Nga Olivera Milosavlevic

Nuk mund të mohohet se sot shqiptarët konsiderohen si «armiqtë» më të mëdhenj të serbëve. Në qoftë se këtë mund ta shpjegojmë lehtë me ngjarjet aktuale politike dhe me përshkrimin e «karakterit» të tyre nga mediat e pahijshme, është e nevojshme që më seriozisht të analizohen arsyet e përbuzjes së tyre që, ndonjëherë haptas e ndonjëherë fshehurazi, iu janë të ekspozuar gjatë gjithë shekullit XX.

Intelektualët bashkëkohorë shkruajnë për shqiptarët kryesisht brenda stereotipit për urrejtjen e «lindur» të tyre ndaj serbëve dhe dëshirës për shkatërrimin e tyre, i cili është produkt i «tipareve», «primitivizmit» dhe «grabitjes» së tyre dominuese.

Autorët e vjetër, megjithatë, kanë insistuar edhe në një element. Kanë tentuar, mes tjerash, që të dëshmojnë se paaftësia e shqiptarëve për një jetë të pavarur shtetërore, përsëri vjen si pasojë e tipareve të tyre në «karakter».

Ata pohonin se fiset shqiptare nuk kanë nevojë për shtet e as aftësi që të konstituojnë kombin e vet. Andaj, në përputhje me nevojat shtetëroro-politike të Serbisë, zgjidhjen e kanë parë në ndikimet kolonizuese fisnore të cilat, me përfshirjen e shqiptarëve dhe territoreve të tyre në shtetin serb, do të mundësonin trajnimin e tyre për një jetë të civilizuar.

Në këtë kuptim, klasifikimi i stereotipave nënçmuese për shqiptarët do të mund të bëhet në këtë mënyrë: «Shqiptarët i urrejnë serbët»: ata kanë veti specifike në «karakter» nga të cilat rrjedh kjo urrejtje; shqiptarët janë konvertuar në masë të madhe, të ashtuquajturit serb të arbanizuar, me të cilat shpjegohen edhe dy «vetitë» e mëhershme.

Me këto vlerësime bashkëkohore me rregull shkojnë edhe ato që gjatë gjithë shekullit kanë variuar për shqiptarët të cilët nuk e kanë konstituuar kombin dhe të cilët nuk kanë aftësi civilizuese për organizimin e shtetit të pavarur, e produkti i stereotipit të fundit është edhe argumenti se Skënderbeu është serb.

«Shqiptarët i urrejnë serbët»

Me emrin shqiptar, nga mesi i viteve tetëdhjetë, në veçanti janë përdorur fjalët «gjenocid», «shtypje», «plaçkitje», «dhunim», andaj konotacion negativ ka mbajtur çdo përmendje e pakicave kombëtare në fjalimet politike dhe private. Pas librit për Kosovën të autorit Dimitrije Bogdanoviq të vitit 1985 dhe intervistave të tij të shpeshta po atë vit, të shkruarit për shqiptarët nga ana e intelektualëve serbë, ka qenë e pranueshme vetëm nëse është shkruar në drejtim të dëshmimit të «gjenocidit të planifikuar» ndaj serbëve, ku vetë Bogdanoviq së shpejti është tejkaluar në të ngarkuarit negativ ndaj objektit të analizës.

Bogdanoviq ka riaktivizuar argumentin e vjetër se vendosja e shqiptarëve në tokat serbe nga shekulli XVII deri në kohën tonë, ka lënë «gjurmë të përgjakshme të dhunës në ndërgjegjen historike të popullit serb», derisa e ka shtjelluar me shembuj shtypjen individuale, plaçkitjen, masakrat dhe «dëbimin e serbëve nga toka e tyre», si dhe me argumente që baza e dëbimit të shqiptarët duhet të kërkohet në islamizimin e tyre të përcjellë me asimilim dhe «dhunë brutale».

Ashtu, sipas tij, populli serb është bërë viktimë, jo vetëm të një elementi por edhe të një «plani për shkatërrimin e tij fizik».

Përhapja e një fotografie të tillë negative në një popull të tërë është bërë përmes vlerësimit të lëvizjes politike shqiptare si «agresive, pushtuese, revanshiste, konservative dhe nacionaliste», qëllimet e të cilit janë që të shkatërrohet populli serb «me ndihmën e vrasjeve, dëbimit, fshirjes së ndërgjegjes historike», dhe «ta përvetësojnë tokën serbe» që «me plan ta thyejë dhe rrethojë popullin serb».

Sipas Bogdanoviq, teza për prejardhjen ilire të shqiptarëve është raciste sepse me të përcaktohet e drejta e tyre agrare për territoret. Përveç kësaj, duke folur për migrimin e serbëve në Ballkan, për kohën që e shënon si parahistori të shqiptarëve, ai përmend paraardhësit e shqiptarëve duke mos e definuar kush kanë qenë ata (Bogdanoviq [1985] 1990:29–31,139,154,318–325,443–445).

Për Radovan Samarxhiq „arbanasit“ qysh në shekullin e XVI kanë qenë në ekspansion përderisa turqit janë ata të cilët «ua turrin» serbëve «që si pykë shkatërruese të futen në atdheun e tyre të vjetër». Sipas tij shqiptarët kanë shtypur popullin serb me «vrasje, plaçkitje, me djegien e tërë fshatrave, me vjedhjen e tokës dhe islamizim të dhunshëm» (Samarxhiq, 1989:123,253).

As për Marko Mladenoviq, shpesh të pranishëm në publik, gjenocidi dhe aparteid në Kosovë nuk janë të kontestueshëm, e tregimi për prejardhjen ilire është «mjegull arkeologjike» me qëllim që të pretendojnë të drejtën e tyre për «gjoja atdheun e paraardhësve prehistorikë të shqiptarëve të sotëm».