Home / Histori / PEXHEP PASHË MATI, SHQIPTARI QË U BË VALI DHE KOMANDANT I LIBISË

PEXHEP PASHË MATI, SHQIPTARI QË U BË VALI DHE KOMANDANT I LIBISË

Hamdi Hysuka
1 prill 2015

Sa hyn në luginën e mesme të Matit të bien në sy banesa të veçuara, të larta, të forta, të cilat duken si kështjella. Janë kulla karakteristike. Në një të tillë, në vitin 1843 fshatari matjan, Hasan Ruçi, u shtua me një djalë tjetër. Në ato vite askush nuk mund ta parashikonte se djali me emërin Rexhep do të hynte në histori.
Gjurmët e historisë së atij djali më parë të çojnë në Batërr të Madhe. Themelet e kullës gjenden edhe sot. Në gojën e batrrenjëve dëgjon biseda e tregime që lidhen me luftrat legjendare kundër pushtuesve osmanë. Po sa komplekse, e ndërlikuar dhe kontrdiktore është historia e kombit tonë!
Mati me kulla të bardha, që nga kohët ilire, romake, bizantine, epoka e Skënderbeut dhe deri në ditët e sotme, ka shkruar dhe shkruan faqe të ndritura. Ajo për Rexhep pashë Matin, ende e errësuar, pret të ndriçohet.
Jo vetëm shtetet dhe popujt e mëdhenj e të zhvilluar, por dhe të vegjëlit nxjerrin njerëz të mëdhenj. Me hidhërim zemre të pranojmë se me shumë shqiptarë mburren në tjera vende.
Hasan Ruçi, hoxhë me kulturë teologjike, u shkëput nga vendlindja. Për arsye ekonomike, me të birin Rexhepin, u vendos në dhe të huaj, në Edrene, Adrianopoli i dikurshëm. Pasi arrijnë të hapin një furrë buke, Rexhepi regjistrohet në shkollë fillore, pastaj në gjimnazin ushtarak. Paraformohet kështu, nxënës i zellshëm, i urtë, i sjellshëm e me të ardhme. Dërgohet në një shkollë kualifikimi për oficer, ku me rezultate të larta mbroi kursin dhe Akademinë e luftës. Zgjodhi profesionin e ushtarakut, zanat i dobishëm për të jetuar. Arriti të bëhet Shtatmadhor. Kështu, Rexhep pashë Mati mbylli ciklin e plotë të shkollimit ushtarak. Tashmë i përkiste Institucionit të lartë, ku ishin përgatitur qindra madhorë turq, bashkë me Qemal Ataturkun.
Vendlindja i dha Rexhep pashë Matit mbiemër të dytë, gjeografik, dukuri e rrallë kjo. Ai i dha Matit e Shqipërisë emër të madh. Hap pas hapi, falë intelektit natyror, sedrës për prejardhjen, pasionit dhe këmbënguljes, Rexhep pashë Mati ngjiti shkallët e hierarkisë. Në moshë të re u gradua kapiten, major dhe prefekt i ushtrisë turke në Armatën VI, nënkolonel në Janinë, kolonel në Divizionin e Bosnjë-Hercegovinës, Armata VII. Në moshën 42-vjeçare është gjeneral dhe komandant Divizioni në Armatën e Selanikut e të Kosovës. Ngritja në funksione të larta në Perandori i krijoi atij mundësinë për t’u lidhur me patriotët e shquar Ismail Qemali, Seit Najdeni, Hoxha Tahsini, Isa Boletini, Dedë Gjo Luli etj. Atdhemohues nuk u bë. Matin asnjëherë nuk e shkëputi nga zemra. Gjithkund i qëndroi detyrës e ligjit, me zbatime të përpikta dhe moral të pastër. Oficer me dije të thella në teorinë e luftës, me dhunti organizuese e drejtuese. I ndershëm dhe kërkues, human me ushtarët dhe oficerët. Emri, sjelljet dhe sukseset në shërbime, sidomos besnikëria në profesionalitet, tërhoqën vemendjen e Komandës dhe të Shtatmadhorisë së Turqisë. Rexhep pashë Mati u përzgjodh e u radhit në klasën e oficerëve madhorë, i rezervuar për funksione dhe detyra luftarake të rëndësishme.
Shqiptari shqiptarin e respekton për urtësi, e nderon për nder, besë e burrëri, e ndjek nga pas për gëzim e trimëri. Ato cilësi Rexhepi i kishte. Vërtet oficer madhor, por gradat dhe ofiqet s’ia morën mendjen, s’e penguan të merrej me veprimtari në të mirë të çeshtjes shqiptare. Si shumë patriotë të tjerë, Rexhep pashë Mati punoi për Shqipëri etnike, ku përfshiheshin vilajetet e Kosovës, Manastirit, Janinës dhe Shkodrës. Mundësitë e tij i përdori për t’u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve. Duke shfrytëzuar emrin në postin e lartë të Komandantit të Armatës së Rumelisë, detyrë që i mundësoi komandën e gjithë ushtrisë otomane në viset shqiptare, Rexhep pashë Mati hyri në lidhje me shumë figura të shquara patriotike. Në ato rrethana bëri përgatitjen ushtarake të popullsisë shqiptare për një kryengritje. Punoi natë e ditë dhe vetëm priste momentin e duhur për të ngritur ushtrinë e popullin kundër Portës së Lartë. Po ato sjellje, diku të kamufluara dhe herë-herë të dukshme, ranë në sy të autoriteteve turke. Ato binin ndesh me ligjin dhe rrobën ushtarake. Kushtetutshmëria osmane nuk falte për shkelje të vogla e jo të dilje mbi vullnetin e Padishahut absolut.
Nën maskën e nevojës për të mbrojtur regjimin dhe me pëlqimin e Sulltanit, Rexhep pashë Mati organizoi një ushtri me banorë vendasë. Qëllimi i vërtetë i përgatitjes së saj u zbulua nga spiunët dhe kundërshtarët e tij. Atëherë Porta e Lartë e dërgoi disa herë në vise të ndryshme të Perandorisë për shtypjen e kryengritjeve. Por asnjëherë ai nuk zbatoi asnjë urdhër masakrimi. Veprimi i guximshëm e tërboi Sulltanin, i cili atë rast e shfrytëzoi. Më 1895 e “transferoi” Rexhep Pashën në Garb Tarabullus të Tripolit duke e emëruar Vali dhe komandant të Libisë. Në të vërtetë për Sulltanin ishte internim. Por ai atje bëri shërbime të mëdha, lehtësoi shqiptarët që lëviznin nëpër Europë, duke u dhënë pasaporta dhe para. Në atë vend u bë “ambasador“ i Shqipërisë.
Qarqet politke shqiptare kishin kohë që përgatiteshin për një kryengritje të armatosur kundër Sulltan Hamitit. Tek Rexhep pashë Mati ata mbanin shpresat. Në poezinë “Besa-besë” Çajupi i bën thirrje hapur: “Ngreu Rexhep Pasha, ngreu / ngreu se të pret atdheu…” Pritej vetëm rasti për të ngritur popullin. Bashkë me Ismail Qemalin qe hartuar plani për veprim të armatosur. Në atë kohë në Turqi situata politike ishte acaruar shumë. Vetë Sulltani ia kishte frikën Rexhep Pashës, ndaj e vuri në shënjestër për ta zhdukur. Për të realizuar planin e tij të zi, rasti u gjet. Me shpalljen e Hyrietit (Kushtetutës) më 1908 Rexhep pashë Mati emrohet ministër lufte i Perandorisë. Postin ai s’e priti me qejf. Por ministri i ri i Sulltanit u përcoll për në Turqi me respekt nga ushtarët dhe populli libian. Po me repekt u prit dhe nga populli turk. Pritja e madhe që iu bë, tërhoqi vemendjen e oborrtarëve dhe shtoi nervozizmin e smirën e tyre.
Pas Dekretit Sulltanor për emrim ministri më 12 gusht 1908, ai qëndroi në detyrë disa muaj, deri më 13 dhjetor, kur u gjend i vdekur në zyrë. Vdekja misterioze ishte humbje e madhe për lëvizjen kombëtare shqiptare. Ëndërrat dhe idealin e tij i realizuan Ismail Qemali me shokë më 28 Nëntor 1912.
Rexhep pashë Mati ishte me famë e karrierë të madhe, pjesëmarrës në luftën ruso-turke, në luftën kundër Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, 9 herë i plagosur. Pasojat për një vrasje të hapur do të ishin të mëdha. Prandaj u zgjodh ekzekutimi në fshehtësi.
Ditën e varrimit në Stamboll u bë ceremoni e madhe mortore, që as Sulltanëve nuk u ishte bërë. Për sa kohë Guvernator dhe Komandant i Përgjithshëm i Tripolit, me atributet e të plotëfuqishmit të Padishahut ishte Rexhep pashë Mati, Italia s’guxoi të kapërcente Mesdheun. Vetëm pas helmimit të rrufeshëm e enigmatik të tij, ajo sulmoi Libinë, pushtoi Tripolin dhe i shpalli luftë Turqisë. Kështu, Rexhep pashë Mati kurrë nuk mohoi gjakun dhe fisin e vet, bëri histori, me të cilën krenohet Mati dhe gjithë Shqipëria.

May be an image of 2 njerëz

About admin

x

Check Also

ÇEDOMIR PETROVIÇI – INTELEKTUALI SERB QË I KËRKON FALJE POPULLIT SHQIPTAR PËR TË GJITHA MËKATET E POPULLIT TË TIJ SERB

Një tekst interesant nga dramaturgu serb, Çedomir Petroviçi (i biri aktorit serb ...