Home / Histori / BUKEFALI I LEKËS

BUKEFALI I LEKËS

Beqir Elshani
(Tregim)
Leka me edukatorin, Lisimakun, dolën në sheshin e Pelas. Në qytet mbaheshin garat e mundjes trup me trup. Gjuajtja e shtizave dhe sulmi i shpatave kërcitnin në mburojat e ushtarëve maqedonasë. Në një gardh të thurur me dhoga, po shtyheshin demat. Leka kënaqej kur shihte demat me brirët e gjatë e të mprehtë si heshtat. Një grumbull njerëzish të ardhur nga krahinat ilire po shikonin ndeshjen me dema që bënin gara, këtë e shikonte edhe Leka kureshtar, që sapo kishte mbushur 14 vjet. Kërcitja e brirëve të demave ndihej në të katër anët e Pelas. Dielli të përvëlonte si saç dhe Leka nuk kishte luajtur vendit. I pëlqente ndeshja e demave të fortë me brirët, ku thepat e tyre vezullonin porsi disku diellor. Ashtu siç kërcitnin shpatat e ushtarëve në betejë, kërcitnin brirët e demave në garë. Dy demat me këmbët e para u ndalën përballë njëri tjetrit. Pozita e brirëve të tyre formoi stilin e heraldikës së hyjnisë egjiptiane. Forma simbolike e brirëve në dyluftim e emocionoi Lekën dhe la gjurmë të thellë në kujtesën e djaloshit symprehtë. Fitoren e demave, shikuesit po e përgëzonin me verën e kuqe. Leka vështronte herë demat, herë shikuesit e dehur që vetëm lëviznin kokat majtas-djathtas. Shumica e shikuesve e dëshironin fitoren e demit që kishte ngjyrën e verës së kuqe në gotat e tyre të drunjta. Leka gishtin e Jupiterit e zgjati në drejtim të demit të zi me brirët e përdredhur. Shikuesit që ndodheshin pranë tij u tha se demi i zi është favori i tij dhe se patjetër do të dalë fitues. Papritmas shikuesit i hodhën sytë në drejtim të djaloshit që rrinte pranë demave, ai fare nuk trembej. Dyluftimi përfundoi me fitoren e demit, të cilin Leka pak më parë e shënjoi me gishtin e Jupiterit. Pas dyluftimit të gjithë u interesuan të dinë se kush ishte djaloshi që parashikoi fitoren e demit të zi. Të pranishmit i treguan njëri-tjetrit se djaloshi që po shikonte dyluftimin e demave, quhet Lekë, përndryshe i biri i mbretit Filip të Maqedonisë dhe princeshës epirote Olimbia. “Dajlë i zoti”, tha një garues. “Është nip epirotas!” shtoi një tjetër garues. Fshatarët kurrë nuk kishin parë që dikush nga pallati i mbretit të marrë pjesë në ndeshjen e demave.
Pas një jave, mbreti Filip, së bashku me suitën e mbretërore të Maqedonisë udhëtoi për Korint, me vete mori edhe të birin, Lekën. Në Korint gjendeshin skelet e mëdha të Egjeut, vinin tregtarët nga vendet e ndryshme, që nga Dardania deri tek Arkadia, por edhe nga Mesopotamia dhe Babilonia e përtej detit. Në treg, mbreti maqedonas u takua me një mik epirotas, bisedonte për blerjes e kalit hamshor. Ndërkohë Leka vrapoi tek floçka e kuajve të lidhur në bigë. Në mesin e tyre dalloi kalin e zi si thëngjilli. Ishte një kalë jashtëzakonisht i bukur dhe i madh, në bark kishte një damkë të bardhë, i ngjante kokës së demit. Leka iu afrua kalit dhe nisi ta miklojë. Tregtari u habit për djaloshin, që guxonte të prekte kalin e tij, siç thoshte kalin e trentë.
– Djalosh, mos iu afro kalit se të shiton me shkelma. Këtij kali të egër askush nuk guxon t’i afrohet pos ai që është taravol, – tha i zoti i kalit nga Kalkidia.
– Mendon të më frikosh, ë?! Prandaj, i tillë jam unë! Nëse ky kalë është i egër, edhe unë jam i egër. Unë nuk dua t’ia di për frikën. Mua më thonë nip epiroti… – tha Leka, duke folur shumë shpejt, saqë tregtarët grekë nuk mund t’i zënin fjalët e Lekës.
Kali do ta shkelmonte cilindo frikacak që do t’i afrohej. Mirëpo Leka me gjakftohtësi iu afrua kalit. Iu afrua sikur të ishte kujdesur vetë për të, siç thoshte pronari, kalin e trentë. Thuhet se sipas instinktit, kuajt shumë shpejtë e zbulojnë njeriun frikacak dhe e kundërshtojnë me shkelma, mirëpo kjo nuk i ndodhi Lekës.
– Ne të njohim, ti je i biri mbretit maqedonas dhe princeshës epirote, prandaj kemi frikë se kali të qëllon me shkelma, saqë barkun ta bën shoshë. Këta kuaj të malit janë të virgjër që asnjë dorë nuk i ka prekur, prandaj nuk e durojnë shalën. Ne i zëmë dhe ua shesim atyre që merren vesh me kuaj, kurse këta të fundi i ushtrojnë dhe ua shesin kalorësve, – tregoi një tregtar nga Arkadia.
– Është për t’u habitur se si princi maqedonas, në vend se të blej një kalë të kalitur, blen hamshorin e egër që asnjëri s’e shikon dot me sy, – tha një fshatar, që në treg mbante katër kuaj pullali.
– Kali është i mrekullueshëm, mirëpo trembet prej mjekrës sate, – ia priti Leka me shpoti tregtarit, ndërsa të tjerët u gajasën së qeshuri. Ndërkohë që Leka po e shikonte kalin hamshor, babai i Lekës, Filipi, afrohet duke i vënë dorën mbi sup.
– Lekë, bukuria e kalit nuk shikohet në trup, në vrapim shikohet, – ndërhyri Lisimaku.
– Ç’janë këto fjalë, Lisimak?! I bindur jam se ky kalë mund të vrapojë shumë shpejtë. Unë do t’i jap krahë këtij kali, dhe do të shohësh si do të fluturojë jo vetëm në tokë, por edhe në qiell porsi Pegasi i Poseidonit.
– Ende je i ri, bir, ndaj fantazia jote gufon, ngjashëm siç gufojnë lulet në pranverë, – tha babai, duke ia shpupurishur flokët Lekës.
– Baba, e dua këtë kalë!… Ky kalë është imi, tjetër nuk dua! – tha kërcënueshëm i biri, duke ia larguar dorën me vrull nga flokët e tij kaçurrel. Ndonëse Leka ende ishte rinosh, ai e mbante veten shumë serioz, nuk i pranonte përkëdheljet.
– Mos u ngut, Lekë! Je i vrullshëm si nana jote. Unë do të gjej një kalë të mrekullueshëm, të gatshëm për kalërim. Ende je i ri. Ky hamshor është i trentë dhe të përplasë në tokë. Shiko kuajt, atje… po të sillen vërdallë, sikur të ishin vasha që kërkojnë dorën tënde, – tha Filipi duke zgjatur dorën në drejtim të kuajve të bukur.
– Edhe sikur të më falnin tërë floçkën e Arkadisë, unë do të merrja kalin me damkë, – tha Leka me inat.
Rreth Lekës u mblodhën shumë kureshtarë të tjerë. Disa nga këta kishin parë Lekën në garën e demave në fushën e Pelas. Turma u bë kureshtare për të parë vendimin e prerë në mes të mbretit Filip dhe birit të tij të patundur për blerjen e kalit hamshor. Ata e mbanin në mend guximin e Lekës që kishte mundur luanin së bashku me moshatarët e tij.
– Zotëri, sa talentë kushton ky kalë? – ia drejtoi pyetjen mbreti Filip, tregtarit korintas.
– Më vjen keq, lartmadhëri! Ky kalë nuk është për birin tuaj. Është kalë hamshor, dhe është i egër… Prandaj asnjë kalorës nuk mund t’ia dalë ta shalojë.
Kur Leka dëgjoi përbuzjen e tregtarit u inatos edhe më shumë. Pastaj me një buzëqeshje si me zor iu lut babait që ta lejonte të shalonte kalin e egër, që askush nuk kishte guxuar ta bënte.
– Prit, të lutem! Ti nuk e njeh birin tim… – ia ktheu Filipi tregtarit korintas. Pastaj iu drejtua Lekës. – Lekë, më trego se ç’duhet t’i them nënës sate po qe se ky kalë të përplasë përtokë. Ti e di që jot nënë merakoset fort për ty.
– Sa për këtë, nënës sime i thuaj se kështu ishin urdhrat e Zeusit dhe të Amonit, – tha në mënyrë të prerë Leka. Dukej sikur djaloshi po nisej për në betejë.
Leka iu afrua kalit dhe e kapi për fre. Pastaj duke ia lëmuar kreshtat ia ktheu kokën kah dielli; pa që kali trembej prej hijes së vet. Papritmas kërceu, dhe si gjerak i hipi kalit mbi shpinë. Kali bëri disa kërcime duke u shkëputur herë pas here nga sipërfaqja e tokës. Tregtari gati sa nuk i mbylli sytë për të mos e parë përplasjen e princit përtokë. Përkundrazi Filipi ishte i bindur se megjithatë Leka i krisur do t’ia dalë. Disa njerëz, të cilët ditë më parë e kishin parë Lekën në ndeshjen e demave, ishin në anën e tij. Tashmë djaloshi qëndronte i patundur mbi kalë, ia shtrëngoi frerin, mirëpo shtrëngimi i djaloshit ishte i butë. Pas pak kali iu bind. Hamshori përpiqej ta hidhte princin poshtë, shikuesit i emocionoi duke ua shtuar edhe më shumë kureshtjen. Më në fund, princi maqedonas arriti të ngacmojë me këmbë kalin në bark dhe sakaq ia dha vrapit, derisa u zhduk larg në horizont. Pastaj Leka u kthye përsëri me vrapim të shpejtë. Kur kalorësi i ri arriti përballë turmës, e shtrëngoi frerin dhe kali me këmbët e para u ngrit në qiell. Në fund, Leka kalëroi qetas dhe doli para babait me kalin, që tani ishte krejtësisht i nënshtruar dhe i dëgjueshëm.
– Të lumtë! Të Lumtë, Lekë!… – brohoriti turma e njerëzve me të parë fitoren bindëse të princit të ri maqedonas.
– Im bir, ti duhet të kërkosh një sundim më të madh, siç duket Maqedonia është e vogël për ty, – tha babai duke paguar një shumë të madhe parash për kalin, që sapo e kishte zbutur Leka.
– E gëzofsh, princ! Të qoftë me fat kalorësia! – ia uroi tregtari duke falënderuar rastin e Lekës, që e zbuti kalin hamshor.
– Lekë, lëre kalin, ushtarët ta sjellin në kështjellën e Pelas, – e këshilloi edukatori.
– Ky kalë, për mua është simbol i fitores, prandaj nuk ndahem prej tij, – kundërshtoi me mospajtim Leka, duke e shtrënguar me dorë kapistrën se mos ia rrëmbenin ushtarët.
– Lekë, nuk e pyete tregtarin si quhet kali. Nuk di si do të merresh vesh me të, nëse nuk ia di emrin?!
– Mos u brengos, baba, unë do t’ia gjej një emër të bukur që e meriton. Në Pela kam parë demat si luftonin në dyluftim, prandaj këtë kalë do ta quaj Bukefali.
– Prit, Lekë, ky është kalë, nuk është dem. Mbase për hir të damkës së bardhë që kali e ka në shpinë.
– Jo, vetëm për këtë, por edhe vështrimin e ka si të demit. Të lutem, baba, a nuk ia sheh kokën dhe gjoksin që i ka si të demit?! Këtij kali vetëm brirët i mungojnë, prandaj po e quaj Bukefali, që domethënë kokëdemi.
– E gëzoftë, pra, edhe emnin! Ama, ia paske pëlqyer… Tani bëre edhe një vëlla në familje, – e përgëzoi babai.
– Faleminderit, baba! Kjo ditë do të mbahet në mend, – ia ktheu i biri me buzëqeshje.
Leka po i përfundonte mësimet në akademi, ndaj me babain shkuan në Stagira për t’u përshëndetur me mësuesin e njohur, Aristotelin.
– Në akademinë tonë Leka do të mbahet në mend. Askush më shpejt se ky nuk e recitonte Iliadën e Homerit, – tregoi dijetari Aristotel gjatë bisedës me mbretin e Maqedonisë, Filipin.
– Leka ka një kalë të mrekullueshëm, quhet Bukefal! – tregoi Filipi i gëzuar duke qëlluar kalin me pëllëmbë në shpinë.
– Kalë më të bukur s’kam parë ndonjëherë!… – tha me habi, Aristoteli, kur pa Bukefalin. Ndërkohë që kali po i mëshonte tokës me këmbë të djathtë, ishte një përshëndetje drejtuar mikut me mjekër. Këtë e pa Leka dhe u gëzua. – Lekë, diturinë që unë të kam dhënë në këtë shkollë, dëshiroj që të gjitha fitoret do t’i arrish me Bukefalin tënd fisnik, – uroi Aristoteli në gjuhën amtare ilire.
Një kalorës, përcjellës i mbretit të Maqedonisë, dijetarit Aristotel i solli një bucelë me verë nga vreshtat e Dardanisë, ishte një dhuratë, që Filipi po e nderonte mikun e tij të vjetër. Në fund, babë e bir u përshëndetën me dijetarin Aristotel dhe u nisën për në vendlindje.
* * *
Bukefali kishte të gjitha cilësitë e mira, prandaj e meritonte të krahasohet me bukurinë e Apolonit dhe shpejtësinë e Akilit këmbëshpejtë. Leka kishte parë edhe kuaj të tjerë të shpejtë në vrapime, megjithatë Bukefali me vrapimet e tij i emociononte edhe muzat. Djaloshi u habit kur hetoi se asnjë kalë nuk mund të vraponte në drejtim të diellit. Kuajt që vraponin në drejtim të diellit kthenin kokën mënjanë, kur ktheheshin në anën e kundërt kokën e mbanin drejt. Veprimi i kuajve Lekës nuk i pëlqeu. Leka ngriti kokën për të shikuar diellin me sy, mirëpo sytë iu mbushën me lot dhe toka iu duk e bardhë. Pas pak sytë iu këndellën. Këtë metodë e përsëriti disa herë, shikonte diellin dhe menjëherë shikimin e gjuante në tokë. Pas disa provave kuptoi se sytë nuk i lotonin më dhe pa ndonjë vështirësi mund ta shikonte diellin. Iu kujtua tregimi i mësuesit të tij, që i kishte treguar se vetëm shqiponja mund të fluturojë në drejtim të diellit, gjë që, asnjë zog tjetër nuk mund ta bënte. Ishte një dhunti që Leka donte t’ia dhuronte edhe kalit të tij. Bukefali ende ishte i ri, prandaj kishte frikë edhe nga hija e vet.
Leka kuptoi që Bukefali ka nevojë për ushtrime për të mos u trembur nga hija e vet. Me kuaj që i tremben hijes së vet nuk arrihet fitorja. Bukefali ende ishte i ri, ashtu siç ishte edhe Leka i ri, prandaj do t’ia fillonte ushtrimit. Motra e Lekës, Kleopatra, nuk i ndahej dot Bukefalit, ajo e ushqente me thekër dhe i jepte ujë për shuar etjen.
Nata ishte e freskët dhe hëna e plotë po shkëlqente. Leka nuk mund të flinte, i silleshin vërdallë mendime të ndryshme. Shkoi tek stalla dhe pa që Bukefali po e vështronte shkëlqimin e hënës nëpërmes dritares së vogël të ahurit. U gëzua kur pa kalin e tij me sy kah hëna e plotë, dhëmbët e bardhë e të ndritshme shkëlqenin mu si drita e hënës në qiell.
– “Bukefal, së shpejti do ta pushtojmë edhe diellin. Do të kalërojmë derisa të lodhemi”, kështu i tha Leka pjesëtarit të ri të pallatit. Ia fërkoi shpinën me dorë dhe në grazhd i vuri një krah sanë të thatë.
Në mëngjes, Leka, pasi piu një valanicë me qumësht, vrapoi tek stalla dhe Bukefalin e nxori në oborr. Pranë Lekës u afrua edhe qeni i tij besnik, quhej Perit. Me të kishte ndjekur luanët që sulmonin bagëtinë. E ëma, Olimbia, ia vuri trastën me bukë e djathë në krah. Si u përshëndet me nanën, i hipi kalit të tij, Bukefalit, dhe doli prej oborrit të pallatit mbretëror. E ëma Lekën e këshilloi të merrte një shoqërues të pallatit me vete, mirëpo i biri kundërshtoi. Donte të kuvendonte vetë me mikun e tij, donte që Bukefali të njihej me kalorësin e tij. Kishin nevojë që njëri tjetrit t’ia njihnin zërin, frymëmarrjen dhe lëvizjet.
Ishte hera e parë që Leka kalëronte pa ndihmësit e tij, ai dëshironte të ishte i lirë, por edhe i qetë gjatë ushtrimit. Ndryshe nga kalorësit tjerë maqedonasë që kuajt e tyre i detyronin t’u nënshtroheshin, Leka dëshironte ta ushtronte, por edhe të zbulonte fshehtësinë e Bukefalit. Konkretisht, dëshironte të mësonte huqet e Bukufalit, si ndaj klimës, ashtu edhe ndaj jehonës së zërit. Leka e kapi për kapistre tek goja e kalit, në mënyrë që sytë e Bukefalit të shikonin diellin. Kali e shkundi disa herë kokën, duke kundërshtuar këtë ushtrim shumë të mundimshëm. Pas disa provash Bukefali nuk kundërshtoi, dhe fare nuk e tundi kokën, sytë i mbante në drejtim të diellit. Kështu Leka entuziast, me vrullin djaloshar, kalëroi tërë paraditen në drejtim të diellit të lindjes. Kalëroi përmes pyjesh, pastaj tatëpjetë vërtitej në mes të fushës. Sa më shumë që kalëronte në drejtim të lindjes, aq më shumë shtoheshin kodrat e Pelas prapa vetes. Nga fushat e Pelas dallohej një figurë e zezë që në vrapim i pinte retë, prandaj fshatarët e habitur e kishin ndjekur me sy. Aq shpejt vraponte Leka me Bukefalin, sa që lumin e kaloi me një kërcim të madh. Nga shpejtësia fshatarët nuk mund të dallonin nëse kali vraponte apo fluturonte. Kur mbërrinë te udha në mes të fushës, Leka ia hoqi frerin prej kokës dhe të dy ia dhanë garës në vrapim.
– Atje ku lind dielli është skaji i botës. …atje gjendet Persia. Persët kanë kuaj të mrekullueshëm të luftës, fuqinë e të cilëve e simbolizojnë me diellin dhe zjarrin, – tha Leka duke vështruar lindjen e diellit në horizont. Bukefali luhati kokën para-prapa, bënte sikur kuptonte dëshirën e kalorësit të ri kureshtar. Bukefali ishte kalë fisnik, siç thonë burrat, prandaj duke njohur kalorësin e ri, pranoi që të kalëronte. Kështu Leka u bashkua me kalin trim dhe nuk iu nda deri në vdekje.
– Bukefal, prej teje kërkoj vrapime, jo vallëzime, – vazhdoi bisedën Leka. Tek unë nuk bëhet dasmë. Kam parë kalin e atij mjekroshi grek, sesi vallëzonte para syve të babait tim. Mua s’më pëlqeu. Prandaj kurrë mos provo të vallëzosh, jo pse turpërohem, por edhe armiku ynë e merr vesh dobësinë tonë. Kjo është e rrezikshme për ne, – kështu i tha Leka Bukefalit teksa po pushonte në breg të lumit. Bukefali tundte kokën poshtë e lartë, të thuash se kuptonte këshillën e djaloshit flokëverdhë, ndërkohë që Leka ndjeu një lehtësi. Pas pak nxori bukën nga trasta e tij dhe e ngrëni, ndërkohë që Bukefali po hante tagjinë në trastë. Të dytë kishin nevojë për pushim. Leka mbështeti kokën në trungun e një peme dhe mori një sy gjumë. Një tufë kurrillash kishin zbritur në lumë dhe po pllaquritnin, prandaj princit i doli gjumi. Djaloshi i lodhur do të flinte edhe më gjatë, po të mos kujdeseshin kurrillat për ta zgjuar prej dremitjes së thellë. Legjenda tregon se kurrilla është simbol i kujdesit, ajo me këmbën e saj të ngritur mbante një gur, të cilën e lëshonte në tokë, për t’i zgjuar shpezët prej gjumit të thellë.
Pas dite u kthye në shtëpi, që gjendej në drejtim të diellit të perëndimit. Të njëjtin drejtim mbante edhe një shpend i madh në qiell. Ishte shqiponja që fluturonte, dukej sikur era po e shtynte në drejtim të diellit. “Nuk di përse njerëzit nuk thonë kali fluturon kurse shqiponja vrapon?! Unë fare nuk shoh ndonjë dallim në mes të Bukefalit tim që vrapon në tokë dhe shqiponjës që fluturon në qiell. Mbase të dytë edhe fluturojnë edhe vrapojnë. Prandaj Bukefali fluturon dhe këtë e meriton,” – mendoi Leka me përfytyrimin e tij homerik. Kur shqiponja u zhduk në kaltërinë e qiellit, Leka mbërriti në shtëpi. Në mbrëmje fjetën mirë edhe Leka, edhe Bukefali. Ishin të lodhur nga udhëtimi i ditës me lindjen dhe perëndimin e diellit.
Të nesërmen, Leka pa që Bukefali i tij, nuk trembej fare nga hija e vet dhe si shqiponjë shikonte diellin me sy. Me të dalë Bukefali nga stalla në oborr, ngriti këmbët e para porsi cjapi, thikë përpjetë, në drejtim të lindjes së diellit dhe hingëlloi. Nga hingëllima e kalit ushtuan malet dhe zogjtë fluturuan në qiell. Akrobacionin kabriolet të Bukefalit e shikoi edhe nëna e Lekës, Olimbia, dhe motër Kleopatra.
– Bukefali është një kalë fantastik, – tha motra duke ia mikluar qafën me dorën e bardhë.
– Djalë i çuditshëm, Leka, edhe kalin e bëri njeri. Të lumtë Lekë! – e përgëzoi mbreti maqedonas, Filipi.
Në këtë përgëzim familjar, Leka shaloi kalin dhe kalëroi rreth qytetit. Me të kthyer, porsi furtunë Bukefali hyri në shtëpi dhe papritmas u ndie hingëllima e tij. Hingëllima ishte shenjë që tregonte ardhjen e tij në shtëpi. Bukefali përsëriti kabrioletin, dhe këtë e panë prindërit, motra dhe kujdestarët e pallatit mbretëror.
Filipi u bë kureshtar të mësojë fshehtësinë e kalit me gjurmën si të demit. U afrua dhe në çastin kur deshi të shalonte, Bukefali ngriti këmbët e prapme, duke mos pranuar njeri ta shalonte, pos birit të tij, Lekës. Këtë e pa Olimbia dhe qeshi.
– I dashur!… Duhet të heqësh mjekrën tënde e të dukesh si Leka, mbase ia del të shalosh, përndryshe të përplasë në tokë sa të mbetesh gjytyrym përjetë, – e qortoi bashkëshortja.
– Lekë, do ta ftojmë piktorin e madh, Apelesin, ai do ta pikturojë kalin, kështu siç është. Do të kemi një pikturë sa që edhe Bukefali do t’i pëlqejë, se jo shaka, – tha Filipi që me kënaqësi po e shikonte Bukefalin atletik.
Upsalë, 1998

About xhzeqiri

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...