Home / Opinion / Ju që një gjysmë platforme nuk ditët ta mbroni, si mund t’i mbroni shqiptarët nga strategjia shoviniste dhe perfide e pushtetit?!

Ju që një gjysmë platforme nuk ditët ta mbroni, si mund t’i mbroni shqiptarët nga strategjia shoviniste dhe perfide e pushtetit?!

  

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë Veriore

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Si të besojnë shqiptarët e pafat në Maqedoninë Veriore se drejtuesit aktualë të partive politike mund të jenë shpresa dhe shpëtimi i tyre, qoftë me premtimin për kryeministër shqiptar, zëvendëskryeministër, pa edhe një qeveri të tërë po ta kenë në duart e tyre, kur ato kanë pasur mundësi ta dëshmojnë veten për disa mandate me radhë në pushtetin vendor, vetëqeverisjen komunale, ndërsa gjendja e shqiptarëve jo vetëm në nivel të shtetit por edhe në nivel të komunave dhe rajoneve që i kanë udhëhequr kryesisht këto parti të shqiptarëve është rënduar më keq se nën regjimin komunist dhe nën cilido regjim e sundim të huaj të mëhershëm që kanë përjetuar shqiptarët?!

Kur kanë qenë shqiptarët më të pambrojtur, më të varfër, më të plaçkitur, në të vrarë e më të burgosur, më të pasigurt dhe të dëshpëruar? Kur shqiptarët kaq në masë i kanë braktisur trojet e veta etnike, nga skamja e pasiguria si nën sundimin tuaj, si nga vetëqeverisja komunale në duart tuaja edhe nga bashkëqeverisja në pushtetin qendror me “partnerët strategjikë”?!

Si t’u besohet premtimeve parazgjedhore të partive politike të shqiptarëve, të cilat garojnë me të njëjtat programe në të gjitha ciklet zgjedhore, duke qenë për disa mandate në pushtetin qendror dhe komunal, ndërsa komunat me shumicë shqiptare dhe rajonet ku jetojnë shqiptarët janë shndërruar nga komuna dhe rajone më të zhvilluara në rajone më të pazhvilluara në dekadat e fundit, gjatë qeverisjes së këtyre partive?

A mos pritni që Zoranat, Lupçet, Brankat e Nikollat të skuqen për këto dështime? Po ju, a dini të skuqeni ndonjëherë? Si keni fytyrë të dilni para qytetarëve e t’ua kërkoni votën për qëllime të njëjta, kërkesa të vjetruara për dy-tri dekada, ndërkohë që ju u plakët dhe do të pensionoheni në pushtet me rrena e mashtrime, kurse qytetarët shqiptarë u dashka t’u besojnë ende se jeni engjëjt shpëtimtarë të tyre? Sa mëkat e sa turp!

A vërtet mendoni se duhet t’u besojnë qytetarët edhe kur mjeku aktron ekspertin e kulturës, juristi aktron ekspertin e shëndetësisë, sportisti ekspertin e politikave ndërkombëtare, teologu ekspertin e ekonomisë, artisti ekspertin e ekonomisë, injoranti aktron teologun, veterinari aktron analistin, menaxheri i turizmit ekspertin e drejtësisë dhe diplomacisë, bosët e kontrabandës ekspertin e policisë, e shumë mbrapshti të kësaj natyre?!

Deri në vetëdijesimin e shumicës së qytetarëve shqiptarë, që të kërkojnë mënyrë tjetër se si mund të hiqen qafe nga pushteti këto klane politike të korruptuara dhe banda kriminale, le të tallen me inteligjencën e qytetarëve i hurit dhe i konopit; le të valojnë flamujt e injorancës dhe bashibozukëve, se edhe kështu qytetarët nuk kanë më shpresë se mund të bëhet mirë me këta politikanë e pushtetarë, me këtë biçim shteti, deri në demaskimin e këtij mashtrimi, parandalimin e kaosit dhe krijimin e shtetit ligjor!

Deri atëherë, kjo klikë politikanësh mashtrues do ta përfundojnë karrierën e tyre në pushtet dhe do të pensionohen, programet politike të partive të tyre do të pluhurosen duke u kopjuar nga njëri cikël zgjedhor në tjetrin me ndonjë ndryshim të vogël kozmetik, pa asnjë koncept e strategji, ndërsa qytetarët deri atëherë do të vazhdojnë t’i vuajnë pasojat, si nga mashtrimet e politikanëve të mëparshëm që tanimë nuk janë mes të gjallëve, kështu edhe nga mashtrimet e këtyre që janë gjallë dhe nuk mbajnë përgjegjësi për të sotmen dhe fatin e të nesërmes së këtij populli të mashtruar me shekuj, nga secila klikë politike e secili pushtet që ka kalëruar me kërbaç mbi shpinën e tij.

Politikani mirë, që edhe vetëm një herë në javë e ndjen veten atdhetar, nëse nuk i pret sëpata e mendjes për një ose dy mandate në pushtet, kërkon falje për dështimet dhe tërhiqet nga skena politike! Sa mandate kanë kaluar në pushtet drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, të pozitës dhe opozitës, dhe ende e shtirin veten si reformatorë e shpëtimtarë?!

Fajet nuk i ka gjithmonë ai që ta shtrëngon litarin në qafë, por edhe ai që e ul kurrizin dhe e zgjat qafën përpara xhelatit!

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...