Home / Histori / UNIVERSITETI I DURRËSIT, I PARI I KËTIJ LLOJI NË BALLKAN, U THEMELUA RRETH VITIT 1380

UNIVERSITETI I DURRËSIT, I PARI I KËTIJ LLOJI NË BALLKAN, U THEMELUA RRETH VITIT 1380

Prof. Jahja Drancolli

Në fillim të viteve 90-të në shtypin ditor të Kosovës, si dhe në revistën Buletini i Fakultetit Filozofik (1993), kishte parë dritën një studim imi me titullin, Universiteti i Durrësit (së bashku me burime e literaturë referente), që ishte rezultat i punës së gjatë hulumtuese jo vetëm në arkiva publike italiane dhe kroate, por edhe në ato kishtare të urdhrit Dominikan, urdhër ky që kishte themeluar Universitetin e Durrësit rreth vitit 1380. Rezultati është pritur jashtëzakonisht mirë në botë. Këtej, në Kroaci, nga mjetet e Kuvendit të Kroacisë janë ndarë rreth 10.000 euro që studimi në fjalë, i shoqëruar me rezultate të tjera, të shohin dritën në librin monumental, Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë Mesjetës (Arbers betëeen West and East during Middle Ages, Zagreb, 2008). Libri është  distribuar kryesisht në librari europiane.

Janë dy arsye pse jam duke e riaktualizuar sërish çështjen në fjalë, tashmë të përqafuar nga pjesa e madhe e shkencës serioze europiane, e sidomos të asaj kroate e kosovare.

Arsyeja e parë është se Universiteti i Zarës, kohë më parë, në ëeb faqën universitare (anglisht dhe kroatisht) ka postuar historikun e universitetit, që përputhet plotësisht me rezultatet shkencore të cilat provojnë fuqishëm ekzistimin e Universitetit të Durrësit për të parin e këtij lloji në Ballkan. Ky rezultat, tashmë i provuar fuqishëm edhe nga shkenca e historisë kroate, ishte refuzuar  nga një pjesë e historiografisë së Shqipërisë politike me prirje mediokre nga medievalistika. Fatëkeqësisht, në mesin e tyre ka pasur dhe ka emra të shquar, të cilët me ndonjë puthadorë mediokër/e nga Kosova, jo vetëm që refuzuan botimin e këtij zbulimi në projektin Historia e Popullit Shqiptar: Ilirët, Mesjeta… (Akademia e Shkencave e  Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë: 2002), por e shpallën Universitetin e Durrësit, si të paqenë. Një fushatë e përafërt është zhvilluar pothuajse në intervale të njejta me zbulimin e origjinës Hasiane të Skënderbeut. Fatbardhësisht ky rezultat në vitet e 50-ta, pjesërisht qenka provuar edhe nga më i madhi historian shqiptar, Aleks Buda. Me rastin e fushatës së zhurmshme, ndonjë prej tyre, autorin (J. Drançolli) e kishte marrë në spikamë në stilin e humorit: “autori i këtij ‘zbulimi’ duke lexuar se durrësakët e kanë besuar ‘zbulimin’ e tij, tani edhe vet siç më kanë thënë, beson me të vertetë se Durrësi ka pasur universitet në shekullin XIV” (Historiografia shqiptare në tranzicion, Tiranë, 2006, f. 73). Mos të flasim për diferencime nga tubimet shkencore, që mbaheshin në Shqipëri (ndonjëherë edhe në Kosovë), vetëm pse Universiteti i Durrësit ishte zbuluar nga një studjues që nuk i përkiste strukturave të mykura të historiografisë enversite, të cilat trevat shqiptare jashtë Shqipërisë Politike i kanë përjashtuar nga versioni më i ri i Historisë së Popullit Shqiptar (Antika, Mesjeta…, Tiranë: 2002). Mesazhi është i qartë, duhet ditur se çdo gjë nisë dhe mbaron me Shqipërinë Politike të djeshme dhe të sotme, dhe në këtë kontekst, kthesat më të mëdha janë bërë në Shqipëri vetëm në periudhën komuniste. Do të ishte paradoksale për recidivët e djeshëm dhe të sotëm të komunizmit shqiptar, që kishin masakruar, mbytur dhe internuar mijëra intelektualë të klerit (jo vetëm katolik, por edhe musliman dhe ortodoks), ta pranojnë Universitetin e Durrësit, pikërisht si rezultat të këtij kleri nga pjesëtarët e Urdhrit Dominikan, që aktualisht në këtë vit kudo në botë është duke shënuar 800-vjetorin e themelimit të urdhrit në fjalë.

Arsyeja e dytë është që dashamirësit e shkencës dhe kulturës tonë më në fund t’i gëzojmë edhe më ndonjë sihariq, që afirmon vlerat tona shkencore e kulturore gjatë Mesjetës, kulturë kjo që ka reflektuar gjithandej Mesdheut dhe Europës përgjithësisht.

Për të parë zhvillimin historik të Universitetit të Durrësit (rreth vitit 1380), i cili për shkaqe të sulmeve osmane ishte tërhequr në Zarë për të themeluar atje Studium Generale ose Universitetin e Zarës me REKTOR TË PARË, GJON DURRËSAKU (në vitin 1396), përveç studimit tim që është botuar shumë kohë më parë, duhet shikuar për verifikim ëeb faqën e Universitetit të Zarës, të postuar në anglisht dhe kroatisht . Nga e gjithë ajo që u tha më sipër, e quaj me vend ta përkujtoj sentencën e famshme të shkenctarit më të madh të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjes, Galile Galileo: “Eppur si muove”/”Megjithatë, po lëvizë”.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...