqe, bashkëpunim dhe mirëkuptim, për perspekivë evropiane, sjellje më qytetëruese ndaj njëri-tjetrit, pa urrejtje dhe tendenca për dominim.
(2 shkurt 2021)
MARRËVESHJET PËR NDARJEN E MAQEDONISË, NGA VITI 1904 DERI MË SOT:
Të gjitha këto marrëveshje mes shteteve aleate sllave -ortodokse, përherë janë organizuar me ndikimin dhe përkrahjen e Rusisë, kryesisht në dëm të interesave kombëtare dhe të trojeve etnike shqiptare.
1. Marrëveshja për Aleancë mes Mbretërisë Serbe dhe Mbretërisë Bullgare, nënshkruar në Beograd, më 30 mars 1904;
2. Marrëveshja për miqësi mes Mbretërisë Serbe dhe Mbretërisë Bullgare, nënshkruar në Beograd, më 30 mars 1904;
3. Nënshkrimi i Protokolli nga përfaqësuesit e Mbretërisë Serbe dhe Mbretërisë Bullgare, më 30 mars 1904;
4. Marrëveshja serbe-bullgare për ndarjen e Maqedonisë (12 prill 1904);
5. Marrëveshja serbe-bullgare për ndarjen e Maqedonisë (13 mars 1912);
6. Marrëveshja serbe-greke për ndarjen e Maqedonisë (19 maj 1913);
7. Marrëveshje për Aleancë mes Bullgarisë dhe Serbisë, më 29 shkurt 1912;
8. Nënshkrimi i Aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për miqësi dhe bashkëpunim mes Bullgarisë dhe Serbisë, më 29 shkurt 1912;
9. Deklaratë në lidhje me Marrëveshjen për aleancë mes Bullgarisë dhe Serbisë, më 16 maj 1912;
10. Konventë ushtarake lidhur mes Bullgarisë dhe Serbisë, më 19 qershor 1912;
11. Marrëveshje mes Shtabeve të Armatave të Bullgarisë dhe Serbisë, 19 maj 1912;
12. Marrëveshje mes Gjeneralshtabeve të Bullgarisë dhe Serbisë, 15 shtator 1912;
13. Konventë ushtarake e lidhur mes Bullgarisë dhe Greqisë, 22 shtator 1912;
14. Protokoll për lidhjen e Marrëveshjes për Aleancë mes Greqisë dhe Serbisë, të nënshkruar më 22 prill/5 maj 1913;
15. Konventë ushtarake e lidhur mes Mbretërisë së Greqisë dhe Mbretërisë së Serbisë, e nënshkruar më 1/14 maj 1913;
16. Marrëveshje për paqe mes Turqisë dhe shteteve aleate ballkanike, më 17/30 maj 1913;
17. Marrëveshje për Aleancë mes Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Greqisë, 19 maj/1 qershor 1913;
18. Konventë ushtarake mes Mbretërisë së Greqisë dhe Mbretërisë së Serbisë, 19 maj/1 qershor 1913;
19. Marrëveshje për ndarjen e Maqedonisë, mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, (me përkrahjen e Rusisë) Bukuresht, 10 gusht 1913;
20. Marrëveshje e fshehtë mes Greqisë dhe Serbisë (me pjesëmarrjen edhe të Bullgarisë, Presidenti bullgar Zhelo Zhelev e ka kundërshtuar), e njohur si Marrëveshja Micotakis-Millosheviq, për ndarjen e Maqedonisë, një vit pas pavarësimit të saj, më 1992.
Etj.
Shënim: Gjatë viteve të fundit është aktivizuar sërish Aleanca e shteteve sllave-ortodokse në Ballkan, për çdo vit kanë mbajtur samite të nivelit më të lartë shtetëror (Selanik-Greqi, Varna-Bullgari, Beograd-Serbi), me pjesëmarrje të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

(11 mars 2018)

May be an image of map dhe tekst

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...