Home / Opinion / Letër publike një kushëriri në Facebook që më kujtoi kontributin e Ernest Koliqit ndaj arsimit kosovar.

Letër publike një kushëriri në Facebook që më kujtoi kontributin e Ernest Koliqit ndaj arsimit kosovar.

I nderuar kushëri,
Publikimi i fundit i publicistit dhe hulumtuesit Auron Tare lidhur me shërbimet agjenturore për të huajt nga dy figura të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare ngre shumë pikëpyetje zgjidhja e të cilave mund të jetë e dobishme për vlerësimin objektiv të së kaluarës sonë. Ajo që duhet definuar qartë është se ku mbaron lufta kundër ideologjisë në pushtet, për interes nacional, dhe ku fillon rrezikimi nacional (që në gjuhën popullore quhet tradhti) në emër të luftës për pushtet ose kundër një ideologjie, qoftë ajo edhe totalitare. Angazhimet nacionale kulturore, arsimore e shkencore të Koliqit e të Camajt janë për çdo respekt dhe meritojnë të çmohen e të ngrihen lartë. Unë vetë kam bërë një studim mbi prozën e Koliqit, i cili ka meritën edhe në ngritjen artistike të Migjenit. Pa harruar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo gabimi i të dyve ishte se nuk evoluan bashkë me kohën dhe ngurtësinë e qëndrimeve të tyre politike e ideologjike kundër “komunizmit enverist” e konservuan deri në fund, me gjithë evoluimin dhe progresin e shkencës, kulturës dhe arsimit shqiptar në vendin amë. Qëndrimi i tyre ndaj Shqipërisë në fundin e jetës së tyre ishte po ai qëndrim i pandryshuar që nga vitet 40-50. Në kohën kur edhe vetë i burgosuri Atë Zef Pllumi kishte treguar shenja evoluimi. Ky fakt më pati nxitur që të refuzoja komunikimin me Camajn në vitet 90 nga zyra e shoqatës “Migjeni” në Lubjanë me të cilën ai përpiqej të vinte kontakt. Më dukej i dyshimtë ngase përflitej e kaluara e tij beogradase. Mirëpo shkaku kryesor ishte qëndrimi i tij kundër gjuhës letrare dhe këmbëngulja, jo vetëm në dialekt, po edhe në mentalitetin feudo-fisnor e kanunor të veriut. Me sa më kujtohet, me të pati vënë kontakt një bashkëpunëtor i yni i shoqatës, gazetari dhe bukinisti tetovar Enver Neziri, mirëpo nuk di gjë për përvojën e tij me të. Fakti i publikuar kohët e fundit, se ai para se të vdiste i hodhi në zjarr një tog të madh shënimesh personale, siç dëshmon gruaja e tij e dytë, lë shteg për dyshime se ai nuk kishte një raport të shëndetshëm me biografinë dhe të kaluarën e tij jetësore. Dëshmitë e publikuara nga z. Tare zbulojnë edhe një difekt karakterial në figurën e z. Camaj. Ai s’pati guximin e shkrimtarit gjerman Gynter Gras që të fliste hapur për flirtet e tij politike, të cilat gjithsesi nuk mund t’i kenë shkaktuar ndonjë dëm të madh kombit tonë. Përkundrazi, flirtet e tij dhe të Koliqit mund të krahasohen me flirtin mitik të Faustit me Mefistofelin. Të dy mund të kenë shfrytëzuar burimet financiare të ofruara nga shërbimet serbe, italiane apo amerikane për të bërë ndonjë gjë të mirë për kombin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për problemin e shkrimtarit dhe historianit kosovar, Jusuf Buxhovi, i cili nuk merr guxim të përballet me flirtin e tij të shkuar me UDB-në jugosllave. Heshtja ndaj flirtit vetjak natyrisht që nuk cenon kontributin e tyre për kombin, mirëpo nuk lë mundësi që ata të trajtohen e perceptohen si shembëlltyra morale nga gjeneratat e ardhshme. Është si puna e filozofit Althuser, që çmohet shumë nga të gjithë, pa iu përmendur krimi i tij monstruoz familjar, përkatësisht, vrasja e gruas.
Ekziston një defekt qesharak midis një pjese të inteligjencës shqiptare të konfesionit katolik, të cilët çdo sulm kundër një figure të shquar të kulturës shqiptare të këtij konfesioni e interpretojnë si sulm me prapavijë fetare. Është koha të marrë fund ky lloj perceptimi idiot, qoftë dhe nga figura të tilla si ajo e linguistit Ndreca apo historianit Gurakuqi. Ky lloj mentaliteti e ka burimin te një perceptim i gabuar tradicional i kësaj inteligjence, disa përfaqësues të së cilës besonin se kombi shqiptar nuk mund të marrë veten e të forcohet pa një tutor katolik evropian, në rastin konkret Italia. Ekziston letra e Atë Gjergj Fishtës drejtuar udhëheqësve italianë para ndërhyrjes së tyre me 1939, me lutjen për të ndërhyrë sa më shpejt në Shqipëri. Unë e di se edhe sot ka përplot individë që flasin nëpër kafene: “Sikur të na merrnin gjermanët!” Mirëpo fjalë të tilla nuk merren seriozisht. Ndërkaq intelektualë si Fishta e Koliqi e kishin me gjithë mendë këtë punë. Dhe pikërisht kjo nuk u falet, dmth. zelli i tyre i tepruar kundrejt të huajve dhe nihilizmi e mosbesimi i plotë në forcat e brendshme të kombit për t’u forcuar e konsoliduar si komb-shtet.
Defekti tjetër, që më nxiti të publikoja shënimin satirik e sarkastik të autorit Viktor Malaj, botuar në gazetën “Dita”, “Letër popullit nga një antikomunist”, ishte qëndrimi i mbrapshtë i një lagje intelektualësh, sipas të cilëve lufta kundër komunizmit justifikon çdo mjet, edhe atë të tradhtisë apo shkeljes së lojalitetit ndaj shtetit-komb në rast se ky i fundit ka në krye drejtues komunistë. Sipas studimeve të shumta, pushtetet totalitare nuk janë një ekskluzivitet ideologjik i majtë. Ato mund të ushtrohen edhe nga ideologji të tjera laike e fetare, siç është rasti psh. me pushtetin e ajatollahëve në Iran. Pyetja që ngrihet është se në ç’masë pushtete të tilla gëzojnë legjitimitetin, dhe a do të quhej legjitime një ndërhyrje e jashtme për rrëzimin e tyre. Nga historia më e re njihet pendesa që shfaqën drejtuesit britanikë kundrejt ndërhyrjeve të tyre në Shqipëri në vitet 50 dhe kërkimfalja e Toni Blerit. Ndërkaq, studiuesi i shquar shqiptar i sociopolitikës, i çmuar edhe në botë, Fatos Tarifa, pati publikuar para një kohe një studim që argumentonte legjitimitetin e pushtetit komunist pas Luftës së Dyte Botërore në Shqipëri. Vetë amerikanët kanë qenë të detyruar të respektojnë legjitimitetin e princave arabë me tipare diktatoriale, ndonëse nuk pajtoheshin me shkeljen e të drejtave njerëzore të ushtruar prej tyre. Kësisoj, është koha që intelektualët tanë të heqin dorë nga bindja se lufta kundër komunizmit justifikon çdo mjet, edhe atë të tradhtisë kombëtare, përkatësisht, edhe atëherë kur bashkë me ujët e ndotur rrezikon të hidhet edhe foshnja.
Miqësisht,
Bislim Elshani

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...