Home / Opinion / Ç’ BËRI KURTI NË BRUKSEL?

Ç’ BËRI KURTI NË BRUKSEL?

30.04.2021

Pas vizitës së fundit në Bruksel Kosova nuk duket më si deri dje. Institucionet e BE-së as që kishin nevojë të vendosin flamurin e shtetit kosovar anash të vetit. Kritikët kësaj radhe duhet të bëhen objektiv dhe të pranojnë se dje si kurrë më parë u ndie: qenia dhe fuqia e Republikës së Kosovës dhe atë jo vetëm në Bruksel.

 

Shkruan: Xhemal AHMETI

Fjalimi për besnikërinë e vendit të tij ndaj vlerave evropiane tingëlloi si retorikë patetike, euforike, ashtu siç e bën çdo politikan provincial që për herë të parë del jashtë vendit të tij. Kështu e perceptuan dhe interpretuan kritikët e kryeministrit kosovar paraqitjen e tij në Bruksel. Kurti atje tha se shteti i tij është kategorisht besnik i vlerave evropiane dhe se në këtë çështje nuk bën kompromise – madje as atëherë kur vdekja troket portave të vendit të tij dhe mezi se pret të hyjë brenda. Siç është rasti tash me pandeminë dhe refuzimin e shtetit kosovar të furnizohet me vaksina edhe nga Kina e Rusia – dy vende këto që mohojnë ekzistencën e qenies së shtetit të tij.

Ca e kualifikuan këtë qëndrim të Kurtit populizëm, disa tjerë qëndrim dinjitoz i një shteti sovran që di qartë rrugën dhe të ardhmen e tij. Ish këshilltari i EditaTahirit, Gazmir Reci tha se ishte “paraqitja (…) ndër më të mirat e një burrështetasi kosovar”. Para se të guxojmë edhe ne ndonjë kritikë apo elozh le të analizojmë vetë qëndrimet e Kurtit: çka bëri, çka tha dhe ç’performance pati kryeministri kosovar atje?

QËNDRIMET DHE IMPLIKIMET

QËNDRIMI 1: Dialogu nuk do te neglizhohet, por ecurinë e tij, parimet, takimet nuk mund t’i imponohen Republikës së Kosovës, pa u marrë vesh me të. Kosova nuk është çështje apo problem i dikujt por është palë konstitutive e dialogut, është njeri nga faktorët kyç nga i cili varret se a do ketë apo jo dialog.

DEMONSTRIMI PRAKTIK: Anulimi i takimit të shpallur nga BE dhe Serbia për në maj. Ofrimi i një takimi nga shteti i Kosovës për në qershor.

IMPLIKIMET: Më tepër se demonstrim për pjesëmarrje aktive në organizimin teknik dhe orarin e takimeve Qeveria e Kosovës me veprimin konkret ridefinoi statusin e shtetit kosovar në raport me BE-në dhe shtetin fqinj që ia konteston sovranitetin – dhe jo vetëm atij.

Në ç’mënyrë ai e bëri këtë e shohim në deklaratat tjera.

QËNDRIMI 2: Rruga dhe e ardhmja e Kosovës nuk është as Lindja e as ndonjë hemisferë tjetër por vetëm ajo evropiania. Qeveria e tij sipas Kurtit me vendosmëri implementon vlerat e BE-së, NATO-s dhe në këtë rrugë ajo nuk bën kompromise. As në kushte të pandemisë madje.

DEMONSTRIMI PRAKTIK: Refuzimi nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti i ndihmave turke për të vaksinuar kosovarët me prodhime ruse e kineze.

IMPLIKIMET: Serbia gjendet në taborin ruso – kinez. Nëse BE beson në vlerat e saja nuk mund t’i ndihmojë më shumë Serbisë se sa Kosovës. Serbia, e cila mohon krimet e shkaktuara dhe sillet si në kohën e Millosheviqit (fjalimi në PE) përdor BE-në vetëm për zhvatje ngase është rreshtuar me bllokun tjetër. Ndërkaq Kosova jo vetëm me valutë por edhe me sistem politik dhe raporte konkrete ndërkombëtare gjendet qëmoti de facto brenda BE-së. Ky qëndrim i prerë, i qartë natyrisht se nuk e bënë të kërcejë nga gëzimi Borellin, Lajçakun dhe tjerët e kampit që nuk njohin Kosovën, ai mirëpo – nëse analizojmë qëndrimet e kampit tjetër brenda BE-së, ato të amerikanëve brenda NATO-s, gjermanëve dhe tjerëve – motivoi tjerët, të cilët siç duket kësaj radhe u bindën se kanë të bëjnë me një shtet të vendosur që ta forcojë veten për të hyrë sa më parë në BE dhe jo me një republikë të fundosur që me lypje e nënshtrim donë t’ia dalë mbanë.

Në këtë formë, me këtë rihierarkizim të prioriteteve Kurti shpjegoi qëndimin e tij se pse dialogu për të nuk mund të jetë causa prima, por segmente tjera si papunësia, vaksinat, zhvillimi, drejtësia me një fjalë forcimi i shtetit të tij. Nga tash, sipas Kurtit raportet BE-Kosovë nuk mund t’i determinoi më dialogu, respektivisht kontestet bilaterale me një fqinj, por forcimi i shtetit të Kosovës me ndihmën e BE dhe NATO-s e jo me atë të Rusisë, Turqisë dhe Kinës. Dhë në këtë pikë sheh ai raportin BE-Kosovë dhe jo në hekurosjen e efekteve të politikës serbe, e cila kërcënon rajonin. Kosova mund të kontribuojë për sigurinë e kontinentit por nuk është e gatshme të viktimizohet në favor të atyre që kërcënojnë paqen.

QËNDRIMI 3: Mundësia e vetme që dialogu tashmë eventual ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të nis me sukses, sipas Kurtit është që ai të hapet me trajtimin e çështjes së pagjeturve, pranimin e etnocidit të ushtruar në Kosovë si dhe dakordimin për koston e dëmeve.

DEMONSTRIMI PRAKTIK: Mospërmendja fare e e njohjes reciproke dhe e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve bilaterale Serbi -Kosovë, ka të bëjë me këto qëndrime të Kurtit: njohja reciproke nuk varret nga (mos)zhvillimi i dialogut por nga këto kushte që duhet të plotësojë Serbia për të pasur mundësi pastaj të flitet edhe për gjëra tjera.

IMPLIKIMI: Është BE kundër kërkesës kosovare që njerëzve të saj t’u kthehen kufomat dhe dija se ç’ndodhi me të afërmit e tyre? Beson edhe BE si Serbia se Millosheviqi nuk bëri asgjë të keqe në Kosovë, prandaj pasardhësit e tij mund të glorifikojnëMillosheviqin dhe të vazhdojnë me politikën e tij? Është BE e bindur se rruga e Serbisë kundër NATO-s dhe drejt Kinës e Rusisë është ajo që duhet përkrahur dhe mbështetur e jo vendosmërinë e kosovarëve për të bashkë-siguruar dhe forcuar NATO-n dhe BE-në e vendosur në anën e tyre? Këto pyetje ua la Albin Kurti institucioneve të BE-së para se të ndahej prej tyre.

PËRFUNDIMI

Kjo është një rokadë totale, e cila i shkakton Serbisë dhe aleatëve të saja brenda BE-së probleme të rënda. Jo Kosovës, përkundrazi. As aleatëve jashtë BE-së, të cilët kërkojnë dialog, por jo gjunjëzim ndaj fuqive lindore. Nëse Albin Kurti vërtetë mban këtë kurs: forcim brenda, raporte me BE nëpërmjet punës, zhvillimit, sigurisë, duke lënë dialogun ashtu siç është problem bilateral ku ndërmjetëson BE dhe i cili varret nga kthjellimi dhe vendimi i Serbisë se cilën udhë e drejtim ajo do ta zgjedh e jo nga vullneti i Kosovës (i cili përkundër gjenocidit ka dialoguar gjithmonë), atëherë nga tash e tutje kemi të bëjmë vërtet me një shtet sovran, me dinjitet dhe me strategji të qartë se ku është duke shkuar. Ish këshilltari i EditaTahiritReci kishte plotësisht të drejtë: ishte performanca më e suksesshme që ka pasur Kosova ndonjëherë jashtë që nga 2008 e deri sot. Një paraqitje nga e cila mund të mësonte edhe Shqipëria shumë për të hequr imazhin që mbizotëron korridoreve perëndimore të jetë një vilajet e pashpresë turk dhe asgjë më shumë.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...