Home / Të ndryshme / TAKIM ME AKTORIN E MADH – NDREK LUCA

TAKIM ME AKTORIN E MADH – NDREK LUCA

Shkruan: Beqir Elshani

Në verë të vitit 1980 në Kosovë erdhi trupa e Teatrit Kombëtar “Migjeni” të Shkodrës për të shfaqur dy drama shqiptare: “Baca i Gjetajve” të dramaturgut, Fadil Kraja, dhe ”Zonja nga qyteti” të autorit Ruzhdi Pulaha, të inskenuar nga regjisori Piro Milkani. Aktorët e Teatrit Kombëtar të Shkodrës pasi shfaqën dramat e tyre me sukses në Prizrenin legjendar, zbritën në Therandën tonë. Ata u vendosën në hotel “Ballkani” dhe pas pak hynë për të vizituar bibliotekën bashkëkohore, e cila u pëlqeu. Sot, biblioteka nuk gjendet, gjatë luftës në Kosovë barbaria serbe e dogji me themel. Shumicën e këtyre artistëve i kisha parë në drama të shfaqura në programin e Televizionit Shqiptar. Gjithashtu i kisha parë edhe në filma të shfaqur për herë të parë në kinemanë e Prishtinës në vitet e shtatëdhjeta, siç ishin: “Komisari i dritës”, “I teti në bronz”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Debatik”. Atë vit e tërë Kosova kishte vërshuar në drejtim të Prishtinës heroike për të shikuar filmat e kinematografisë “Shqipëria e Re”. Shpeshherë pas të reshjeve të mëdha në bjeshkën e Therandës, lumi në drejtim të Drinit plak vërshonte, prandaj kësaj radhe therandasit kishin vërshuar në drejtim të Pallatit të Kulturës. Në mesin e aktorëve të Teatrit Kombëtar ishte edhe aktori i mirënjohur, Sulejman Pitarka, përndryshe autor i epopesë heroike të dramës “Trimi i mirë me shokë shumë” dhe i dramës ”Familja e Peshkatarit”. Në mesin e shikuesve ky aktor dhe dramaturg është i njohur në rolin e Sulejman Vokshit te “Besa e Madhe” e Mirosh Markajt.

Interesimi për shfaqjen e dramës shqipe ishte jashtëzakonisht i madh, prandaj ishte e pamundur të sigurohet bileta, qoftë edhe në këmbë të qëndroje. Kështu ndodhte sa herë që shfaqeshin filmat, dramat dhe koncertet e bukura nga Shqipëria mëmë. Ka ndodhur që biletat e filmit më të shikuar nga ndonjë matrapaz të shitet dyfish, mirëpo kësaj radhe të gjithë shkuesit ishin të zhuritur nga etja për artin skenik, dhe me padurim pritnin të hynin për të shikuar dramën. Megjithatë dashuria e shikuesve therandas, por edhe e mbarë Kosovës, nuk ishte vetëm në koncertin dhe dramat e bukura të shfaqura nga grupet artistike të Shqipërisë, por i tërhiqte dashuria e vëllazërisë kombëtare, me anën e së cilës shprehnin vullnetin për bashkim të shpejtë të Kosovës me shtetin amë. Këtë dashuri të flaktë për bashkimin kombëtar po e shihnin edhe serbomëdhenjtë, prandaj udba jugosllave kishte angazhuar agjentë për të përgjuar lëvizjet dhe bisedimet në mes të qytetarëve therandasë dhe artistëve të Shqipërisë. Para një viti ansambli i këngëve dhe valleve nga Brazili kishte shfaqur koncertin tradicional në Therandë, ndaj shikuesit kishin qenë aq të lirë, saqë vallëzonin krahas solisteve braziliane gjysmë të zhveshura, mirëpo asnjë udbash nuk u duk në mesin e shikuesve.

Të nesërmen, në orët e pasdites në bibliotekë hyri aktori i madh dhe autori i dramës historike “Shtatë Shaljanët”, Ndrek Luca. Unë u përshëndeta me Ndrek Lucën, me aktorin e rolit negativ në dramat ”Udha e shkronjave” dhe ”Pylli i lirisë”, që shikuesit i tronditë, por i dashur me të gjithë njerëzit. Biseduam rreth bibliotekarisë, si dhe kulturës kombëtare shqiptare. Ashtu siç shprehen të gjithë intelektualët ndaj librit dhe bibliotekës, aktori dhe dramaturgu e nderoi bukur punën time duke thëne se biblioteka është pasqyrë e punës intelektuale të popullit shqiptar. Ndrek Luca, ishte me temperament të fuqishëm, fisnik dhe i shoqërueshëm, ndaj pa humbur kohë më pyeti se a e kam shikuar premierën ”Baca i Gjetajve” në teatër. I tregova që e kam shikuar, ishte një dramë jashtëzakonisht e vrullshme për Bacën, një malësor trim që flijohej për atdhe. Pastaj aktori i madh Luca tregoi se pikërisht më 16 prill të vitit 1979, të nesërmen e tërmetit të fortë në Shkodër, në sallën e Teatrit Kombëtar “Migjeni” përplot me shikues kishin shfaqur dramën “Baca i Gjetajve”; edhe pse gjatë shfaqjes ndodhi një lëkundje e vogël tërmeti, për shkak të përqendrimit të vëmendjes, shikuesit dhe aktorët nuk e kishin marrë vesh, dhe shfaqja kishte vazhduar. Padyshim që kjo është një ngjarje historike. Pastaj më pyeti se a dëshiroj të shikoj premierën e dytë të dramës ”Zonja nga qyteti”. Unë i tregova se nuk kam biletë dhe se është vështirë të sigurohet…, megjithatë dramën e kam shikuar në Televizionin Shqiptar. “Për këtë mos u brengos, merre karrigen me vete dhe shkojmë së bashku në sallën e teatrit”, më tha aktor Luca. “Nëse ju më siguroni hyrjen në shfaqje, unë nuk çaj kokën për karrige, me ëndje do të qëndroj në këmbë gjatë shfaqjes”, ia ktheva unë, meqë e dija se në sallë nuk kishte se ku të hidhje mollën, jo më të hysh me karrige. Në shenjë vëllazërore, aktori i madh më përqafoi duke më thënë se do të më vendoste përballë tribunës së teatrit, këtë e demonstroi me gisht.

Ishin orët e pasdites, ndaj e mbylla bibliotekën dhe së bashku me aktorin Luca shkuam në pallat, ku shfaqej drama. Shikuesit ishin ngjeshur dëng, jashtë dhe brenda, rrëmujë e madhe. Në derë më ndaluan kujdestarët, isha pa biletë, ndërkohë aktor Luca ndërmjetësoi se jam nën kujdesin e tij dhe se po më nderonte. Kujdestarët ishin të pabindur ndaj lutjes së aktorit, përndryshe Bacës së Gjetajve. Mendova mbase këta nuk duan të marrin parasysh edhe pengun e tij, për të cilin ai do të “sakrifikohej”. Me këtë interesim kaq të madh të aktorit kuptova atdhedashurinë e tij ndaj meje. Rojtarëve iu bashkëngjit edhe një polic që provoi të më ndante prej aktorit Luca. Mbeta në vijën e demarkacionit: ai brenda, unë jashtë derës së teatrit. Për fat të mirë, sekretari i BVI-së për kulturë, Vesel Berisha, pa që Ndrek Luca po mundohej të më tërhiqte me dorë, mirëpo në mes të derës kisha dy këmbët iks të kujdestarëve, të cilët shkëputnin biletat e shikuesve. Sekretari u afrua te dera dhe u tha të më lejonin të hyj.

Kaluam nëpërmes shikuesve skaj karrigeve të sallës dhe sakaq u gjendëm afër tribunës. Në rreshtin e parë ishin ulur kryesisht udhëheqësit e organeve komunale dhe të organizatave punuese, kurse në rreshtin e dytë pranë aktorit Reshat Arbana, ishte një vend i rezervuar për Lucën. U ula dhe u përshëndeta me aktorin Arbana, ai luante rolin e luftëtarit në çetën e Çerçiz Topullit në filmin artistik “Liri a vdekje” (1979), kurse më vonë do të luante rolin e Isa Buletinit në filmin artistik “Nëntori i Dytë” (1982). Reshat Arbana do të bëhej një ndër aktorët më të popullarizuar meqë në Vlorën Heroike, në prani të Ismail Qemalit, puth Flamurin Kombëtar. Është një pjesë e shkurtër në film, por i madh në zemrat shqiptare. Para se të fillonte shfaqja, të gjithë shikuesit në sallë e shikonin me kureshtje aktorin, Reshat Arbana. Pas pak u shuan dritat dhe papritmas, si një kopsht me lule u hap skena teatrale e “Zonjës nga qyteti”.

Ashtu siç i shkruajnë shkrimtarët përjetimet e tyre, e përjetova edhe unë ngjarjen, më dukej sikur të isha në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Loja e aktorëve Viloeta Manushi, Raimonda Bulku, Stavri Shkurti dhe Pandi Raidhi ishte e mrekullueshme. Kuptohet që Tirana nuk është vetëm kryeqytet administrativ i Shqipërisë, por edhe kryeqytet i artit, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Kështu shkruan edhe poeti i njohur kilian dhe miku i Shqipërisë, Pablo Neruda, i cili në vjershën e tij “Shqipëria” Shqipërinë e përshkruan të fortë dhe zëmjaltë i kitarës me ujë e çelik të gjallë. Para disa muajsh Ansambli popullor i këngëve dhe valleve nga Shqipëria shfaqi koncertin madhështor në sallën e madhe të restorantit “Ballkani”. Në mesin e valltarëve dhe solistëve të shumtë doli edhe krijuesi dhe këngëtari i mirënjohur, Avni Mula, me zërin e tij alpik, që ushton nga bjeshka në bjeshkë. Ai këndoi këngën “Vajza me kaçurrela” dhe “Nënë moj do pres gërshetin”, sipas tekstit të lirikut të madh – Hysni Milloshi, për të cilën Mula ishte vetë kompozitor, vetë këngëtar, me një fjalë: vetë kompozo dhe vetë këndo. Vlen të përmendet se me këtë këngë partizane solistja e mirënjohur, Vaçe Zela, përndryshe princesha e festivaleve, ka fituar vendin e parë në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. Shikuesit u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje përcillnin këngën e artistit të madh shqiptar. Avni Mula i falënderonte nga zemra shikuesit therandas, të cilët nuk e ndalnin dot duartrokitjen. Ai i hapte krahët dhe dy duart i mbështeste në gjoks; këtë e përsëriti disa herë me radhë. Mirëpo gratë kanë një imagjinatë të çuditshme, prandaj bashkëshortja ime, Zylfia, e komentonte se këngëtari Mula me krahët që herë pas here i hapte, shprehte dashurinë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kështu aktori i madh, Luca, më çoi në teatrin e qytetit, për herë të parë në vendlindje e shikova dramën shqipe, dhe atë “Cuca e Maleve”. Gjatë shkollimit në Shkollën e Mesme të Bibliotekës në Beograd tri-katër herë kam qenë në Teatrin Popullor (Narodno Pozoriste), ndodhej në qendër të qytetit. Atje kam shikuar dramën “Zonja me kameliet” të Aleksnder Dymas, Ana Kareninën, të Leon Tolstoit dhe “Hamletin” e Shkespirit. Të gjitha këto vepra të mëdha letrare i kam lexuar më vonë. Edhe pse ishim në kryeqytet, pak nxënës tregonin interesim për teatër. Unë me kohë isha regjistruar te sekretarja e shkollës për sigurimin e biletës në teatër. Më vonë, në vitin 1974, së bashku me kolegun e punës, Abdyl Lahu dhe me Adem Demaçin e sapo liruar nga burgu 20-vjeçar kam qenë në Teatrin Krahinor të Kosovës në Prishtinë, atje kemi shikuar dramën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë. Thënë drejt, shfaqja e dramës ishte madhështore, këtë e tregonte edhe prania e madhe e shikuesve, mirëpo, gjatë shfaqjes së dramës shikuesit pëshpëritnin për praninë e Adem Demaqit në teatër, që gjithë e shikonin me kureshtje.

Të nesërmen, Ndrek Luca erdhi në bibliotekë, dhe unë e falënderova për premierën që më nderoi. “Rrëmujë e madhe… pashë se si ai polici donte të largonte prej derës, mirëpo unë nuk të lëshoja dot. Mbase, ai ishte ndonjë polic serb”, tha zotëri Luca. Unë qesha dhe i thashë se as policët shqiptarë nuk janë më të mirë se policët serbë. Shkopi i policit shqiptar qëllon më shumë se e shkopi i policit serb. Aktori i madh luhati kokën nga keqardhja.

Nuk i shqitja dot sytë nga balli me rrudha i Ndrek Lucës, të krijuara si rrjedhim i aktrimit të gjatë dhe shpirtëror. Ishte dita e fundit, edhe pak do të niseshin me autobus në drejtim të Prishtinës dhe Preshevës. Më vonë nga shtypi mësova se për skenën e dramës së Bacës në Teatrin e Preshevës, një plak i kishte dhuruar plisin e bardhë aktorit të madh. Ndrek Luca e mbajti plisin dhe atë ditë tha: “Dua të varrosem me këtë plis”. Plisi për Aktorin e Madh, ishte një kujtim sa i dashur, aq edhe melankolik, sepse Lugina e Preshevës ishte ndarë padrejtësisht dy herë nga Shqipëria Etnike.

Më vonë erdhën aktoret Violeta Manushi dhe Roza Anagnosti; ato më pyetën mbi përshtypjen time të shfaqjes “Zonja nga qyteti”. Gjithashtu u thashë se gjatë shfaqjes më dukej se gjendem në Tiranën tuaj të dashur. Sponsori i trupës i thirri, tha se po niseshin me autobusin që i priste në oborrin e hotelit. Ndërkohë që artistët po hynin në autobus, dikush zbriti dhe u përshëndet me mua. Unë e merrja për aktor, mirëpo isha mashtruar, ishte ambasadori i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që i shoqëronte aktorët dhe ne njiheshim. Në Ambasadën Shqiptare në Beograd kisha qenë dy-tri herë, atje merrja revistat “Ylli” dhe “Shqipëria e Re”. Në përfundim, të gjithë aktorët u shkëputën nga Theranda, ashtu siç e thyen shtrëngata degën e një lisi të trashë. (Malme, 2000)

About xhzeqiri

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...