Home / Lajme / PAGËZIMI DHE MARTESAT SHQIPTARE

PAGËZIMI DHE MARTESAT SHQIPTARE

Shkruan: Beqir Elshani

Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë

Kaloi koha kur Bibla dhe Kur´ani lexoheshin në gjuhët origjinale. Tani këta libra të shenjtë botohen të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Sot lypset që populli shqiptar t´i pagëzojë fëmijët me emra vetjakë shqiptarë. Gjuha shqipe, jo vetëm që është një ndër gjuhët më të vjetër në Ballkan dhe në Evropë, por ka edhe fushë të gjerë antroponimie. Shqiptarët le të shkojnë edhe në xhami, edhe në kishë, por të detyrohen që fëmijët e tyre të pagëzohen me emra vetjakë të gjuhës dhe kulturës shqiptare, sepse mbi të gjitha, siç shkruan Pashko Vasa, feja e shqiptarit është shqiptaria.

Institucionet fetare duhet të bashkëpunojnë me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë rreth pagëzimit të fëmijëve me emra të antroponimisë shqiptare. Emrat vetjakë shqiptarë mund të botohen si shtesë edhe në fjalorët e ndryshëm të gjuhës shqipe. Si ndihmës literature është edhe libri me emra shqiptarë i botuar nga autorët Qamil Batalli dhe Hasan Hasani: “Si t´i pagëzojmë fëmijët. Këtë libër është kënaqësi ta ketë çdo familje shqiptare, i cili njëherit kryen funksionin e leksikonit nga fusha e antroponimisë së trashëgimisë ilire-shqiptare. Vetëm nga emri i mbretit ilir Genci mund të përfitohen emra të ndryshëm, siç janë: Genti, dhe Gentiani të gjinisë mashkullore, kurse Genta e Gentiana të gjinisë femërore. Pastaj nga emri i vjetër i qytetit ilir Theranda, mund të përfitohen emra të ndryshëm po aq edhe të bukur: Erandi dhe Eranda. Jo vetëm kaq, emrat e gjuhës shqipe janë elastikë, që vetëm nga emri i përgjithshëm drita të gjinisë femërore mund të krijohen emra të përveçëm, siç janë: Drita, Dritana, Dritare, Dritëza, Dritime, Dritona, Dritore, Dritushe, të gjinisë femërore dhe, Dritani, Dritëro, Dritimi, Dritoni, Dritori, Dritoshi, Dritushi të gjinisë mashkullore; por edhe emra të përngjitur Dritjona dhe Dritjoni etj.

Sipas librit ”Si t’i pagëzojmë fëmijët” (me emra të renditur alfabetikisht), i cili është i ndarë në dy gjini kryesore: mashkullore dhe femërore, shihet se emrat në gjuhën shqipe të gjinisë mashkullore marrin mbaresën e trajtës së shquar ~i dhe ~u; p.sh.: Artan~i, Sokol~i, Astrit~i, Gjerak~u, Zambak~u; Adriatiku, kurse emrat e gjinisë femërore marrin mbaresën e trajtës së shquar ~a: Alban:ë~a, Abetar:e~ja, Emir:ë~a,  Sarand:ë~a, Vjos:ë~a,  etj. Duhet pasur parasysh se këtë veçori karakteristike me mbaresa morfologjike që kanë të gjithë emrat e përveçëm në gjuhën shqipe nuk e kanë emrat e huazuara nga gjuhët e huaja, siç janë emrat mashkullorë: Nikoll:ë~a, Gjok:ë~a, Tom:ë~a, Mustaf:ë~ai, Zek:ë~a, Dem:ë~a, Ram:ë~a etj.

Këshillohet që fëmijët e prindërve shqiptarë të kenë emra të trashëgimisë kulturore shqiptare, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare; në mënyrë që emri Drita dhe Dritani të jetë i barabartë për të gjithë fëmijët e ardhshëm shqiptarë pa dallim feje. Është fjala vetëm për pagëzim me emra të fjalorit të gjuhës shqipe, pa i cenuar normat fetare. Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë me emra të trashëgimisë të rrënjës ilire-shqiptare është detyrë e shenjtë ndaj gjuhës dhe ndaj atdheut. Kundërshtimi fanatik i pagëzimit me emra shqipe, njëherit do të thotë kundërshtim me Biblën dhe Kur’anin shqip. “Zakonet e lindjes janë shumë të vjetra dhe i takojnë stadit të paganizmit. Prandaj fetë e reja, krishtere dhe muhamedane sado që kanë prekur e kanë ndikuar në ritet e lindjes, prapëseprapë nuk ia kanë dalë në krye ta zhdukin elementin pagan, i cili madje edhe dominon”, shkruan Dr. Demush Shala në librin e tij universitar “Letërsia popullore”.

Ne kemi pasur raste kur disa fëmijë shqiptarë ankoheshin tek prindërit e tyre: përse nuk quhen Teuta, Agim apo Dardan, por Osman dhe Zarife ose Pjetër dhe Katarina. Me anën e këtyre emrave jashtë leksikut të gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë krijohet një kompleks me pasoja psikologjike. Gjatë mësimit të gjuhës suedeze mësuesja praktikonte që në tabelë të shkruante emra të ndryshëm të nxënësve sipas përkatësisë së tyre kombëtare, ku në klasë ishim dy shqiptarë me përkatësi të ndryshme fetare, atëherë ne detyroheshim që të tregonim emra vetjakë shqiptarë, dhe jo fetarë, siç janë: Korabi, Lindita, Zana, Gëzimi, Artani etj. Për çdo kritikë është edhe pagëzimi me emrat e personaliteteve të ndryshme botërore, siç janë: Albert, Elvis, Robert, Indira, Elizabeta, Suzana, që janë krejtësisht të huaja dhe kumbojnë si emra karrieristë të kozmopolitizmit. „Si shenjë e kësaj vazhdimësie, fëmijëve shqiptarë kur lindin, u vihen emra ilirë, – shkruan studiuesi anglez Robert Elsie në librin e tij Historia e letërsisë shqiptare. Pagëzimi i fëmijëve të porsalindur me emra bashkëkohorë shqiptarë, njëherit do të thotë emancipim kombëtar të cilën shovinizmi serb me çdo mjet e ka penguar.

Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë me emra shqip ka edhe një përparësi të madhe në fushën e informatikës kompjuterike. Nëse në bibliografinë e korporatës google kërkojmë emrin e një shqiptari që quhet Hasan apo Suzana, në regjistrin e internetit do të paraqiten me dhjetëra faqe me emra të popujve të ndryshëm në botë, dhe është bukur vështirë të dallohen nëse Hasani apo Suzana janë shqiptarë. Kurse po të kërkohen emrat e shqiptarëve në gjuhën shqipe pa dallime fetare, rezultati në internetin shqiptar do të shfaqen më shpejt dhe do të dallohen më saktë se emrat joshqiptarë. Pikërisht emri Patriot është i mirë, ka kuptimin e njeriut që do atdheun dhe popullin e vet, mirëpo është emër neolatin.

Këtë fond kaq të pasur e të mrekullueshëm me emra të toponomastikës ilire-shqiqptare na e ka zili tërë Evropa, prandaj ne duhet të bëhemi fanatikë për ruajtjen e trashëgimisë së emrave shqiptarë. Emri i popullarizuar Ana është përhapur në mbarë botën e konfeksionit katolik dhe ortodoks. Ky emër i bukur që shqiptohet dhe shkruhet me dy shkronja të parë të abëcësë shqipe, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, do të thotë drejtim, krah, pjesa, dhe anije, skaj, buzë, vendi, ana e lumit, e detit, e kodrës, ana e jugut dhe e veriut, ana jonë, ana e kundërt, në të katër anët, anë për anë, pastaj kompozitat: anamali, anadrini, anembanë, anëdeti, anasi etj. Të gjithë shqiptarë anembanë botës i lidh vetëm abeceja dhe gjuha shqipe, prandaj duhet që edhe emrat e fëmijëve të jenë me burim të gjuhës iliro-shqiptare.

Sa i përket emrave historikë të kulturës, letërsisë dhe historisë kombëtare, siç janë të: Sami dhe Naim Frashërit, Mihail Gramenos, Sevasti Qiriazit, Bajram Currit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Adem Jasharit, Fehmi Lladrovcit etj. janë emra personalitetesh të shquara kombëtare që populli shqiptar i nderon, me emërtimin e rrugëve të qyteteve, objekteve shkollore, klubeve si dhe shumë institucioneve të ndryshme kulturore. Duhet të kemi parasysh dashurinë e tyre të madhe ndaj Nënës Shqipëri, prandaj dëshirohet që fëmijët të pagëzohen vetëm me emra të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Konkretisht porosia ime e fundit që do t´ju lë fëmijëve të mi është që emri im Beqir të nderohet si personalitet familjar, por jo të trashëgohet, sepse nuk i përket fjalorit të gjuhës shqipe; kurse emrat e fëmijëve të mi, për të cilët kam bërë një luftë kundër ndikimit fetar: Arben, Dritan, Dardan, Adriatik dhe Genta janë emra shqiptarë, ndaj mund të trashëgohen brez pas brezi. Kujtoni urtësinë e poetit të madh, Naim Frashëri “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë”. Me këto vargje atdhedashurie obligohet që çdo shqiptar t´i dalë zot çështjes sonë të madhe kombëtare.

Mbiemrat e bukur me burime shqiptare

Ashtu siç është e pasur gjuha shqipe me emra të bukur njerëzish, është e pasur edhe me mbiemra të bukur dhe të vjetër fisnor: Kelmendi, Tomorri, Korabi, Frashëri, Krasniqi, Kuqi, Berisha, Gashi, Hoti, Thaçi, Kastrati, Elshani, Kodra, Lumi, Malaj, Zogu, Drini, Anamali, Fusha, Bjeshka, Sokoli etj. Duhet pasur parasysh se fusha e antroponimisë së mbiemrave shqipe nuk është e varfër, përkundrazi është shumë më e pasur se mbiemrat e mbarë popullit të madh gjerman. Kjo është për shkak se të gjitha fiset e vjetra ilire janë shkrirë në bërthamën e vetme shqiptare. Ilirët edhe pse ishin nën administratën e perandorisë romake, traditën dhe emrat e fëmijëve i kishin në gjuhën ilire – shqipe. Dihet që populli shqiptar nuk ka fise të pastra fetare, por vetëm fise me burime shqiptare. Për shembull fisi Berishë dhe Krasniq në Kosovë është i përzier në dy konfeksione fetare: katolik dhe mysliman. Në bazë të mbiemrave vetjakë shqiptarë të njerëzve ne mund të zbulojmë më lehtë përkatësinë kombëtare, sidomos në mërgatën shqiptare. Nëse në derën e banesës së shqiptarit në mërgatë shkruan me emër dhe mbiemër sipas përkatësisë fetare, bashkatdhetari e ka vështirë të konstatojë në është shqiptar. Në anën tjetër, të rinjtë shqiptarë me emra dhe mbiemra të traditës shqiptare shumë lehtë mund të identifikohen si shqiptarë në mërgatë. Kur dikush paraqitet me emër dhe mbiemër shqip Burim Kabashi, pa dyshim shihet se ky nuk është askush tjetër pos shqiptar pa dallime fetare. Njëkohësisht, me anën e emrave dhe mbiemrave të kulturës kombëtare, rinia shqiptare identifikohet shumë lehtë se është me burim shqiptar. Është e pamundur që familjet shqiptare të jenë pa mbiemra fisnorë të qytetërimit shqiptar, shumica e pleqve janë në gjendje të identifikohen me burim të djepit shqiptar, të cilët më vonë kanë marrë mbiemrin e ri mysliman sipas kryeplakut. Si vazhdim i traditës së kulturës iliro-shqiptare dallohen edhe bujqit shqiptarë, të cilët bagëtinë e tyre e thërrasin me emra të antroponimisë shqiptare, siç janë: Murroja, Kuqoja, Larushi, Bozhurja, Gala, Gjeraku, Rudina, Sokoli, Syska etj. Prandaj do të ishte krim po të thërrisnim bagëtinë shqiptare me emra sllav e turk.

Krahas transformimit të gjuhës shqipe duhet të transformohet edhe antroponimia e emrave dhe mbiemrave shqiptare. Dihet që gjuha shqipe është më e vjetër se kultura e pushtimit 500-vjeçar të perandorisë osmane, prandaj nuk jemi të detyruar që në mënyrë fanatike t’i përmbahemi mbiemrave sipas diktatit turk, e cila bie në kundërshtim me normat e gjuhës dhe traditës shqiptare. Ngjashëm porsi pushtuesi turk që me anën e emrave dhe mbiemrave turk u mundua të asimilojë popullin vendës shqiptar, të njëjtën gjë e zbatoi edhe pushtuesi serbosllav. Pushtuesit serbosllav nuk i pengonin emrat dhe mbiemrat me prejardhje turke, edhe pse antroponimia shqiptare është e djepit tërë kulturës evropiane, por donte që nën vellon e kësaj shqiptarët t’i merrte për turq dhe në fund t’i dëbonte në Anadolli. Për shembull emri themelor bunar është fjalë e gjuhës shqipe që rrjedh prej fjalës burim (bunim), mirëpo për inat të shqiptarëve historiografia serbe shkruan se është me prejardhje turke. Këtu shihet se si me anën e emrave dhe mbiemrave të huaj ishim objekt i torturimit dhe i ndjekjes nga ana e pushtuesve të ndryshëm. Këtë atmosferë të zymtë me mbiemra orientale e përjetuan sidomos shqiptarët e Kosovës verilindore, dhe të Maqedonisë. Sa i përket pagëzimit të fëmijëve me emra shqiptarë Shqipëria ka përparuar dukshëm, mirëpo në fushën e mbiemrave me përkatësi fetare është treguar fanatike. Me mbiemra turko/myslimane manovruan kryesisht serbo-malazezo-maqedonët, të cilët mbiemrin Hasani e ndryshonin në Hasanoviq dhe në Hasanovski. Prandaj ashtu siç dallohen popujt sllavë me anën e mbaresave -viq, –ski, suedezët –son (i biri), duhet të dallohen gjithë shqiptarët pa dallime fetare me mbiemra të etnogje-nezës ilire, sepse është në të mirën e kombit dhe atdheut tonë.

Plisi i bardhë dhe tungjatjeta

Shovinizmi serb shkoi aq larg, saqë këndoi himne raciste kundër pasthirrmës tradicionale tungjatjeta – që është përshëndetje karakteristike shqiptare, po aq e vjetër, siç është vetë plisi i bardhë dhe kostumi ynë kombëtar. Policia jugosllave në bashkëveprim me burokracinë shqiptare, e cila në Kosovë njihet si viti i inkuizicionit serb, bëri edhe një lojë të ndytë duke dënuar dhe larguar shumë të rinj shqiptarë nga shkolla dhe puna vetëm pse e bartnin plisin e tyre të bardhë tradicional. Në anën tjetër, derisa në Beograd fotografitë e Titos shkarraviteshin dhe përfundonin nëpër nevojtore publike; në Kosovë bëhej tmerr dhe panik po qe se në librin shkollor të nxënësit nuk figuronte fotografia e Titos. Ky ishte një lloj karremi shovinist për torturimin psikik të popullit shumë të vuajtur shqiptar me përmasa tragjike, ku si pasojë e torturimit psikik ra viktimë nxënësja e shkollës fillore në Gjilan. Kjo është një dukuri e rrallë në botë, që për shkak të mungesës së fotografisë së “qenit”, siç e quante populli shqiptar në atë kohë, ia larguan babain nga puna, ku pas tronditjes shpirtërore e bija bën vetëvrasje. Kjo ngjarje tronditëse të përkujton fshatarët trima zviceranë, ku sipas dramës ”Vilhelm Teli” të Fridrih Shilerit detyroheshin të nderonin kësulën e mbretit austriak të vendosur mbi një hu, përndryshe vriteshin dhe u merrej pasuria.

Këtu mungonte edhe angazhimin e personelit arsimor, që sipas normave pedagogjike ta pengonte komitetin komunal (inkuizicionin e kuq), që të mos ndërhynte në procesin mësimor të shkollës. Pra vetë shkollat duke treguar tolerancë ndaj komitetit satrap ishin fajtorë për shkeljen e etikës dhe normave pedagogjike, edhe pse ishte gjysmëvjetori dytë i vitit shkollor, gjë që është normale që librat gjatë përdorimit dëmtohen. Tolerant domethënë që njeriu të durojë dhunën, prandaj këtu nuk ka barazi. Më në fund, librat ishin pronë private e nxënëses, dhe kurrsesi të shkollës apo të bibliotekës. Ky ishte një nga mjetet e torturimit fashist në mënyrë që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës të jetonin nën ankthin e frikës dhe tmerrit sipas diktatit të obskurantizmit jugosllav. Ngjashëm veprohej edhe me anën e lojës së ndytë serbofashiste, e cila burgoste rininë shqiptare me plisa të bardhë. Kështu që rinia shqiptare mund të dilte me çfarëdo kapele në rrugë, pos plisit të bardhë, meqë kjo nuk i pëlqente Serbisë, por edhe pushtetmbajtësve në Kosovë. Ashtu siç nuk munden serbët të shikojnë diellin me sy, po ashtu edhe nuk mund ta shikonin plisin e bardhë tradicional shqiptar.

Sa i përket plisit të bardhë tradicional sot, shqiptarët e Kosovës në krahasim me shqiptarët në Shqiperi dhe në Maqedoni janë më të qëndrueshëm. Duket sikur disa shqiptarë po “evropianizohen” duke flakur plisin e bardhë, dhe kjo është gjë e gabuar. Kurse për shkak të ndikimit fetar shqiptarët e Maqedonisë bartin kapela arabe duke shkelur plisin e bardhë autokton, që njëherit do të thotë mohim i gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare. Po kështu disa të rinj shqiptarë për interesa të ngushta komerciale e ndërrojnë emrin e tyre me anën e së cilës i shkelin normat e etikës kombëtare dhe fetare, dhe kjo ndodh më së shpeshti në Greqi, atje ku rrënjët e fundamentalizmit ortodoks janë më tendencioze. Po ashtu në Kosovë dhe në Shqipëri me ndikim të fesë islame disa vajza shqiptare riveshen me ferexhe. Ku po na shpie ky fanatizëm i zymtë, kur ne kemi veshjen tonë tradicionale shqiptare. Xhelozia ndaj ferexhesë domethënë mohimi i veshjes popullore shqiptare, mohim i traditës kombëtare shqiptare që është trashëgim qysh nga të parët tanë. Kjo dukuri e fanatizmit bie në sy edhe në mërgatën shqiptare, ku rendin disa të reja shqiptare të veshura apo të mbuluara me ferexhe të zymta.

Këtu mund të ndihmojnë edhe organet fetare shqiptare duke ua përcjellë të rinjve shqiptarë se ne kemi veshjen tonë tradicionale shqiptare sa të pasur, po aq edhe të mrekullueshme, të cilën tërë bota na e ka lakmi. Më në fund, ne jemi qytetarë evropianë dhe duhet të vishemi në stilin evropian. Kam pasur një rast, kur unë një nëne me foshnje ia lirova vendin në autobus duke pandehur se është qytetare arabe, përkundrazi ajo më falënderoi shqip. Dikur asaj i kisha dhënë mësim në shkollën fillore, prandaj më kishte njohur. Kjo dukuri dallohet edhe tek disa të reja suedeze apo gjermane, të cilat i nënshtrohen ndikimit të bashkëshortit me fe myslimane dhe riveshen me ferexhe.

Tungjatjeta apo merhaba, është çështja sot! Nuk është fjala për përshëndetjen e ndërsjellë “merhaba” në mes të shqiptarëve dhe qytetarëve të konfeksionit mysliman, por shqiptarët në mes vete. Nëse shqiptarët në vendlindje dhe në mërgatë vazhdojnë ende të përshëndeten me pasthirrmën orientale “merhaba”, atëherë përshëndetja jonë tradicionale shqiptare “tungjatjeta” do të shuhet. Kjo dukuri e keqe duhet flakur dhe shqiptarët të përshëndeten shqip – tungjatjeta, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare si dhe vendin ku jetojnë. Përshëndetja jonë tradicionale shqiptare tungjatjeta është jo vetëm burimore dhe e vjetër, por edhe aq e bukur e poetike, dhe e kuptueshme, që do të thotë t´u zgjattë jeta – konkretisht do të thotë përshëndetje e ndërsjellë me anën e së cilës vëllait dhe mikut i dëshiron jetë të lumtur e të gjatë. Shumë qytetarë të huaj janë kureshtarë për të mësuar se si përshëndetet shqip, por edhe kuptimin e fjalës metaforike “tungjatjeta”. Me shqiptarët në mërgatë tungjatjetohen edhe boshnjakët, edhe kroatët. Shqiptarët nuk duhet lejuar që të bien viktimë e kulturës dhe gjuhës së huaj orientale, përkundrazi duhet të identifikohen si shqiptarë dhe të bëhen faktorë për përhapjen e kulturës dhe gjuhës kombëtare shqiptare kudo që jetojnë.

Toleranca dhe martesat shqiptare

Martesat shqiptare me fe të ndryshme nuk duhet të pengohen. Mbi të gjitha duhet të respektohet dashuria e tyre e ndërsjellë. Familjet shqiptare duhet të selitin traditën e miqësisë shqiptare, qoftë myslimane, katolike apo ortodokse. Nëse neve nuk na pengon martesa e disa të rinjve shqiptarë me suedeze dhe gjermane, por edhe martesa në Kanadanë e largët, sidomos të veja etj, atëherë pse të mos pranojmë martesën brenda shqiptare me fe të ndryshme – martesë që ka mbështetje të vendit dhe flitet vetëm shqip; kur dihet se në historikun tonë shqiptarët janë tolerantë ndaj fesë. Ka raste kur fanatizmi i disa prindërve vije në atë shkallë saqë ta mohojë – anatemojë bijën po qe se martohet me djaloshin shqiptar të fesë katolike – myslimane. Përkundrazi, që, për ato familje me qëndrime të skajshme ku parësore është feja. “Historikisht – shkruan shkrimtari ynë Petro Marko identitetin e vet shqiptari nuk e ka mbështetur edhe aq te feja sesa te gjuha, historia, origjina dhe humusi kulturor i përbashkët. Ndaj edhe mes bashkësive fetare s´ka pasur probleme madhore. Prandaj edhe Shqiperia nuk mund të quhet vend mysliman, as ortodoks, as katolik. Është Shqipëri“.

Gjatë aksionit të Pajtimit Kombëtar në Kosovë që i printe plaku dhe intelektuali kombëtar prof. Anton Çetta, populli shqiptar fare nuk ka dyshuar në bindjen fetare të Anton Çettës, por ka treguar respekt ashtu siç ka treguar respekt edhe ndaj Plakut të Maleve – Bajram Currit. Ç´prej kohës së Bajram Currit dhe deri më sot askush nuk ka pasur respekt dhe nderim më të madh nga populli shqiptar sikur prof. Anton Çetta.

(Botuar në Kosovapress, Forumi Shqiptar, Flaka dhe Ura – 2002)

About xhzeqiri

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...