Home / Opinion / Gjëra që kanë mundur t’i bëjnë në kohën e duhur dhe vendin e duhur

Gjëra që kanë mundur t’i bëjnë në kohën e duhur dhe vendin e duhur

Se kildebilledet
Afrim Morina

Që nga publikimi i aktakuzës nga Prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën, kundër z. Hashim Thaçin, z. Kadri Veseli dhe disa të tjerë (nuk tregohet numri), ka filluar prezantimi në televizionet tona, gjatë edicionit të lajmeve, për krimet serbe, ndaj popullatës shqiptare. Na paraqitjen edhe xhirime të mëhershme e rrëqethëse janë bërë edhe intervista të shumta, nga ata që kanë humbur familjarët, por edhe nga të mbijetuarit e masakrave. Siç i kam bërë pyetje vetes, ashtu edhe çdo qytetarë duhet t’ia parashtrojë vetes këto pyetje dhe shumë të tjera që nuk do t’i përmendi. Kujt po ia tregojnë këto pamje në ekrane televizive? Mos vallë tash e kanë kuptuar redaktorët e tyre, se çfarë roli luan propaganda e verdhë dhe si duhet kundërvënë asaj?

Që herët kam ngritur zërin, që çdo ditë të kemi në ekranin televiziv të Prishtinës, bëmat e një dëshmori, që fëmijët tanë të dinë sa më shumë për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo iu është dukur bajate. Kam bërë ftesë edhe për padi kundër Karla del Pontes e Dik Martit për të pavërtetat që trajtojnë, qoftë në libër e para dhe i dyti në paraqitjen e “fakteve” në Parlamentin Evropia. Edhe këto dyja janë injoruar dhe kanë vepruar nën moton “ku rafsha mos u vrafsha”. Kur është dënuar Sami Lushtaku, kam ngritur zërin e krijimit të standardit “Në bazë të përgjegjësisë komanduese”, dhe të kenë kujdes. Edhe ky fakt është injoruar. Tash jemi ku jemi dhe mundohemi përmes pamjeve televizive ta bindim veten, se krimet janë kryer nga fashizmi serb! Deri këtu kemi arritur, se sipas redaktorëve dhe politikës redaktuese, ende nuk kemi krijuar bindjen, se gjenocidin e ka kryer falanga serbe, me uniformë e pa uniformë, me maska e pa maska. Ndoshta edhe kanë të drejtë, sepse zërat e parë për gjenocidin e kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e kemi mu nga shqipëfolësit, madje edhe me dokumente dhe “argumente” të mbledhura në terren.

Por, që të gjitha janë ditur dhe për të gjitha ka argumente, qoftë filmike, letër, fotografi dhe incizime zënore. Pse deri sot nuk u përdorën si argumente për t’iu kundërvu propagandës së verdhë dhe kolonës së pestë? Pse nuk u shfrytëzua gjithë ky material për të kundërshtuar, jo vetëm para opinionit të kombit tonë, por edhe para opinionit botëror, përmes mekanizmave të mundshme të propagandës. Çfarë roli kanë luajtur ambasadorët tanë gjithandej ku janë vendosur për të shërbyer për mbrojtjen e dinjitetit të luftëtarëve të lirisë. Çfarë roli ka luajtur përfaqësuesi ynë para Këshillit të Sigurimit të OKB, në çdo tre muaj, që kanë diskutuar për gjendjen në Kosovë? Ministri i jashtëm i Serbisë, para këtij Këshilli, gjithnjë ka sjellë argumente të “freskëta” për keqtrajtimin e serbëve në Kosovë, ndërsa përfaqësuesi i Kosovë, ka marr mundin, të mbrohet. Aty është dashur të prezantohen të gjitha ato dhe shumë të tjera, që po na servohen në ekranet televizive, për t’ua çjerrë maskën njëherë e mirë.
Jo vetëm në Këshillin e Sigurimit!

Gjatë takimeve në Vjenë është dashur të prezantohet gjithë dokumentacioni vizual e në letër, për bëmat e fashizmit serbe, për të krijuar domosdoshmërinë e të barabartit, në të drejtën ndërkombëtare, për të orientuar bisedën në njohje të Republikës së Kosovës, se edhe në Rezolutën 1244 e ka paraparë rishikimin i pozicionit të Kosovës, pas tre vjetësh. Këtë as që i kanë marrë parasysh përfaqësuesit e Kosovës, por e kanë lënë si dorë e fundit për bisedime. Kurrë nuk kanë menduar, se mu kjo do t’i hapte rrugën e kaheve të bisedimeve, për njohje reciproke, që madje edhe sot injorohet.

Gjatë viteve nëntëdhjeta KMLDNJ mblidhte informata ditore nga tereni dhe ia prezantonte opinionit ndërkombëtar, përmes mekanizmave të të drejtave të njeriut. Këtë detyrë u mundua ta kryej edhe gjatë luftës çlirimtare, mirëpo, mekanizmat e krijuar institucional, si duket u vetknaqen me ato që i mësuan për vete dhe me këtë sikur kanë kryer obligimin e pastërtisë së luftës, siç po thonë sot. Këtë pastërti harruan t’ua tregojnë edhe të tjerëve, sidomos gjatë diskutimit në Parlamenti Evropia, gjatë paraqitjes së ekpozesë së Dik Martit. Aty kanë mundur të gjejnë shumë eurodeputetë, që ta mbrojnë Kosovën përmes dokumenteve të shumta, për bëmat e neofashizmit serbë. E pakta që kanë mundur të bëjnë, është dashur të prezantohet loja me kufomat, që është krim më vete, për t’ia bllokuar pretendimet e mercenarit Dik Marti. Dhe, nëse Parlamenti Evropian ka pas për qëllim të krijojë një gjykatë të tillë, të paktën të ishte bërë për gjithë të dyshuarit në Kosovë dhe atë në periudhën e luftës dhe jo edhe për një vit e gjysmë pas mbarimit të saj. Tragjedia më e madhe është, edhe heshtja e prokurorëve dhe gjykatësve vendorë për krimet serbe. Shumë avokatë, grupe qytetarësh, i janë drejtuar prokurorëve, për krimet e kryera nga serbët, por të shumtën e rasteve ose janë heshtur, ose në “mungesë” argumentesh nuk janë zhvilluar hetimet e mëtejme. Rasti më flagrantë, për mostrajtimin nga gjykatat tona, është ai i masakrës në Burgun e Dubravës, që lënda rri mbi shtatë vjet pa u trajtuar. Pse heshtin institucionet tona dhe nuk kërkojnë nga prokuroria të ngritën aktakuzat dhe të fillojnë gjykimet, të cilat edhe në mungesë të protagonistëve kryesor, mundësohet dënimi. Ndërsa për rastin e Burgut të Dobravës, dihen kush ishin, sepse përgjegjësia bie drejtë në drejtorin e burgut, në gjykatën të cilës i përgjigjej drejtoria dhe Jurisprudencës, e cila ka përcjellë gjendjen e të burgosurve. Me një fjalë, gjithë mekanizmi shtetëror, e kur e marrim parasysh gjendjen e luftës, këtu përgjegjësi mban edhe shtatmadhoria ushtarake dhe korpusi i terrenit që kryen ekzekutimin. Përgjegjës na del edhe shefi i propagandës, Gebelsi serb (Aleksandër Vuçiq) dhe nuk kanë mundësi të shfajësohen as para nesh, por as para faktorit ndërkombëtar dhe nuk mund ta hedhin fajin mbi paramilitarët. Ky veprim do ta paralizonte Vuçiqin që të orientojë kahen e bisedimeve me Kosovën, por heshtja e gjithë kësaj, ka krijuar favore për te dhe sot merret si personaliteti kryesor që mund të krijoj paqe apo luftë në Ilirik! Por ndoshta prokurorët e gjykatësit përgjegjës, për ngritjen e aktakuzave nuk kanë ndërmarrë veprime të tilla, për të mos e “prekur çerdhen e grerëzave me shkop”!
Edhe një gjë që duhet ta bëjnë mediat e informimit, të alarmojnë opinionin ndërkombëtar e kombëtar, si ka mundur të ngitet aktakuza pa e marrë në “bisedë informative” të “akuzuarin” z. Hashim Thaçin!. Kjo nuk ndodh në asnjë gjykatë, e cilit do shtet, pa marrë parasysh rendin shoqëror, të shpallët i dyshuar pa pasur kontakt prokuroria me të “dyshuarin” dhe të mbështetet vetëm në deklaratat e dëshmitarëve.

Prishtinë, 08.07.2020

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...