Home / Lajme / Amerikanët po i japin të drejtë Albin Kurtit në polemikën me Grenell

Amerikanët po i japin të drejtë Albin Kurtit në polemikën me Grenell

May 4, 2020

Parë gjithë këto zhvillime, duket se Kurti, polemikën me Granell e ka parimore e me thelbin e ҫështjes, ku realisht nga një debat normal nuk vjen asgjë e keqe, aq më shumë kur shikon se në një mendje me Kurtin janë autoritete të larta të SHBA, por edhe Gjermania e Franca.

Ata që e sulmojnë Albin Kurtin nga Tirana, ose nuk kanë simpati politikisht me kryeministrin në detyrë të Kosovës ose duan t’i bëjnë qejfin Hashim Thaҫit apo Ramushit, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Shqipëri
Kush e bën këtë nga Prishtina, janë pjesë e grupit që po përkrah rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit.

Kjo, pasi në debatin që ka nisur prej kohësh në lidhje me dialogun me Serbinë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Trump, Richard Grenell, mungojnë argumentet reale dhe një diskutim mbi thelbin e ҫështjes.

Bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme për shqiptarët, pas asaj të Rambujesë, që është ajo e zgjidhjes përfundimtare ligjore të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës.

Nëse në Rambuje u përcaktua largimi i trupave serbe dhe ҫlirimi ushtarak i Kosovës nga Beogradi, kjo marrëveshje zgjidh konfliktin duke i bërë këto dy shtete që të njohin njëri-tjetrin.

Dhe duke qenë e tillë, ajo duhet peshuar mirë deri në detaj dhe nuk pranon një zgjidhje “fët e fët” dhe pa një diskutim shterues; e për të nisur këtu duhet një gjithëpërfshirje në debat të të gjithë aktorëve politikë.

Albin Kurti, këtë ka kërkuar të paktën publikisht; që deri sa të nisë diskutimi, Kosova të mos jetë në pozita inferiore, ndaj nuk ka pranuar të heqë tarifën pa reciprocitet.

Ndoshta Kurti e ka gabim, por duhet argumentuar gjithҫka në debat, ku në vend të argumenteve po bëhet zhurmë.

Me kalimin e kohës, nga ai nervozëm i Grenell, nga ku siҫ duket doli edhe përpjekja për largimin e Kurtit, po vihet re se në aksionin e të dërguarit të Trump nuk ka një unifikim qëndrimesh brenda SHBA-së, ndërkohë që ka një discordance të qartë me Bshkimin Europian, e në veҫanti me dy kancelaritë e fuqishme: Berlinin dhe Parisin.

Në fillim ishte Eliot Engel, shefi i diplomacisë së Kongresit Amerikan, i cili deklaroi se Grenell duhet të gjëjë një modus vivendi mes Presidentit e Kongresit, e më pas edhe ndërmjet forcave politike të Kosovës.

Por ajo që po ndodh ditë pas dite, po vërteton, se sërish nuk kemi të bëjmë thjesht me një debat politik mes republikanëve dhe demokratëve, por me një hendek në argumentet e debatit.

James Hooper, ish-diplomat i njohur amerikan, një nga zërat prestigjozë të Departamentit të Shtetit dhe opinionit publik që ndikon në vendimmarrje, ka deklaruar në një intervistë për Zërin Amerikës, në seksionin serbisht, se Grenell nuk mund të arrijë një marrëveshje ndërmjet Hashim Thaҫit dhe Aleksandër Vuҫiҫit, nëse nuk arrin të bindë së paku Angela Merkelin për këtë pakt.

Deklaratë që thotë qartë se e gjithë tymnaja e ngritur për antiamerikanizmin e Albin Kurtit nuk qëndron e tillë, por është një ҫështje e debatueshme në thelb.

Albin Kurti, i cili është një politikan që fitoi shumicën në zgjedhjet e Kosovës, ka një qëndrim të caktuar për marrëveshjen me Serbinë dhe këtë ia tha hapur Richard Grenellit, i cili, i kërkoi kryeministrit të sapoemëruar të Kosovës muaj më parë, thjesht të zbatonte kërkesën e tij për heqjen e taksës.

James Hooper, i cili ka qenë një kritikues i fortë i taksës kur u vu nga Ramush Haradinaj, sot tha se “Grenell duhet të ndihmojë që Bashkimi Evropian ta pranojë një marrëveshje që përmban komponentën territoriale.

Serbia po ashtu insiston në anëtarësim në BE, si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Serbia dhe BE-ja – në fakt Gjermania – ndodhen në anë të kundërta të “projekt-marrëveshjes së arritur midis dy presidentëve, Thaçit dhe Vuçiqit”.

“Vuçiqi duket se e ka më lehtë të merret vesh me Thaçin, sesa ta bindë kancelaren gjermane, Angela Merkelin ta pranojë marrëveshjen e tyre. Ky nuk ka qenë rezultat i pritur i negociatave midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Hooper.

Pra ҫështja është më e komplikuar se ҫ’paraqitet. Grenell, përveҫse përfaqëson Presidentin e SHBA-së, ai së pari nuk është i plotfuqishëm, pasi një marrëveshje të tillë do të duhet ta ratifikojë edhe kongresi e aleatët, e së dyti, jemi ende pa nisur dialogu, kështu që ҫdo formulë sipas të gjitha gjasave e analogjive historike, do të diskutohet rrugës me shumë skenarë.

Parë gjithë këto zhvillime, duket se Kurti, polemikën me Granell e ka parimore e me thelbin e ҫështjes, ku realisht nga një debat normal nuk vjen asgjë e keqe, aq më shumë kur shikon se në një mendje me Kurtin janë autoritete të larta të SHBA, por edhe Gjermania e Franca.

Ndaj debati se kush është më “katolik se Papa”, apo ithtar i Amerikës, nuk ka vend, siҫ po e trajtojnë disa komentatorë nga Tirana dhe Prishtina.

Kemi të bëjmë me një ҫështje kardinale, siҫ është mbyllja e “nyjës së Kosovës”, e cila mund të jetë edhe territoriale në fund, pasi do të ketë demarkacion kufijsh, por ngritja e stekës prej Kurtit për mosprekjen e territoreve, përbën veҫse një presion pozitiv, që siҫ duket deri tani ka ndikuar dhe shumë madje.

Grenell u detyrua të pohojë publikisht se nuk e sheh shkëmbimin si zgjidhje, ҫka është deri tani e vetmja pikë e kuqe e dialogut Prishtinë-Beograd. Ndaj të cilit, do të vihen edhe pika të tjera të kuqe, natyrisht jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga Beogradi, pasi nuk është e lehtë për asnjë politikan të Serbisë që ta lëshojë Kosovën për të cilën është investuar me shekuj.

E pikërisht këtu duhet të nisë debati në opinionin publik shqiptar, natyrisht nga ato që kanë dijet e duhura ta bëjnë dhe jo politikanët tallava e shërbyesit e tyre medialë

/Burimi: Pamfleti/

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...