Home / Histori / PËRSE LUFTUAN SHQIPTARËT?

PËRSE LUFTUAN SHQIPTARËT?

Shkruan Prof.:Beqir Berisha

/Letër diplomacisë ndërkombëtare/

 

 

  1. Zotërinj të nderuar, nuk do të kisha pasur guximin t’u shkruaj e t’u kundërvihem me këtë letër polemizuese, sikur gati e tërë veprimtaria ime publicistike dhe teorike e deritashme të mos ishte e karakterit politik. Nuk do të kisha pasur guximin të futem në interpretimin e çështjeve aq delikate saqë konsiderohen edhe si tema tabu, sikur kjo të mos dëmtonte popullin tim. Nuk do të polimizoja me Ju zotërinj, që keni marrë përsipër zgjidhjen e problemeve më të rënda të grrumbulluara gjatë shekullit të kaluar në këtë hapësirë fizike dhe gjeopolitike, sikur logjika e ngjarjeve që po zhvillohen kohët e fundit në këtë hapësirë të Ballkanit të mos provojë të kundërtën e premtrimeve Tuaja. Dhe së fundi nuk do t’i jepja vetes të drejtën morale për të polemizuar me Ju sikur familjarisht të mos isha persekutuar nga ata që shkaktuan tragjedinë më të madhe në Ballkan, ushtruan gjenocid e bënë krime mbi një shekull mbi popullin shqiptar. Vetëm mbi familjen time janë bërë edhe atentate edhe vrasje, edhe tentime rëmbimi, edhe burgosje, edhe ushtrime dhune fizike dhe psiqike, edhe keqëtrajtime.

Duke gjykuar nga ky kënd, mora guximin t’u drejtohem Juve, t’u falemenderohem për punën që keni kryer, por edhe të polemizoj për çështjet më fundamentale që kanë të bëjnë me shqiptarët. Për këtë gjë, ndër të tjera, më shtynë dy çështje të aktualizuara në mënyrë ekstreme kohët e fundit: ngjarjet e 17 marsit, për të cilat po flitet mëse 3 muaj, duke u problematizuar si ngjarja më e madhe e vitit në tërë këtë hapësirë të Ballkanit dhe integrimi evropian, që si duket, nga shqiptarët kuptohet mekanikisht dhe prapa të cilit nuk shihen pasojat që mund të ketë mbi ta.

Sa për fillim, dua të theksoj se ngjarjet e 17 dhe 18 marsit u zhvilluan dhe u shfrytëzuan sipas skenarit serb dhe u shërbyen Juve t’i fajësoni shqiptarët, t’i ndëshkoni dhe ta devijoni vëmendjen e udhëheqësve shqiptarë në çështje periferike. Sa i përket integrimit evropian, si fenomen i ri politik, i lansuar nga qarqet më të larta të vendosjes, për publicistikën tonë është ngjarja më kardinale politike nga një anë, por edhe temë tabu për t’u kundërshtuar nga ana tjetër. Ju zotërinj, veproni me një mekanizëm të çuditshëm, duke e madhëruar fenomenin e integrimit, sikur ai do ta sjellë parajsën nga qielli në tokë, sidomos në këto hapësira me konflikte të rënda ndëretnike. Problemet e Ballkanit, sidomos ato që kanë të bëjnë me shqiptarët, ndryshojnë esencialisht nga problemet e rajoneve të tjera të Evropës. Disa shtete të Ballkanit bëjnë gara se cila do të futet më parë në Bashkimin evropian, ndërkohë që shumë shtete tjera të rajonit të Evropës nuk u intereson fare ky integrim politik; e kundërshtojnë atë, madje edhe me referendume. Këto shtete e refuzojnë të përdoret valuta e përbashkët euro, shqiptarëve të Kosovës u inponohet kjo valutë pa i pyetur. Ç’tregojnë këto? Jo gjithçka është ashtu si propagondohet.

Pikërisht në këtë politikë që shumica e udhëheqësve tanë mund ta gëlltisin si imponim nga lartë ose mund t’u duket si doksale, unë dua të hulumtoj e të dëshmoj logjikën e saj paradoksale. Më duket se asgjë nuk është e rastit në këtë situatë ku vëllau godit vëllaun për karierë politike. Situata politike në këtë pjesë të Ballkanit është shumë jostabile, për të mos thënë alarmante. Askund në Evropë nuk pati luftë pas Luftës së Dytë Botërore, Ballkani kaloi katër luftëra. Askund në Evropë nuk kemi koloni përpos në Ballkan ku ende sundon sistemi kolonial. Askund në Evropë nuk kemi pasur aparteid përpos në Ballkan, ndonëse në formë të kamufluar. Nga asnjë vend i Evropës nuk gjykohen çlirimtarët për krime lufte e për gjenocid përpos në Kosovë. Askund në Evropë nuk kemi grupe të armatosura nëpër male përpos në Ballkan. Pikërisht këtu qëndëron arsyeja që problemet e Ballkanit kërkojnë një qasje tjetër filozofiko-politike nga rajonet tjera të Evropës. Kjo në mënyrë të veçantë vlen për Kosovën dhe për teritoret e tjera shqiptare.

Kur nga Perandoria serbe; e quajtur Jugosllavi Federative, u ndanë edhe Sllovenia edhe Kroacia edhe Bosnja edhe Maqedonia, Ju zotërinj, shqiptarëve u ofroni ribashkimin me serbët nëpërmjet proçesit të integrimit. Ky fenomen më imponoi t’i bëjë vetes dhe njëkohësishtë edhe Juve pyetjen: – Përse luftuan shqiptarët? Përse erdhën ata trima dhe trimëresha nga Skandinavia dhe pjesë të tjera të Evropës, madje edhe nga Amerika për t’u përleshur me serbët? Përse u derdh aqë gjak shqiptari e u hapën aqë varre? Për riintegrim me Serbinë apo për dekolonizim të Kosovës?

Përgjigjja më e shkurtër do të jetë: Shqiptarët më se 100 vjet luftojnë për t’u integruar në mes veti, Ju u impononi riintegrimin me sllavët dhe nëpërmes sllavëve me Evropën. Jo rastësisht letrën ua drejtoj Juve. Edhe para 100 vjetsh edhe sot fati i shqiptarëve qëndëron në duart Tuaja. Këtë fat na e keni caktuar Ju në konferenca të mëdha.

Ju, shqiptarëve aktualish u premtoni shumë. Unë persoinalisht jam skeptik në këto premtime. Ju keni argumentet Tuaja autoritative, por edhe unë kam argumentet e mia në këtë debat politik. Edhe pse argumentet e të dobtit gjithmonë konsiderohen argumente të dobëta dhe nga kjo optikë edhe jobindëse, megjithatë kam bindjen se dëshmitë që do t’i sjellë këtu do të përgenjeshtrojnë shumë pohime e do t’i sqarojnë shumë dilema që kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjes shqiptare nëpërmjet fenomenit (procesit) të integrimit.

 

  1. Unë nuk jam kundër atij integrimi që i afron popujt dhe i miqëson ata, kur eviton armiqësitë e vjetëra dhe i bashkon në mënyrë të natyrshme, pa formalitete dhe pa institucione. Popujt e Evropës, edhe kështu siç janë të ndarë në shtete të veçanta, manifestojnë një dozë të theksuar integrimi, duke përfshirë këtu edhe popujt ballkanikë, ku armiqësitë e vjetëra kohët e fundit shkaktuan konflikte të përgjakshme. Procesin e integrimit që po e impononi Ju, më duket se nuk është i natyrshëm, prandaj edhe po e kontestojnë disa popuj. Ngjarjet që po ndodhin në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve, edhe në momentin kur jam duke e shkruar këtë letër, janë dëshmi e pakontestueshme e ringjalljes së armiqësive të vjetëra. Sado që Ju mundoheni t’i kamufloni këto raporte të acarruara, plagët që janë krijuar gjatë shekullit të kaluar e sidomos gjatë luftrave të fundit që bënë disa popuj ballkanikë me serbët, janë të pashërueshme nëpërmjet procesit që Ju e quani integrim. Armiqësia, sidomos ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, jo vetëm se ka rrënjë të thella, por këto rrënjë po thellohen gjithnjë e më shumë, pikërisht në saje të politikës nacionaliste serbe, në një anë dhe të tolerancës Suaj në anën tjetër. Direkt apo indirekt, hetohet një ifeririotet diplomatik i Juaj në raport me Serbinë. Ju me siguri keni arsyjet Tuaja, por ato nuk mund të jenë argumente bindëse, në kohën kur politikanët serbë që kanë ushtruar po këtë politikë ndaj shqiptarëve sot po gjykohen në Hagë.

Këtu nuk është vendi për të bërë histori, por për të ndriçuar më mirë atë që po ndodh sot në këtë hapësir ballkanike, duhet t’i këthemi pak historisë, që të na çojë në gjenezën e të gjitha gjakderdhjeve. Gjatë krizës që pësoi Perandoria turke në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Principata serbe që kishte 36.617 km², me ndihmën e ushtrisë ruse okupojë 10.792 km² (Nishi, Piroti, Leskoci, Vranja, Prokupa, Kushumlija etj.). Aneksimi i tokave shqiptare do të vazhdojë më 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Serbia do të zgjerohet në tokat shqiptare për 39.000 km², Mali i Zi për 7.000 km², ndërsa Greqia për 51.300 km². Në sajë të angazhimit austriak dhe anglez, Shqipria shpëtoi nga aneksimi i tërësishm (shih, Diplomacia e Henri Kissingerit faqe 199). Kjo do të thotë se Serbia është privilegjuar për të vendosur hegjemoni mbi disa popuj të Ballkanit dhe të Jugut të Evropës Qendrore (Kroacia dhe Sllovenia).

Parardhësit Tuaj, zotërinj të nderuar, do të krijojnë Serbinë e Madhe, që për më shumë se një shekull do të shkaktojë të gjitha luftërat dhe gjakderdhjet si dhe krimet e gjenocid në këto hapësira, që më në fund do t’u detyrojë të intrvenoni edhe ushtarakisht për t’i ndalur këto krime. Shumë publicistë kanë kritikuar diplomacinë e vjetër që krijoi Serbinë e Madhe se, gjoja paska gabuar dhe se këto gabime duhet të përmirësohen tash. Ky konstatim nuk qëndëron. Diplomatët e vjetër kanë bërë punën e vet zyrtare, për të cilën kanë qenë të ngarkuar, por me këtë punë kanë bërë padrejtësi të mëdha, duke i bërë lëshime Rusisë për të krijuar një Perandori të dytë pansllaviste në Ballkan. Diplomacia evropiane e atëherëshme nuk i bëri padrejtësi vetëm popullit shqiptar, që doli më i dëmëtuar në hapësirën Ballkanike, por edhe disa popujve të tjerë. Diplomacia e atëherëshme evropiane futi në kuadër të Serbisë edhe Slloveninë edhe Kroacinë, fare pa përfillur vullnetin e popujve të këtyre vendeve dhe, formalisht, në Konferencën e Versajës e pagëzoi Mbretëria Serbo – Kroate – Sllovene. Paknaqësinë e kroatëve e vërtetoi lëvizja e ustashëve që filloi shpejtë pas Konferencës së Versajës, që më vonë çoi në vrasjen e kralit të Serbisë, Aleksadërit, me antentat nga kroatët në Pariz. Vazhdoi gjatë Luftës së Dytë Botërore me konfrontime të armatosura kroato – serbe, u thellua me Lëvizjen masive në vitin 1971 gjatë sundimit të Titos dhe përfundoi në vitin 1995 me luftën e rrufeshme të ushtrisë koate ndaj pushtimit serb.

 

  1. Mbretërinë Serbo – Kroato – Sllovene, që në thelb ishte Serbi e Madhe, ndërtimi i së cilës filloi në Berlin e Londër e përfundoi në Versajë, do ta ruajë e forcojë jo vetëm Rusia, por edhe fuqitë e tjera të mëdha perëndimore. Ajo do të forcohet akoma më shumë në Jaltë, ku nuk do të respektohet parimi i vetëvendosjes së popujve. Pas vitit 1948 do të bëhet jo vetëm fuqia më e madhe ushtarake ballkanike, por edhe superfuqi diplomatike botërore. Ajo u orientua në krahun e Botës së Tretë, por do t’i shkojë fjala në të dya traktatet ushtarake. Ndonëse në fillim do të manifestohet gjoja një armiqësi me rusët, por miqësa me ta nuk do të dobësohet as për fije peni gjatë gjithë periudhës së Luftës së ftoftë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria u shndërua në federatë jugosllave, por ky transformim nuk e ndryshoi natyrën e dominimit serb. Edhe në këtë federatë, në thelb, sundonin serbët. Këtë e dëshmuan pakënaqësitë që lidën te sllovenët, kroatët dhe boshnjakët pas vdekjes së arqitektit të kësaj godine – Titos. Në vitin 1991 pakënaqësia ariti deri në atë shkallë saqë Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarsinë e tyre. Diplomacia ndërkobëtare reagoi menjëherë, duke këmbëngulur për ruajtjen e mëtejme të federatës. Kjo këmbëngulje shpjegohet nga dy aspekte: edhe nga këndëvështrimi se shthurja e federatave shkakton luftëra, edhe nga shkaku se kjo federatë ishte një krijesë e dhunshme pa pyetur as kroatët e as sllovenët. Aktiviteti diplomatik u fuqizua duke u mbajtur një varg konferencash në Hagë, Bruksel, Gjenevë, Londër. Por, e tërë kjo diplomaci ishte e kotë. Popujt që përbënin Jugosllavinë e hegjemonizmit serb dolën më të fortë edhe se ky hegjemonizëm edhe se diplomacia ndërkombëtare që përpiqej ta raujë këtë krijesë monstruoze të Ballkanit. Kjo u provua me luftën e stuhishme kroate në gusht të vitit 1995, e cila detyroi Serbinë të kapitulojë dhe të ulet në tryezën e bisedimeve në Dejton të SHBA-ve, ku u ndanë edhe Kroacia edhe Bosnja.

Konferenca e Dejtonit si dhe shkëputja e Maqedonisë në mënyrë paqësore, praktikisht, shthuri Jugosllavinë federative, por nuk prishi kufijtë e Serbisë të caktuara në Berlin dhe Londër. Problem aktual mbeti Kosova nën Serbi, e cila deri në vitin 1998 nuk lëvizi fare. Gjatë kësaj kohe, kur disa parti politike shqiptare mendonin se në mënyrë paqësore do të pavarsohen nga Serbia, diplomacia do të bëjë sehir dhe do të japi deklarata kontradiktore, fyese dhe tallëse. Diplomatët e atëhershëm ose do t’u bënin thirrje shqiptarëve që t’i bindeshin diktatit serb dhe të jetonin në harmoni me serbët, ose do të shprehnin pesimizmin lidhur me ardhmërinë e shqiptarëve. Deklarata e fundit e kësaj natyre ishte ajo e emisarit amerikan Robert Gelbart. Ai duke u dhënë përgjigje lutjeve të pacifistëve për të pavarsuar Kosovën, vetëm disa orë para se të fillojë lufta, do të deklarojë në Prishtinë se SHBA-të nuk disponojnë me “Deus ex machine” për të pavarsuar Kosovën.

 

 

  1. Fillimi i luftës më 27 mars 1998 shënoi edhe fundin e përpjekjeve të diplomacisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje paqësore kompromisi midis shqiptarëve dhe serbëve. U përsërit po ajo që ndodhi në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje – lufta. Ndryshimi qëndëronte vetëm në faktin se lufta me sllovenët, kroatët dhe boshnjakët ishte luftë me shtete që kishin sovranitet, po sikur Serbia në kuadër të federatës dhe luftë me popujt sllavë. Lufta në Kosovë duhet të ishte një luftë më e egër se ajo në Bosnje, sepse këtu Serbia bënte luftë për të shfarrosur krejtësisht një popull të robëruar, luftë me një popull të një gjaku tjetër, të një gjuhe tjetër, të një tradite tjetër.

Ndonëse diplomacia ndrëkombëtare nuk e luajti rolin e vet radikal ndaj Serbisë që kishte lënë mbi 300 mijë të vdekur në Bosnjë dhe Kroaci, megjithatë, ajo frenoi deri diku masakrat masive për të shfarrosur tërë popullin e Kosovës.

Lufta filloi me masakërn e Prekazit, ku për një natë u vranë e u masakruan 56 vetë të një familjeje, duke përfshirë gra, fëmijë, pleqë e plaka. Kjo masakër provokoi ndërgjegjen e diplomacisë ndrëkombëtare, duke e nxitur atë për një aktivitet të madh për të frenuar masakrat e mëtejme. Edhe pse Serbia do ta injorojë këtë diplomaci dhe do të vazhdojë masakra të tjera, megjithatë, këtu duhe të theksoj se ndaj dhunës serbe do të reagojnë njëri pas tjetërit dhe në shumë raste bura të shquar shtetërorë dhe diplomatë të forumeve më të larta evropiane. Do të reagojnë e do t’i tërheqin vrejtje Serbisë Robin Kuku, Hyber Vedrine, Klaus Kinkel, Javier Solana, Van den Bruk, Bill Klinton, Medlin Olbrajt, Zhak Shirak, Stolbe Talbot, Bronislav Geremek, Filip Gonzales, e shumë të tjerë. Ndër ta këtu po veçoj deklaratën e ministrit të jashtëm të Luksembergut Zhak Pos, i cili ndër të tjera tha: “Problemi qendëron në nacionalizmin serb që duhet të mposhtet në qoftë se dëshirojmë që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore”.

Do të reagojnë edhe Grupi i Kontaktit, Këshilli i Evropës, Këshilli i Sigurimit dhe forumet e tjera ndrëkombëtare. Por këtu e thekësova në mënyrë të veçantë deklaratën e Zhak Posit, sepse kjo ka të bëjë pikërishtë me problematikën që jam duke e shqyrtuar e që është pasojë e nacionalizmit serb. Zhak Posi me të drejtë kërkoi që të mposhtet nacionalizmi serb, por praktikisht ndodhi e kundërta. Ky nacionalizëm jo vetëm që nuk u mposht pas 5 vjetësh, por ai po forcohet nga dita në ditë dhe kanoset e bën provokime, siç ndodhi edhe ai i 17, dhe sidomos i 18 marsit, që u manipulua nga shërbimet e huaja, përfshirë edhe atë serb, me qëllim që të nxisë konflikte të reja. Ky nacionalizëm ushqehet edhe nga qëndrimi i butë, sidomos kohët e fundit i disa diplomatëve ndërkombëtarë.

 

Arrdhjen në pusht të nacionalistit Vojisllav Koshtunica, i veshur me petkun e demokracisë, Ju zotërinj, e konsideruat si një akt progresiv dhe toleruat për të bërë rehabilitimin e politikës nazifashiste serbe. Ju nuk nguruat të përshëndetni ardhjen e këtij nacionalisti në pushtet, duke i dhënë përparsi dhe benificione Serbisë. Në vend që forumet përkatëse ndërkombëtare të kërkonin llogari nga Serbia që t’i dorzojë kriminelët e luftës në gjykatën e Hagës, shpërbleu me ndihma Serbinë për përmirësimin e standardit të jetës. Më 9 tetor 2002, do të thotë menjëherë pas zgjedhejve, u hoqë embargoja për naftën dhe e fluturimeve nga Aeroporti i Beogradit, ndërsa dy ditë më vonë Serbia u ndihmua edhe materialisht. Nuk ka dyshim se kjo ishte një ngjarje e madhe për rehabilitimin e politikës nacionaliste serbe, për përkdheljen indirekte të kriminelëve të luftës që bënë masakra në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, ndërsa një fyerje e madhe për popujt që u masakruan nga serbia.

E thekësova këtë fakt që në fillim të kësaj letre, që të dëshmoj se Ju, të nderuar diplomatë, përgjegjës për zhvillimin e ngjarjeve në këtë rajon, nuk i kryet me sukses obligimet Tuaja, sidomos ndaj Kosovës. Ju të nderuar, gjatë këtyre 5 vjetëve, në vend që të këmbëngulni për ndëshkimin e nacionalizmit serb, i dhatë mundësi që ai të bëhet akoma më agresiv dhe, në mënyrë indirekte, t’i kanoset Kosovës edhe një herë më 17 dhe 18 mars të këtij viti. Presionet që po i bën Serbia tash si ndaj Jush, ashtu edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke shkaktuar incidente e duke ua lënë fajin shqiptarëve, duke u kërcënuar e duke bërë shantazhe, duke kërkuar benificione e standarte të veçanta për rikonolizimin e Kosovës, shprehin jokosekuencën Tuaj, tolerancën e padiskutueshme ndaj Serbisë dhe kopromisin e tepëruar që po i bëni asaj.

 

  1. Duke theksuar se diplomacia ndërkombëtare nuk kreu me suks misionin e vet, nuk dua të jemë nihilist e të mohoj kontributin e madh që dha kjo diplomaci bashkë me komunitetin ndërkombëtar në mposhtjen e agresorit pansllavist serb, në frenimin e tij për të shfarosur shqiptarët e Kosovës dhe gjunjëzimin para forcës së pathyeshme të NATO-s. Shqiptarët janë një popull që nuk e harron dot të keqen, por nuk e harron as të mirën. Atë që bënë presidenti amerikan Bil Klinton, kryeministri britanik Toni Bler, kryekomandati i forcave ushtarake të NATO-s Vesli Klark, emisari special amerikan Riçard Holbruk e disa të tjerë, për shqiptarët, është një punë që nuk harohet kurrë. Shqiptarët nuk mund të harrojnë përpjekjet e mëdha të Holbrukut duke humbur 78 orë për ta bindur Milosheviqin për një alternativë paqësore, as mund të harrojnë shqetësimet e Klarkut në momentin kur trupat ruse zbarkuan në Aeroportin e Prishtinës. Këto janë momente tronditëse që shprehin jo vetëm miqësinë shqiptaro – amerikane, sinqeritetin për t’i mbrojtur shqiptarët, por edhe vendosmërinë për zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës. Shqiptarët i kanë regjistruar në memorjen e vet të gjitha përpjekjet diplomatike për ta evituar luftën, edhe pse synimet e shumë diplomatave nuk përputhen me aspiratat tona për pavarësi. Me rëndësi është fakti se të gjithë ata u përpoqën që të evitohet gjakderdhja dhe të gjindej një zgjidhje paqësore.

Përpjekjet maksimale të diplomacisë ndërkombëtare, për gjetjen e një alternative të arsyeshme, mbështeteshin në faktin e përvojës nga Bosnja e Kroacia. Nga këto luftëra kishte rreth 300 mijë viktima, kryesisht civilë të masakruar. Pikërisht kjo ishte arsyeja që diplomacia ndërkombëtare këmbëngulte që të mos përsëritet e njëjta edhe në Kosovë. Kësaj përvoje i vinte në ndihmë edhe historia e hidhur e masakrave të mëparshme të serbëve ndaj shqiptarëve, edhe urrejta patologjike e shqiptarëve nga serbët, edhe propaganda që bëhej për shfarosjen e shqiptarëve edhe planet dhe elaboratet e memorandumet zyrtare për likujdimin masiv të shqiptarëve si dhe shumë të dhëna të tjera, duke përfshirë edhe kërcnimet e bandave paramilitare të kriminelëve të luftërave në Bosnje dhe Kroaci që kërcnoheshin me shfarosjen e përgjithshme të shqiptarëve.

Diplomacia ndërkombëtare, edhe a priori edhe aposteriori kishte konkluduar se, lufta në Kosovë do të ishte lufta më e tmerrshme apo nga më të tmerrshmet e shekullit. Parasëgjithash, ajo do të ishte një luftë që ishte përgaditur më shumë se një shekull, duke filluar që nga programet famëkeqe të Garashaninit dhe Çubriloviqit deri te ky i fundit, Miloshoviqi.

Kjo drojë e madhe nga një holokaus, që mund të ndodhte në Kosovë, aktivizoi në maksimum diplomacinë perëndimore që të bënte luftë diplomatike në dy fronte: në një anë, duke zbatuar strategjinë e kërcnimit, për të mos i tejkaluar kufijtë e arsyes në luftën që po zhvillohej, në anën tjetër, për t’i bindur e për t’i penguar rusët që të frenohen në prëkrahjen dhe stimulimin e serbëve. Megjithatë, Serbia bëri masakra në të gjitha zonat e luftës, ndonëse të gjitha këto janë minimumi që mund të pritej nga një armik siç është Serbia. Po të mos kishte qenë kërcnimi nga jashtë dhe prezenca e huaj në shumë zona, holokausi që do të ndodhte në Kosovë ndoshta do të kalonte edhe ato të Hitlerit, që kanë ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, së paku për nga natyra e mizorive.

 

 

  1. Më në fund kur diplomacia dështoi, masakrat nuk ndaleshin, zgjidhja paqësore nuk dukej askund, organizata ushtarake NATO u detyrua që të intervenojë ushtarakisht në Kosovë për të ndalur gjakderdhjen dhe likuidimin e një populli, si mendonte Serbia, si dhe shkallëzimin e luftës në përmasa të mëdha. NATO-ja këtë e bëri. Ajo intevenoi ushtarakisht për të mposhtur makinerinë luftarake të Milosheviqit, për t’i ndërprerë masakrat dhe luftën në përmasa të paparashikueshme.

Ky intervenim, që u bë vetëm nga ajri dhe ku forcat e NATO-s nuk patën viktima, mund të kualifikohet si një intervenim humanitar me një karakter të lartë moral. NATO-ja sulmoi Serbinë jo për ta treguar forcën por moralin e saj. Ajo nuk ishte agresore por sulmoi agresorin barbar. Sulmi i saj nuk ishte barbarizëm siç vlerësuan zyrtarët serbë dhe mediat serbe, por sulm kundër nazizmit pansllavist. NATO-ja sulmoi Serbinë pikërisht për të mbrojtur moralin e Qytetërimit evropian, për të mbrojtur të drejtën dhe vlerat morale të kultivuara në shekuj në Perendim. Është ana morale ajo që arsyeton plotësisht intervenimin e NATO-s në Serbi. Qëllimi i NATO-s ishte mposhtja ushtarake e Serbisë me qëllim të ndërprerjes së dhunës e të masakrave mbi popullatën shqiptare, për ta detyruar Serbinë me forcë që të pranojë një zgjidhje paqësore.

Me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi forcat terroriste serbe, që zgjati 78 ditë, Serbia u mposhtë ushtarakisht. Ajo kapituloi dhe nënshkroi Marrëveshjen e kapitulimit në Kumanovë.

 

Që atëherë kanë kaluar 5 vjet. Forcat policore dhe ushtarake serbe që bënë krime gjenocid e terror, u larguan nga Kosova. Këto forca nuk mund të ushtrojnë dhunë në Kosovë, megjithatë politika serbe e krimit dhe e terrorit edhe më tej në formë direkte apo indirekte është e pranishme në Kosovë. Ky është ai fenomen që e brengos popullin shqiptar. Arsyeja qëndron në faktin se të gjitha incidentet ndëretnike, qofshin individuale apo të përgjithëshme, janë rrezultat e pranisë së kësaj politike shoviniste. Këto dukuri, në të cilat shihet qartazi implikimi i politikës serbe, e befasojnë popullin shqiptar se, si këto mund të ndodhin në praninë e forcave KFOR-it dhe të administratës ndërkombëtare, UNMIK-ut.

Ardhjen e trupave të NATO-s në Kosovë, populli shqiptar e priti me lule, këngë, brohoritje e gëzim të madh. Ky ishte një manifestim që shprente ndjenjat e sinqerta të një populli të tërë, dëshirën për t’u miqësuar me këto forca dhe shpresën për një ardhmëri pa ankth e shtypje. Populli shqiptar ishte i bindur se me ardhjen e këtyre trupave fillonte një epokë e re si dhe shërimi i një plage të vjetër. Se do të ndodh ajo që po ndodh sot ku po manifestohet dhuna mbi shqiptarët, këtë nuk e ka prit askush. Se këto forca ndërkombëtare, që erdhën në Kosovë për të ndaluar barbaritë serbe, do të vazhdojnë me akuza, burgosje dhe dënime si ato të Serbisë, kjo është krejtë e paimagjinueshme. Ende më i paimagjinueshëm dhe i pakonceptueshëm është fakti, për të cilin shumë herë ka shkuruajtur shtypi i Kosovës, lirimi nga akuza i vrasësëve të vërtetë – serbëve.

  1. Ju zotrinj e dini se rezistenca shqiptare në pjesët e aneksuara të Shqipërisë është forcuar në përputhje me ushtrimin e dhunës mbi shqiptarët. Dhe në fund shpërtheu, kur ajo u bë e padurueshme. E keni gabim nëse mendoni se problemi i Kosovës, pa hyrë në interpretimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, do të zgjidhet me atë strategji që aktualisht mundohet t’ua imponojë Serbia. Kjo është strategjia që ajo ka zbatuar gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX. Në qoftëse edhe Ju do të vazhdoni të ecni në të njejtën rrugë që ka ecur Serbia, do të kemi dy pasoja: situata do të tensinohet ende më shumë, ndërsa politika e Juaj do të tregohet krejtësisht e paaftë për zgjidhjen e një konflikti, i cili zvaritet që nga Koferenca e Londrës në vitin 1913.

Këto 5 vitet e fundit kemi pasur rastin të dëgjojmë e të lexojmë deklarata të ndryshme nga diplomatë të shteteve të ndryshme dhe të qendrave të vendosjes. Një palë e tyre zgjidhjen e problemit të Kosovës e kanë parë në pavarsimin e saj, ndërsa pjesa tjetër, në dhënien e një autonomie në kuadër të Serbisë. Për zgjidhjen e fundit, angazhohen dhe përpiqen t’u bindin edhe Serbia edhe Rusia. Kjo zgjidhje, praktikisht, është edhe kthim prapa, edhe ndëshkim i popullit shqiptar edhe rehabilitim i politikës naziste serbe, edhe lehtësim për kriminelët e luftës që bënë gjenocid mbi popullin shqiptar, por që është më e lehtë për Ju.

Ju që keni marrë përsipër zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shikuar realisht, gjindeni midis dy zjarreve, por shikuar historikisht, zgjidhja nuk është e parealizueshme, sepse, të gjitha dokumentat zyrtare të konferencave të përmendura më sipër, flasin se Kosova e populluar tërrësisht me shqiptarë i është aneksuar arbitrarisht Serbisë. Puna qëndëron në faktin që këto akte arbitrare të shpallen të pavlefshme nga  qendrat ndërkombëtare të vendosjes, sidomos nga OKB-ja. Është po aq e rëndësishme që këto akte të padrejta ndaj popullit shqiptar t’i pranojnë edhe udhëheqësit dhe politikanët serbë dhe me këto akte, po ashtu, të njihet me hollësi edhe populli serb. Sepse është me rëndësi që parase të lëvizin kufijtë në tokë, ata duhet të lëvizin në kokat e njerëzve dhe vetë njerëzit të shkarkohen nga paragjykimet.

Të nderuar zotërinj, në mungesë të guximit të përballeni realisht me pansllavizminin ortodoks ruso-serb, që akoma ëndërron Perandorinë Bizantine me kryeqytet Stambollin, Ju e shifni zgjidhjen e problemit të Kosovës nëpërmjet procesit të inegrimit evropian. Kjo strategji, sa është e pakoceptueshme, po aq edhe e paelaburuar nga politikanë, politikologë dhe analistë të çështjeve strategjike, prandaj dilemat dhe skepticizmi në masë është plotësisht i arsyeshëm.

Për fenomenin e integrimit do të bëhet fjalë më poshtë në letër, ndërsa këtu do të elaboroj disa çështje aktuale që u paraqitën kohët e fundit, duke u bërë skandal i madh politik. Fjala është për ngjarjet e 18 marsit të këtij viti, që tronditën KFOR-in dhe UNMIK-un, tronditën edhe Këshillin e Sigurimit edhe Bashkimin Evropian, edhe shumë qendra të tjera të vendosjes si dhe shumë diplomatë, që sinqerisht angazhohen për çështjen e Kosovës. Por këto ngjarje aspak nuk e tronditën Serbinë, sepse të gjitha rrethanat flasin se ajo vetë i përgaditi ato, madje para syve të administratës ndërkombëtare dhe të KFOR-it.

Ajo, së pari përgaditi klimën politike, duke u treguar ndërkombëtarëve se jeta për serbët në Kosovë është alarmante dhe kjo situatë gjoja se është e patolerueshme. Për këtë serbët patën edhe bekimin e ndërkombëtarëve duke u benificuar në të gjitha fushat e jetës, që nga parlamenti, ku serbët përfaqësohen dhjetë fish më shumë se shqiptarët, deri në përparsitë që kanë në punësim, në pensione, në ndërtimin e banesave, në shëndetësi etj. Së dyti, Serbia lansoi tezën se serbët e Kosovës gjoja janë të diskriminuar në raport me shqiptarët, edhe pse në enklavat e formuara serbe ata kanë pushtet të plotë, pa përfillur administratën ndërkombëtare, duke u administruar direkt nga Beogradi. Së treti, zyrtarët serbë të Beogradit nuk lënë rast pa shfrytëzuar, qoftë brenda shtetit serb, qoftë në kuadër të forumeve ndërkombëtare, për të aktualizuar çështjen e Kosovës. Në të gjitha këto raste ata janë kërcënuar se me asnjë kusht nuk e lëshojnë Kosovën, se Kosova është Jeruzalem serb, se ajo është djepi i Serbisë, etj.

Në vend që kësaj dhune diplomatike UNMIK-u t’i përgjigjet me një kundërdhunë diplomatike, me kërcënime për ndëshkimin politik të serbëve, ai bëri lëshim pas lëshimi deri në lëshimet më të skajshëme. Këtu qëndron edhe arsyeja që populli në mënyrë indikative formoi bindjen se administrata ndërkombëtare në Kosovë me asgjë nuk dallon nga ajo e Serbisë, përpos që këtu mungon policia dhe ushtria e saj. Kështu së paku flitej në shumë qarqe qytetare dhe këtu qëndëron mllefi që pikërisht këta qytetarë masovikisht dolën në protesta.

Personalisht jam i mendimit se ajo që ndodhi më 17 dhe 18 mars do të ishte shumë më mirë që të mos ish lejuar të ndodhte. Arsyeja qëndron në faktin se tërë këtë revoltë të akumuluar për pesë vjet te shqiptarët e paguan përsëri shqiptarët, u fajsuan shqiptarët, u ndëshkuan shqiptarët, u dënuan shqiptarët, u burgosën shqiptarët dhe shqiptarët do të dalën para gjyqit. Pa analizuar në hollësi këto ngjarje, nuk mund të kaloj pa thekësuar se më skadalozja ishte ajo se UNMIK-u i dramatizoi ngjarjet të dorës së dytë dhe të tretë dhe i la në heshtje ato të dorës së parë. U bë skandali i madh politik, që nga Prishtina deri te OKB-ja, djegëia e shtëpive dhe e kishave, ndërsa u la pas dore vrasja e njerëzve. U theksua vetëm numri i të vrarëve 29, por nuk u theksuar se 24 ishin shqiptarë. UNMIK-u e heshti edhe faktin se serbët gjuajtën të parët në turmën e protestuesve paqësorë, se serbët ishin të armatosur dhe se ata provokuan të parët. Skandaloz është edhe fakti se si KFOR-i lejoi serbët të vëndosin kufirin në dalje të Prishtinës, duke bllokuar për tri ditë rresht rrugën kryesore të kryeqendrës me qytetet tjera të Kosovës si dhe me Shkupin dhe Tiranën. Bllokimi ishte duke marrë karakter infinitif po mos të protestonte populli. Ju zotrinj, para se të fajësoni popullin shqiptar për këto trazira duhej të kishit gjykuar më mirë për veprimet provokative serbe, përkundër veprimeve shqiptare, si pasojë e provokacionit serb. Këtë nuk e bëri askush nga Ju deri tash. Edhe më tej Ju vazhdoni ta fajsoni popullin shqiptar pa hulumtuar vrasjen e qytetarit serb që ishte qërim hesapesh mes serbëve e që deri tash u la në heshtje.

 

  1. Nuk duhet shumë mençuri për të kuptuar se sa ka rënë administrata ndërkombëtare në Kosovë nën ndikimin serb. Prandaj megjithëse jam kundër asaj që ndodhi më 17 dhe 18 mars, po aq jam edhe tolerant. Ajo stuhi e fuqishme shprehu forcën e madhe të popullit pa udhëheqës. Siç ka theksuar edhe Ciceroni, forca e popullit është e tmerrshme në qoftë se ai nuk ka drejtues. Sa do që Ju të pretendoni në organet demokratike vetëqeverisëse të Kosovës, unë do të tentoj të provoj të kundërtën. Populli i Kosovës praktikisht është pa udhëheqës. Atë deri tash nuk e ka udhëhequr as administrata ndërkombëtare e as të ashtuquajturat organe vendore, të cilat janë nën kontrollin e rreptë të ndërkombëtarëve. Prandaj, sado që Ju, edhe në këtë rast, të pretendoni të argumentoni fajësinë e zyrtarëve shqiptarë dhe të popullit apo të disa “ekstremistëve” të tij, bëni gabim të rëndë, sepse nuk mund të argumentoni asgjë. Ato ngjarje që ndodhën më 17 dhe 18 mars, thënë thjesht dhe shkurt, ishin një stuhi e rastit e popullit të egërsuar e të demoralizuar nga shantazhet serbe dhe të tolerancës ndërkombëtare ndaj saj. UNMIK-u nuk mori masa për të ndaluar shkallëzimin e situatës. Përkundrazi e toleroi atë.

Skajshmëria që u vërejtë ato dy ditë nuk duhet t’u habit aspak, sepse është toleranca e Juaj ndaj serbëve ajo që shkaktoi atë zemrim të madh. Ato turma të mëdha që protestonin, që rrokullisin automjete, që shanin e brohoritnin, që ua rëmbenin armët serbëve nga dora e që u vënin zjarrin shtëpive, përbëheshin po nga ata njerëz që para pesë vjetësh u kishin pritur me lule e këngë. Unë nuk dua të komentoj këtë fenomen. Analizojeni Ju, e konkludoni pse ndodhi ashtu. Kam bindjen se në këto rrethana të ndërlikuara Ju duhet të kishit ndërhyrë me gjakftohtësi dhe urtësi, të gjenit gjuhën e dialogut e të bisedonit me masën, t’i hiqnit posbloqet serbe dhe t’i çarmatosnit serbët. Ju këtë nuk e bëtë, e bëtë të kundërtën: përdorët dhunë ndaj shqiptarëve, i përkrahët serbët, i fajësuat shqiptarët për dhunë, i mbushët burgjet me shqiptarë dhe bëtë shumë veprime të tjera të pakontrolluara dhe të paarsyeshme, njësoj siç vepronte Serbia dikur. Mandej Ju dertyruat edhe Qeverinë e Kosovës që të ndai mjete nga kafshata e popullit të shumëvuajtur për të merremetuar shtëpitë dhe kishat e dëmtuara. Me këto akte të pamatura UNMIK-u dhe KFOR-i nuk bëri as më pak e as më shumë se ç’bënte dikurë Serbia. UNMIK-u toleroi serbët, serbët provokuan popullin, populli shpërtheu dhe në këtë mënyrë u shkrua edhe një kapitull i historisë sonë me protesta kundër miqëve të vet, me ndëshkime nga ana e miqëve të vet dhe me burgosje po nga miqët e vet.

Ju zotrinj nuk latë vend e rast, nuk latë forum e konferencë, madje edhe atje ku nuk flitej për Kosovën, t’i akuzoni shqiptarët për ekstremizëm për presion e dhunë mbi serbët. Nuk latë rast pa fajësuar shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre. Por për tërë këto kritika dhe akuza Ju nuk vutë gishtin në kokë dhe të gjykoni drejtë e të konkludoni se Kosova nuk është e pavarur, por është nën administratën e OKB-së. Ç’do të thotë kjo? Ju duhet ta dini më mirë, prandaj është e tepërt të analizoj këtë mënyrë administrimi. Në këtë letër unë e kam për detyrë të them se populli i Kosovës nuk ka shtetin e vet, nuk ka qeveri, nuk ka udhëheqje, nuk ka president, nuk ka ushtri, nuk ka polici. Ju do të thoshit se i ka të gjitha, ndërsa unë do të thosha se të gjitha ato janë vetëm dekor e mashtrim. Në Kosovë ka vetëm një kryeadministrator dhe nga ai varet gjithçka. Ai ka të gjitha kompetencat absolute për të vepruar arbitrarisht, pa pyetur e pa knsultuar askend. Edhe më në fund, në qoftëse edhe ai ngel në batak jep dorëheqëje dhe e shkarkon vetëveten duke gjetur arsyetime të pajustifiskushme.

Ai skandal i madh që ndodhi rreth ngjarjeve të 18 marsit dhe që po vazhdon edhe këto ditë, duke i akuzuar dhe fajësuar shqiptarët, dëshmon se Ju ose nuk e keni kuptuar misionin Tuaj si duhet ose nuk doni ta kuptoni këtë mision, ose nuk veproni si duhet. Kam për detyrë që me këtë letër t’Ju drejtohem që të hyni në ndjenjat fisnike të këtij populli, t’i kuptoni këto ndjenja dhe t’i ndihmoni atij, sepse fati i tij gjindet edhe në duarët Tuaja.

 

  1. Ju zotrinj kërkoni nga shqiptarët që të jenë më tolerantë ndaj serbëve dhe t’u japin liri serbëve. Po e marrim si të arsyeshme se shqiptarët duhet t’i harrojnë të gjitha krimet që kanë bërë serbët mbi ta, duke përfshirë këtu edhe krrimin e mbytjes së tre fëmijëve në lumin Ibër një ditë para se të ndodhin protestat e 17 marsit, të cilin krim Ju e toleruat, e heshtët dhe e heshtni. Por, a mund t’u japin shqiptarët serbëve atë që nuk e kanë as vetë? A mund t’u japin shqiptarët liri serbëve kur ata vetë janë të rrobëruar nga serbët?

Ka shumë argumente që dëshmojnë dominimin serb në Kosovë, edhe pse administrata serbe nuk është prezente aty. Duke lënë anash enklavat serbe, edhe në pjesët tjera të Kosovës ku administron UNMIK-u zbatohet politika e Beogradit, respektohen ligjet e Beogradit dhe vendimet e Beogradit. Ndonëse në mënyrë idirekte, ato ndihen në shumë fusha për të cilin problem bëhet fjalë më poshtë. Serbia në mënyrë direkte ose indirekte është e implikuar në Kosovë. Këtu po përmendi dy fakte të pakontestueshme: Kosovës i mungon telefonia fikse dhe së dyti në Kosovë shtrihen edhe zgjedhjet e Serbisë. Si e arsyetoni Ju zotërinj diplomatë që në Kosovë të përdoret i njejti numër fiks i telefonisë që përdoret në Serbi dhe si do të reagoshit nëse shqiptarët e Kosovës do të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Shqipërisë?

Ju intervenuat në Kosovë, shpëtuat popullin shqiptar nga një kataklizëm. Këtë nuk mund ta mohoj askush. Por pasi e bëtë këtë punë shumë të madhe dhe shumë njerëzore, Ju keni bërë edhe disa punë që duken shumë të vogëla, por janë edhe shumë antinjerëzore. Ju, së pari, i eliminuat shqiptarët nga bisedimet që u zhvilluan në Kumanovë ndërmjet NATO-s dhe Serbisë dhe marrëveshja e përfunduar ishte rezultat në mes NATO-s dhe Serbisë. Kjo praktikisht do të thotë se frenat e luftës i morët Ju në dorë, duke i eliminuar shqiptarët dhe duke e shndëruar luftën tonë antikoleniale si konflikt qytetar ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Pas vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe me kalimin e kopetencve qeverisëse në duart e UNMIK-ut, presioni ndëkombëtar mbi shqiptarët nuk do të pushojë, që në një mënyrë sinjalizon edhe imponimin serb. Ju nuk latë që frytet e luftës t’i shfrytëzojnë ata që luftuan, familjet e atyre që rranë në frontin e luftës, ata që për dekada të tëra vuajtën nëpër burgje nga politika pansllaviste serbe. Ju zotërinj e bëtë të kundërtën, edhe pse në mënyrë indirekte. Ju krijuat klimë gjoja demokratike për rehabilitimin e kriminelëve shqiptarë, të damkosur si bashkëpuntorë të armikut. Ju i toleruat të gjithë ata që kishin sabotuar luftën dhe i përkëdhelët të gjithë pacifistët. Në këtë mënyrë Ju tentuat dhe akoma edhe sot tetntoni të provoni pikëpamjet se lufta ishte vërtetë një aventurë, siç predikonin pacifistët.

UNMIK-u në vend që të bashkëpunonëte me aleatetët e vet, me luftëtarët e lirisë ata i la pa punë, i la në mëshirën e askujt, të bredhin rrugëve. I detyruat që familjet e luftëtarëve të vrarë të ngelin pa ndihmë sociale e të jetojnë me punën e fëmijëve duke shitur cigare rrugëve.

Pse vepruat dhe pse veproni kështu? A është ky ndikim i Beogrdit? Pse nuk u dhatë luftëtarëve përparësi që të punësohen në administratën Tuaj?

Kjo ishte vetëm një uvertyrë që i dha mundësi popullit që të kuptojë se administrata ndërkombëtare po armiqësohet me popullin shqiptar. Dhe kjo nuk vonoi. Kjo administratë burgosi luftëtarët më të devotshëm të popullit, madje edhe me pozita të rëndësishme politike. Disa prej tyre u dënuan në Kosovë, disa u dërguan në Gjykatën e Hagës.

Kjo nuk pritej nga Ju zotërinj. Krime dhe gjenocid në Kosovë, sikur edhe në Bosnje e Kroaci, bënë serbët. Ju në Kosovë nuk i burgosët serbët, por shqiptarët. Edhe ata serbë që i burgosët e që mund të numërohen në gishta, ose i liruat nga aktakuza ose i dënuat sa për formalitet. Praktikisht me këto veprime UNMIK-u mbajti anën e kriminelëve të luftës duke u konfrotuar me popullin shqiptar. Ky qëndrim nuk ishte as gabim as rastësi. Të gjitha indikacionet flasin se ishte një inponim nga Beogadi. Kjo ishte një politikë e elaboruar mirë dhe nga ekspertë të mirë. Ishte një politikë që zbatonte ligjet serbe, platformën politike serbe, vullnetin serb dhe ideologjinë tradicionale pansllaviste serbe. Këtu nuk dua të shërbehem me citate nga gazetat, në të cilat janë botuar deklarata të dëshmitarëve të paguar për të gënjyer para gjyqit. Por nuk mund të mos thekësoj se kjo nuk është një politikë e mençur. Këto veprime janë shumë naive e tepër banale.

Në mungesë të argumenteve se ata luftëtarë që i burgosët kanë bërë krime, Ju gjetët dëshmi për të arsyetuar aktpaditë se kanë vrarë shqiptarë. Nëse kjo është e vërtetë, ata duhet të kishin vrarë shqiptarë që kanë qenë në uniformën e armikut, të kenë qenë në anën e tij dhe të kenë punuar kundër interesave të popullit të vet. Logjika e shëndoshë kështu e shpjegon këtë fenomen. Ndryshe nuk ka se si të bëhet. Në qoftë se Ju e arsyetoni këtë politikë siç është arsyetuar deri tani gjatë gjykimeve, atëhere rezulton se me këto akte jeni jo vetëm në kontradiksion me ligjet pozitive që sundojnë në botë, por edhe kundër vlerave morale. Me akte të tilla Ju, jovlerat i keni shndërruar në vlera, ndërsa vlerat i keni trajtuar si jovlera.

Nuk ka vend në botë ku nuk dënohet tradhëtia. Nuk ka pasur vend në botë ku nuk është dënuar tradhëtia. Ju në Kosovë bëni të kundërtën. Ju bëni një eksperiment. Ju shpërbleni tradhëtinë për të provokuar popullin. Zotrinj mos veproni kështu. Tradhëtinë e dënojnë jo vetëm njerëzitë por edhe disa lloje të kafshëve. Këto veprime ishin një hakmarrje e kulluar që u konfrontoi me popullin. Gjatë protestave të shumëta të popullit u detyruat të vini barikada për t’u mborojtur nga vërshima e madhe e popullit të revoltuar. Po Ju pyes, a mund të provoni se ky nuk ishte dështimi më i madh i Juaj në Kosovë, duke përfshir edhe ngjarjet e 17 marsit? Por Ju vazhduat ritmin e punës suaj, sipas përcaktimeve të planifikuara. Nuk e përfillët popullin. Nuk plotësuat kërkesat e tij dhe më tej jeni duke vazhduar kështu, duke vepruar në mënyrë arbitrare.

Mos harroni zotrinj një gjë. Ju pretendoni se me gjykimet e bëra në Kosovë dhe me ata luftëtarë që i keni dërguar në Hagë, Ju dënoni krimin dhe kriminelët. Keni bërë të kundërtën. Ju keni bërë krime të tjera. Ju i keni dënuar dhe synoni t’i dënoni vrasësit e kriminelëve të luftës dhe keni rehabilituar politikën e krimit dhe të gjenocidit. Në Kosovë akoma ka kriminelë që shëtisin qyteteve të Kosovës.

Në kontekst të kësaj pike dua të theksoj edhe një fakt. Pavarësisht nga ajo se çka u deklarojnë agjencive të ndryshme informative zyrtarët serbë, atyre u është ngulitur në kokë mengalomania e pansllavizmit. Ata nuk mund ta mendojnë këtë pjesë të Ballkanit, edhe pas disfatave që pësuan në katër luftëra, si një rajon i popujve të lirë, por si një territor ku duhet të dominojnë serbët. Në mënyrë flagrante këtë synim e pasqyron tentimi për të rivendosur hegjemoninë serbe mbi Kosovën.

 

  1. Dështim tjetër skandalos dhe shumë i ndieshëm është problemi i pengjeve të luftës dhe kthimi i kufomave në mënyrë tallëse dhe përbuzëse për pesë vjet me rradhë. Kjo lojë sadiste dhe kriminale po vazhdon në pafundësi. Kufomat vazhdojnë të këthehen dhe akoma nuk dihet se edhe sa varreza masive gjenden në Serbi dhe edhe sa do të zgjase kthimi i kufomave.

Nuk e di a ka ndodhur ndonjë rast tjetër në ndonjë vend të botës gjatë historisë një sjellje aq mizore me rrobërit e luftës. Nuk e di a ka ndodhur një sjellje aq e egër e aq mizore siç është rasti i serbëve me rrobërit shqiptarë. Siç ka shkruar shtypi i Kosovës eksistojnë idikacione se këta rrobër kanë shërbyer si gjallesa për eksperimente, u janë nxjerrë organet vitale dhe pasi kanë vdekur, kufomat e tyre janë kthyer në Kosovë.

UNMIK-u dhe e tërë diplomacia ndërkombëtare, sidomos ajo e qendrave të vendosjes është treguar indiferente ndaj këtij fenomeni dhe ka shikuar këto ngjarje tronditëse me gjakftotësi. Është apsolutisht i papranueshëm qëndrimi Juaj zotrinj ndaj Serbisë. Akoma më skandalos bëhet ky qëndrim, kur një numër jo i vogël diplomatësh deklarohen se, Serbia po demokratizohet, se ajo po jep shenja serioze për t’u integruar në proceset evropiane, se politika e saj po shënon përparime dhe se po i përmirëson marrëdhëniet me fqinjët.

A nuk është një sjellje e tillë fyese për shqiptarët, kur Ju jepni deklarata pompoze afirmative për Serbinë, në një kohë kur ajo tallet me një popull të tërë, duke mos ia këthyer rrobërit e luftës dhe kufomat, duke shprehur një barbari pa precedent. Ju e përbuzni akoma më shumë popullin shqiptar me takimet kokë më kokë me zyrtarët e Beogradit, duke lënë jashtë bisedave çështjen e rrobërve të luftës dhe viktimave të saj. Mund të silleni si të doni, mund të mos solidarizoheni me kërkesat e familjarëve dhe të qytetarëve të tjerë, mund të zhvilloni biseda të përzemërta me serbët, e mund të bisedoni për çështje të ndryshme, por të gjitha këto e zbehin imazhin Tuaj si ndërmjetësues dhe si paqësorë. Ndërmjetësimi nuk është i drejtë në qoftë se shkelet njëra palë edhe paqja nuk është afatëgjate nëse pala e shkelur del e dëmtuar. Kjo sjellje indiferente ndaj këtij fenomeni e ka njollosur rëndë imazhin e këtij brezi të diplomacisë ndërkombëtare. Toleranca Juaj ndaj regjimit nazist të Beogradit është fare e pajustifikushëm. Të afirmosh, të benificosh, ta shpërblesh dhe ta ndihmosh një regjim të këtillë kriminel, do të thotë të solidarizohesh me krimin dhe të tentosh të rehabilitosh kriminelët. Duke e përkrahur këtë politikë të krimit që edhe tash po vazhdojnë zyrtarët e Beogradit, të cilët aktualisht nuk gjinden në Hagë bashkë me Milosheviqin, Ju, në thelb stimuloni edhe më tej politikën e krimit dhe të gjenocidit si dhe dëshmoni edhe politikën jokonsekuente edhe dështimin Tuaj para politikës agresive të Beogradit.

Ju zotrinj diplomatë, duke përfshirë këtu edhe ata të UNMIK-ut, që jeni prononcuar dhe prononcoheni rreth këti problemi, jeni fajtorë kryesorë për zvarritjen e tij. Ju mund të bisedoni me eleganc me Beogradin, mund ta aktualizoni edhe këtë problem, por e tërë kjo diplomaci nuk e arsyeton angazhimin Tuaj. Ju deri tashti as nuk ia keni tërhequr vërejtjen serioze Serbisë për këtë problem, as nuk keni ndëshkuar askend, as jeni kërcënuar me masa ndëshkuese, as keni marrë ndokend në përgjegjësi. Vetë fakti se Ju po toleroni këte problem, në kohën kur shqiptarëve u bëni presione që të pajtohen me serbët, është një hipokrizi, në fjalorin filozofik, sui gjeneris. Prandaj, këtu po përsërsis edhe një herë se ajo që ndodhi me 17 dhe 18 mars nuk është rastësi, por është mllef shumë i arsyeshëm i vënies në lojë të shqiptarëve nga ana Juaj. Me politikën e tolerimit të Serbisë përkitazi me pengjet e luftës, Ju keni humbur imazhin e bukur te shqiptarët që u pritën me lule. Sjellja ndaj pengjeve flet në mënyrë të qartë se për krime lufte nuk duhet të fajësohen dhe dënohen vetëm Milosheviqi dhe Shesheli me disa të tjerë që gjinden në Hagë, por edhe shumë të tjerë që qeverisin sot në Beograd e që Ju po i përgëdhelni e po i lavdroni për demorkatizim të Serbisë.

Nuk kemi pritur nga Ju mrekullira me problemin e pengjeve, në kohën kur Serbia ka mik të ngusht Rusinë, ndërsa Rusia akoma nuk ka hequr dorë për të pasur supremacinë mbi shtetet sllavo-ortodokse të Ballkanit. Por tolerimi kaq i tepruar nuk mund t’u shfaqësojë. Një potez i rëndsishëm i Juaj rreth problemit të pengjeve në favor të shqiptarëve do të ishte shumë herë më i fuqishëm se të gjitha protestat e bëra në Kosovë.

Ndoshta Juve nuk u bëhet vonë nëse do të korrni sukses apo do të dështojë diplomacia e Juaj në Kosovë. Por një gjë duhet ta dini. As neve nuk na bëhet vonë nëse do të ngelim aty ku jemi. Duhet ta keni të qartë, si drita e syrit, se shqiptarët kurrën e kurrës nuk do të pranojnë të rikthehen nën Serbi. Kjo nuk do të thotë se serbët nuk mund të jetojnë në Kosovë. Shqiptarët nuk kanë qenë intolerantë ndaj serbëve, përkundrazi serbët nuk kanë dashur të jetojnë me shqiptarët, prandaj edhe i kanë dëbuar në Turqi dhe i kanë diskriminuar.

 

  1. Në Kosovë kemi një diskriminim të hapur që shkon deri në aparteid. Njerëzit në Kosovë janë ndarë në tri kategori. Në kategorinë e parë hyjnë ndërkombëtarët, të cilët kanë status të posaçëm të benificuar. Ata kanë paga 10 deri 15 fish më të mëdha, bile edhe më shumë se qytetarët e vendit, edhe pse çmimet për të gjithë qytetarët janë njësoj. Në kategorinë e dytë hyjnë serbët, shumica e të cilëve kanë dy burrime të ardhurash: edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Në kategorinë e tretë bëjnë pjesë shqiptarët me standart ekstrem të dobët, me të ardhura fare të ulta ose pa kurrfarë të ardhurash. Ka familje shqiptare që jeton vetëm me një dollar në ditë. Ky fenomen me siguri nuk është në asnjë vend të botës.

Kjo është çështje e Juaj, sidomos e zyrtarëve të UNMIK-ut dhe Ju duhet ta gjykoni. Ne Ju kemi thirrur që të na ndihmoni në luftë. Si të tillë, ne jemi treguar inferiorë ndaj Jush dhe kemi qenë të detyruar që të biejmë nën dikimin Tuaj, por jo edhe në kategorinë e dytë si qytetarë. Ju që keni ardhur për të na ndihmuar dhe për të ndarë drejtësinë, nuk u ka hije që të silleni në mënyrë aq të padrejtë dhe aq arbitrare, Ju që pretendoni se keni ardhur për të zbatuar drejtësinë dhe kultivuar humanizmin perendimor dhe Kulturën perendimore, nuk duhet t’u lejojë ndërgjegjja që të silleni me ne jashtë normave të Qytetërimit evropian. Në vend që Ju të bëheni shembull se si duhet të rregullohen raportet njerëzore dhe statusi i qytetarëve në shoqëri, bëheni të uryer me distancën e madhe në paga dhe me mënyrën e jetesës.

Kosova zë vendin e parë në Evropë me shkallën e papunësisë dhe me përqindje më të madhe të punësuar jashtë vendit. Administrata ndëkombëtare në vend që ta stimulojë hapjen e vendeve të reja të punës, ajo deri tash e ka ngadalësuar këtë proces. UNMIK-u nënshtrohet kërkesave serbe për privatizim. Janë bërë shumë përpjekje në këtë drejtim, por këmbëngulja serbe për ta detyruar UNMIK-un që ta pengojë çdo iniciativë për hapjen e vendeve të reja të punës është treguar më rezultative. Është shumë e qartë se Serbia synon rikolonizimin e Kosovës, prandaj pengon privatizimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ajo, ato vende i ruan për kolonistët e saj. Në qoftë se Ju zotrinj përkrahni këtë politikë, atëhere përkrahni kolinializmin, në një kohë kur është dekonolizuar edhe Afrika.

Përmasat e diskriminimit ngjiten edhe më lartë, në qoftëse tërheqim një paralele midis mallrave që hyjnë në Kosovë dhe atyre që dalin nga Kosova. Për të eksportuar një mall në Maqedoni ose Serbi, shqiptarët janë të detyruar që të paguajnë një doganë shumëfish më të lartë se ajo e zakonshme, ndërsa kjo nuk vlen për mallërat e këtyre vendeve që futen në Kosovë. Edhe Serbia edhe Maqedonia mallin e tyre e futin pa doganë në Kosovë.

 

  1. Zotërinj të nderuar, ajo që u tha më lartë në letër, edhe pse nuk u thanë shumë gjëra, i takon kryesisht të kaluarës dhe gjendjes aktuale. Por thelbi i kësaj letre nuk qëndron këtu. Puna është se si të ndryshojë gjendja ekzistuese.

Ju mund të mos të pajtoheni me atë që thashë unë. Mund t’i kundërshtoni tezat e mia dhe mund të thoni se këto teza janë radikalizëm dhe ekstremizëm që nuk shpiejnë as në konpromise e as në zgjidhjen e problemeve. Megjithatë, unë do të përpiqem të argumentoj të kundërtën.

Politika serbe gjithmonë ka pasur synim fundamental likuidimin fizik të shqiptarëve, siç ka ndodhur gjatë historisë 100 vjeçare , asimilimin e tyre dhe dëbimin në Turqi. Mbi një milionë shqiptarë gjatë shekullit XX, janë detyruar të ikin në Turqi. Mbi 600 mijë, popullësi e Sanxhakut, që sot konsiderohen si muslimanë, në fillim të shekullit të kaluar kanë folur shqip. Edhe sot qeveritarët dhe politikanët serbë prezencën e shqiptarëve në Ballkanë e konsiderojnë si të rrezikshme, jo vetëm në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës, por shqiptarët sipas serbëve, janë rrezik për paqen në Ballkan edhe jashtë këtyre teritoreve. Sipas konceptit serb, ekziston vetëm një zgjidhje fatlume: shqiptarët të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar. Një urretje e tillë patologjike ndaj shqiptarëve ekziston me shekuj edhe te serbët edhe te grekët.

Për fatkeqësinë e serbëve, realiteti është ky që e kemi aktualisht dhe problemet eksistuese duhet të zgjidhen në korrnizat e këtij realiteti. Në këto rrethana është mençuri, e drejtë dhe e moralshme që palët e konfrontuara në Kosovë të bëjnë kompromis, ashtu siç mendoni edhe Ju. Përpos kësaj unë do të kisha shtuar se ky kompromis duhet të jetë i arsyeshëm dhe të mbështetet në logjikën e rrjedhjave historike. Shqiptarët edhe në të kaluarën edhe tash kanë bërë dhe janë të gatshëm të bëjnë kompromise në favor të paqes. Përkundrazi, serbët bëjnë të kundërtën. Shqiptarët nuk shprehin pretendime për t’u zgjeruar në krahina që janë aneksuar, ndërsa tashti në to nuk ka banorë shqiptarë. Shqiptarët nuk kërkojnë nga serbët që t’u këthehet Kushumlija, Leskoci, Vranja e qytete të tjera të aneksuara më 1877. Serbët nuk heqin dorë as nga Mitrovica, historikisht shqiptare, e banuar kryesisht me shqiptarë edhe pse e kolonizuar gjatë gjthë shekullit të kaluar me serbë. Serbët nuk heqin dorë as nga Presheva e populluar qindëpërqind me shqiptarë.

Në këtë situatë kur shqiptarët heqin dorë nga një teritor sa dy herë Kosova, që historikisht na ka takuar neve, Ju zotrinj të nderuar të qendrave të vendosjes frigoheni apo nuk doni të pranoni pavarësinë e Kosovës. Ju në vend që të ushtroni një diplomaci ofenzive për të ndryshuar realitetin për shkak të konfliktit në Kosovë, bëni të kundërtën. Ju bëni politikë defanzive. Mbroheni nga sulmet ruso-serbe dhe synoni ta ruani status kuo-në. Me potezat që jeni duke bërë sot, Ju ose nuk mundeni t’i bindni serbët që të bëjnë lëshime që është shumë e sigurtë ose keni droje të insistoni për t’i bindur ata. Dhe, si duket, alternativën më të lehtë e gjeni që të bëni shtypje mbi shqiptarët, duke lansuar strategji që janë fare të papranueshme për shqiptarët.

Ju, aktualisht i detyroni shqiptarët, që t’i pranojnë kërkesat dhe kushtet që i vë Serbia. Shqiptarët luftuan, derdhën gjak, u sakrifikuan dhe sakrifikohen për pavarësinë e Kosovës. Ju, për të përfituar në kohë dhe për ta zvaritur problemin, i jeni nënshtruar kërkesës serbe standardet para statusit. Kjo do të thotë se statusi i Kosovës të mos mund të definohet para realizimit të disa kërkesave vitale që Serbia i vendos si kusht paraprak. Plotësimi i këtyre kushteve praktikisht do të thotë rehabilitim i serbizimit të Kosovës dhe legjitimimi i politikës serbe në Kosovë.

Problemi i standardeve para statusit, për të cilat është bërë aq zhurmë e madhe në qarqet diplomatike, paraqitet si preteksi më i mirë aktual për të penguar ose për të zvaritur në pakufi pavarsimin e Kosovës. Nuk ka dyshim se kjo strategji është një lojë cinike diplomatike për t’i vënë shqiptarët në gjendje frustracioni. Shqiptarët nuk mund të realizojnë diçka, për të cilat Serbia angazhohet që të mos realizohet kurrë, sepse a priori është e bindur se kërkesa të këtilla nuk mund të realizohen. Ajo i kualifikon si standarde demokratike për një shoqëri multietnike, pikërisht ato standarde që vet i ka shkelur gjatë gjithë shekullit të kaluar. Ajo kërkon nga shqiptarët që shqiptarët me dorën e vet të bëjnë varrin e tyre: të kolonizojnë Kosovën.

Sipas logjikës së shëndoshë, strategjia standardet para statusit nënkupton destandardizimin e stadardeve të Qytetërimit evropian: nënkupton kolonizim, aparteid, nazizëm. Çështja e standardeve para statusit, në thelb, është një strategji serbe për të bllokuar zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës – pavarësinë e saj ose për ta zvaritur problemin e Kosovës si të pazgjidhshëm. Standardet para statusit është strategji djallëzore që i vazhdon jetën Kosovës si koloni serbe, krijon favore për t’i rikolonizuar atë me ligjitimitetin ndërkombëtar dhe me ndihma ndërkombëtare. Kjo është një strategji me dinakëri aq të madhe, saqë sa më shumë që trasohet aq më e mprehtë dhe më problematike bëhet çështja e Kosovës dhe sa më shumë që zgjatë, aq më shumë rriten gjasat për riciklimin e krizës konfliktuoze.

Pikërisht këtu qëndron edhe shkaku që një numër i diplomatëve dhe plitikanëve perendimorë, sidomos të atyre amerikan, me Riçard Holbrukun në krye, preferojnë pavarsimin e pakushtëzuar të Kosovës. Disa të tjerë si Kofi Anani e Javier Solana e disa janë për realizimin e satandardve para statusit. Për ta kaluar këtë pengesë të madhe, që aktualisht Serbia i ka vënë diplomacisë ndërkombëtare, e që për shumë diplomatë duket e pakalueshme, duhet një vendosmëri e guximshme. Diplomacia në formë unike duhet të mendojë jo se si të ruhet status quo-ja dhe të plotësohen kërkesat serbe, por duhet të mendojë në atë se si të zgjidhet problemi që solli gjakderrdhjen. E kalura e hidhur është një leksion i mirë për diplomacinë ndërkombëtare se, kërkesa standardet para statusit tashmë Serbia e ka shndëruar në parim veprimi jo si të zgjidhet problemi i Kosovës, por si të bllokohet zgjidhja e tij. Me këtë strategji, me një anë, ajo i godet shqiptarët, duke i akuzuar për dhunë dhe terrorizëm, në anën tjetër, e futë në kurth diplomacinë ndërkombëtare që ta pranojë këtë shpikje si të vetëmen alternativë për zgjidhje.

Zhvillimi i ngjarjeve aktualisht në Kosovë e dëshmon këtë konstatim dhe se Serbia me standardet para stausit që ua ka imponuar edhe  shqiptarëve edhe diplomacisë ndërkombëtare, praktikisht, ka shpikur Deus ex machinën e vet për të bllokuar pavarësimin e Kosovës. Eseciale për Serbinë nuk është realizimi i standardeve, por pengimi i pavarësimit të Kosovës. Disa diplomatë e publicistë, sidomos ata amerikanë, tashmë e kanë kuptuar këtë kurth të Serbisë. Zhvillimi i ngjarjeve të mëtejme në Kosovë varret nga qëndrimi i mëtejmë i diplomacisë ndërkombëtare. Kjo diplomaci është e bindur në qëndrimin e papërmirësueshëm të nacionalizmit serb. Por sa më parë që të kuptojë kjo diplomaci se shqiptarët pas një gjakëderrdhje aq të madhe që u bë, nuk do të mund të tërhiqen nga kërkesa e tyre, aq më e suksesme do të jetë puna në pavarrësimin e Kosovës.

Kur nisem nga pozicionimi i mbrojtjes së interesave shqiptare, nuk mbështetem në egon time nacionale, por në disa premisa shumë bindëse në favor të tezës që mbroj. Serbia shkaktoj gjakëderdhjen më të madhe në Ballkan. Dhe, e pakënaqur me zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë, synon destabilizimin e sërishëm të kësaj pjese të rajonit. Shkaku i luftërave, pra, nuk qëndron te individët, siç pretendojnë disa, kurr fajësojnë Milosheviqin, por në politikën tradicionale pansllaviste të Serbisë për hegjemoni. Këtë e dëshmojnë të gjitha ngjarjet gjatë gjithë shekullit të kaluar për shfarosjen e shqiptarëve deri te masakrat dhe gjenocidi i fundit. Imazhi serb për këtë pjesë të Ballkanit ka qenë një hapësirë e koceptuar që do të ishte nën dominimin serb. Dhe këtë koncept vështirë mund ta shlyejnë nga koka. Këtë e provuan edhe luftërat e fundit, e provon edhe politika e tashme ndaj Kosovës.

Prandaj kur është fjala për standardet para statusit, që Ju zotrinj diplomatë e keni legjitimuar këtë kërkesë si të drejtë, ne shqiptarët e kuptojmë si kurth për rikthimin e Kosovës nën dominimin serb. Kur serbët flasin për kthimin e të zhvendosurve dhe krijimin e kushteve për jetë normale, ata praktikisht gënjejnë. Këtë duhet kuptuar anasjelltas. Serbia synon që nëpërmjet kësaj strategjie të rikthejë gjendjen jonormale në Kosovë, të këthej krizën ndëretnike, serbizimin e Kosovës ose konfliktin e ri. Faktikisht shqiptarët nuk janë kundër kthimit të atyre serbëve që janë shpërngulur, por shumica e tyre nuk kthehen sepse kanë bërë krime ose janë implikuar në krime të bëra.

 

 

  1. Kapitull të veçantë në përpjekjet diplomatike për të zgjidhur çështjen e Kosovës, sipas Jush, paraqet vënja e dialogut midis shqiptarëve dhe serbëve.

Sipas të gjitha rrjedhave të deritashme, mund të konkludohet se të gjithë diplomatët ndërkombëtarë kanë formuar bindjen se dialogu midis Prishtinës dhe Beogrdit paraqet çelsin e zgjidhjes së problemit të Kosovës, se diplomacia ndërkombëtare do të jep provimin e vet të pjekurisë politike nëse do t’i bind shqiptarët që të hyjnë në bisedime sipas modelit serb dhe diktatit të Beogradit. Këtë është shumë thjeshtë për ta kuptuar, sepse, Beogradi i ka inicuar bisedimet pa i pyetur shqiptarët, u ka diktuar qendrave të vendosjes që ta pranojnë këtë propozim, i imponon diplomacisë ndërkombëtare që t’i detyrojë shqiptarët që të hynë në biseda me Beogradin nën diktatin serb dhe të bisedohet për ato çështje që i imponon Beogradi.

Në thelb, çdo politikë fillon me bisedime, vazhdon me kërcënime, shkallëzohet me luftë dhe përfundon sërisht me bisedime dhe marrëveshje, varrësisht nga suksesi i arritur në fushën ushtarake. Si duket, kësaj rruge don t’i përmbahet Serbia. Ajo për t’u imponuar shqiptarëve  vullnetin e vet kërkon dialog. Në qoftë se shqiptarët nuk do të binden me diktatin e saj ajo do të kërcënohet me luftë. Logjika e ngjarjeve të deritashme çon në këtë konkludim, meqë shqiptarët nuk e fituan luftën me forcat e veta dhe Serbia kapituloi me ndihmën e NATO-s. Ajo e konsideron veten si fituese e luftës dhe ndjehet krenare. Nga ana tjetër diplomacia ndërkombëtare është e obliguar që të garantojë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, sepse kështu e parasheh Marrëveshja e Kumanovës. Mbi këtë Marrëveshje mbështeten edhe përparsitë që UNMIK-u u jep serbëve të Kosovës dhe benificionet e mëdha atyre që kthehen dhe vijnë në Kosovë, duke u dhënë banesa mobilje mjete materiale dhe çdo gjë që u nevojtet.

Mirëpo, çështjet nuk janë aq të thjeshta siç duken nga jashtë dhe siç  mendoni Ju zotrinj. Situata është shumë e komplikuar dhe siç vepron Serbia aktualisht, duke bërë presion indirekt mbi shqiptarët, Ju do të detyroheni t’i shkelni ato marrëveshje, nëse doni të ruani paqën. Gjeneza e problemeve nuk gjendet as në Marrëveshjen e Kumonavës, ku nuk u përfillën shqiptarët, as në Beograd, ku u minua dialogu. Gjenezën e problemeve duhet ta kërkoni në Kongresin e Berlinit dhe në Konferecën e Ambasadorëve në Londër, kur diplomacitë e kohës i falën Serbisë pjesën më të madhe të teritorit shqiptar. Ngjarjet pas këtyre konferencave, sidomos luftërat që u zhvilluan në këtë hapësirë vitet e fundit, janë një dëshmi e pakontestueshme se gabimet dhe padrejtësitë politike nuk riparohen lehtë, madje mund të jenë edhe të pariparueshme. Me fjalë të tjera, padrejtësitë që i bënë atëherë popullit shqiptar diplomacitë e fuqive të mëdha, nuk do të mund të riparohen lehtë. Madje edhe ato riparime që do të bëhen, nuk do të mund të jenë të plota dhe nuk do të mund t’i kompenzojnë dëmet e mëdha që i kanë shkaktuar popullit shqiptar. Prandaj atë teritor që fuqitë e mëdha në të kalurën i falën Serbisë, sot serbët e konsiderojnë si teritor të vet dhe me eufori e mburrje shprehen se Kosova është djep i Serbisë, duke ushtruar diktat mbi shqiptarët dhe duke i trajtur si pakicë kombëtare.

Ju mund të insistoni që shqiptarët t’i nënshtrohen këtij diktati, por unë besoj se një politikë e tillë e trajtimit të shqiptarëve nuk do të ketë jetë të gjatë. Shqiptarët nuk do të tolerojnë më që të trajtohen si pakicë kombëtare dhe që Serbia t’u caktojë të drejtat. Ne shqiptarët nuk mund të shkelim mbi gjakun e atyre që rranë për çlirimin dhe dekonolizimin e Kosovës, nuk mund të shkelim mbi gjakun e të masakruarve, nuk mund t’i harrojmë sakrificat dhe vuatjet të popullit tonë gjatë gjithë shekullit të kaluar, nuk mund t’i harrojmë barbaritë e bëra për të shfarosur popullin tonë, më në fund nuk mund të harrojmë gjenocidin që bëri Serbia gjatë luftës e të përbuzim vuatjet dhe lotët e nënave, të fëmijëve dhe të nuseve të reja që ngelën pa më të afërmit dhe më të dashurit e tyre.

Ju zotërinj të nderuar, çështjen e bisedimeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve e ngritët në Prishtinë, në vend që atë ta aktoalizonit në Beograd, pa hyrë në interpretimin e çështjes se është dashur apo nuk është dashur që shqiptarët të bisedojnë me serbët. Pa komente të tjera, Ju i detyruat shqiptarët që të ulen e të bisedojn me serbët. Në qoftë se është dashur të bisedohet, pse Ju nuk i detyruat së pari serbët që të kërkojnë falje nga shqiptarët për krimet e bëra? Pse Ju nuk i hapët letrat së pari me ta dhe t’u thoni serbëve se Kosova edhe domografikisht edhe historikisht është shqiptare? Pse askush nga Ju nuk përmendi dhe nuk po e përmend çeshtjen e aneksimit të Kosovës, siç vepruan ish diplomatët amerikanë Riçard Holbruk dhe Kristofer Hil në vitin 1998. Që të dy këta diplomatë në raste të ndryshme gjatë luftës në Kosovë deklaruan se konflikti në Kosovë është pasojë e vendimeve të padrejta në Berlin dhe Londër. Ju këtë potez nuk e bëtë dhe nuk doni ta bëni, duke synuar një dialog akoma me karakter të kamufluar dhe me përmbajtje të papërcaktuar.

Asnjë politikan serb deri tash nuk kërkoi falje për terrorin që ushtroi Serbia mbi popullin shqiptar dhe për gjenocidin që bëri në Kosovë. Asnjë politikan dhe asnjë asociacion tjetër politik nuk i gjykoij krimet e bëra. Kjo dëshmon se as zyrtarët e tashëm të Beogradit nuk distancohen nga politika e mëparshme. Prandaj Ju zotrinj duhet ta kuptoni se çështja e Kosovës është shumë e rëndë dhe shumë serioze. Është një sfidë e rëndë para Jush me oblibligime të mëdha. Në Kosovë afër një shekull Serbia ka bërë përpjekje për ta shfarosur popullin shqiptar, kur nga shqiptarë nuk ka pasur kurrfarrë represioni. Gjatë gjithë kësaj periudhe është nxitur në mënyrë sistematike urretja patologjike ndaj shqiptarëve. Ky indoktrinim ka krijuar një mentalitet të tillë saqë nuk ndryshon lehtë. Ju këtë me siguri e dini, prandaj edhe nuk insistoni në ndryshimin e këtij mentaliteti. Bëni të kundërtën, edhe më tej insistoni që t’i bindni shqiptarët që të bisedojnë me serbët në kushte diktati. Imponimi i bisedimeve nga ana Juaj, bisedime këto që serbët nuk i zhvilluan as me kroatët as me sllovenët e as me boshnjakët, nëse abstrahojmë Dejtonin, rritë akoma më shumë mosbesimin e popullit ndaj Jush. Rruga që po kalojnë tani shqiptarët, nuk është një rrugë e panjohur, as nuk është një rrugë që e kalojnë për herë të parë apo të dytë. Shqiptarët disa herë kanë kaluar nëpër këtë labirint, disa herë kanë bërë përpjekje që me fjalë të merren vesh me serbët. Por gjithçka ka dështuar. Serbët gjithmonë kanë biseduar me prepotencën pansllaviste për hegjemoni, gjithmonë janë kërcënuar dhe gjithmonë kanë përdorur gishtin tregues. Të gjithë ata që kanë kundërshtuar pozicionet serbe ose janë likuiduar fizikisht, ose janë likuiduar nga skena politike. Këtu nuk dua të jap shembuj nga e kaluara historike, por më duhet të theksoj vetëm një fakt. Serbët i përbuzën dhe i injoruan edhe diplomatët ndërkombëtarë që u angazhuan për ndërmjetësim në luftën e fundit.

Një numër diplomatësh ndërmjetësuan dhe biseduan me serbët gjatë luftës në Kosovë, për të gjetur një kompromis midis shqiptarëve dhe serbëve. Më në fund dështuan edhe bisedimet në Rambuje. Këtu do të përmendi dështimin e madh që pësuan në bisedime me Milosheviqin gjenerali amrikan Klaus Nauman dhe ish diplomati special për Ballkanin Riçard Holbruk. Mengalomania serbe arriti deri në atë shkallë saqë Milosheviqi edhe i vuri në lojë që të dy këta personalite të larta të skenës ushtarake dhe politike amerikane duke zgjatur bisedimet mbi 80 orë. Ai u tall edhe me gjykatësen e Hagës Luis Arburs kur nuk i dha leje që të hyjë në Serbi për të bërë hetime rreth masakërs së Reçakut. Zyrtarët serbë i marrin në gojë dhe i akuzojnë të gjithë udhëheqësit e mëdhenj, nëse sadopak kanë mbrojtur interesat shqiptare. Ata në mënyrë të veçantë e fajsojnë Bill Klintonin, Toni Blerin dhe Vesli Klarkun. Edhe sot shumë veprime të zyrtarëve serbë flasin se ata duan të manipulojnë edhe me Ju që në Kosovë të zbatoni atë politikë që synon Serbia. Kur disa diplomatë nga Ju ose politikanë me renome botërore u deklarojnë mediave apo deklarojnë në forume të ndëryshme se, Kosova duhet të pavarësohet, zyrtarët serbë bëhen shumë agresivë dhe menjëherë deklarojnë të kundërtën. Kështu ndodhi edhe pak më parë me ministrin e jashtëm serb Vuk Drashkoviq, i cili ditën e inaugurimit me një mllef të veçantë antishqiptar para gazetarëve deklaroi se Kosova do të jetë prioritet i politikës serbe. Është shumë e qartë se me këtë potez ai i signalizoi të gjithë diplomatët që të kenë kujdes në deklaratat e tyre. Ky ultranacionalist serb deklarata të tilla nga pozita hegjemoniste dhe provokative ka dhënë shumë herë duke përsëritur në mënyrë permanete se Kosova është Jeruzalemi serb.

Ju zotërinj, shumë herë keni deklaruar se me ndryshimin e sistemit shoqëror do të zgjidhet edhe problemi i Kosovës. Mua më duket absurde. Këtë e ka vërtetuar edhe koha. Kështu kanë menduar edhe komunistët shqiptarë kah gjysma e shekullit të kaluar, duke qenë të bindur se me përmbysjen e rendit borgjez, do të zgjidhet edhe çështja shqiptare. Historia tregoi se kjo nuk ngjau. Ju sot pohoni të kundërtën. Mendoni se me rikthimin e sistemit borgjez në Serbi me formë demokratike të sundimit do të zgjidhen edhe çështjet ndëretnike. Të predikosh se demokratizimi do t’i zgjidh çështjet ndëretnike është sikur të biesh në pozitën e predikuesëve të fesë se, përkatësia në këtë apo në atë besim i siguron shpirtit parajsën.

Unë nuk besoj se Ju jeni të bindur se çështja e Kosovës do të zgjidhet aq lehtë, nuk besoj se Ju keni shpresa në partitë që janë në pushtet e as i besoni ndonjë partie tjetër politike serbe se do të bëjë kompromis me Ju rreth Kosovës e as që keni iluzion në ndryshimin e pozicioneve serbe rreth Kosovës. Ju jeni të bindur në mentalitetin serb se ai nuk ndryshon dhe se ky mentalitet forcohet edhe më tej me indoktrinimin që bëhet në mënyrë sistemaike. Kjo vërehet nga të gjitha deklaratat e zyrëtarëve të Beogradit. Në të gjitha rastet dhe në të gjitha forumet deri në selinë e BE-s dhe të OKB-s. Këtë dëshmojnë shumë mirë edhe reagimet që bënë këta zyrtarë rreth ngjarjeve të 17 marsit, për të cilat bashkë me shqiptarët u akuzuan edhe Juve, edhe pse ky ishte një skenar i përgaditur mirë nga vetë serbët.

Ndërkaq fatkeqësia nuk qëndron në ofenzivën e shfrenuar të diplomacisë serbe. Për këtë egërsi shqiptarët nuk çuditen. Neve na habit fakti pse një numër i konsederueshëm diplomatësh rranë në kurthin e tyre dhe dhanë deklarata në favor të serbëve duke i fajësuarë shqiptarët për dhunë ndaj serbëve. Megjithëse ky skenar ishte një kurth, asnjë diplomat nuk doli me qëndrim të prerë për t’i fajësuar serbët e për të këruar analizimin e tërë asaj që kanë bërë. Ngjarjet e 17 marsit bllokuan bisedimet shqiptaro – serbe, megjithatë unë nuk mund të pohoj në mënyrë katigorike se këtë skenar serbët e përgaditën edhe për të zvarritur bisedimet. Këtë do ta vërtetojë koha nëse do të vazhdojnë bisedimet dhe nëse serbët do të përgadisin edhe skenare të tjera.

Në këtë kontekst më duhet të sqaroj një problem me peshë të veçantë. Edhe pse shqiptarët kanë pësuar nga serbët të këqia me përmasa tronditëse gjatë sundimit njëqindvjeçar, edhe pse nga serbët janë vrarë e masakruar rreth 15 mijë civilë shqiptarë, ne nuk e kundërshtuam në mënyrë kategorike iniciativën Tuaj për bisedime. Kjo nuk ka ndodhur me serbët. Ata edhe pse pandërprerë flitnin për dialog me shqiptarët, në të gjitha rastet i kushtëzonin bisedimet se për pavarësimin e Kosovës nuk mund të bisedohet, se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se shqiptarët duhet të jenë qytetarë tolerantë të këtij shteti shtypës. Të gjitha këto deklarata ishin provokime si për udhëheqësit shqiptarë, si për politikanët ashtu edhe për popullin. Së këndejmi rezistenca që bënë disa udhëheqës shqiptarë për të marrë pjesë në bisedime, përpos shumë arsyenave të tjera, ka për mbështetje edhe deklaratat e zyrtarëve serbë. Shumë deklarata kanë qenë edhe kërcënuese ndaj shqiptarëve, në prapavijën e të cilave nuk deshifrohet vetëm ajo se serbët ende nuk janë ngirë me gjakë shqiptari, por edhe mëllefi pse gjatë luftës nuk e shfarosën tërë popullin shqiptar. Zyrtarët serbë janë shumë të zemëruar edhe në forcat e NATO-s edhe në diplomacinë pse pengoi realizimin e qëllimeve fashiste për të likuiduar popullin shqiptar.

Nuk ka dyshim se ky mentalitet dhe ky pozicionim i politikanëve serb është pengesa kryesore e vazhdimit të bisedimeve, e thellimit të tyre në çështjet esenciale dhe i përfundimit të tyre me sukses. Bisedimet  mund të zgjasin në pafundësi, por në qoftë se do të mungojnë rezultatet, ato ose do t’i ndëpret Serbia dhe do t’i kushtëzojë me kërkesat të tjera, ose do të ndëpriten përfundimisht me refuzimin e palës shqiptare. Në këtë rast është detyrë e Juaj që problemeve t’u qaseni me një seriozitet tjetër, t’i nxjerni në shesh problemet reale dhe t’i bindni serbët se Kosova nuk është as djepi i tyre e as tokë e tyre. Ata kanë arrdhur në Kosovë shumë vonë dhe se ky teritor edhe sot është i banuar mbi 90% me shqiptarë.

Disa nga Ju insistojnë me këmbëngulje për pajtimin ndëretnik në Kosovë. Kjo inciativë fisnike nuk mund të kundërshtohet, megjithëse barbaritë serbe e kanë ngarkur ndërgjegjen shqiptare. Disa diplomatë për ta arsyetuar inciativën e tyre kanë bërë krahasime edhe ndërmjet raporteve të popujve evropianë. Në këtë kontekst shpeshherë kanë marrë si shembull pajtimin ndërmjet gjermanëve dhe francezëve. Është fakt se konflikti gjermano – francez ka qenë një ndër konfliktet më të rënda në Evropë, por edhe shembulli i pajtimit është poashtu më spektakulari që ka ndodhur në Evropë. Në këtë pajtim të madh rolin kryesor e luajtën dy njerëz të mëdhej Charl de Gol dhe Vili Brant me fjalimet të tyre për pajtimin e dy popujve të mëdhej dhe me kulturë të madhe evropiane. Të dy këta burra shteti do të bëhen pishtarë të pajtimit. Edhe dë Goli edhe Branti kërkuan falje reciproke në emër të qeverive dhe të popujve të tyre. Ata sqaruan dhe bindën masën e popullit se nuk janë fajtorë popujt për atë që ka ndodhur gjatë historisë, por politikanët që u kanë vënë zjarrin marrëdhënive fqinësore.

Dua të thekësoj, se ky potez nuk u luajtë nga serbët. Sa për rikujtim dua po ashtu të përmendi se rastet nuk janë indentike. Deri sa midis fransezëve dhe gjermanëve kemi pasur krime në të dya anët dhe fajtorë kanë qenë të dyja palët, në Kosovë puna ndryshon krejtësisht. Ju mund ta dini, por mund edhe të informoheni nga shumë burime se që nga aneksimi i Kosovës, gjenocid, krime, masakra, barbari, dhunime, burgosje, dënime, dëbime e asimilime kanë bërë vetëm serbët. U takon serbëve që të kërkojnë falje nga shqiptarët për të gjitha këto. Shqiptarët mund të kërkojnë falje vetëm pse janë gjallë, pse nuk janë bërë serbë ose pse thithin ajrin e Kosovës. Të nderuar diplomatë, Ju në këtë pikëpamje keni dështuar. Nuk keni këmbëngulur që së paku të dëgjohet fjala e Juaj se jeni përpjekur për t’i bindur serbët për të kërkuar falje. Ju keni bërë të kundërtën, keni kërkuar nga shqiptarët dhe këkoni me çdo kusht që të ulen rreth një tavoline me vrasit e tyre.

Si i shikoni Ju zotërinj diplomatë këto bisedime: bisedime ndërmjet dy palëve të barabarta apo ndërmjet palëve joekujvalente?

Ju e dini fare mirë kush me kë bisedon, por është në interesin Tuaj që së paku përkohësisht të ruhet status quo-ja dhe të bisedohet sa për formalitet, sa për t’u shënuar se bisedimet filluan. Droja e shqiptarëve për të bisedsuar ishte që në fillim shumë e qartë dhe shumë bindëse. Shqiptarët donin bisedime të barabarta dhe jo ultimative nga pala serbe. Ju këtu nuk e luajtët rolin e duhur që nëse pala serbe ulet në tavolinë ashtu siç u ul me shumë deklarata kërcënuese se Kosova është serbe, se shqiptarët duhet ta pranojnë shtetin serb etj, atëherë, nuk duhet të ishit shqetësuar pse pala shqiptare në fillim i kundërshtoi këto bisedime. Te shqiptarët është ngulitur bindja se nuk mund ta pranojnë si të tyrin një shtet i cili i vret dhe i masakron.

Megjithatë Ju aritët që të dyja palët t’i takoni në Vjenë edhe pse në pozicione krejtësisht të pabarabarta dhe skajshmërisht të armiqësuara. Edhe spektakli që u paraqit në ekranet televizive shprehte armiqësinë e skajshme të serbëve ndaj shqiptarëve pa gjasa minimale për biseda të sinqerta. Megjithatë Ju këtë takim e quajtët si rezultat të madh. Ju arritët ta bëni këtë spektakël. Por ky ishte një spektakël i takimit të xhelatit me viktimën, të prokurorit me të akuzuarit, të pronarit me skllavin. Ju aritët që t’i ulni në tryezën e bisedimeve shqiptarët me vrasësit e pangopur të tyre. I ulët me ata që i akuzojnë shqiptarët për terrorizëm pse kërkojnë të jenë të lirë, të mos vriten e masakrohen nga bandat e organizuara të shtetit serb.

Bisedimet filluan, por akoma nuk është e qartë a do të vazhdojnë, kur do të vazhdojnë dhe si do të vazhdojnë. Një gjë është e sigurtë. Këto bisedime nuk do të mund të vazhdojnë në qoftëse edhe më tej do të mbështen në parimet hegjemoniste serbe.

 

  1. Siç u theksua më sipër, standardet para stausit përbëjnë parimet hegjemoniste të Deu ex machin-ës serbe për të bllokuar çdo kompromis, çdo marrëveshje dhe çdo rezultat që çon kah vendosja e një rendi paqësor në këtë hapësirë në favor të shqiptarëve dhe të të gjithve.

Përvoja e deritashme është një argument shumë i fuqishëm. Lufta filloi për arsye se serbët u inpononin shqiptarëve vullnetin e tyre, ushtronin terror mbi shqiptarët, nuk deshën të bëjnë kurrfarë lëshimi dhe refuzuan të merren vesh me fjalë. NATO-ja intervenoi po ashtu për arsyje se serbët as pas bisedimeve maratonike me diplomatë ndërkombëtarë, as pas intervenimeve të shumëta nga jashtë nuk ndryshuan mendimin. Gjendja ekzistuese është ajo që është. Kjo gjendje është edhe e pakontestueshme edhe që nuk mund të kthehet prapa, pavarsisht nga ekuilibri i forcave. Serbia e kërkon kthimin e gjendjes së paraluftës, nëse kjo do të jetë e mundëshme për të dominuar me shqiptarët, kurse ne synojmë të kundërtën, por duke mos i diskriminuar serbët. Ju zotërinj diplomatë synoni të mbani një baraspeshë qoftë ajo edhe artificiale dhe të ruani përkohësisht status quo-në. Pra, kemi tri opcione, që është shumë vështirë për gjetjen e një kompromisi të arsyeshëm. Këtë më së miri e dëshmon puna në Parlamentit e Kosovës. Serbët zakonisht e bojkotojnë punën e Parlamentin, nuk marrin pjesë në votimin e shumë vendimeve të rëndësishme ose votojnë kundër. Shqiptarët këmbëngulin në miratimin e ligjeve me rëndësi të madhe si për zhvillimin e shpejtuar të Kosovës ashtu edhe për shpejtimin e pavarësimit të saj. Ndërasa kryeadministratori, i shpall të pavlefshme në mënyrë arbitrare, të gjitha vendimet e miratuara në Kuvend, që i kundërshtojnë serbët e që kanë rëndësi për procesin e pavarësimit të Kosovës.

Kam bindjen se UNMIK-u duhet të ndryshojë strategjinë e vet në Kosovë. Me këtë strategji, që është ndjekur këto pesë vite, as që do të mund të zgjidhen problemet, as që do të mund të shkojë puna përpara. UNMIK-u nuk duhet të solidarizohet me rezistecën serbe për të penguar e për të bllokuar punët e Parlamentit. Qëndrimi i deputetëve serbë në Parlament, në thelb, shpreh karakterin hegjemonist të politikës serbe. Raportet me të tjerët serbët gjithmonë i kanë mbështetur në parimin e dominimit mbi të tjerët. Mbi këtë mentalitet ata e ndërtojnë edhe politikën e tashme dhe synojnë që këtë politikë t’ia imponojnë edhe kryeadministratorit. Të gjitha idikacionet flasin se vrepimet serbe organizohen në bazë të një strategjie të përkryer në Beograd. Ata me çdo kusht kërkojnë jo vetëm ta mbanë status quo-në e Kosovës, sepse as kjo gjendje nuk u konvenon, por ta rikthejnë gjendjen e viteve të 90-ta, ku në mënyrë absulute dominonin serbët. Kërkesat e tyre nuk kanë fund, as që do të kenë fund. Ata sot kërkojnë gjoja kthimin e të shpërngulurve  me të gjitha benificionet, nesër do të kërkojnë dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, siç kanë vepruar gjatë gjithë shekullit të kaluar. Për këtë është duke punuar Beogradi në mënyrë perfide me lansimin e tezës se terrorizimi shqiptar i kanoset Ballkanit. Këtë politikë e dëshmon edhe emri i aleancës politike serbe “Povratak” (kthimi), që në mënyrë eksplicite shpreh tentimet për këthimin e Serbisë dhe të serbizmit në Kosovë. Ajo synon të kthejë administratën serbe, policinë serbe dhe ushtrinë serbe.

Kjo nuk është një ratësi, as një politikë parciale që ka të bëjë vetëm me shqiptarët. Ndonëse politika serbe ndaj shqiptarëve është më e egra në Ballkan, një fenomen i tillë nuk ndodhi vetëm me shqiptarët. Pastrimi etnik është parimi fundamental pansllavist i luftës. Sipas këtij parimi, ku shkelin sllavët çdo gjë digjet e shkatërrohet, ndërsa popullësia vritet, dëbohet dhe asimilohet. Kështu kanë vepruar rusët me shumë popuj aziatikë. Kështu veprojnë edhe sot me çeçenët e me shumë popuj të tjerë. Kështu kanë vepruar dhe veprojnë edhe serbët. Por, intervenimi Juaj në Bosnje dhe në Kosovë ia shkatërroi përfundimisht planet pansllaviste Serbisë. Serbia synonte që në Kosovë të ngelin vetëm shtëpi të djegura dhe varreza masive, që Kosova të pastrohet etnikisht një herë e përgjithmonë. Por, kjo nuk ndodhi. Është meritë e Juaja që nuk mund ta mohojë vetëm ky brez, por as brezat që do të pasojnë. Ju intervenuat, në momentin më delikat për të ndalur ushtrinë dhe policinë kriminale serbe për të shfarosur një popull të tërë. Këtu qëndëron rëndësia e madhe e ardhjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Në popull ka iluzione se NATO-ja intervenoi për ta çliruar përfundimisht Kosovën dhe për të na e dorrëzuar si në pjatë. Kështu mendojnë edhe disa politikanë shqiptarë. Por, gjërat nuk janë aq të thjeshta. Për t’u arritur pavarësia e Kosovës ka edhe shumë punë. Para kësaj pavarësie, vërtet ekzistojnë shumë pengesa, kemi edhe dokumente e marrëveshje të nënshkruara që nuk e parashohin pavarësinë e Kosovës, kemi edhe mjaftë forca të jashtëme që e pengojnë këtë pavarësi. Në mënyrtë të veçantë duhet të përmendet Marrëveshja 1244 e Këshillit të Sigurmit të OKB-së, që nuk parasheh pavarësimin e Kosovës. Përveç kësaj kemi edhe interesat gjeo – politike të fuqive të ndëryshme, sidomos të Rusisë dhe të Kinës, që shumë herë kanë dalur haptas kundër pavarësimit të Kosovës.

Ndonëse intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk i dha fund problemint të Kosovës, ndonëse UNMIK-u nuk e pavarësoi Kosovën, në mënyrë maramendëse dhe si me magji siç ishte predikuar gjatë gjithë decenies së fundit nga disa forca politike, ky intervenim e ka peshën e vet. Këtu dua të them haptas se intervenimi i forcave të NATO-s ka rëndësi vitale për shqiptarët, edhe pse nuk u zgjidh përfundimisht problemi i Kosovës.

Në këtë letër më duhet të theksoj një fenomen që edhe në kokat e njerëzve nuk është i qartë, edhe në mediat kemi pasur mjaftë informata jotëplota, madje edhe dezinformim. Zotërinj të nderuar, Ju që keni lejuar intervenimin e NATO-s keni bërë një punë fisnike dhe parimore, sepse keni shpëtuar një popull nga shfarosja, por, njëkohësisht keni manifestuar edhe një tolerancë joparimore. Esenciale në politikën Tuaj, më duket se, janë dy gjëra kondratiktore, pasaojat e të cilës manifestohen pikërisht tani. Ju intervenuat kundër forcave serbe edhe për të mbrojtuar shqiptarët nga shfarrosja edhe për të penguar një konflikt të mundshëm në përmasa të mëdha. Por, Ju një kohësisht intervenuat për të mbrojtur edhe sovranitetin e shtetit serb. Ndoshta alternativa e fundit mund të ishte edhe kushti kryesor i kompromisit rus për intervenim mbi forcat serbe. Nga kjo optikë, as ardhja e forcave ruse në Aeroportin e Prishtinës para forcave të NATO-s nuk ishte as rastësi e as e paplanifikuar. Ai ishte një provokim i rëndë për të ndezur luftën në përmasa të paparashikushme. Dhe vetëm mençuria e ushtarakëve amerikanë, e evitoi një konflikt të madh.

Ajo që ka ndodhur deri tash në Kosovë dhe ajo që është duke ndodhur tani, dëshmon se intervenimi i NATO-s dhe prezenca e administratës ndërkombëtare kanë qenë të domosdoshme. Deri tani ato kanë kryer një punë të madhe, por ka ngelur e pakryer edhe një pjesë e madhe e punës, që për shqiptarët ka rëndësi vitale. Ky është problemi i pavarësimit të Kosovës. Këtë pohim të fundit nuk e them pse më pëlqen dhe duke u mbështetur në egon time kombëtare, por nga fakti se Kosova është koloni serbe. Për t’u dekolonizuar, ajo duhet të pavarësohet, duke u shkëputur përfundimisht nga Serbia. Ky duhet të jetë opcioni më i drejtë dhe më real. Çdo alternativë tjetër, do të ishte e dëmëshme edhe për banorët e Kosovës, në përgjithësi edhe për shqiptarët në veçanti, edhe për këtë pjesë të rajonit të Ballkanit, sepse nuk do të zhdukeshin shkaqet e ripërsëritjesë së konfliktit. Nëse dikush mendon që problemin e Kosovës ta zgjidh nëpërmjet procesit të integrimit, duke trajtuar Kosovën si provincë apo principatë serbe, gabon rëndë. Kosova nuk mund të integrohet në Evropë si e tillë.

Është fakt i pakontestueshm se Këshilli i Sigurimit ka miratuar një rezolutë, që defakto pengon pavarsimin e Kosovës. Mendoj se kjo rezolutë nuk mbështetet as në parimet e frymës politike të OKB-së e as në Kartën e saj si dokument kryesor. Rezoluta 1244 është rezolutë diskriminuese, për arsye se pranon sovranitetin e shtetit serb mbi teritorin e një populli tjetër – përkatësisht të popullit shqiptar. Këtë e them pa hezitime, për arsye se Kosova është e banuar gati tërësishtë me shqiptarë. Këtu edhe një herë po e përsëris se të gjitha dokumentet relevante të Kongresit të Berlinit dhe Konferecës së Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha në Londër, provojnë se Kosova ishte teritor shqiptar, i banuar kryesisht me shqiptarë dhe i aneksuar arbitrarisht Serbisë.

Aktualisht kur puna e Këshillit të Sigurimit mund të bllokohej nga vetoja ruse dhe kineze, është shumë e qartë se rezolutë më e favorshme për shqiptarët nuk ka mundur të miratohet. Në politikën aktuale në Kosovë kemi dy qasje rreth kësaj rezolute. Një palë e politikanëve këtë e konsiderojnë si antishqiptare, ndërsa një pjesë janë të rezervuar për të dhënë mendimin e tyre rreth këtij dokumenti skandaloz. Esenciale nuk është që të japim vlerësime për këtë rezolutë se a është e mirë apo jo, por, të pranohet fakti i pakontesueshm se rezolutë më e përkryer për shqiptarët në ato rrethana nuk ka mundur të miratohet. Prandaj shqiptarët duhet të heqin dorë nga vlersimi i kësaj rezolute dhe të synojnë realizimin e koncepteve politike.

Por, vendimet politike nuk janë vendime që nuk mund të ndryshohen. Ato nuk janë të shenjëta. Ato kanë qenë të ndryshueshme dhe mund të ndryshohen, në përputhje me ndryshimin e rrethanave, të ekuilibrit të forcave dhe të inponimit të rrjedhave politike.

Të nderuar diplomatë, kam bindjen se në këtë drejtim Ju jeni duke bërë edhe një gabim, edhe një padrejtësi, për të cilën mund t’u gjykojë më vonë historia. Ju angazhoheni në mënyrë kategorike që të realizoni rezolutën 1244, pa gjykuar se a është gjithçka në rregull në atë rezolutë, a ka diçka që është paradoksale dhe absurde në të, a ka diçka që duhet të ndëryshojë në përputhje me rrethanat dhe a ka diçka që e ka shkelur koha. Në qoftëse kjo rezolutë, që është miratuar para pesë vjetësh dhe në rrethana lufte, ndoshta do të ishte më e arsyeshme që të diskutohet edhe një herë në Këshillin e Sigurimit dhe të hiqen të gjitha ato elemente që shkakëtuan luftë. Ju këmbëngulni në ruatje e sovranitetit të Serbis mbi Kosovën, pa rezonuar se pikërishtë këtu qëndron edhe shkaku i luftës. Prandaj të lëshë Kosovën nën sovranitetin serb, do të thotë të mos evitosh shkaqet e luftës.

Kam përshtypjen se Ju po veproni sipas strategjisë përpjekje – dështime, pavarsisht nga fakti se kjo strategji nuk është duke dhënë rezultate të duhura. Përpjekjet për t’i pajtuar popujt e armiqësuar në mënyrë sistematike për më shumë se një shekull, e që idoktrinimi antishqiptar po fuqizohet gjithnjë e më shumë, nuk mund të jap rezultate që pritni Ju. Është mëse e nevojshme që në strategjinë Tuaj diçka duhet të ndryshohet. Në rend të parë, Ju duhet të ndryshoni disa dokumente, duke përfshirë këtu edhe rezolutën, që paraqesin bazametin orientues të punës Suaj dhe krahas kësaj duhet të ndryshoni edhe qasjen praktike ndaj problemeve ekzistuese. Kam bindjen se puna Juaj më tepër përqëndrohet në arritjen e sukseseve partikulare, me qëllim që të realizohet diçka sa për të thënë se ja bëni punë. Shembull konkret po jap insistimin Tuaj për t’i bindur shiptarët që të hyjnë në dialog me serbët. Uljen e palëve të konfrontuara rreth një tavoline Ju me një pompozitet të madh e quajtët sukses spektakular. Është mëse evidente që manifestimet e tilla pa rezultate të quhen suksese, madje kur menjëherë pas bisedimeve të para, Ju u detyruat të pranoni se ngjarjet e 17 marsit ishin debakli më i madh i politikës ndërkombëtare në Kosovë.

Dështimet Tuaja të deritashme në të gjitha fushat janë të shumëta. Unë nuk dua të numëroj fakte të tjera, përpos atyre që përmenda, dhe të jap të dhëna konkrete, sepse në këtë mënyrë mohohet angazhimi Juaj që keni ardhur për të na ndihmuar, por nuk mund të kaloj pa theksuar një fakt. Dorëheqja e parevokueshme e dy kryeadministratorëve të deritashëm është dëshmi se situata në Kosovë është duke u keqësuar dhe qasja e mëtejme sipas kësaj strategjie do të shkaktoi probleme ende më të komplikuara.

 

 

  1. Ju këmbëngulni me çdo kusht në implementimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, por, duke u përqëndruar më shumë në ato paragrafe që kanë të bëjnë me të drejtën e serbëve. Aktiviteti Juaj kryesisht është fokusuar në kthimin e serbëve, gjoja për të krijuar një Kosovë multietnike. Natyrisht këtë fenomen Ju e konceptoni kështu, por, praktikisht kthimin e serbëve Serbia e kosideron ndryshe. Ajo koncepton një Kosovë të rikolonizuar me serbë. Ju niseni nga pozicioni që serbët që duan të kthehen t’ua plotësoni kërkesat, por Ju nuk mështeteni në faktin se serbët nuk duan vetëm të kthehen si individë në Kosovë, por para së gjithash ata nëpërmjet Jush kërkojnë ta rikthejnë situatën që shkaktoi luftë. Në këto kërkesa serbët shpeshherë kalojnë limitin e arsyes dhe kërkesat e tyre shndërohen në kërkesa absurde. Gabimi Juaj qëndron në faktin se në vend që t’i kundërshtoni kërkesat e tilla, Ju i toleroni ato. Kështu ndodhi edhe me ngjarjet e 17 marsit. Edhe pse serbët provokuan të parët, nxitën dhe shkaktuan atë dhunë, Ju fajësuat shqiptarët, pa bërë analizën e nevojshme të situatës. Edhe pse kanë kaluar tre muaj nga ato ngjarje, Ju hezitoni të nxirni në shesh të vërëtetën dhe vazhdoni edhe më tej t’i fajësoni shqiptarët, në vend që fajin t’ua hudhni fajtorëve të vërtetë – serbëve. Edhe gjatë luftës edhe pse serbët ushtronin terror, bënin krime, nuk nguronin që shqiptarët t’i akozojnë për terrorizëm e krime. E njëjta strategji nga serbët zbatohet edhe sot. Ata ushtrojnë mbi shqiptarët edhe dhunë edhe terror dhe më në fund përsëri fajin ua hudhin shqiptarëve.

Zotërinj të nderuar unë nuk pretendoj t’u jap leksione Juve, sepse në rend të parë Ju jeni në pozitë më të lartë se unë dhe i njihni punët më mirë se unë. Megjithate, eseciale, këtu nuk është njohja e situatës, por veprimi praktik. Ju duhet të intervenoni drejtë dhe të goditni atë që duhet të goditet. NATO-ja nuk intervenoi në Kosovë për t’i luftuar “terroristët” shqiptarë siç i quajte Serbia ushtarët tanë, por intervenoi për ta mposhtur ushtrinë dhe policinë terroriste serbe që bënte krime dhe gjenocid. Edhe sot, serbët me provokimet e ndryshme insistojnë që me çdo kusht fajin t’ua hudhni shqiptarëve, por duke u mbështetur në faktin se shqiptarët veprojnë kundër Rezolutës 1244.

Më duket se këtë rezolutë të Këshillit të Sigurimit Ju e keni bërë temë tabu. Kërkoni që ajo të zbatohet me përpikëri. Në rregull, kjo është e drejta Juaj, por a nuk gjykoni se kjo rezolutë është në kundërshtim me parimet themelore të kartës së OKB-së. Me këtë rezolutë Ju shkelni parimet themelor të vetëvendosjes së popujve. Ju angazhoheni me çdo kusht për ruajtjen e kufive ekzistues në këtë pjesë të Ballkani, pa marrë parasysh se këto kufij janë kufij më të padrejtë në Evropë, se janë caktuar nën presionin e politikës pansllaviste ruse. Prandaj unë mendoj se korrigjimi i këtyre kufijëve nuk është prishje kufijsh, por praktikisht vënia e tyre në vend të duhur dhe korrigjimi i padrejtësive të mëdha të bëra mbi shqiptarët. Politikani i madh çek dhe shkrimtari i dalluar Vaslav Havel me rastin e shkputjes së Sllovakisë nga Çekija (ish Federata çekosllovake), me 2 mars të vitit 1999 gazetës pariziene “Le Monde” i deklaron: “Ka vlera më të larta se kufijtë. Vullneti i popujëve për të jetuar të pavarur është vlera më e lartë njerëzore”.

Kam bindjen se Ju zotërinj, u shmangeni obligimeve për të respektuar këtë vlerë. Nuk ka dyshim se Ju shkelni mbi Kartën e Kombeve të Bashkura, për të ruajtur hartën e tashme politike të Ballkanit. Duke u munduar të ruani kufijtë e tashëm të këtij rajoni, Ju zbatoni gjeografinë në veprimtarinë Tuaj diplomatike (gjeopolitikën). Unë mendoj, se për një paqë të përjetëshme duhet vepruar ndryshe. Duhet respektuar historia dhe vullneti i popujve. Me këto veprime, po përsëris edhe një herë pa hezitim, se kufijtë e shtetit të sotshëm shqiptar, që i kanë caktuar paraardhësit Tuaj, janë më të padrejtët në Evropë. Për t’i ruajtur këta kufij arbitrarë u organizua edhe Konferenca e Helsinkut më 1975 (Konferenca e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian). Ngjajshëm me këtë si dhe për të forcuar këtë koncept u organizua edhe Konferenca për Sigurim dhe Bashkëpunim e Parizit më 1990. E kësaj fryme është edhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së më vitin 1992. Qëllimi i të gjitha këtyre Konferencave ishte për ta ruajtur satatus quo-në e kufijëve në Evropë, sepse dihet se shumë kufij janë caktuar arbitralisht dhe pa përfillur vullnetin e popujve. Ngjarjet e zhvilluara provuan dështimin e këtyre konferencave dhe triumfin e vullnetit të popujve. Pavarësimi i Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës është një argument që flet shumë në favor të tezës se të gjithë kufijtë e padrejtë duhet të ndëryshohen në favor të vullnetit të popujve. Në këtë mënyrë jetësohen edhe parimet e Kartës së OKB-së për vetëvendosje.

Vitet e fundit, si rezultat i luftërave në rajonin e ish – Federatës Jugosllave, disa diplomatë kanë vënë theksin mbi pasojat e këtyre kufijëve, ku nuk është përfillur vullneti i popujve dhe kanë signalizuar se alternativa më e mirë e vendosjes së një paqeje të vërtetë dhe afatgjate është korrigjimi i kufijve të padrejtë. Personalisht jam i mendimit se është detyrë prioritare e Juaja që të angazhoheni seriozisht së pari në aktualizimin e çështjes së ndryshimit të kufijve dhe mandej, për këtë, çështje të vendosin edhe organet përkatëse të OKB-së. Kjo strategji, në qoftëse do të zbatohej me një konsekuencë politike dhe përgjegjësi morale, do të jepte rezultate e duhura. Së pari, duhet të dalë në shesh e vërteta dhe të mos shtrembërohet historia, sepse shtrembimi i fakteve historike është burim i konflikteve. Mossukseset e diplomacisë Suaj duhet t’i kërkoni në qasjet e gabuara mbi problemet ekzistuese. Shikuar nga ky kënd, duhet theksuar, se në vend që Ju të punoni me serbët që të pranojnë se në Kosovë paraardhësit e shqiptarëve – ilirët kanë jetuar disa mijë vjet para se të vijnë sllavët në këto anë, Ju heshtni para propagandës serbe se Kosova është djepi i Serbisë.

Në këtë mënyrë Ju jeni duke ecur në të njejtën rrugë, të cilën serbët pjesërisht e kaluan. Por, ata që tentuan ta përvetësojnë Kosovën me masakra e gjenocid sot gjykohen në Hagë. Prandaj përpjekjet Tuaja të mëtejme në Kosovë për t’i pajtuar shqiptarët me serbët në këto rrethana, ku Serbia ende po i mbanë peng kufomat e shqiptarëve, janë shumë absurde. Është strategji shumë më e mençur që Ju të punoni, t’i bindëni serbët që të heqin dorë nga Kosova dhe serbët që janë në Kosovë dhe që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë të jenë qytetarë të lirë të saj. Por, si duket dhe siç dëshmon praktika diplomatike e deritashme, Ju i frigoheni një strategjie të këtill dhe zbatoni një strategji tjetër, duke u bërë presion shqiptarëve që ta pranojnë status quo-në e kufijëve ekzistues. Këtu qëndron edhe arsyeja e intensifikimit të veprimëtarisë diplomatike me shqiptarët dhe rreth shqiptarëve, sidomos me sugjerimin e Bashkimit Evropian. Është evident takimi i politikanëve dhe i udhëheqësve shqiptarë me atë të fqinjëve dhe ndërmjet vet shqiptarëve në të dya anët e kufirit më shumë se kurrë më parë. Këtu po marr si shembull vetëm takimet mbrenda një jave. Më 13, 14 dhjetor të vitit 2003, pesëmbëdhejtë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së qëndruan në Kosovë, më 15, 16 dhjetor ky delegacion vajti në Beograd. Më 14 dhjetor po të vitit 2003 kryeministëri i Maqedonisë takohet me atë të Shqipërisë. Vetëm dy ditë pas, zëvendësministri i jashtëm serb viziton Tiranën (takimi i parë pas 60 vjetësh i marrëdhënieve shumë të acaruara). Më 17 dhe 18 dhjetor delegacioni ushtarak grek qëndron në Ohër (në kufij të Shqipërisë). Më 18 dhjetor ministri i jashtëm shqiptar qëndron në Prishtinë, menjëherë pas kthimit nga Moska dhe Beogradi. Siç shifet, pra, të gjitha këto takime bëhen për një kohë maramendëse të shkurët.

Se çka është biseduar prapa dyerëve të mbyllura të kësaj veprimtarie diplomatike, pa dyshim, është çështje sekrete. Por, as që është vështirë të konkludohet se çështja e kufijëve shqiptarë dhe çështja shqiptare është tema bosht e të gjitha bisedimeve. Takimet e dendura ndërmjet udhëheqësve shqiptarë në të dya anët e kufirit si dhe takimet e shpeshta midis udhëheqësve të shteteve të kësaj pjese të rajonit, sidomos të Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë është një fenomen tjetër që signalizon shqetësimin e Bashkimit Evropian. Këtu qëndron edhe arsyeja që krahas Brukselit, edhe Ohri është bërë qendra më e rëndësishme e takimeve ndëkombëtare për problemet e Ballkanit perendimor.

  1. Një manipulim dhe pazarllëk tjetër, shumë eksplicit që po bëhet me shqiptarët kohët e fundit janë edhe tryezat që po organizohen në qendra evropiane me temën “Shqiptarët dhe fqinjët”. Në këto tryeza zakonisht thirren udhëheqësit shqiptarë këndej e andej kufirit si dhe politikanë të përshtatëshm për organizatorët e këtyre tryezave.

Nuk kam të drejtë të ndërhyj as në organizimin e as në përmbajtjen e këtyre tryezave, por, si shqiptar, i jap të drejtë morale vetes t’ju pyesë: Pse pikërisht shqiptarët janë zgjedhur si subjekt kryesor e këtyre tryezave, e jo ndonjë popull tjetër ballkanik? Pse Ju zotrinj diplomatë nuk shtruat në tryeza diskutimi temën: Serbët dhe fqinjët për të trajtuar çështjen se si serbët shkaktuan katër luftëra me fqinjët, duke masakruar mbi 300 mijë civilë? Pse nuk shtruat në tryeza temën: Maqedonasit dhe fqinjët, të cilët nuk i pranojnë si popull as bullgarët, as grekët dhe as serbët?

Gjërat janë shumë të qarta. Keni fërigë zotërinj. Nuk guxoni të prekni aty, ku fyhet pansllavizmi, sidomos Rusia. Friga arsyeton çdo rezervim. Gjetët shqiptarët e pambrojtur për të bërë eksperimente nëpër maskarada të tilla për t’i mbajtur edhe më tej nën tutorinë sllave.

Derisa para një shekulli paraardhësit Tuaj nëpër konferencat e tilla kanë trajtuar temën fqinjët dhe shqiptarët duke plotësuar lakmitë e fqinjëve me tokat shqiptare, sot tema është definuar anasjelltas. Kjo nuk është një rastësi. Përkundrazi është një dinakri diplomatike që shqiptarët të legjitimojnë rrobërinë dhe sistemin kolonial në të cilin gjinden, të pranojnë kufijtë ekzistues dhe t’u jenë mirënjohës fqinjëve të tyre për statusin që kanë.

Është mëse evidente, ndonëse mediat këtë nuk e kanë publikuar sa duhet dhe si duhet, tryezat, në thelb kanë pasur të vetmin qëllim: të pranohet e të legjitimohet status quo-ja. Nuk ka pushtet më të sigurtë, më afatgjatë, më legjitim sesa kur i shtypuri e pranon pozitën e të dominuarit dhe i jep të drejtë dominantit që të sundojë edhe më tej dhe të ushtrojë dhunë mbi të. Duhet të jesh i marrë, e të mos hetosh faktin se shqiptarët janë bërë objekt i manipulimi dhe eksperimentimi. Ca shqiptarë janë mashtruar se gjoja në ato tryeza trajtohen çështje në interes të shqiptarëve. Ngjarjet që po zhvillohen flasin të kundërtën. Gjithçka është duke u bërë në interes të fqinjëve tanë.

Edhe pse diplomacia është një skenë teatrore ku loja politike zhvillohet në erësirë, gjërat janë shumë të dukshme. Neve në mënyrë direkte na imponohet bashkëjetesa me okupatorët e tokave tona dhe nuk na lejohet formimi i shtetit etnik shqiptar, duke e kualifikuar lëvizjen tonë çlirimtare si terrorizëm.

Organizimi i këtyre tryezave, në mënyrë të padiskutueshme, flet për një hezitim për t’u përballur me problemet reale politike. Të zgjidhish problemet e mëdha politike, të cilat nuk kanë mundur t’i zgjidhin politikanët më parë do të thotë të përballesh e t’i kalosh me sukses problemet që i imponon koha me domosdoshmëri dhe të japish shembull se si zgjidhen problemet që kanë lënë pasoja të rënda në hapësirën përkatëse shoqërore. Por Ju të nderuar, si duket nuk keni guximin t’u qaseni problemeve në mënyrë të vendosur, nuk doni të gëryeni rrënjët e problemeve ekzistuese, keni droje t’i analizoni rrënjësisht dhe t’i zgjidhni në mënyrë kosekuente. Prandaj zgjidhni strategjinë që bënë shumë zhurmë dhe nuk jep kurrfarë rezultatesh. Ju nuk doni të konfrontoheni me sfidat reale që i imponon jeta në Kosovë, prandaj edhe organizoni tryeza të tilla me tema shumë qesharake. Këto tema të shtynë që të dyshosh në faktin se njerëzit që flasin në ato tryeza: kanë apo nuk kanë lidhje me politikën? Jetojnë apo nuk jetojnë në hapësirën shqiptare? I takojnë apo nuk i takojnë kohës sonë? E njohin apo nuk e njohin realitetin shqiptar?

Ju zotrinj, që i organizoni këto tryeza bëni punën Tuaj. Faji nuk qëndëron te Ju. Ju mund të manipuloni me ne. Por,faij qëndron te ne, që hymë në biseda të tilla me ata që kanë grabitur shtëpinë tonë dhe nuk na kanë lënë edhe të banojmë aty.

  1. Koha dhe sfidat që do të sjell ajo do të provojnë çdo gjë. Këtu nuk është vendi për të bërë parashikime. Por, kjo strategji që po zbatoni aktualish për stabilizimin e gjendjes edhe në këtë pjesë të rajonit dhe për vendosjen e një paqje afatgjate, është me mjaftë gabime. Strategjia e imtegrimit të popujve të Ballkanit në kuadër të integrimit evropian, është ajo Deu ex machinë që doni ta vëni në lëvizje edhe për zgjidhjen e problemeve ndëretnike. Por, problemet ndëretnike të Ballkanit perendimor janë aq të komplikuara saqë çdo inciativë është e destinuar të dështojë, nëse nuk tenton t’i zgjidh problemet në mënyrë radikale dhe për të vëndosur atë gjendje që ka qenë para formimit të Serbisë së Madhe.

Praktika e deritashme në Kosovë provon se Ju ndryshe veproni me shqiptarët dhe ndryshe me serbët, për të cilën u fol më lart. Këtu po e theksoj edhe një herë këtë konstatim sepse një trajtim i tillë i serbëve nuk shpie vetëm në zvarritjen e gjendjes ekzistuese, por edhe në komplikimin e mëtejmë të kësaj situate. Serbët, gjatë gjithë historisë kanë pasur përkrahjen e diplomacisë së fuqive të mëdha. Është rasti i parë në historinë tonë që Ju, vitet e fundit, t’i shikoni ngjarjet më realisht dhe të bëni një kthesë sa do të vogël në trajtimin më real të ngjarjeve. Megjithatë, pak nga mentaliteti i trashiguar dhe pak nga presioni rus, nuk mund të shkëputeni lehtë nga e kaluara dhe të mbroni të drejtën e shqiptarëve në mënyrë konsekuente. Kjo situatë u ka vënë në pozicion që të kërkoni zgjidhjen e problemeve ashtu siç nuk zgjidhen, nëpërmjet integrimit. Popujt e kësaj pjese të Ballkanit çorbën e integrimit e hëngrën një herë, kur formuat Serbinë e Madhe në Konferencën e Vërsajës. Edhe pse ky integrim pati një jetë, relativisht, të gjatë, popujt e këtij rajoni, vullneti i të cilëve nuk u përfill në këtë konferencë e shembën me forcë këtë monstrum që krijuan paraardhësit Tuaj. Sot Ju tentoni përafërisht të njëjtën gjë, por, edhe me një arqitekturë tjetër edhe me një fasadë tjetër. Integrimi i parë që u krijua në fillim të shekullit të kaluar krijoj probleme aq të mëdha në fund të shekullit, që shkaktoi shthurjen e asaj krijese me një çmim shumë të lartë duke lënë mbi 300 mijë viktima.

Ska dyshim se qëllimi Juaj është që t’i zgjidhni problemet ekzistuese ndëretnike dhe ndërkufitare në mënyrë paqësore për t’iu shmangur konfliketeve të armatosura. Por, ky synim, siç po vërehet deri tash po bëhet në mënyrë shumë të çuditshme. Ju synoni të formoni një Kosovë multietnike, që është e banuar kryesisht me shqiptarë, ndërsa e kualifikoni si terrorizëm lëvizjen shqiptare për të formuar shtet në kufijtë e vetë etnikë, siç kanë popujt tjerë të Ballkanit. Edhe pse të gjitha argumentet janë në anën tonë, Ju nuk guxoni ta thoni as të vërtetën e as të merrni masa për zgjidhjen e drejtë të problemit. A e dini Ju zotërinj se edhe pse serbët kanë dëbuar në Turqi mbi 1 milion shqiptarë, më tepër se gjysma e popullit shqiptar gjenden këndej kufijve të shtetit shqiptar.

Strategjinë e integrimit të popujve të Evropës, aktualisht, nga shumë deklarata, komentime, e interpretime, mund të konkludohet se shqiptarët e kosiderojnë si strategji të mençur për t’i realiziuar aspiratat e tyre. Këtu mund të qëndrojë edhe arsyeja se asnjë popull tjetër në Evropë nuk ka bë fjalë më shumë për integrimin sesa shqiptarët. Shqiptarët edhe kanë formuar parti integruese. Asnjë popull, po ashtu, nuk ka nevojë më të madhe për integrim sesa shqiptarët. Megjithate, unë jamë skeptik në këtë proces të integrimit dhe dyshoj se shqiptarët do të fitojnë më shumë se ç’kanë tash. Dyshoj se problemi i integrimit do ta zgjidh edhe çështjen shqiptare. Siç janë duke u zhvilluar ngjarjet ka gjasa që pozita e shqiptarëve të keqësohet dhe hapësira e tyre fizike të ngushtohet edhe më tej. Nëse Ju do t’i lejoni këto procese, në fakt do të mund të vendosni një qetësi relative në këtë pjesë të Ballkanit, por në dëm të shqiptarëve, që do të thotë se shkaqet e konflikteve përsëri do të ngelin.

Aludimi Juaj se integrimi do t’i zgjidh problemet ndëretnike, nëse Ju realisht mendoni kështu, është një utopi po aq sa edhe ajo e Leninit, i cili thoshte se në një shkall të caktuar të zhvillimit shoqëror dhuna do të bëhet e tepërt dhe nuk do të ketë as shtypje e as nevojë për aparat shtetëror. Por, edhe këtu duhet bërë një dallim, deri sa komunizmi është një doktrinë filozofike që lindi në shtetet më të zhvilluara dhe me një qytetërim të lartë si Italia, Franca, Anglia dhe Gjermania, strategjia e integrimit, me sa di unë akoma nuk e ka doktrinën e vet filozofike. Integrimi, praktikisht nuk është as liberalizëm, as internacionalizëm bile edhe as kosmopolitizëm. Madje, kjo strategji e aktualizuar shumë në këto hapësira është treguar si qasje shumë e dobët për të përballuar nacionalizmin ekstrem pansllavist. Për këtë çëshje nuk dua të flasë më shumë, meqë mund t’i soditni edhe vetë ngjarjet që po zhvillohen nëpërmjet manifestimeve të ndryshme të sabotazheve, bojkotimeve, referendumeve dhe të mënyrave tjera nëpërmjet të cilave shprehen ndjenjat nacionaliste për hegjemoni.

Nga ky këndvështrim, trajtimi i integrimit si parim i zgjidhjes së problemeve të mëdha politike të natyrës ndëretnike, nxjerrë në pah dy karakteristika skandaloze: iferioritetin e fuqive perendimore para sfidave pansllaviste dhe paaftësinë e diplomacisë perendimore për zgjidhjen e problemeve të trashiguara. Mendoj, se ky interpretim është i pakontestueshëm, sepse pas katër luftrave që bëri Serbia për ta ruajtur hegjemoninë, nuk duhet t’i bëhen lëshime edhe më tej asaj.

 

Evropa e integruar është një ide e mirë për një paqë të përjetshme, si ideal filozofik dhe për t’u dhënë fund konflikteve të mbështetura me interesa të ngushta nacionale, siç kanë qenë në të kaluarën raison d’etat dhe logjika e ekuilibrit të forcave. Një tendencë e tillë është në përputhje me vullnetin e popujve, që janë kundër luftës. Mirëpo, integrimi si proces politik shtron shumë pyetje dhe dilema, se si do të zhvillohen e si do të përfundojnë punët rreth këtij plani të madh politik. Para së gjithash duhet theksuar se Evropa nuk është Amerikë, se bashkimi politik e Evropës nuk mund të jetë identik me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se në Evropë çdo popull ka historinë e vet disamijëvjeçare, kulturën e vet, madje edhe karakterin e vet kombëtar. Nga ana tjetër, historia e popujve evropianë deri tash është mbështetur në politikën e ngushtë nacionale dhe në frymën nacionaliste. Ajo është ngarkuar edhe me koflikte të vjetra edhe me konflikte nga ato që ndodhën tash e që vështirë mund të harrohen. Këto dhe shumë probleme tjera e komplikojnë problemin e bashkimit të Evropës në një komunitet të integruar nga shumë kombe, me shumë gjuhë, me histori dhe kultura të ndryshme.

Strategjia e integrimit evropian shtron edhe disa dilema të tjera. A do të vetëqeveriset Evropa, apo atë do ta qeveris NATO-ja? Nëse do të vetëqeveriset, si do të jetë përfaqësimi në atë mbishtet ose mbifederatë? Si do të hyjnë shtetet e reja në të dhe si do të përfaqësohen? Çdo të bëhet me kufijtë etnikë? Si do të veprohet nëse këte integrim nuk e pranojnë shtetet e mëdha, siç është paralajmëruar, p. sh. nga Anglia, që konsiderohet si djep i parlamentarizmit? A do të humbin identiten kombëtar disa popuj? etj.

Për këto çështje akoma askush nuk mund të parashykoj asgjë, aq më tepër kur disa popuj nuk pranojnë as monedhën e përbashkët dhe me referendume tentojnë të refuzojnë edhe integrimin.

 

 

  1. Këto procese integruese që po aktualizohen në Evropë, e që synojnë të shtrihen edhe në këtë pjesë të saj, gati nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin e kësaj hapësire. Këtu edhe pse flitet më shumë se në Evropë për integrimin, praktika tregon të kundërtën. Në këto pjesë të Ballkanit ende nuk janë krijuar kushtet më elementare për realizimin e këtij procesi politik. Jo vetëm shkaqet ekonomike por edhe ato politike janë problem shumë i madh. Të dalur nga lufta, popujt e kësaj hapësire janë ngarkuar me një dozë të madhe të nacionalizmit që është pengesa kryesore për integim.

Ky nacionalizëm nuk mungon as te shqiptarët dhe ne refuzojmë të integrohemi në Evropë kështu siç jemi tash të shpërdarë në pesë shtete. Megjithatë Ju keni strategjinë Tuaj, që mendoni ta realizoni për të arritur paqen dhe stabilitetin edhe në këtë pjesë të Evropës. Natyra e integrimeve është po ajo e federatave, konfederatave dhe perandorive – të ruhet paqeja. Duhet precizuar se edhe gjatë ndryshimeve që pëson shoqëria gjatë zhvillimit si në sisteme ashtu edhe në forma të sundimit, popujt nuk ndëryshojnë. Perandoritë, federatat dhe konfederata shthurren, ndërsa popujt ngelin. Këtë e synonte edhe Jugosllavia federative. Këtu qëndron edhe arsyeja që paraarrdhësit Tuaj aq shumë u angzhuan për ta ruajtur këtë federatë. Por ajo nuk mundi të qëndronte për arsye se ishte ndërtuar në baza jotëshëndosha. Jo rastësisht Jugosllavija ishte njëra nga fuqitë ushtarake më të mëdha në Evropë. Ajo pritte luftë, sepse në atë Jugosllavi dominonte hegjemonizmi serb. Serbët e dinin se e kishin okupuar Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Deri sa kroatët dhe sllovenët u çliruan, boshnjakët fituan një pavarësi relative, Kosova akoma gjindet midis pavarësisë dhe rifutjes nën sundimin serb. Zvaritja e pavarësimit të Kosovës, kundërshtitë e mëdha që i bëhen nga Serbia dhe lëshimet që po i bëhen asaj shtojnë dilemat dhe pasigurinë në popull se me Kosovën akoma asgjë nuk është në rregull.

Të nderuar zotërinj, në këtë situatë, udhëheqësit shqiptarë dhe organet e Kosovës nuk mund të vendosin për punë të mëdha. Është detyra e Juaj që punët e filluara t’i çoni deri në fund. Shqiptarët jetojnë në pesë shtete: në Mal të Zi, Serbi, Greqi, Maqedoni dhe Shqipëri. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë të pavarësohen nga Serbia, Ju nuk jeni unikë: disa e përkrahin këtë ide disa e kundërshtrojnë. Shqiptarët kërkojnë integrim mes veti në një shtet të përbashkët. Ju thoni se shqiptarët nuk duhet të bashkohen, por të integrohen në Evropë. Shqiptarët duan t’i ndëryshojnë kufijtë që ua kanë caktuar të tjerët, ju thoni se ndëryshimi i kufijve shkakton luftëra. Shqiptarët kërkojnë që të realizohet Karta e OKB-së për vetëvendosje, ju këtë problem e heshtni; vetëm se nuk shpreheni se kjo Kartë nuk vlen për shqiptarët. Shqiptarët kërkojnë të formojnë një shtet etnik, Ju lansoni tezën se koha e shtetëve etnike ka kaluar dhe ofroni strategjinë e integrimit.

Zotërinj, ndoshta jam gabim, por unë mendoj se para se të kaloni në strategjinë e integirimit, Ju duhet t’i ndryshoni disa akte normative, që bota mos të akuzojë për padrejtësi e abuzim. Ju së pari duhet të ndryshoni nenet përkatëse të Kartës së OKB-së ku definohet vetëvendosja e popujve. Derisa kjo Kartë garanton vetëvendosjen, shqiptarët do të kërkojnë që kjo të vlej edhe për ta. Në të kundërtën nuk mund t’i akuzoni si element destabilizues të rajonit, nëse këtë të drejtë e kërkojnë edhe me armë.

Ju mbroni tezën se prishja e kufijve ka pasoja të rënda. Dakord. Por, pasoja të rënda ka pasur edhe për popullin shqiptar, kur këta kufij janë caktuar pa përfillur vullnetin e popullit. Një gjë është e sigurtë. Nuk rivedosen marrëdhënie të mira ndëretnike, nëse nuk riparohen kufijtë e tokës. Kjo u takon Juve ta bëni, sepse paraarrdhësit Tuaj i kanë caktuar kështu, ndërsa Juve u takon që t’i riparoni. Shqiptarët janë i vetëmi popull në Ballkan që nuk kanë vendosur vetë për kufijtë e tyre. Përkundrazi kanë vendosur të tjerët. Pikërisht këtu qëndron edhe arsyja që unë mbroj tezën për vetëvendosje në baza demografike dhe historike.

Ju do të pretendoni të argomentoni se respektimi i Kartës së OKB-së është i rrezikëshm. Unë do të argomentoj të kundërtën. Luftërat në Ballkan nuk i shkaktoj respektimi i kësaj Karte, por, mosrespektimi i saj. Të gjitha luftërat në Ballkan janë shkaktuar, sepse këtu nuk është përfillur vullneti i popujve. Në këtë pjesë të Ballkanit, sidomos ndaj shqiptarëve, në mënyrë flagrante është shkelur parimi i vetëvendosjes. Prandaj, mendoj se është koha që kjo padrejtësi të riparohet. Lufta në Kosovë nuk u bë për të krijuar Shqipërinë e Madhe, siç pretendon prapaganda serbe, por për arsyje të mosrespektimit të parimit të vetëvendosjes. Shqiptarët e Kosovës nuk kërkuan as t’i bashkojnë territoret e okupuara në ish-Jugollavij e as që t’i bashkohen shtetit shqiptar, por kërkuan pavarësimin e Kosovës.

Kohët e fundit një zhurmë e madhe po bëhet rreth shpikjes së termit “Shqipëri e Madhe”. Shqipëria nuk është emëruar gjatë gjithë historisë së saj si e madhe apo si e vogël. Këtë term për herë të parë e përdori propaganda e Adolf Hitlerit, i cili për të fituar përkrahjen e shqiptarëve, vendosi kufij të rij në një territor të aneksuar nga sllavët, ndonëse në këtë territor nuk u përfshi as një e katërta e tokave të okupuara. Ato që sot e aktualizojnë këtë nocion, synojnë që me një goditje të arrijnë dy qëllime: t’i kualifikojnë shqiptarët si okupatorë dhe t’ua mveshin ideologjinë fashiste. Prandaj, rrënia e disa diplomatëve në këtë kurth serb është naivitet. Shqiptarët kurrë nuk kanë bërë luftë për t’i pushtuar tokat e huaja. Përkundrazi, gjithmonë kanë bërë luftë për të mbrojtur tokën e vet.

Shqipëria ka qënë e pushtuar dhe e mbajtur nën sundimin turk rreth 500 vjet. Pas çlirimit nga Turqia, Serbia okupoi pjesën më të madhe të Shqipërisë. Po të bëjmë një krahasim midis sundimit turk dhe atij serb dhe po të hiqnim një paralele midis shtypjes turke dhe asaj serbe, do të konstatonim se raca njerëzore serbe është treguar më barbare se ajo turke. Turqit zakonisht kanë ushtruar etnocid, duke imponuar popullit shqiptar fenë islame, kulturën islame dhe pjesërisht edhe gjuhën turke. Por, gjatë këtij imponimi ajo nuk ka ushtruar dhunë. Serbët janë treguar shumë më të egër. Ata së pari nuk kanë respektuar ligjet e luftës. Pas çdo pushtimi, serbët kanë vrarë dhe masakruar civilë, kanë bërë krime dhe kanë ushtruar gjenocid. Mandej kanë dëbuar popullatën vendase dhe vendbanimet i kanë kolonizuar me popullatë sllave.

Kështu kanë vepruar gjatë gjithë periudhës sunduese. Kur krimet mbi shqiptarët arritën kulmin gjatë Luftës 1998 – 1999, kur serbët shkelën në mënyrë brutale ligjet e luftës dhe kur Serbia refuzoj të bëjë edhe kompromiset më të vogëla me shqiptarët, diplomacia ndërkombëtare u detyrua të angazhohet në maksimum dhe të vendos për ndëhyrje të forcave të NATO-s.

 

  1. Pas gjithë atij terrori dhe pas ndarjes së popujve të tjerë nga Serbia, si popuj të një gjaku dhe me një gjuhë siç ishin kroatët, sllovenët dhe boshnjakët, ngelja e shqiptarëve me serbët është e palogjikshme. Në qoftë se Ju do të insistoni në këtë opcion, ky do të jetë një absurditet i llojit të vet. Problemet me Mitrovicën, diskriminimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, enklavat serbe mbrenda Kosovës, janë një argument i fuqishëm se politika serbe ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve nuk ndëryshon. Në këtë konstelacion, angazhimi i tepëruar i Juaj në favorizimin e kthimit të serbëve dhe lëshimet që po u bëni atyre për t’i akuzuar shqiptarët në forumet ndërkombëtare, çon të dyshosh se serbët në të gjitha dimenzionet po benificohen nga ana Juaj. Pas të gjitha këtyre presioneve edhe santazheve që po bën Serbia gjatë administrimit Tuaj në Kosovë është qartësuar krejtësisht se Serbia nuk don ta kthejë Kosovën. Ju zakonisht flitni për statusin e Kosovës, theksoni se ky status duhet të definohet vitin e arrdhëshëm, por shumë pak diplomatë e theksojnë fjalën pavarësi. I frigohen kësaj alternative. E shifni si labirint që mund të kapërcehet shumë vështirë. Prandaj, jeni përcaktuar për integrim. Mendoj se duhet të gjykoni më drejtë, sepse në këtë mënyrë Ju bëni dy gjëra paradoksale. Së pari, Ju përbuzni vullnetin e një populli, që për nga dimenzioni politik është çështje e shenjët. Dhe së dyti me zbatimin e kësaj strategjie, Ju zbatoni dy lloje standardesh. Të tjera standarde vlejnë për popujt tjerë evropianë dhe ballkanikë, ndërsa tjetër standard për shqiptarët. Argumentimi është shumë i thjeshtë. Derisa të gjithë popujt e Evropës e të Ballkanit integrohen në Evropë si bashkësi të organizuara në shtete, pjesa më e madhe e shqiptarëve, integrohen në këtë Evropë të dezintegruar – pa shtet. Zotërinj, a e shifni Ju apo nuk doni ta shifni se me këtë mënyrë të integrimit Ju po diskreminoni një popull. Të dezintegrosh një popull, t’i ndalosh të drejtën e bashkimit ose të integrimit si entitet më vete, është mënyra më e vrazhdë e diskriminimit. Evropa e integruar duhet të jetë një kualitet i ri politik i popujve të barabartë, së pari të integruar si bashkësi homogjene me shtet, histori, gjuhë, dhe kulturë të veten, mandej të integruar në një bashkësi të gjërë multinacionale dhe multikulturore. Në qoftë se u mohoni shqiptarëve këtë të drejtë dhe i detyroni të integrohen nën sjetullat sllave, Ju nuk do të bëni padrejtësi më të vogël se ç’bënë paraarrëdhsit Tuaj në Berlin dhe Londër.

Ne shqiptarët jetojmë në Evropë dhe duhet të integrohemi në Evropë. Por jo në një Evropë që na diskriminon. Këtë po e përsëris dhe e them pa pardon. Duhet të integrohemi në Evropë jo vetëm si popull, por, edhe me shtetin tonë, siç integrohen të gjithë popujt tjerë evropianë dhe ballkanikë. Prandaj, në qoftëse Ju do të insistoni në integrimin tonë nëpërmjet Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë, praktikisht do të bëni padrejtësi pas padrejtësie.

Nga dimenzioni sociologjik këtu më duhet të theksoj edhe një çështje. Shoqëria përbëhet jo nga njerëzit individualë dhe të pa organizuar, por nga bashkimi i tyre me struktura të veçanta që quhen shtet. Nga ky këndvështrim, nëse shqiptarët do të integrohen si grumbuj njerëzish në hapësira të caktuara, atëherë ky do të jetë një integrim nën sovranitetin e popujve të tjerë nga shtetet të tjera. Udhëheqësit aktualë shqiptarë mund ta pranojnë edhe këtë formë të integrimit, që është shumë pak e besueshme, por insistimi Juaj në këtë integrim do të jetë paradoksal dhe shqiptarët si popull do ta refuzojnë. Ky lloj integrimi i fyen shqiptarët si popull, nëpërkëmb karakterin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Me një integrim të këtillë diskriminues fyhet edhe Evropa, përbuzet e kaluara e saj, nëpërkëmbet kultura dhe morali i Qytetërimit evropian. Integrimi i tillë i shqiptarëve do të jetë i papranueshëm edhe si koncept politik edhe si modalitet njerëzor. Këtë lloj integrimi, kam bindjen se, do ta kritikojnë edhe vetë qytetarët e Evropës.

Integrimi mund të definohet vetëm si integrim i pjesëve të veçanta të një tërësie ose si një integrim i të integruarve. Shqiptarët, në këtë aspekt janë pjesë e veçantë, por, nuk janë të integruar mes veti, prandaj nëpërmjet këtij integrimi nuk integrohen si të barabartë me të tjerët por të dezintegruar. Të gjithë popujt evropianë dhe ballkanikë, siç janë duke u zhvilluar proceset e tanishme politike, do të vënë lidhje të barabarta me superfederatën evropiane nëpërmjet organeve të tyre legjitime shtetërore. Këtë të drejtë nuk do ta ketë më shumë se gjysma e popullit shqiptar që gjinden nën sundimin e huaj. Sa do që Ju të përpiqeni të arsyetoni këtë lloj integrimi, argumentet flasin se ky do të jetë shumë i dëmshëm për shqiptarët si popull.

Shqiptarët në ish – Jugosllavinë Federative disa herë kanë kërkuar të integrohen si të barabartë në shoqërinë jugosllave, por kurrë këtë nuk e arritën. Më në fund këto kërkesa shqiptarët i parashtruan edhe në mënyrë masovike në demostratat e vitit 1968 dhe të vitit 1981. Por, veshi i shurdhër dhe logjika e mbrapshtë e sllavëve të Jugut as që i dëgjoi e as që i kuptoi këto kërkesa. Edhe pse shqiptarët, për nga numëri, ishin gjashtë herë më shumë se malazezët, tri herë më shumë se maqedonasët dhe afër dy herë më shumë se sllovenët, kërkesat tona për integrim të barabartë në kuadër të federatës jugusllave u përbuzën dhe u refuzuan.

Për këtë kërkesë legjitime dhe demokratike, shqiptarët atëherë u akuzuan si kundërrevolucionarë. U vranë, u torturuan, u burgosën, u dënuan me dënime të rënda, u izuluan, u diferencuan dhe u përjashtuan nga puna. Këto veprime argumentojnë një politikë shumë të egër ndaj shqiptarëve. Ato dëshmojnë në mënyrë të pa kontestueshme një fakt: se në rend të parë serbët na kanë përbuzur dhe nuk kanë dashur të na integrojnë në shoqërinë e tyre si të barabatë. Edhe sot, kur serbët pretendojnë të argumentojnë se Kosova është djepi i Serbisë, në mënyrë direkte dhe transparente synojnë të arsyetojnë dominimin e tyre mbi shqiptarët. Për serbët është i pakonceptueshëm statusi i barabartë i shqiptarëve me ta.

 

 

  1. Të nderuar diplomatë unë nuk e dij, as mund të gjykoi se cili është imazhi Juaj për integrimin e shqiptarëve. Nuk mund ta konceptoj se si mund të jetë ky integrim i shqiptarëve të shkapërderdhur në pesë shtete, makeneria e të cilëve për njëqind vjet ka punuar kundër shqiptarëve. Për këtë nuk dua të bëjë fjalë. Dua të përkufizohem vetëm në problemin e Kosovës. A mendoni Ju se serbët do të pranojnë që ne të jemi të barabertë me ta dhe si të barabartë të integrohemi në Evropë. Në qoftë se Ju e keni këtë ide, gaboni rëndë. Këtë më së miri e argumentojnë faktet që i paraqita më lartë. Përvoja njerëzore dëshmon dhe logjika provon se askush nuk lejon që t’i miret diçka me të ciën disponon. Serbët nuk do të pranojnë dhe nuk do të binden lehtë që të privohen nga e drejta për të dominuar mbi shqiptarët, nëse Ju do të insistoni në këtë. Jo rasëtsisht serbët e quajnë Kosovën tokë të shenjtë dhe Jeruzalem i Serbisë.

Kjo është njëra anë e medaljes ose më mirë të themi njëri pozicion. Ana tjetër është pozicionimi i shqiptarëve. As ne nuk pranojmë që edhe më tej të dominohemi nga serbët. Edhe shqiptarët nuk duan të privohen nga e drejta për të jetuar të pavarur si të gjithë popujt tjerë të ballkanit. Ky pozicionim i polarizuar paraqet një problem të rëndë për Ju, por, jo edhe të pazgjithshëm. Ju duhet të mbështeteni në faktet historike, që flasin në favorin tonë, në vendimet e padrejta të konferencave për të cilat u bë fjalë më lartë dhe në aktet normative të OKB-së.

Ndërkaq, veprimet Tuaja jokonsekuente vitet e fundit kanë ndikuar që Ju të humbëni besimin te shqiptarët. Në një anë deklaroni se kufijtë janë të pandryshueshëm dhe çdo ndryshim i kufijve duhet të bëhet me marrëveshje dypalëshe. Por nga ana tjetër Ju vetë e thyet këtë parim. Ju lejuat ndryshimin e kufirit jugor të Kosovës që u bë pa përfillur popullin shqiptar. Këtë ndryshim ua imponoi Serbia dhe Maqedonia. Po u pyes, a nuk paraqet diskriminim një sjellje e tillë dhe pse Këshilli i Sigurimit e dënoi vendimin zyrtar të Kosovës për mosndryshueshmërinë e kufirit?

Zotërinj, Ju shkelët aktet normative ndërkombëtare, prandaj nuk guxoni ta vëni në jetë këtë ndryshim. Puna është pezulluar më shumë se dy vjet dhe gurrët e kufirit ende nuk kanë lëvizur. Jeni jokonsekuentë, joparimorë, prandaj edhe hezitoni t’i përfundoni punët, sepse bëni padrejtësi. Esenca e problemit nuk qëndëron në ndryshimin e kufirit, por në faktin se populli shqiptar u përbuz. Për tokën shqiptare vendosën të tjerët: dy palë të popullësisë sllave. Kjo është e patolerueshme. Me këtë akt Ju kaluat në mbrojtje të sllaveve, duke i dëmtuar, duke i injoruar dhe fyer shqiptarët. Me këtë vendim arbitrar Ju keni shkelur rëndë edhe të drejtën ndërkombëtare të një kombi edhe ato njerëzore. Ju në fillim menduat se kjo do të jetë një punë e lehtë dhe nuk e morët në konsederatë popullin shqiptar. Por zhvillimi i ngjarjeve përreth kufirit u bindi se kjo nuk është një lojë kalamajsh.

 

Paradoksale zotërinj. Absurditet. Anakronizëm. Jeni konfuz në marrjen e vendimeve, në zbatimin ose në anulimin e tyre. Kjo po ndikon edhe për imazhin Tuaj në popull.

Çdo popull ka të drejtën e vet natyrore, të cilën e futë edhe në aktet normative për të zgjedhur rrugën e vet të jetës së përbashkët dhe për të jetuar i lirë. Çdo popull ka të drejtë që të vendos vetë për fatin e vet, që të zgjedh rrugën që dëshiron, që të jetojë ashtu siç do dhe që të mos i imponohet asgjë nga jashtë që nuk i përshtatet. Të gjitha këto populli i vendos nëpërmjet votës së lirë, nëpërmjet të së cilës shprehet vullneti i popullit. Këtu më duhet të theksoj se, në qoftë se ka diçka të shenjtë në politikë, atëherë shenjtësia i takon vullnetit të popullit. Nga kjo shenjtësi duhet të nisen edhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe mbi këtë parim duhet të mbështeten edhe vendimet si në Bruksel ashtu edhe në Nju Jork.

Kam përshtypjen se Ju doni të ndërtoni një botë të re, me një rend të ri ndërkombëtar edhe në këtë pjesë të ballkanit. Kjo është një inciativë e mirë, por, strategjia nuk ju bën. Ju zbatoni po atë strategji që jeni duke e zbatuar edhe në pjesët tjera të Evropës. Siç theksova edhe në rreshtat e parë të kësaj letre, kjo hapësirë e Ballkanit ndryshon shumë nga pjesët tjera të Evropës. Prandaj, për të pasur sukses është i domosdoshëm edhe një angazhim më i madh diplomatik me një strategji adekuate për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve politike si dhe paragjykimet në kokën e njerëzve dhe në përputhje me të t’i riparoni padrejtësitë.

Nën presionin e ofenzivës diplomatike serbe e cila nuk pushon t’i akuzojë shqiptarët për destabilizim, disa diplomatë kanë rrënë nën ndikim e kësaj ofenzive, duke mos u thelluar se luftërat në Ballkan nuk i shkaktuan shqiptarët, por serbët. Serbët ndryshuan mendimet ndaj kroatëve vetëm kur pushka kroate i detyroi të kapitulojnë dhe këtë kapitulim ta nënshkruajnë në Dejton. Serbia edhe pse katipuloi edhe në Kosovë, veten e ndjenë krenare, sepse atë nuk e mposhtën forcat shqiptare po ato të NATO-së. Këtu qëndron edhe shkaku që ajo nuk e nënshkruajti edhe aktin e Rambujesë.

Për të dalur nga kjo situatë konfuze nuk është punë e lehtë. Unë mendoj se, në qendrat e vendosjes duhet të shtrohet çështje e aneksimit të tokave shqiptare në mënyrë arbitarare dhe të shpallen të pavlefshme vendimet e miratuara në konferencat e Berlinit dhe të Londrës. Me këto riparme njëkohësisht do të dekolonizohej edhe Evropa. Ajo që ndodhi në Afrikë para disa deceniesh, është e udhës që të ndodh edhe në djepin e kulturës perendimore – Evropë. Prandaj, nëse puna diplomatike e Juaj do të orientohej në pavarësimin e Kosovës, Ju në fakt do të zbatoni aktet normative të forumeve më të larta të vendosjes, me ç’rast do të respektonit vulletin e popullit. Në të kundërtën, në qoftë se do të insistoni për integrimin e Kosovës në Evropë nëpërmjet Serbisë, Ju praktikisht do të punonit në favor të politikës pansllaviste.

 

  1. Nga kjo që u tha në këtë letër, fitohet përshtypja se unë jam idhtar i prishjes së kufijve. Praktikisht qëndron e kundërta. Prishje kufijsh është në qoftë se Kosova ricoptohet. Pavrësimi i Kosovës është dezintegrim dhe shthurrje e një shteti të integruar e të formuar me dhunë dhe në mënyrë arbitrare në Berlin, Londër dhe Versajë.

Prandaj, Ju zotërinj të nderuar diplomatë, nuk duhet të habiteni nga ky fenomen. Paraardhësit Tuaj nuk respektuan parimin e vetëvendosjes gjatë ndërtimit të kësaj godine që e pagëzuan Mbretrija Serbo – Kroato – Sllovene. Këtë godinë, praktikisht e prishën vet popujt e saj. Dhe kjo prishje duhet të shkojë deri në fund.

 

  1. Unë këtu nuk bëra fjalë për çështjen e pazgjidhur shqiptare, por u përkufizova vetëm në hapësirën e Kosovës zyrtare. Po ashtu, u përcaktova në atë opcion që është përcaktuar edhe Lëvizja shqiptare në përgjithësi në periudhën e fundit, e që u imponohet edhe Juve nga vetë populli i saj. Në këtë letër unë po ashtu nuk bëra fjalë as për Maqedoninë edhe pse familjarisht jam atje.

Megjithate, duke e përfunduar këtë letër, duke dashur që të punoni në favor të së drejtës dhe duke u përshëndetur, rreth ngjarjeve në Maqedoni dua të shprehem vetëm me një fjali. Pas skenarit të armatosur të 2001-shit, atje sllavët situatën po e çojnë drejtë alarmantes.

 

Korrik 2004

 

 

Botimin e librit e ndihmoi Xhemil Zeqiri, kryetar i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – dega Danimarkë

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...