Home / Opinion / ME RASTIN E 19 VJETORIT TË RËNIES SË DËSHMORIT TË UÇK-së NGA SLLATINA E TETOVËS, MURTEZAN ETEMI

ME RASTIN E 19 VJETORIT TË RËNIES SË DËSHMORIT TË UÇK-së NGA SLLATINA E TETOVËS, MURTEZAN ETEMI

SHKRUAN, SYRJA ETEMI
SHKËPUTJE NGA DITARI I LUFTËS 2001
(I PABOTUAR PËR MUNGESË MJETESH FINANCIARE)
Luftimet intensive që filluan më 23 korrik në Tetovë, ndërmjet forcave policore dhe ushtarake maqedone dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, s’do mend se, brenda po kësaj dite do të zgjerohen edhe në fshatrat tjera të Tetovës që shtrihen mbi rrugën magjistrale në drejtim të Kosovës. Në orët e pasditës, banorët e këtyre fshatrave, janë në një ankth të papërshkruar.
Lajmet për fillimin e aksioneve luftarake intensive në qytet, ku thuhet se UÇK, shpejt mori dhenë: Djelmoshat tanë kanë përparuar dukshëm, në marrjen e disa pozicioneve të reja. Eh me sa ngazëllim po përcillet ky haber inkurajues tek çdo përmasë shqiptari!
Më vonë, filloi të flitet edhe për lajme të dhimbshme e të trishta: “Në Poroj dhe në fshatin Xhepçisht, dy fshatra që përbëjnë një tërësi të vetme dhe një vazhdimësi urbane të qytetit , janë granatuar nga artileria maqedone, si pasojë e të cilëve jetën kanë humbur edhe disa banorë civilë të këtyre fshatrave (tani për tani janë 9”. Lajm këtë që e “përlau” edhe habertari i së përditshmes “Fakti”, Nexhbedin Shaqiri, për të vazhduar:
“Gjithkush tani e kupton se kjo prishje e armëpushimit, për të cilën gjithmonë kanë insistuar paramilitarët maqedonë, do të marrë përmasat e një lufte të vërtetë në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Një banorë i fshatit Sllatinë, mundohet t’ua tërheqë vërejtjen bashkëbiseduesve të tij, për seriozitetin e kësaj gjendjeje. Dyshimet për këtë, manifestohen tek çdokush , kur të merret parasysh fakti se pushteti maqedon me të madhe ka bërë armatosjen e popullsisë maqedone në të dy fshatrat fqinje: Leshkë dhe Tearcë. Lëvizjet e zakonshme nëpër rrugë nuk zgjatin shumë, muhabetet e mbetura përgjysmë mbeten për t’u mbaruar nëpër vende më të sigurta. Persona të caktuar, aty nga orët e mesditës, urdhërojnë popullsinë civile të vendoset nëpër vende më të sigurta , si zakonisht, nëpër podrume. Kjo nuk është hera e parë, tani më banorët e këtyre fshatrave, një gjë të tillë e kishin përjetuar edhe gjatë pesë korrikut, kur UÇK kishte vendosur për të zbritur përkohësisht nëpër këto fshatra. Një veprim i këtillë më pas ka pasuar me breshëri automatikësh nga fshatrat maqedone në drejtim të fshatrave dhe shtëpive shqiptare. Megjithatë, tani gjendja duket më serioze, nuk flet kush për dialogun apo armëpushimin. Fshatrat në këtë pjesë të Tetovës, tanimë e kanë të qartë se i janë ekspozuar një vazhdimësie të luftimeve intensive që veç kanë filluar që në orët e herëshme të mëngjesit në paralagjet e qytetit , dhe kuptohej lehtë se një gjë e tillë do të ndodhte edhe në fshatrat që shtrihen rrëzë malit Sharr “.
…Në Sllatinën time (tonën),pas orës 13, nëpër rrugët e fshatit nuk mbetet njeri. Krismat e armëve veç kishin filluar të dëgjohen. Ato vinin si nga brendia, ashtu edhe nga pjesa e epërme e fshatit Leshkë. Aty për një kohë të gjatë kanë qenë të përqëndruar paramilitarët maqedonë të fshatrave maqedone, të cilët ndihmoheshin edhe nga punkti policor që ishte stacionuar në udhëkryqin e rrugës kryesore në hyrje të këtij fshati. Brenga më e madhe shtrohet tani në mbrojtjen e popullsisë civile nga falangat paramilitare të përqëndruara në fshatrat e tyre. Ushtria Çlirimtare Kombëtare, është angazhuar për këtë. Pjesëtarët e sajë, kanë qenë në lëvizje të vazhdueshme dhe të gatshme për vënien nën mbikqyrje apo tutellën e grupeve të armatosura paramilitare të ndihmuara edhe nga pjesëtarët e policisë maqedone. Në orët e vona të pasditës luftimet bëhen gjithnjë e më intensive edhe në anën tjetër të fshatit, ku grupet e armatosura maqedone, mbështeten edhe nga disa pizgauer të policisë, që kanë qenë të përqëndruar në fshatin Tearcë. Konfrontime të armatosura janë zhvilluar edhe në fshatin Neproshten. Fshati Sllatinë , ashtu si edhe herën e parë , tani po ballafaqohet me luftime në të dy krahët e
saj . Ushtria Çlirimtare Kombëtare, është hedhur në luftë me një moral shumë të lartë të ushtarëve të saj. Ajo ka premtuar se do t’i shënjestrojë paramilitarët maqedonë , që kërcënojnë popullsinë civile. Rrugët e fshatit janë shumë të rrezikshme, plumbat e armëve automatike, nuk lënë pa prekur çdo skaj. Një pjestari të UÇK-së, nuk i pengon kjo për të përshkuar këto rrugë të rrezikshme, për të vëzhguar, nëqoftëse nëpër to ka mbetur ndonjë fëmijë apo person tjetër që është kureshtar të qëndrojë jashtë strehimoreve të tyre. Kështu, një banor rreth të gjashtedhjetave, i mbështetur pranë një muri, mezi i mban lotët. Ai nuk ka frikë nga krismat e armëve që shënojnë konfrontimet më intensive, që nga fillimi i luftimeve; ai ndihet shumë i emocionuar nga vendosmëria e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ai nuk nguron që çdo kujt t’i thotë: “ Këta trima, shumë shpejtë do ta mbarojnë punën… “. Ndihet shumë i sigurt në këtë ndërmarrje të guximshme. Një besim të këtillë në vendoshmërinë dhe moralin e lartë të pjestarëve të UCK-së, e kanë pasur edhe ata që kanë qenë të strehuar nëpër podrumet e shtëpive. Brenga e tyre shtohet në mundësinë e granatimeve të fshatrave shqiptare nga largësia, kur tashmë, shumica ishin të shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur në fshatrat Poroj dhe Xhepçisht. Podrumet e shtëpive, të thuash, janë të stërmbushura me gra, fëmijë dhe pleq. Por s’do mend se edhe në brendinë e tyre, si nga thellësia do të dëgjohen krismat e bubullimat. Një vajzë e re, s’di a nga kureshtja apo harlia, nxjorri kokën në dritare për të dëgjuar, dhe tha:
“Tash duket se lufta është ndezur gjithkund dhe kushedi se sa kohë do të qëndrojmë në podrumet e shtëpive!“. Përgjigje rrallë kush mund të japë.!..
Në orët e vona të pasditës diku nga ora 17, filloi të dëgjohet zëri i aeroplanëve ushtarakë, kështu që nuk mbet njeri pa mos e çuar kokën drejt qiellit të përhirtë dhe të shohë se nga vjen. Një aeroplan me ngjyrën e një uniforme laramane, ndiqte linjën e rrugës magjistrale, në anën e fshatrave që shtrihen mbi këtë aks rrugor. Ka flururuar shumë ulët: Kështu, ai duket se po lëviz me lartësinë e plepave. Aeroplani kaloi, ndërsa njerëzit, mbyllnin veshët duke menduar se tani ai diku do t’i lëshojë edhe projektilët vrastarë. Por, kjo nuk ndodhi. Ai kaloi dhe la vetëm uturimën lemeritëse të tij. Nuk dihej se çfarë ishte qëllimi i këtij aeroplani. Dikush e komenton atë se dëshiron të krijojë vetëm panik me zhurmën e llahtarshme. Edhe kjo dilemë nuk mbetet pa u kuptuar më vonë .
Vetëm disa minuta pas fluturimit të aeroplanit, një konvoj i automjeteve të blinduara të policisë maqedone, përshkoi rrugën kryesore në drejtim të fshatit Tearcë.
… Kolona e përbërë prej gjashtë autoblindave, përshkoi rrugës anësore, për të kaluar nëpërmjet fshatrave maqedonase, gjersa luftimet zhvilloheshin në brendi të fshatit Leshkë, para se forcat e U.Ç.K.-së të hudhen në aksionin përfundimtar për marrjen e punktit policor që gjendet në rrugën magjistrale në fund të Leshkës. Kolona e autoblindave, has në rrezistencë të fuqishme përgjatë rrugës, gjersa ajo mundohet të stacionohet në vendin më të sigurt për ta – në fshatin Tearcë. Nga momenti kur autoblindat dalin në rrugën kryesore ,fillojnë të gjuajnë në mënyrë të pakontrolluar në drejtim të fshatit Sllatinë. Nga breshëria e plumbave të automatikëve të rëndë, vritet luftëtari i parë i lirisë, Murtezan Etemi , 39 vjeçar nga fshati Sllatinë.
Konfrontime të armatosura zhvillohen deri në orët e vona të mbrëmjes , ndërkohë banorët me padurim mundohen të kuptojnë diçka më në detale për epilogun e luftimeve. Lajmi për sukseset e UÇK-së, në pastrimin e terrenit nga grupet paramilitare maqedone, vinë nga çasti në çast, derisa pas disa orë luftimesh, konfirmohet pastrimi i plotë i terrenit nga paramilitarët sllavo-maqedonë, të cilët gjatë gjithë kohës së armëpushimit kanë provokuar fshatrat shqiptare përreth Sllatinës dhe Neproshtenit .
NË SPITAL TË IMPROVIZUAR
Në spitalin e adaptuar, përkundër të gjitha përpjekjeve të ofruara nga ana e doktorëve, sidomos ndihma e dhënë nga ana e z. Xhelal Esatit, bashkë me ekipin, nuk qe e mudur të ndërpritet gjakderdhja. Kështu zemra e Murtezanit, më në fund pushon së rrahuri. Mbyll sytë në orën 17- 45 min.
Tani më, kur trupi i pa jetë i tij qëndron shtrirë mbi tavolinë, sikur kërkon hapin e radhës. Nga Xhamia “karajapi” që ishte afër nja 50 m. , sollën arkivolin apo “tabutin” dhe të gjithë me sy të përlotur, marrin kufomën, e shtinë në arkivol dhe e çojnë në xhami – në një dhomë ende pa dyer e dritare dhe të palyer, por që ishte më e sigurt në rast të ndonjë granatimi eventual nga ana e forcave policore të stacionuara në Ratajë, nja 1000 m. larg nga këtu (nga qendra e katundit). Këtë vend, në këtë “strehim” të kufomës, më vonë e vizitova edhe unë (autori i shkrimit, S.E., vëllau i Murtezanit) bashkë me Amdiarif Salihin, pas nja 3 orësh, pasi më informoi Ejup Akik Ramadani – si përfaqësues i Shtabit Civil të Sllatinës për Lagjen tonë. Kështu, në pllakosje të muzgut (gjithnjë duke u ruajtur nga “drita”), kufomën e solli me veturë Abdurrahman Xhezair Baftjari dhe Asan Etemi me shokë tjerë. Ky i fundit, në hyrje të oborrit ku ishim mbledhur e gjithë familja, na ngushëlloi: “Nuk duhet të derdhni lotë, sepse ky është dëshmori i parë që ka rënë për liri !”. Nuk mund të lavdërohem se vepruam pikërisht ashtu, pasi më kishte ardhur edhe doktori (Agroni) për të bërë gjilpëra (kundër “pikëllimit”) për anëtarët e familjes, që me vendosmëri e refuzoi nëna e dëshmorit, duke u arsyetuar se :”Nuk dua të më bëni “ budalle” e të mos e qaj djalin që më la të renë dhe dy fëmijët jetim: (Hatixhe dhe Zilbehar Etemi). Do të qaj e do të qaj derisa ta shprazi mirë barkun…”
TE KOKA E DËSHMORIT
Rri e meditoj e meditoj… Pyes veten: kush do të jetë ai që do të më davaritë dhimbjen që më ka kapërdisur në këtë derexhe? Dhe, vet përgjgijem: Është i mirëseardhur vetëm ai që njeh intensitetin e dhimbjes, sepse, siç thotë një mençuri: Kush nuk njeh dhimbjen, nuk mund të ngushëllojë atë që vuan…
Me anëtarët e familjes, nën dritën llamburitëse të vajgurit, ruajmë kufomën, duke ndenjur ulur në minder unë me vëllaun, Nazimin dhe babain, Merxhanin, dhe disa kushërinj. Te koka – e shoqja e dëshmorit, Zelfija dhe kushërirat, kurse te këmbët e vëllaut qëndron e patundur nënë Bedrija, e cila në çdo çast shti duart në arkivol dhe ia miklon këmbët. Kështu ka vepruar deri në orët e vona të mëngjesit. Unë, si gjithnjë, vazhdoj të bluaj mendimet diku në thellësi të trurit, prej ku shkëpus këto meditime të përligjura me ndjenja të papërshkruara:
Gjersa nëna po vazhdon të prek trupin e dëshmorit, që edhe unë i ndihmoj herë pas here në këtë ritual, prore më duket se po prek vdekjen e tij. Më bëhet se po përceptoj edhe më për së afërmi gjakimin e kësaj kufome për një jetë më të dinjitetshme, më të begatë e më optimiste për brezat që do të vijnë…
Nuk di se ku fle ai dell, ajo ëndërr për të nesërmen bardhëloshe; në ç’pjesë të trupit e në ç’ngrehinë të trurit: në zemrën, që tani ka pushuar së rrahuri, apo në gjakun tani të ngjizur…Nuk di…
Në moment do pika gjaku pikojnë e fillojnë të rrëshqasin në najllonin e shtruar mbi shtrojën e sallonit. Më duket sikur sekreti u zbulua. Pikat e gjakut që duken si kokrra të magjishme të nakatosura me jonet e sedefta të idealit për të nesërmen e bardhë, do të jenë simbol i amanetit të kuq, që nuk do ta tret as dheu! Sido që të jetë, unë në këtë moment nuk e kam at fuqi muskujsh e at artikulim zëri e t’u drejtohem të afërmve të mi që i rrimë përreth në minder, të marr nja dy tri pika në pëllëmbë nga gjaku i vëllaut, e të bërtas: “Eureka! Eureka!”
Në këtë skëterrë funebre, jo vetëm unë, por edhe askush tjetër nuk gjen kurajon për t’i dhënë një përgjigje sado të vogël Hatixhesë dymbëdhjetëvjeçare kur pyeti: “Babi a do të ngjallet përsëri?”
Heshtje… Heshtje funebre…
Kush do të ishte ai alamet filozofi, ai mençurak, ai njeri i urtë e i rregjur që t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje që na shtangu të gjithëve?
…Vetëm tanimë, më duket se do të kuptojmë se nuk është koha për “të mbjellur mjegulla”. Ndoshta do të kalojë koha e diskurseve shterpe e të mbarsura me demagogji. Në kësi situatash më duket se te njerëzit do të nxjerrë krye sinqeriteti, kurse hipokrizia rishtazi do të humbë drejtpeshimin, duke varur kokën me at fytyrën e skuqur nga turpi, si një pehlivan i mundur në arenën e mundjes. Ndoshta!
…Kështu, duke ndjerë indolencën edhe pafuqinë time në këtë rast, vazhdoj të rri ashtu i shalakatur ulur në një skaj të sallonit për të vrarë akrepat e orës që me ngathtësi të jashtëzako-nshme numërojnë minutat e kohës, e cila po duket se ka harruar të lëvizë nga vendi. Vazhdoj të kotullitem ashtu i kredhur thellë në humnerën e mendimeve torturuese që më trullosin kokën deri në çmenduri. Vazhdoj të blatoj mendimet, tani – për përgatitjen e ceremonisë së varrimit, me përfilljen e ritualeve fetare, por edhe kombëtare, sepse deri më tani, në Sllatinë, nuk ka bërë vaki që disa ceremoni fetare t’u adaptohen kushteve dhe rrethanave “të jashtëzakonshme”, me ç’rast duhet të demolohen disa paragjykime e shabllone. Është koha që ritualet e varrimit, (primatin e së cilës e luan Autoriteti i Xhamisë së fshatit), të akomodohen sipas situatës. Të mos ketë dilema rreth atribuimit të aktit të të rënit: a është dëshmor, apo “shehid”? Të lahet kufoma, apo jo? Të mbulohet me “flamur jeshil” apo me flamur shqiptar? Një mëdyshje tjetër më pickon në tru: Me çfarë ceremonish ushtarake do të bëhet varrimi? A do të merr pjesë dikush nga Autoritetet Ushtarake nga Shtabi i UÇK.? A do të ketë fjalë rasti? A do të lexohet ndonjë referat? A do të jetë ky rast i qëlluar për disa tipa karrieristë, për të përfituar nga situata dhe të “planifikojë” përfitime politike?
-Çdo dilemë mbetet hapur.
24 korrik, 2001
RITUAL I PASHPJEGUESHËM
Të gjithë Ne kishim fokusuar shikimin në fytyrën hirëplote të dëshmorit, që kishte marrë ngjyrë dielli. Mua, gjoksin ma trazonte diçka si tërmet nga brenda. Mirrja frymë shpesh dhe ashpër. Nëna, përderi sa shikonte Atë nga koka e deri te këmbët, gjithnjë prekte dy duart e bëra grusht, sikur edhe nga pozita –shtrirë, donte të godasë prapësitë e kohës… Mëpastaj, me njërën dorë fillonte t’ia përkëdhelte flokët kaçurrel, sikur donte të herrë gjysmën e tyre. Kishte shumë flokë. Ato ishin si një livadh i shpeshtë. Me dorën tjetër ia fërkonte ballin, duke ofkëlluar e nxjerrë zjarrin e përflakur nga brenda. E, nuk besoj se ky zjarr do të shterret apo të shuhet nga gjoksi i nënës sime!
ORËT E HERSHME TË MËNGJESIT
Dridhen dritaret e shtëpisë nga detonimet sporadike; armikut i dridhet dheu ndër këmbë, toka ujitet me gjakun tonë… thirrja e vetme që na ka mbetur është: O ZOT, NDIHMOJE UÇK-në, ruaj djemt tanë…! E, ne të vazhdojmë të shprehim dhimbjen tonë në vaj…
Për një çast më vonë, të gjithë u tronditem edhe më, kur dëgjuam një vaj që të mbyste… Dënesje ishte. Na vinte si një qarje prej fëmije të frikësuar. Kuptuam se nusen e vëllaut po e mbyste vaji në dhomën e saj. I kishte ardhur të bërtiste deri në kupën e qiellit… Kishte hapur derën ku rrinte nëna …duke mbajtur në dorë një shami të bardhë. Sa me kujdes që e kishte ruajtur! E, sot e kishte larë me lotë!… Duke iu afruar unë – pyeta:
-Kujt po ia jep këtë shami?! Ç’dëshiron të bësh me të? – I thash si papritmas.
– …Ufff! … ofkëlloi duke drejtuar trupin drejt nënës s’ime…
-Mere nënë, mbuloja fytyrën! Kjo do t’ia shtojë akoma hijeshinë kufomës ! -dhe plasi vaji…
Nëna disi e mbajti veten… E shikoi të renë në sy, dhe belbëzoi duke rrënkuar:
-Ani… po e marr, do t’ia vë djalit.
E mori shaminë. Ajo ia hodhi flokun nga balli lart dhe vuri shaminë. Të gjithë qamë me lotë… Lotë e dënesje, ndërsa nëna i qetësonte me: “I rri bukur shumë, edhe odën e hijeshoi, edhe malet edhe fushat … edhe kejt katundin e hijeshoi, loçka e nënës”.
Por, unë, unë.. kurrë nuk do ta harroj atë moment si edhe shumë e shumë momente tjera, por …s’di …kjo puna e shamisë, do të më ngel në mendje si një ritual i pashpjegueshëm dhe i padeshifrueshëm… Kështu, kurrë s’do ta harroj këtë skenë shumë tronditëse, ku lotët e vajet merrnin trajtat e tyre, qoftë nga kushërinjtë e kushërirat, qoftë nga dajcat e dajallarët, e, me këtë, edhe lotët e zogjve, lotët e lisave, lotët a manit që e pat mbjellur vet Ai përpara nja dhjetë viteve; lotët e luleve të parkut të vogël që ai me shumë kujdes i kultivonte… dhe, kurrë nuk shprehej se sa fortë i donte!
Mëpastaj, nëna përsëri e hoqi shaminë, e trandi lehtazi manësh dhe ia hodhi sërish mbi fytyrë. Kjo lëvizje s’besoj se ishte pjesë e ndonjë rituali mortor, por, ndoshta vetëm arsyetim heshtjeje… Dhe teksa shamija po vizëllonte mbi fytyrën e vëllaut, unë, në mënyrë instinktive, bëja do lëvizje të pashpjegueshme, duke u munduar të preki atë, ta vendosi “sa më mirë” që të mos “bie poshtë “ dhe mos të ngjasojë në simbol të zisë (edhe pse shamija ishte e bardhë). E di se vëllau kurrë nuk e ka dashur zinë, ai e ka dashur… shumë e ka dashur LIRINË!
-E, shamia e bardhë?
Shamia e bardhë, shamia e bardhë – për ditë të bardha…!
ORA 08 MËNGJES…
Gati gjithë natën e lume në shtëpi, hynë e dalin njerëz. E, mua më duket gjithçka si në ëndërr: Ai qëndron në mes të sallonit si një lis shekullor, si një përmendore e gjallë.
…Dalëngadalë oborri filloi të mbushet me njerëz, që në zhargonin e provincës i thonë “xhemat”. Shtëpia u mbush plot, salloni, dhomat… Vinin njerëz, ashtu si vinë përrockat e derdhen në lumin e madh, nga të gjitha anët… Krejt çka dëgjohej, ishte: “Lavdi i qoftë! Hallall i qoftë!”.
ATA HYRËN NË HISTORI DHE KËNGËT NUK DO TË PUSHOJNË
Kam përshtypjen se trimat lindin të tillë. Të tillë e kanë fatin, dhe vetëm ata ulen këmbëkryq në sofrën e historisë. Këtu do të kujtoj vargjet e Dritëro Agollit, që përmes vjershës me titull: “Në sofrën e historisë” , ku me gjuhën metaforike shprehet:
Në sofrën e shtruar të historisë
Presin të marrin lugët të gjithë,
Vështrojnë thelat dhe duan të hanë
Kurnacë, grykës, batakçinj, pehlivanë;
Po historia u jep një kafe në këmbë
Dhe thotë e mbajtur diçka nëpër dhëmbë:
“Na falni, se presin në sofër të vijnë
Ata që bëjnë vërtetë historinë”…
Këto janë vargje mjeshtërisht shumë të goditura nga ana e këtij shkrimtari të madh, i cili ashiqare demaskon kurnacët e sotëm, të cilët, pa u skuqur fare para popullit, i vardisen “historisë…” Por, siç thamë edhe më lartë, historia pret vetëm bartësit e saj!…Të tillë janë edhe dëshmorët tanë, krenaria kombëtare e të cilëve u shpreh edhe përmes këngëve popullore, të cilat u krijuan në këtë kohë nga autorë sllatinasë dhe të tjerë.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...