Home / Opinion / PËR “PATRIOTËT JUGOSLLAVË” DHE NACIONALISTËT SHQIPTARË “ARMIQ TË SHTETIT”

PËR “PATRIOTËT JUGOSLLAVË” DHE NACIONALISTËT SHQIPTARË “ARMIQ TË SHTETIT”

Si ka mundësi që një lëvizje politike të quhet kombëtare përderisa ajo është udhëhequr kryesisht nga ish-komunistët jugosllavë?
Cili nga drejtuesit e lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni, drejtues i partisë apo i pushtetit, në fillim të proceseve demokratike në vitin 1990, deputet apo ministër, zëvendësministër apo kryetar komune nga radhët e partisë së parë të shqiptarëve (PPD) nuk ka qenë më parë komunist jugosllav, funksionar pushteti, disa edhe agjentë të fshehtë UDB-së dhe të KOS-it, në ish-regjimin komunist jugosllav?
Një lëvizje politike që i përjashton, i vret dhe burgos, i shpërngul ose ua mbyll derën e politikës e të pushtetit nacionalistëve dhe i favorizon ish-komunistët, nuk mund të jetë demokratike, përparimtare, reformuese, aq më pak kombëtare.
Do të doja që dikush të më jep argumente të ndryshme nga këto, me emër dhe mbiemër për ish-funksionarët shqiptarë të periudhës së tranzicionit “demokratik” në Maqedoni, sidomos nga viti 1990-1994.
Dhe, të mos harrojmë, nëse shqiptarët (brezat e rinj) i njohin siç duhet përmasat e krimeve dhe të gjenocidit mbi shqiptarët nga ish-regjimi komunist jugosllav në Maqedoni (1944-1990), këta “patriotë jugosllavë” që kanë shitur më vonë ide në emër të demokracisë dhe të shqiptarizmit, është dashur të dënohen si bashkëfajtorë të atij regjimi, jo të shpërblehen me pushtet në periudhën e demokracisë.
Këto ngrehina, lëvizje politike, pushteti dhe shteti, që në themelet e tyre e kanë idenë e vëllazërim-bashkimit të rrejshëm jugosllav dhe mbetjen me çdo kusht në pushtet të një klase politike të komprometuar dhe antikombëtare nuk mund të ndërtojnë të ardhme më të mirë për shqiptarët në Maqedoninë Veriore.
Kjo lëvizje politike, e kontrolluar nga qendrat politike dhe shërbimet e huaja, ka arritur të mbijetojë vetëm në saje të parullave demagogjike, duke u shitur ndër shqiptarët si lëvizje demokratike dhe përparimtare, vetëm në saje të kërkesave të zëshme, të mashtrimit dhe jo të veprimeve konkrete, deri në krijimin e rrethanave të reja (pas përfundimit të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë dhe forcimin e faktorit politik serbomadh në rajon), kur kjo lëvizje u pasurua dhe plotësua edhe me elemente të tjera destruktive, nga nëntoka kriminale dhe rrjetet politike e fetare të kontrolluara nga agjenturat e huaja, të cilat edhe pak kohë do t’ia zënë frymën lëvizjes politike të shqiptarëve, idesë kombëtare për liri dhe barazi të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, si dhe forcimit të faktorit shqiptar në rajon.
Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka është e planifikuar mirë dhe e kontrolluar nga të huajit, në mungesë të klasës politike shqiptare me orientim kombëtar.
* * *
DJALLI KOMUNIST JUGOSLLAV NUK BËN GJUMË, POR FORCOHET NË PUSHTET
Lëvizja politike e shqiptarëve të Maqedonisë nga viti 1990, e personifikuar përmes partisë së parë politike të shqiptarëve, PPD-së dhe më vonë PDP-së, ka qenë lëvizje përparimtare për kohën, si lëvizje qytetare, jo edhe si lëvizje kombëtare, sepse drejtuesit e kësaj partie, deputetët e përbërjes së parë në Parlamentin e Maqedonisë (1990), ministrat dhe zëvendësministrat në Qeveri dhe funksionarët e lartë në pushtetin e atëhershëm të këtij shteti, gati pa përjashtim kanë qenë anëtarë të ish-partisë komuniste jugosllave, disa edhe funksionarë të atij regjimi diktatorial.
Marrja e bajrakut, me ndihmën e pushtetit, nga duart e nacionalizmit shqiptar në duart e ish-komunistëve jugosllavë, disa edhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të atij regjimi, kinse për ndryshimin e sistemit komunist në atë demokratik, nuk nënkupton lëvizje politike kombëtare. Pasojat e këtij mashtrimi ndaj shqiptarëve, ngritja në skenë e ish-komunistëve jugosllavë në vend të nacionalistëve shqiptarë, që kishin luftuar dhe sakrifikuar veten dhe familjet e tyre kundër atij regjimi okupator, shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë t’i vuajnë pasojat edhe sot dhe mund t’i vuajnë edhe në të ardhmen.
Historia duhet të shkruhet me fakte dhe të shërbejë si mësuese e jetës, që ajo të mos përsëritet nga brezat e ardhshëm.
(19.VII.2020)

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...