Për vdekjen e Moikom Zeqos, njeriut që kulturës dhe artit shqiptar i la gjurmë të mëdha, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një statusi të tij shprehi një adhurim dhe përulje të madhe për figurën e Zeqos, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kurtit.

”[6/15, 05:03] Moikom Zeqo: Përshëndetje!
E paimagjinueshme, Moikomi na la!

(Moikomi na la! Nuk po e kuptoja. Moikomi fliste për veten?!)
[6/15, 05:04] Moikom Zeqo: Jam Lida, e shoqja, që po ju shkruaj.

(Nuk po e përcillja mesazhin. Mbrëmë kisha në duar librin e tij të fundit: Centauri i fundit.)

Moikomi është shkrimtari ynë që ka shkruar e lexuar tejet shumë, si rrallë ndonjë tjetër. Nuk do të ketë pasur kohë për tjetër gjë. I tretur midis librave për të ringjallur ato. Mënyrë, shpejtësi ekzistence. Në tri kohë: prej librit, te biseda, te shkrimi. Vinte prej emrave të personazheve, te titujt e librave, te biografitë e shkrimtarëve. Endej nëpër rrënoja si nëpër skenografi të pafundë. Ndoshta profesioni i parë ia kishte ushtruar këtë cilësi prekjeje të emrave si të ishin gjëra të thyeshme, si sendet e lashtësisë. Bota e merrte në të thënat e Moikomit një distancë skene dhe ti ishe me të bashkë në sallë, në sallën e skenës së botës. Gjithë llojet e emrave kalonin në skenë, të montuar sipas një stili surrealist.

Unë, ndoshta ne, pra edhe të tjerët, e shihnim si të ishte narratori. Aq i veçantë saqë i vetmuar, por gjithnjë solidar saqë bashkë-aktivist. Me dije të gjerë ngaqë kureshtar porsi fëmija më kureshtar. Me kulturë të thellë ngaqë i mësuar nga veprat kulmore artistike.

Kështu u krijua ai si enciklopedi e gjallë – nga historia antike dhe qytetërimet e lashta jashtevropiane te romanet e gjuhës të shekullit XX, pasion i pandërprerë. Edhe i sëmurë punonte e mendonte njësoj. Sëmundja e tij e rëndë ishte e pavërejtshme. Moikom Zeqo ishte shkrimtar i ethshëm.

Ishte ministër kulture, deputet kuvendi, drejtor muzeu. Para së gjithash ishte lexues që studion, kjo specie në zhdukje. Mbi të gjitha ishte shkrimtar që lexon, ky zanat i shpërfillur.

“Kalorësit Dardanë” është ndër librat e parë që kam lexuar si fëmijë. Kosovën e ka dashur shumë dhe aktivisht. Lëvizjen tonë posaçërisht. Ka ardhur shpesh në Prishtinë. Interesohej vazhdimisht, na këshillonte privatisht e na mbështeste publikisht.

Përmes kujtimeve tona do të rrojë me ne. Përmes librave të tij do të rrojë edhe pas nesh.”