Home / Të ndryshme / PLASTIKA DHE MJEDISI NATYROR

PLASTIKA DHE MJEDISI NATYROR

Shkruan: Beqir Elshani

Materialet plastike janë bërë problem serioz për mjedisin natyror në mbarë botën, me anën e të cilëve ndoten rrugët, lumenjtë dhe detet. Siç dihet, tojat plastike kanë zënë vendin e lidhësve të dredhura prej fijeve të thekrës, kurse qeset plastike kanë zënë vendin e qeseve të letërs që janë me përbërje biologjike. Rezultati është se me helmimin e botës bimore e shtazore, njeriu me ose pa vetëdije rrezikon shëndetin e popullit, me anën e së cilës ndikon në ndryshimin e shpejtë të mjedisit ekologjik që shkakton edhe ndryshime klimatike në atmosferën e Tokës. Prandaj në vend se një pjesë e ushqimit të mbështillet me qese prej letre, që është me burim druri dhe si materie biologjike mund të shndërrohet në pleh organik, po përdoret masa plastike që është dëmtues me pasoja të mëdha dhe afatgjate në mjedisin natyror, si pasojë e të cilëve mbyten gjallesat në tokë e në det.

Të njëjtat pasoja po shkaktojnë edhe kavanozat plastike të lëngjeve, gotavt dhe enët plastike që nga “pakujdesia” po shpërndahen nëpër fushë, të cilat gjatë kullotjes lopëve ua dëmtojnë stomakun, kurse gjatë përtypjes së ushqimit ciflat metalike lopëve u shkaktojnë mundime krahas dëmtimit të dhëmbëve. Në televizionin suedez është shfaqur një film dokumentar në të cilin flitet për prodhimin e kavanozave të shumëllojshme për nevojat e lëngjeve në mbarë botën, mirëpo përfundimi i tyre është me pasoja tragjike për bagëtinë. Në këto raste lopët që kapërdijnë cifla metalike nuk arrijnë as të dërgohen në thertore, prandaj largohen si mërsinë. Kështu lopa, që me të drejtë indianët e quajnë nënë e mbarë popullit, po bie viktimë prej faktorit njeri, për shkak të hedhjes së mbeturinave plastike dhe metalike prej alumini. Me të drejtë mund të thuhet se industrializimi i madh lodrave për fëmijë dhe i mjeteve plastike të kuzhinës, siç janë qeset, enët, lugët dhe gotat, po e dëmtojnë jetën biologjike, që ndikon në dëm të standardit dhe shëndetit të njeriut.

Dallimi në mes djegies së drurit dhe masës plastike është se tymi i së dytës është më i rrezikshëm se tymi i djegies së drurit botanik. Shkenca tregon se mbeturinat prej letrës a prej kashtës treten ose zhduken shpejt dhe nuk arrijnë të qëndrojnë gjatë, ndërsa masat plastike, siç janë fimpat e cigareve, qeset për ruajtjen e ushqimit dhe shishet për ruajtjen e lëngjeve, qëndrojnë me shekuj. Sa i përket enëve, siç janë përdorimi i shtambave, gotave dhe pjatave, më të shëndetshme janë prej deltinës se prej masës plastike. Përveç kësaj, përdorimi i gotave dhe enëve plastike shkaktojnë elektricitet në trupin e njeriut. Një gjë duhet pasur parasysh, qendrat tregtare në Suedi qeset plastike për futjen e artikujve ushqimor, për të mos përfunduar në mbeturina, i shesin mbi mesataren e çmimit kushtues, me anën e së cilës konsumatorët detyrohen të përdorin çantat e tyre tekstile. Sepse, sa më pak qese përdoren, aq më i mbrojtur është sistemi ynë ekologjik. Që qeset po e ndotin mjedisin natyror, mund të shihet edhe prej ndërtesave skaj lumit në qytet: aty ku gjendet blloku i ndërtesave, lumi është i mbuluar me qese të llojllojshme, aty ku nuk ka ndërtesa, lumi është i pastër. Prandaj këto qese nuk zhduken, kudo që të jenë, janë afatgjate dhe të rrezikshme për mjedisin natyror. Jo vetëm që mbeturinat plastike shkaktojnë ngordhjen e peshqve, por edhe qëndrimi i tyre në syprinën e ujit pengon zhvillimin biologjik të gjellesave, që njëkohësisht ndikon në dëm të shëndetit të njeriut.

Keqpërdorimi i lëkurës

Me një antikash gjendej një libër luksoz mbështjellë me celofan, quhet “Kaffeboken” (Kafelibri). Mbështjellja e librit me celofan ishte shenjë që librin askush nuk interesohet për ta shfletuar, jo më për ta blerë. Jo vetëm kaq, sepse në kohën kur banorët në vende të ndryshme të botës janë duke bojkotuar rrobat me lëkurë kafshe për prodhimin e veshmbathjeve, siç janë rrobat me gëzof, këpucët, dorëzat dhe çantat e dorës, botuesit nuk ngurrojnë që librat t’i shtypin me ballina lëkure. Pikërisht libri “Kaffeboken” është me ballina prej lëkurës së kafshës. Prandaj ky libër i paprekur është detyruar që prej librarisë të shkojë në antikash për shitje si mall i dorës së dytë. Megjithatë nuk shitet, prandaj libri detyrohet që prej depos të vazhdojë udhëtimin në furrën e tjegullave. Po të zbërthehet libri luksoz sipas alkimisë në ndonjë rrobë, atëherë të kushtonte sa një bluzë prej 260 koronash (26 euro). Prandaj nëse janë 1000 copë libra, do të thotë se është baras me 2000 bluza, që mund të vishej një katund. Sa e sa libra të tjerë botohen si dekor me lëkurë luksoze, jo vetëm që nuk shiten, por edhe nuk lexohen, sidomos në bibliotekë. Duhet pasur parasysh se sot edhe lexuesi nuk e blen librin: e para sepse është i varfër, e dyta sepse nuk ka vend në bibliotekën e tij shtëpiake dhe e treta sepse është libër i veçantë që nuk i përket profesionit të tij. Prandaj ngjashëm siç mbrohen të drejtat e njeriut në botë, duhet të mbrohen edhe të drejtat e kafshëve në natyrë, për shkak se njerëzit dëshirojnë të mbrojnë botën bimore dhe shtazore.

Me një shitore të trikotazhit gjeta dorëza të zeza, nuk desha t’i blej, dyshoja mos janë sintetike, për shkak se gjatë fërkimit shkaktojnë elektricitet. Mirëpo kur pashë markën prodhuese me foton e deleve, siç thotë populli, fshati që shihet nuk do kallauz, u binda që janë dorëza prej leshi, prandaj i bleva. Jo vetëm që ishin prej leshi, por edhe kushtonin lirë, pothuaj një të dhjetën e dorëzave prej lëkure që kushtojnë 20 euro. M’u kujtua proverbi islandez “Më mirë zbathur se pa libra”, kur dihet që edhe verës toka është e ftohtë, jo më gjatë dimrit me borë, megjithatë islandezët më me ëndje do të ecnin zbathur se të mbeten pa libra. Me anën e këtij proverbi islandezët, që gjenden në mes të Oqeanit të Ngrirë tregojnë dashuri të madhe ndaj librit. Fill pas shitores së trikotazhit shkova në antikashin e madh, ku shiten libra të përdorur, po ashtu të vjetër, aty gjeta një libër me poezi. Libri më pëlqente, mirëpo për shkak se ballinat i kishte prej lëkurës së kafshëve, nuk pranova ta blej. Duket qartë që për botimin e librit me lëkurë luksoze, ka rënë viktimë një kafshë malore, siç është drenusha. Në anën tjetër, lëkura e ka vendin te këpucët, për të cilën njerëzimi është mirënjohës, ndërsa ballinat e librit mund të punohen edhe prej kartoni, që është me bazë celuloze, e cila nxirret prej drurit. Jo vetëm që është material druri, por edhe është më i shëndetshëm dhe më i qëndrueshëm se libri me ballina lëkure. Nuk thonë kot gjermanët se zbulimi i letrës në Kinë në vitin 105 para erës sonë i shpëtoi kafshët, për shkak se me lëkurën e tyre është përpunuar pergamena e shtrenjtë për shkrimin e librave. Kjo letër e parë u prodhua me anën e përzierjes nga zhelet, druri dhe kashta. Papirusi egjiptian ishte një mjet që në Kinë filloi të prodhohet letra e parë prej drurit, e cila u përhap edhe në Europë, kryesisht në Gjermani. Prandaj me prodhimin dhe përhapjen e letrës, Kina i shpëtoi kafshët, me anën e së cilës rriti numrin e veshmbathjeve të njerëzve. Që papirusi ka qenë mjet i shtrenjtë shkrimi, tregon se është shkruar në të dy faqet, shpeshherë shkrimi i vjetër është fshirë për të shkruar ngjarjet të reja. Në kohë e vjetër prej papirusit janë prodhuar edhe pjatat për ushqim, për qilima dhe rroba, gjithashtu edhe si lëndë djegëse. Jo vetëm kaq, sepse me papirus është thurur edhe anija, të cilën e ka përdorur shkrimtari dhe hulumtuesii norvegjezi, Thor Heyerdahl, në ekspeditën e tij Ra.

Në anën tjetër, dallimi në mes pergamenës mesjetare dhe papirusit të vjetër egjiptian është se i pari ka qenë me prejardhje shtazore, ndërsa i dyti me prejardhje bimore, prandaj ky i fundit është më cilësor dhe më i shëndetshëm se pergamena. Është për t’u habitur që në veprën e poetit flitet për mbrojtjen e kafshëve të egra, ndërkohë që libri i tij është mbështjellë me lëkurën e kafshës viktimë. Kështu veprojnë edhe ministrat, ndërkohë që kancelaritë e tyre diplomatike janë veshur me lëkurë të kafshëve, në anën tjetër diskutojnë për mbrojtjen e klimës dhe kafshëve si dhe mjedisit natyror. Suedi, 2019

About xhzeqiri

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...