Home / Opinion / Kosova është vetëm dhimbje dhe zhurmë – Nga Enver Robelli

Kosova është vetëm dhimbje dhe zhurmë – Nga Enver Robelli

 

Një shënim për një tragjedi

Nuk ka mjet që nuk përdoret, nuk ka shkronjë që nuk keqpërdoret, nuk ka fjalë që nuk llomotitet, nuk ka gjest të ndyrë që nuk bëhet, nuk ka spekulim që nuk hidhet në pazarin e shtrembërimeve, nuk ka proçkë që nuk lëshohet, s’ka politikan që nuk hidhet me thikë në dorë të përfitojë diçka nga një tragjedi (“ngushëllime Kosovë”, një nga fjalitë botëtunduese të profiterëve politikë nga nëntoka parapolitike), dhe pothuaj nuk ka politikan, nga ana tjetër, pra nga pushteti, që nuk përpiqet të relativizojë, të relativizojë, të relativizojë aq sa mundet këtë tragjedi, të cilën, po të ishte në opozitë, do e shfrytëzonte për atak brutal në të gjitha drejtimet.

Qëmoti skenën politike të Kosovës e ka braktisur logjika. Mendja. Kapadaillëku dhe budallallëku ecin së bashku. Nuk është e vërtetë se nëntoka politike bëhet merak aq për raste tragjike. Po të bëhej, do të dinim si e pse e vrau veten ai burri me 7, 8 apo 9 therje me thikë? Me cilën dorë? (Ai burri i agjencisë së privatizimeve). Do të dinim kush e vrau atë burrin nga Rahoveci që ishte kandidat për deputet nga PDK? (S’do lëmë gur pa lëvizur për të zbuluar vrasësit, kështu premtoi udhëheqja e PDK-së atëbotë. E sot? E shkuar, e harruar). Do të dinim kush i vrau nja 20 burra të LDK-së. Pra, nuk është e vërtetë se nëntoka politike bëhet merak aq për raste tragjike. Po të bëhej, do të dinim kush ua mori jetën plot luftëtarëve të UÇK-së në luftë. Dhe pas luftës. Do të dinim pse vriten dëshmitarët. Pse vritet një pylltar as 15 kilometra larg Prishtinës. Shumëçka do të dinim.

Tash janë zgjidhur zagarët nga zinxhirët. Secili për hesape të vetat. Secili kadi dhe kasap njëkohësisht. Secili më i bindur se tjetri se e zotëron të vërtetën e plotë. Të vetmen. Secili më mizor se tjetri. Secili më gojëndyrë se tjetri. Secili me barbar se tjetri. Kështu, me urrejtje e me kërcënime, me manipulime e marrëzi, me kurthe e intriga Kosova është qeverisur që 20 vjet. Nuk janë ndërtuar institucione të besueshme. Andaj më shumë i besohet hajvanit që bërtet nga maja e plehut se sa mjekut, gjykatësit, prokurorit, ekspertit të mjekësisë ligjore.

Gjithçka kemi formalisht, por askujt nuk i besojmë, sepse klasa që e ka sunduar Kosovën ka rrënuar çdo besim në institucione. Shqiptarët edhe kur i dënon polici në trafik, dhe i dënon me të drejtë, kërcënohen se do t’i ankohen Ambasadës Amerikane. Dhe vetëm më 17 Shkurt u kujtohet se … ah, ishte diçka, u patëm bërë shtet. Por shtet s’po bëjmë.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...