Home / Opinion / Revizionizmi i PPSH-së së Ramiz Alisë i konvertuar në kapitalizëm

Revizionizmi i PPSH-së së Ramiz Alisë i konvertuar në kapitalizëm

Revizionizmi i PPSH-së së Ramiz Alisë i konvertuar në

Dhe me të drejtë kur revolucioni fitoi dhe socializmi u afirmua si një rend ekonomiko-shoqëror, jo vetëm në një vend, por dhe në disa vende të botës sikurse në Azi, por dhe në Europë, atëherë pse dështoi? Cilët ishin ata faktorë vendimtarë që ndikuan, në rënien e tij? Përpara se t’i jepet përgjigje kësaj pyetje duhet korrigjuar termi “rënie” duke e cilësuar “rënie e përkohshme e tij”, sepse karakteristikë e revolucioneve vërtet është se janë lokomotivat e historisë që ecin vrullshëm përpara deri në fitoren e kryengritjes së përgjithshme, por nuk duhet harruar kurrë dhe për një moment se ai është vetëm hapi i parë i sigurimit të fitores. Është hapi i parë, sepse Revolucioni Proletar vazhdon në kushte të tjera, në kushtet e një rrethimi të egër imperialist, i cili i tmerruar nga përhapja e flakëve të tij shpall “kryqëzatën e shenjtë”, një luftë kjo e gjithanshme, politike ekonomike, ideologjike në të gjitha fushat dhe sektorët e shoqëruar me një presion dhe diversion të madh ideologjik. Pra sikurse shikohet me këtë gjendje nuk pajtohet vetëm armiku i brendshëm dhe klasa e përmbysur, por nuk pajtohet as armiku i jashtëm i socializmit, që është rendi kapitalist. Kjo situatë mund të ilustrohet me shembullin e “kordonit sanitar” që organizoi “Atanta” europiane në bashkëpunim me forcat e intervencionit të bjellogardiste të Kollçakut dhe Denikinit kundër Revolucionit socialist të Tetorit, të cilat u shpartalluan. Fakti që Anglia, Franca Japonia për gati dy vjet e gjysmë fill mbas fitores së revolucioni, harxhuan dhe vunë në dispozicion të këtyre bandave miliona stërlina, franga e yen, është një tregues i qartë se në fushën politike armiqësia midis dy rendeve ekonomiko-shoqërore, diametralisht të kundërt do t’i shoqëronte gjatë gjithë ecurisë së tyre. Këto fenomene të fitores dhe dështimit të revolucioneve kanë ndodhur edhe më parë i psh në Francë në Gjermani pse jo dhe në Shqipëri me revolucionin demokratiko- borgjez të Nolit. Lufta e parë botërore sikurse dhe njihet me termin “Lufta e Madhe”, e cila filloi si luftë imperialiste, sapo kishte përfunduar dhe përfundimi i saj ishte po aq imperialist, sa që dhe popujt e kishin paguar me gjakun e tyre orekset imperialiste të perandorive të reja e të vjetra dhe jo pak, por më se 16 milionë të vrarë dhe mbi 20 milionë të plagosur e të zhdukur. Popujt përjetonin një nga tragjeditë më të mëdha të asaj kohe. Revolucioni socialist i Rusisë, u bë si një pikë referimi, por dhe shpresë për popujt se si duhet të luftohej për të hequr shtypjen dhe shfrytëzimin kapitalist dhe vargonjtë e skllavërisë ekonomike. Në disa vende si në Bavari (landin e Gjermanisë) po dhe në Hungari, apo tendencat si në Çeki e Sllovaki nën udhëheqjen e partive komuniste nën shembullin e tetorit në vitet 1919-’20, tentuan për revolucionin proletar madje dhe për pak kohë fituan, por u shtypën me zjarr e hekur nga forcat e kundër-revolucionit dhe dy udhëheqësit komunistë Karl Likbneht e Roza Luksemburg u masakruan gjer në vdekje nga forcat e ekstremit të djathtë. Jehona e Revolucionit të Tetorit u bë shpresë për gjithë popujt e botës dhe sidomos mbas triumfit të tij pati një rritje të valës revolucionare në të gjithë kontinentet, por sidomos në Angli, Gjermani, Francë, SHBA, Itali e gjetkë. Por nëse përfundimi i “Luftës së Madhe” solli një vend socialist, Lufta e Dytë Botërore, e cila filloi si një luftë imperialiste, përfundoi si një luftë çlirimtare, do të na jepte një bilanc edhe më tragjik, ku do shënoheshin më shumë se 40 milionë viktima, por njëkohësisht do të sillte krejtësisht një ndryshim të raporteve sasiore dhe cilësore. Harta politike shënonte se Rusisë së sovjetëve iu bashkëngjitën një sërë vendesh, të cilat e zhdukën shtypjen dhe shfrytëzimin kapitalist. Karakteristikë thelbësore e kësaj epoke ishte diametralisht i kundërt me teoritë e të ashtuquajturit “komunist”, renegatit Kautcky dhe krerët e Internacionales së dytë komuniste, të cilët në vend që t’i bënin thirrje proletariatit të vendeve ndërluftuese dhe partive komuniste apo dhe atyre socialiste, që luftën botërore ta sabotonin dhe ta kthenin në revolucion proletar, u bënin thirrje “për mbrojtjen e atdheut”. Pra në luftën e dytë ndodhi e kundërta, popujt u bashkuan kundër bishës së egër nazi-fashiste dhe shumë vende, kombinuan në mënyrë të suksesshme luftën për çlirim kombëtar me atë për çlirim shoqëror, pra në të njëjtën kohë paralel me çlirimin e vendit realizuan dhe revolucionin demokratik (si fazë të parë) duke e kaluar në të pastajmen në revolucion socialist. Po pse ndodhi kjo? Kjo ndodhi për faktin e logjikshëm se borgjezia vendase (në ato vende të mirëfillta borgjeze), por dhe ajo feudo-borgjeze (si në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Jugosllavi e gjetkë), u bë palë me pushtuesin duke fituar urrejtjen mbarëpopullore. Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm ishte fakti se luftën partizane për çlirim e udhëhiqnin Partitë Komuniste, të cilat si objektiv të afërt kishin çlirimin e vendit dhe vendosjen e demokracive popullore, pa lenë mënjanë objektivin tjetër të transformimit të revolucionit demokratik në revolucion popullor dhe vendosjen e pushtetit të popullit drejt socializmit. Mbas çlirimit qeveria demokratike e Enver Hoxhës e gjeti vendin me një ekonomi të rrënuar, djegur e shkatërruar, me një popullatë më pak se 1 milion banorë me mbi 80% e popullatës analfabete, një vend ku sundonte malaria dhe tuberkulozi, ku mbizotëronte në shtëpitë pisha dhe drita e kandilit, ku bujku me parmendë në dorë punonte për agallarët, me një shtet që kurrë nuk mendoi për reformën agrare, por dhe në momentet më të vështira të pushtimit e braktisi popullin e vet, një vend me një mortalitet të madh, ku jeta mesatare nuk shkonte më shumë se 37 vjeç, me një prapambetje të theksuar ku sundonte në shumë raste vetëgjyqësia dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Veç gëzimit të fitores duhet nënvizuar se kjo ishte panorama e vendit mbas 29 Nëntorit 1944. Komandantët e formacioneve tona luftarake sikurse dhe populli sëbashku me ish-partizanët i priste një betejë tjetër më e madhe më e vështirë se e para, betejë e cila duhej të fitohej me çdo kusht dhe premtimi i bërë popullit duhej mbajtur. Që prej çlirimit të vendit deri sa PKSH-ja (PPSH-ja) e ruajti principalitetin e vet revolucionar me në krye Enver Hoxhën dhe shokët e tij bënë transformime aq madhështore (krahasimi bëhet me gjendjen që ishte Shqipëria dhe jo me Amerikën që ka më se 200 vjet që nuk i ka rënë një bombë). Në një kohë të shkurtër u bë reforma agrare, u shpronësuan pronarët e mëdhenj dhe pasuria e tyre i kaloi popullit, u shtetëzuan dhe u anuluan të gjitha traktatet skllavëruese politike apo ekonomike, që binin ndesh me interesat e popullit, u ndëshkuan të gjithë bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit dhe ata që kishin lyer duart me gjak e bërë krime ndaj popullit, u shpall lufta kundër analfabetizmit dhe pse kjo luftë kishte filluar qysh në male, u hapën shkolla, u ngritën institute dhe universitete, u ngritën institucione të artit të kulturës, u ngritën fabrika e uzina, u ndërtuan rrugë e hekurudha, u organizua një shërbim shëndetësor falas, u dërguan jashtë shtetit bij e bija të popullit për specializim sidomos në fushën ekonomisë e të mbrojtjes, filloi bonifikimi i kënetave dhe bujqësia u vendos mbi baza shkencore, në një kohë rekord u krye tërësisht elektrifikimi i vendit duke u ndriçuar dhe ndryshuar plotësisht faqen e Atdheut. Për më shumë se 40 vjet këto fitore të arritura ishin meritë tërësisht e popullit tonë vital e gjeneralëve të tij të luftës e të punës të udhëhequra nga PPSH-ja. Por sikurse thotë dhe populli: “Ujët fle e hasmi s’fle”! Kundër-revolucionarët po përgatisnin “kundër-revolucionin socialist”, njëra nga dramat më të mëdha që pësoi socializmi gjatë rrugës dhe ecjes së tij përpara. Kundër-revolucioni në Shqipëri nga pikëpamja e analizës së fenomenit është i lidhur me faktorë të brendshëm e të jashtëm, me skena e prapaskena me luftë të heshtur dhe të hapur, me orvatje të jashtme, të lidhura ngushtë këto me reaksionin e brendshëm dhe mbeturinat e ish-klasës së rrëzuar nga pushteti, me humbjen e vigjilencës revolucionare të elementëve të shëndoshë, me shfaqje të tendencave burokratike, teknokratike në mënyrë të menduari e vepruari nga drejtues të aparateve të partisë e pushtetit popullor, sikurse edhe me tendencat oportuniste devijatore të grupimeve, në formën e fraksioneve brenda përbrenda vetë Partisë Komuniste (Punës), të cilat sa ishte gjallë Enver Hoxha dhe garda e vjetër revolucionare u shpartalluan me sukses të plotë. Armiku më i madh i socializmit ka qenë, është dhe do të ngelet revizionimi, i cili si një rrymë ideologjike presupozon rishikimin e marksizmit duke i hequr atij shpirtin revolucionar. Armiqtë e rrezikshëm revizionistë u shfaqën jo vetëm para revolucionit sikurse ishte Kautcky e Bernshtajni, por edhe mbas revolucionit si Trocky, Buharini, Zinojvi e Kamenjevi, por shkalla e lartë e rrezikshmërisë së tij për herë të parë në historinë botërore u shfaq pikërisht në një vend “socialist” në parti në pushtet si Jugosllavia e Titos, i cili u bë dhe “kali i parë i Trojës” jo vetëm në popujt e Jugosllavisë që luftuan e që u tradhtuan nga Tito-Rankoviçi, por dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Një revizionist po aq tradhëtar u tregua dhe ish-sek. I PK të SHBA, E. Brauder, i cili do të deklaronte se: “Komunizmi nuk është gjë tjetër veçse amerikanizmi i shekullit të 20” dhe me këtë rast me 1946 ai shpërndau dhe Partinë Komuniste. Gjithsesi dhe pse si rrymë revizionizmi jugosllav ngeli e kristalizuar, lëvizja komuniste me në krye B. Sovjetik u distancuan dhe e dënuan ashpër madje dhe duke e përjashtuar Titon nga kampi i socializmit. Por ja që nuk qenkësh thënë, sepse disa vite mbas vdekjes së Stalinit një klloun tjetër Nikita Hrushovi i ardhur në krye të partisë, nga Berja dhe llumi tjetër oportunist, do të tregohej sa sharlatan aq dhe tradhëtar. Teoritë e tij të “bashkekzistencës paqësore” me çdo kusht me imperializmin duke e shpallur këtë si vijën thelbësore të politikë së jashtme të çdo vendi socialist, sikurse dhe trumbetimin me të madhe të marrjes së pushtetit në “mënyrë paqësore” nga duart e borgjezisë do të kishin reperkusione të mëdha në gjithë lëvizjen komuniste botërore. Viktimë e parë u bë Indonezia dhe PK e saj, me në krye Dipa Aiditin. PK e Indonezisë ishte bërë një forcë e madhe dhe rrezikonin seriozisht pushtetin e borgjezisë së presidentit Sukarno. Të ekzaltuar në kulm Hrushovi dhe Aiditi prisnin marrjen e pushtetit pa revolucion. Por ndodhi e kundërta, Sukarnon e rrëzuan nga pushteti klika fashiste e Suharta-Nasutionit dhe brenda një jave u ekzekutuan gati 500 mijë komunistë (nga 3 milionë që kishte PKI). Ja pra se çfarë tragjedie përgatiti tradhtia revizioniste në bashkëpunim me reaksionin ndërkombëtar. Por rruga e tradhtisë nuk u ndoq vetëm nga Tito dhe Hrushovi, madje dhe në Hungari revizionistët, të cilët inspiroheshin nga titizmi dhe rrymat e tjera reaksionare tentuan të rrezonin pushtetin, sikurse të njëjtën gjë kishte organizuar dhe planifikuar dhe vetë Koçi Xoxe duke dashur që Shqipërinë ta bënte republikë të shtatë të Jugosllavisë. Të gjitha këto tregojnë shkallën e lartë të rrezikshmërisë së vijës revizioniste kur ajo ka uzurpuar pushtetin dhe ka asfiksuar diktaturën e proletariatit. Armiqtë në përballjen direkte me pushtetin popullor në vendin tonë i patën humbur të gjitha betejat, madje që gjatë lufte dhe pse komunistët nuk ishin në pushtet. Gjithashtu të gjitha grupet anti parti të lidhur me agjenturat e huaja ishin shpartalluar sikurse ishin shpartalluar rreth 358 bandat e diversantëve të hedhura nga toka, ajri dhe deti. Kishin pësuar shpartallim të plotë edhe të ashtuquajturat kryengritje të Postribës, të inspiruara nga reaksioni i jashtëm, sikurse dhe organizatat “Fronti i Rezistencës”, “Komiteti Shqipëri e Lirë”, tendencat për krijimin e Partisë Demokristiane të financuara nga Vatikani, aktivizimi i ballisto-zogistëve të mërgatës së qyqeve etj, pa folur këtu dhe për bandën e fundit të Xh.Mustafës. Kështu nuk është e rastësishme deklarata e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Bleer në dhomën e Parlamentit anglez se: “Ne dhe amerikanët dështuam me orvatjet tona para sigurimit të shtetit shqiptar, për ta rrëzuar me anë të forcës pushtetin e Enver Hoxhës”. Por kur ra pushteti popullor dhe socializmi? Ai ra pikërisht kur u tradhtua dhe tradhtia në këtë rast ishte e një lloji të veçantë, nga ajo pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë e të pushtetit, të cilat ishin larguar nga vija e drejtë, ata kishin tradhëtuar vetë popullin e tyre sepse ishin borgjezuar brenda vetë socializmit. Natyrisht që kjo nuk është veti e socializmit, veti e tij është lufta kundër deviacioneve të majta e të djathta, por nëse kjo luftë zhvillohet me metoda burokratike, nëse humbet vigjilenca revolucionare, atëherë fitoret e revolucionit vihen në pikëpyetje të madhe. Ardhja në krye të partisë e një renegati si R.Alia, ishte një fatkeqësi e madhe sepse ai sëbashku me mafien revizioniste e përgatiti situatën dhe e çoi gjendjen ekonomike deri në atë pikë, saqë populli me të drejtë u revoltua. Por çështja është se “de fakto” revolta në thelb drejtohej kundër revizionizmit dhe jo komunizmit. Kundër revizionizmit sepse ai e katandisi gjendjen deri në ekstremin e revoltës, për t’ia faturuar këtë gjë më vonë Enver Hoxhës dhe komunistëve të ndershëm. Gorbaçovi e njihte ndofta shumë mirë Ramizin, përderisa i pati dërguar letër fill mbas vdekjes së Enverit, ku i parashtronte platformën e restaurimit të kapitalizmit ne Shqipëri dhe sigurisht që e njihte, sepse Ramizi po më 1991 dy gazetarëve italianë të “Corriere della Sera” u pati dhënë një intervistë që titullohet “Mai piu Stalinismo” (Kurrë më stalinizëm). Në këtë intervistë edhe pse në pamje duket sikur ai e merr në mbrojtje Enverin dhe mundohet t’i vërë në dukje disa merita, në fakt ai e siluron në thelbin kryesor atë të socializmit- diktaturës së proletariatit dhe të ligjit të luftës së klasave. Doemos kjo do të ndodhte sepse edhe në Byronë Politike ai e pati shtruar këtë platformë kapitulluese duke deklaruar: “Socializmi përballë kapitalizmit ka dështuar, ne do bëjmë ca reforma, do shpallim pluralizmin e ideve bile edhe të partive, do rehabilitojmë të dënuarit, do fusim elementët e kapitalizmit, por pushtetin nuk do t’ua dorëzojmë atyre që i luftuam me armë në dorë, në këtë rast kapitalistët e rinj do jemi ne komunistët”! Çfarë tradhtie, çfarë hipokrizie ndaj popullit të vet dhe vetë legjendarit Enver Hoxha! Ja pra sot këta që kemi në pushtet a nuk janë vazhdimësia e tradhtisë që ju bë këtij vendi e këtij populli dhe metamorfozë e plotë e transformimit të revizionizmit në kapitalizëm?! Në këtë rast mos vallë socializmi ka dështuar?! Jo aspak ai humbi një betejë, e u tradhtua nga brenda, por lufta vazhdon e do të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare në gjithë botën. Nuk është dëshirë komunistësh, por një pozitë që ia rezervon historia se socializmi domosdoshmërisht do të triumfojë, por dhe kapitalizmi e imperializmi që domosdoshmërisht një ditë do të japin shpirt. Ç’t’i bësh dialektikës?! Ajo nuk pyet askënd, madje vë në provë të vërtetën nga falsiteti, që mbulohet me mijëra frazeologji filozofike.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...