Home / Lajme / Kushtetuesja e Kosovës legjitimoi puҫin si institucion të pavarur

Kushtetuesja e Kosovës legjitimoi puҫin si institucion të pavarur

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndryshe nga ҫfarë pritej nuk ka dhënë një vendim mbi kushtetueshmërinë e dekretit të Hashim Thaҫit për të emëruar Abdullah Hotin si Kryeministër, ajo ka shkruar një amendament të Kushtetutës së Kosovës.

Kjo për arsye, se nuk kemi fare të bëjmë mbi një intepretim të ligjit themeltar të shtetit, por bëhet fjalë për një vendim antikushtetues, ngaqë formohet një qeveri jashtë verdiktit popullor.

Me një lehtësi krejt vajore, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një element krejt të ri konstitucional që nuk është shkruar në ligjin themeltar të shtetit, pa elaboruar precedentët dhe dhënë me balancë edhe mënyrat e daljes nga ky impas institucional.

Gjykata Kushtetuese merret me detaje vetëm me faktin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit me LDK-në e Isa Mustafës, kur në fakt nuk është ky moment, kërkesa për ta shqyrtuar ky institucion.

Gjykatës i është kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të intepretojë momentin që Presidenti ka dhënë mandatin për të krijuar qeverinë, një mazhorance e cila nuk ka dalë nga vullneti popullor në zgjedhje.

Në të gjithë vendimin e publikuar të Gjykatës, e cila në fakt nuk është dispozitiv i plotë, por vetëm njoftim, nuk analizohet fare ky moment.

Ja njoftimi i Kushtetueses

Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.

Pra Gjykata Kushtetuese flet për shpërndarje të Kuvendit, kur nuk i është kërkuar të gjykojë këtë rast, që i përket një momenti të mëpastajëm, pra një Kuvend shpërndahet kur nuk zgjedh Presidentin e qeverinë.

Por Kushtetuta ka një përcaktim të qartë se kur dhe si e zgjedh Kuvendi një qeveri. Dhe kjo në frymë dhe në gërmë është e përcaktuar se qeveria del nga fituesi i zgedhjeve parlamentare.

Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese nuk ndalet fare, duke shkruar në mënyrë të qartë një amendament, që nuk e ka kompetencë, pasi këtë e bën vetëm ligjvënësi.

Gjykata Kushtetuese me këtë vendim nuk hyn në mes të një konflikti institucional ndërmjet grupit shumicë të Kuvendit të Kosovës siҫ është ai i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Presidentit, por lineohet hapur kundër paditësit dhe bëhet me të paditurin, pra me Thaҫin.

Ndaj dhe reagimi i kësaj Gjykate ka ngjallur reagim reaktiv, madje edhe të cilësohet i papranueshëm nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese mund të sillte një intepretim të balancuar të situatës, duke orientuar një mundësi të mesme, pra që Kuvendi të ngrejë një kabinet kalimtar deri në zgjedhje, por kurrsesi nuk mundej që të lineohet për të përkrahur një shumicë të përmbysur që të krijojë një qeveri të re deri në fund të legjislaturës.

Ky vlerësim i kthen në nul zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, ndaj dhe ka hasur në kaq reagim të tmerrshëm në radhët e publikut në Kosovë.

Reagimi arrogant i grupit përfitues me në krye Hashim Thaҫin, është vetëm dëshmia se e gjitha kjo ishte një skemë për të legjitimuar një “grusht shteti” të strukturuar.

Këtë e thotë në mënyrë të prerë edhe konstitucionalisti Italian Andrea Lorenzo Capussela, i cili ka një përvojë të gjatë në Kosovë si ekspert i së drejtës në administratën ndërkomëtare.

“Ky është grusht shtet me maskim të shëmtuar ligjor. Është po ashtu puç i ngutshëm, sepse ky aktgjykim i pajustifikueshëm fiton vetëm disa javë: dihet që mund të mposhtet. Unë shpresoj ashtu”, ka shkruar ai.

Si precedent ligjor, ku vendim i Kushtetueses është shumë i rëndë, pasi shantazhon drejtpërsëdrejti zgjedhësit e Kosovës, duke u bërë të ditur se sido që ata do të votojnë për të sjellë në Kuvend një parti të parë, ajo nuk do të mund të jetë shumicë legjitime nëse nuk vjen në pushtet si shumicë absolute.

Pra ndryshe nga ҫ’është fryma e Kushtetutës së Kosovës, e cila inkurajon shumicat relative, duke marrë shkas edhe nga përvoja si një demokraci e re, vendimi i Gjykatës imponon një mazhorancë sunduese, e cila realisht nuk mund të kontrollohet nëse bëhet e rrezikshme.

Mjafton ajo ҫka ndodh në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi, Turqi etj. Kurse konstitucionalistët që kanë hartuar Kushtetutën e Kosovës nuk kanë dashur kurrë krijimin e një mazhorance sunduese.

Por politikisht ky vendim, i ka dhënë një rrugë të vetme zgjedhësve të Kosovës; që nëse ata duan të largojnë klikën e vjetër politike kanë vetëm një rrugë; ti japin Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanin shumicën absolute për të qeverisur, pra timonin e vetëm.

Ky është një variant i njohur në demokracitë e konsoliduara me institucione të forta por jo në Ballkan. Megjithatë ka gjasa që pikërisht ky veprim të japë efektin boomerang. Dhe në radhë të parë nga stabiliteti i Kosovës…

/Huazuar nga Portali Pamfleti/

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...