Home / Opinion / PRIFTI GREK, JANULLATOS, FESTON 28 VJETORIN E AKAPARIMIT TË KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË!

PRIFTI GREK, JANULLATOS, FESTON 28 VJETORIN E AKAPARIMIT TË KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË!

Më 2 gusht 2020, u mbushën plot 28 vjet nga dita kur “eksportuesit e demokracisë me hashash e kallash”, vendosën në krye të Kishës Ortodokse Atoqefale Shqiptare, priftin grek me emrin Janullatos. Fillimisht, ai e nisi punën me afat të përkohshëm, me misionin e dukshëm, të riorganizonte Kishën Ortodokse Shqiptare, dhe njëherësh të përgatiste edhe prelatët shqiptarë, për drejtimin e punëve të saj. Por mbasi u rehatua në kolltukun e Kryepeshkopit, duke marrë edhe titullin brilant “Fortlumturia e Tij”, çështjen e “përkohësisë” e hodhi prapa krahëve, dhe u vu me mish e me shpirt në realizimin e misionit të tij të dyfishtë, që nuk ishte hiç më pak se ringjallja e kufijve të Vorioepirit, ëndrrës shekullore të Qeverisë dhe Kishës greke, të cilat, siç e dimë, kanë një flamur të përbashkët.
PAK HISTORI PËR KISHËN ORTODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE:
Siç shkruan Noli ynë, pas 444 vjetësh të pushtimit otoman (1478 – 1922), u krijua Sinodi i Parë i Kishës Ortodokse Shqiptare. Këtij akti i kishte paraprirë veprimtaria e Rilindasve dhe priftërinjëve atdhetarë, të cilët luftuan pa pushim për pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, dhe veçanërisht për aplikimin e Liturgjisë së saj në gjuhën shqipe. Në këtë luftë me Kishën greke, që kishte pretendime shekullore, patëm edhe martirë nga radhët e prelatëve shqiptarë, siç ishin Papa Kristo Negovani, At Stath Melani e të tjerë.
Sinodi i Parë, i krijuar në vitin 1922, përbehej nga: Hireotheu – mitropolit i Korçës e Gjirokastrës; Kristofor Kisi – mitropolit i Beratit e Vlorës; dhe Fan Noli – mitropolit i Durrësit e Tiranës. Ky Sinod, sipas Nolit, vijoi deri në vitin 1924, kur “Peshkopi i kuq shiptar”, u detyrua të largohej nga Shqipëria, për shkak të ndjekjes nga regjimi zogollian.
Me 16 qershor të vitit 1929, Kongresi gjithortodoks i mbledhur në Korçë, krijoi Sinodin e Dytë, dhe njëherësh formuloi edhe Statutin e Kishës Ortodokse Shqiptare, në të cilin thuhet: “Kryepeshkopi, peshkopët, zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit e tij dhe zëvendës klerikët e Kryepeshkopit dhe peshkopëve, duhet të jenë: “ME GJAK, GJUHË DHE NËNSHTETËSI SHQIPTARE”!
Si rezultat i punës dhe luftës këmbëngulëse të Peshkop Nolit, dhe shokëve të tij në Shqipëri e në diasporë, me 12 Prill të vitit 1937, Kishës Ortodokse Shqiptare, iu njoh zyrtarisht varësia direkte nga Patriarkana Ekumenike, dhe u shpall “AUTOQEFALE” (Autonome).
. . .
Por konvertimi i sistemit politik në vendin tonë në fundvitet nëntëdhjetë, solli edhe “konvertimin” e Kishës sonë, e cila nga e pavarur, u kthye domen i Kishës greke, misioni i së cilës, qysh në kohën e Profetit Antishqipar, Shën Kozmai, ka qenë e mbetet “Megalidheja”, teoria famëkeqe e shovinizmit pushtetar e kishëtar të Greqisë. E gjithë lufta, përpjekja dhe martirizimi i priftërinjëve patriotë shqiptarë, me Nolin e madh në krye, u hodh poshtë, falë “përkujdesjes” së Kishës Greke, me përfaqësuesin e saj Anastas Janullatos, ndihmuar me të gjitha mjetet nga skota e presidentëve dhe kryeministrave të tipit “Esat Pashë Toptani”, që kanë kullundrisur punët e shtetit tonë në këta tri dekada të demokracisë hibride. I pari ishte Presidenti Berisha, që me marrëveshje në prapaskenë të qytetarëve, i dha Janullatosit liçencën të “ujdiste” punët e Kishës sonë. Pas tij, kryeministri Nano, pas një “kursi” në Janinë, Kretë dhe Athinë, liçencës së Berishës, i shtoi edhe “lejen” për ngritjen e varreve të ushtarëve grekë, rënë në Shqipëri “Për Eladhën” gjatë Luftën së dytë Botërore. Vendvarrimet e mësipërme u piketuan në tri pika të thjeshta: Bularat të Gjirokastrës, në Këlcyrë të Përmetit dhe në Boboshticë të Korcës, të cilat “hiç muhabile”, personifikojnë tri pikat e “brezit të parë” të kufirit të “Vorioepirit”. Ndërtimi i këtyre varreve, vijoi me një hop cilësor, sapo në pushtet erdhi Kryeministër Rama. Madje, në mungesë të eshtrave të ushtarëve grekë, që nuk po gjendeshin në shifrën e dëshirueshme, u rrëmbyen edhe eshtrat e disa të vdekurve të hershëm të fshatit Kosinë në Përmet. Mandati i dytë i dha dorë Ramës, që përveç ndërtimit e zbukurimit të varrezave dhe Manastireve pranë tyre, ta ndihmonte priftin grek edhe me disa akte nënligjore e vendime të qeverisë që drejtonte, për festimet që Kisha dhe shteti Grek, organizojnë në Tetor të çdo viti, muaj që shënon “Fitoren e Eladhës në çlirim – pushtim të “parcelës” së parë të “Vorioepirit”.
Dhe si për t’i vënë vulën kësaj “skeme” antikombëtare, Meta, në postin e Presidentit, i jep grekut Anastas, nënshtetësinë shqiptare, duke plotësuar kështu njërën nga kërkesat e Statutit të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale, e duke shpresuar se në të ardhmen, do të arrijë të realizojë edhe dy kërkesat e tjera, atë të “Gjakut dhe të Gjuhës shiptare”, çka do ta nxirrte faqebardhë atë, dhe kolegët e tij, përpara historisë së shkruar me gjak, të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale.
. . .
Kjo “skemë” antikombëtare, pothuajse ishte harruar e hedhur prapa krahëve, sepse “skema” të tjera kanë lindur e po lulëzojnë mbi interesat e vendit tonë. Por festimi nga Kryepeshkopi grek, i 28 vjetorit të fronëzimit të tij mbi kishën shqiptare, me datën 2 gusht 2020, zgjoi vëmendjen e disa gazetarëve, të cilët, për arsye të “Pandemisë”, arritën të kapin vetëm Fatos Klosin, ish Kryetarin e Shërbimit Informativ të Shtetit Shqiptar në ato vite, kur nisi kjo histori djallëzore. Dhe zoti Klosi, që prej disa viteve po tregohet shuma aktiv në media, nuk përtoi të jepte prononcimin e tij.
Pyetjes së gazetares se “A është normale që një peshkop i huaj të qëndrojë kaq gjatë në krye të Kishës Shqiptare” – ish shefi i SH I SH, Klosi, i përgjigjet me këto ligjërata, që unë po i shënoj me gjithë shenjat e pikësimit, por duke i shtuar nga një koment të shkurtër:
-Unë, nuk jam ekspert i fushës, por mua si qytetar më duket e paarsyeshme, që për kaq shumë vite, një Peshkop, një funksionar i huaj, është në krye të Kishës sonë Autoqefale”.
( Sa mirë do të ishte që këtë ta kishte thënë disa vite më parë).
-“Vetë zoti Janullatos, për të cilin kam respekt si intelektual dhe njeri i kulturuar, pati deklaruar se do të vinte përkohësisht në krye të Kishës sonë, për të ndihmuar në përgatitjen e prelatëve shqiptarë, gjë që për kohën ishte e arsyeshme”.
(Këtë mund ta thotë një intelektual nga Brazili, apo vend tjetër i largët, dhe jo një shqiptar, që duke qenë për disa vite në postin e Kryetarit të SHISH, kishte në dispozicion jo vetëm “Historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare”, por edhe dosjet gati shekullore, të agjenturave të Kishës dhe shtetit grek, në dëm të Shqipërisë).
-“Pas 28 vitesh, – vijon ish Kryetar Klosi, – duket vërtet e çudiçme prania e Janullatosit në vendin tonë. Pas 28 vitesh, – konkludon ai, – Ose nuk ka qenë e vërtetë, ajo që u tha në fillim të ardhjes së tij të përkohshme, domethënë për përgatitjen e kuadrove të rinj shqiptarë, ose kjo ndihmë nuk u realizua. Ose njëra, ose tjera”, – e mbyll ligjëratën personazhi ynë.
(Plot njëzet e tetë vjet iu deshën Kryetarit tonë të shërbimit special, të bënte këtë “deduksion” me dy variante për punën e Janullatos, variante që i le evazive, në pritje të vertetimit pasi të kalojnë edhe . . . 28 vite të tjerë).
-“Ka të tjerë që bëjnë lloj-lloj hamendësime, por unë them që shoh një lloj paaftësie për të krijuar kuadrot e reja për Kishën tonë. . . “!
(Paaftësi e Janullatosit, me titullin profesor, me dhjetra shkolla e kualifikime, me disa gjuhë të huaja, përveç shqipes që, ndonëse e din mjaft mirë, nuk e artikulon gjatë predikimit, nga frika se mos e sheh “Shën Kozmai” nga lartësitë e Qiellit, ku prehet prej vitesh ??!!! ).
Lidhur më pyetjen, se sa ndikim ka shteti grek mbi veprimtarinë e Kryepeshkopit Janullatos, Kryetari ynë i zbulimit jep këto përgjigje interesante:
-“Unë nuk di të them nëse Kryepeshkopi Anastas merr udhëzime apo jo nga shteti grek, për sjelljet fetare në Shqipëri. Por sigurisht ai ka një mentalitet te vetin. Është formuar me Kishën Greke, dhe qoftë edhe kaq . . . . Ai, në një farë mënyre ka kondicionuar edhe Kishën Shqiptare (pa dashje, kuptohet). Nuk mund të dalë ai nga bota ku është edukuar, ku është formuar edhe si intelektual, jo vetëm si punonjës kishe”.
(Këtu, personazhi ynë i afrohet së vërtetës, por e artikulon kaq “ëmbël”, nga frika se mos zemërohet Kryepeshkop Janullatosi, i cili nuk le gazetë shqipe pa kontrolluar. Që nuk di me dokumente “nëse Kryepeshkopi merr apo jo udhëzime nga shteti grek”, është mangësi e zbulimit tonë, ku Klosi ishte Kryetar. Por të mos dish si intelektual, historinë e hidhur të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërfetare të vendit tonë me shtetin grek, është e pafalshme. Qoftë edhe sikur të jesh me 8 klasë të Unikes).
Ligjërata më e fundit, që mbyll përgjigjet e ish shefit të SHISH, për pyetjet e gazetares, është ndër ligjëratat më interesante. Ja, dëgjojeni:
-“Unë Janullatosin e quaj njeri të respektuar nga ana ime, sepse ka kontribuar. . . . Ai thjeshtë nuk ia doli dot të bënte atë që mori përsipër në fillim” – Dhe e mbyll me “konkludën” evazive: -“Tani, nuk ia doli se nuk ishte e kollajshme, apo ka qenë ndonjë politikë e Kishës Greke, këtë nuk mund ta ndaj”!
(Këtë përgjigje mund ta japë një person nga ishujt Honolulu, por jo një shqiptar i arsimuar, një profesor universiteti, që arriti gjer në shkallën e Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, shërbimi më i veçantaë dhe më me përgjegjësi në piramidën e qeverisjes).
Tani, le të dalim nga “Kllapat” e të themi dy fjalë të thjeshta: Kaq poshtë kanë rënë intelektualët tanë, që nuk guxojnë të thonë të vërtetat, të cilat i “sheh dhe lopa e Lipes, në haurin e saj”?
Të jesh në një post shtetëror, e të zgjedhësh të flasësh diplomatikisht, duke e fshehur nëntekstin e fjalës, edhe lejohet. Së pari se mund të shkaktosh para kohe incidente në marëdhëniet midis shteteve, por edhe për faktin se mund të shkarkohesh nga detyra prej Shefit të madh, që rrezikon t’i dalin në shesh lakrat e zeza, të cilat i ka gatuar në vorbën e politikave të jashtme të vendit.
Por të jesh liruar nga posti zyrtar, dhe për më tepër të kërkosh vetë të prononcohesh për probleme të ndryshme në media, e nga ana tjetër të lëshosh ligjërata të pavërteta, apo të paktën të pa “ujdisura”, është e pafalshme.
Dhe kjo, për fat të keq nuk ndodh vetëm me profesor Klosin, por edhe me shumë intelektualë e profesorë të tjerë, të cilët, të vërtetën e kanë shitur për një post, apo për një miradinë të premtuar nga pushteti i radhës.
Imazhi mund të përmbajë: 1 person, mjekër dhe syze, text that says 'orthodoxalbania.org'

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...