Home / Opinion / TRADHTI KOMBËTARE DEKLARATA E LUTFI HAZIRIT

TRADHTI KOMBËTARE DEKLARATA E LUTFI HAZIRIT

Nënkryetari i LDK-së që është njëkohësisht edhe kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri ka insistuar se Serbia nuk do të pranojë Kosovën pa përfituar ndonjë kompromis.

Haziri thotë se Kosova nuk ka probleme tjera me Serbinë pos kufijve.

Ai madje vazhdon ta sheh si një zgjidhje shkëmbimet e territoreve.

“Kosova me kufijtë e 17 shkurtit nuk është e mjaftueshme për disa shqiptarë. Unë jam që këto troje t’i kthehen Kosovës”, ka thënë Haziri.

Mirëpo njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deklarata e Lutfi Hazirit për shkëmbime territoresh është skandaloze për Republikën e Kosovës, e shumë e pëlqyeshme për elitën politike serbe.

Bytyçi: T’i japësh të drejtë Serbisë, të kërkojë territor në këmbim të njohjes, është tradhti

Profesori Enver Bytyçi ka thënë se Lutfi Haziri prej vitesh i është bashkëngjit Thaçit dhe propagandistëve të tjerë të shkëmbimit të territoreve.

“Mendoj se shtysat për mbrojtjen e kësaj ideje janë të pozicioni që ai mban. Mesa duket Luta ka vendosur që gjithë jetën të kërkojë vetëm votën e Anamoravës për kryetar komune në Gjilan. Dhe me idetë e tij si dhe kërkesën që Luginën e Preshevës t’ia kthejë Kosovës nxit disa ndjenja nacionaliste të qytetarëve të komunës, të cilën ai e drejton. Dihet Gjilani dhe Lugina janë pjesë e një treve të pandarë. Kjo ka bërë që miqësitë, krushqitë, nipat e mbesat të jenë me shumicë nga të dy anët e kufirit. Frika që këta njerëz kanë se mos bijat e tyre si nipat e mbesat mbeten në izolim në kushte të caktuara, nëse mbyllet kufiri, i bën ata të vihen në kërkim të një zgjidhje, e cila do të vinte me bashkëngjitjen e Luginës me Kosovën” ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se Luta luan me këto emocione dhe nuk ndalet, ndërkohë ia bën një argat Hashimit, të cilin e ka mik të mirë.

“Me një gur gjuan dy zogj, pra fiton simpatinë e zgjedhësve të vet si edhe përkrahjen e të plotfuqishmit Hashim Thaçi. Në LDK askush nuk ka ndonjë problem pse Luta dëshiron t’ia japë Serbisë veriun e Kosovës. Në fund të fundit Llapi nuk është në atë projekt. Kështu që Isa nuk shqetësohet edhe nëse ndodh ndarja. Luta thotë se ne nuk e kërkojmë këtë zgjidhje, por ajo ka mundësi të shtrohet nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar, sepse Serbia nuk ka asnjë problem me Kosovën, përveç problemit të kufirit, thotë ai. Në fakt Serbia duhet të ketë shumë probleme me Kosovën. Duhet të paguajë për 13 mijë të vrarët e masakruarit shqiptarë, për rreth 2000 të tjerëve të zhdukur, për mijëra shqiptarë të gjymtuar, për 20 mijë gra e vajza të përdhunuara si dhe për shkatërrimin plotësisht ose pjesërisht të rreth 80 përqind të banesave dhe objekteve pasuri të shqiptarëve në Kosovë” ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, Luta dhe gjithkush në Kosovë duhet të kërkojnë, që Serbia të tërhiqet.

“T’i japësh të drejtë Serbisë të kërkojë territor në këmbim të njohjes është tradhti. Luta duhet ta dijë se kjo nuk mund të pranohet. Në deklarimin e Lutfi Hazirit, jo vetëm kësaj radhe, zë vend arsyetimi se ky territor dhe këta kufij qenkan vendosur në vitet 1950. Po kush i ka vendosur këta kufij? Kosova? Me çfarë vendimi legjitim të përfaqësuar nga shqiptarët, me çfarë referendumi. A mos Kosova i ka ndryshuar atëherë kufijtë me dhunë dhe Serbia nuk pajtohet me këtë. Kufijtë i ka ndërruar Serbia e Rankoviçit. Hashimi ka thënë se ne nuk e njohim kufijtë e kriminelit Rankoviç. Por edhe Hashimi, edhe Luta duan të krijojnë kufij sipas opsionit të Millosheviçit. Sepse dihet që Millosheviçi ka qenë i pari arkitekt i ndarjes së Kosovës, nëse do të ishte dakord bashkësia ndërkombëtare.

Tani Luta legjitimon një kërkesë dhe projekt të Serbisë, që garanton krijimin e Serbisë së Madhe dhe realizimin e interesave ruse në Ballkan. Kjo është e pafalshme”, ka thënë Bytyçi.

Ai thekson se kjo gjë duhet dënuar unanimisht nga gjithë shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj.

“Askush nuk ka të drejtë të diskutojë kufijtë e Kosovës. As Lutë Haziri, as Hashim Thaçi. Këtë ua ndalon kushtetuta në nenin 2, pika 2 të saj. Mirëpo në Kosovë kushtetutën e kanë bërë të pavlerë presidenti dhe politikanë si kryetari i Komunës së Gjilanit, të cilët nuk kanë kuptuar akoma se Kosova është bërë e pavarur për shkak të dhunës, masakrave dhe krimeve kundër njerëzimit te popullsia shqiptarë në këtë vend. Kur nuk e kuptojnë politikanë të lartë këtë fakt të konfirmuar nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, ne nuk kemi pse ta kërkojmë këtë te udhëheqësit serbë të Beogradit”, është shprehur profesor Enver Bytyçi.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...